SOT

Bjeshka e Strellcit vend nostalgjik për të gjithë

Rreth 10 kilometra nga Strellci gjendet bjeshka e këtij fshati. Nga këtu shihet krejt Rrafshi i Dukagjinit.

Kjo bjeshkë është mbushur me shtëpiza malore, të cilat ishin të pakta para disa viteve.

Së fundmi bjeshkën po e vizitojnë kryesisht qytetarët nga diaspora.

Sylejman Qelaj, ndonëse prej më shumë se 40 vjetësh jeton në Zvicër, vizita në Bjeshkën e Strellcit e kthen në vitet e rinisë.

Është kthyer në këtë vend piktoresk për herë të parë pas 40 vjetësh. Me bindje thotë se do të kthehet që të jetojë këtu.

“Në këto bjeshkë jem rrit, në vitin 1979 kam shkuar në ushtrinë jugosllave, ndera në vitin 1981 kam shkuar në Zvicër. Prej viti 1981 në bjeshkë nuk kam dalë më. Në këto bjeshkë ka pasur gjera interesante, atë kohë nuk kem pasur orë, por përmes diellit kem arritur që ta dimë orën”, thotë Qelaj.

Ai bën thirrje që të investohet më shumë në Bjeshkën e Strellcit.

“Janë bërë ndryshime shumë, tash njerëzit mund të vijnë kjo për shkak edhe rrugës që është rregulluar, përpara kemi ecur në këmbë ose me kuaj. Jemi ngarkuar edhe me bylmet nga këtu deri tjetër vend. Është një kënaqësi ky vend sepse të kthehen vitet e rinisë. Ju kisha lute njerëzit me ardh me investuar dhe vizatuar ketë vend. Është vend i bukur, i veçantë ja vlen që të vizitohen këto bukuri natyrore”, thotë Qelaj.

Bujar Istrefaj, gjithashtu, është i mahnitur pas bukurive të kësaj bjeshke. Çdo fundjavë mbledh familjarë dhe miq këtu.

Thotë se gjatë verës qëndron 1 muaj në Bjeshkën e Strellcit.

“Stanin e kam ndërtuar para 15 vitesh, këtu dalë me familje e shoqëri. Ky vend është shumë i mirë për shëndet. Sivjet në këtë stan kam qëndruar 1 muaj e gjysmë shkak se i kam pasur disa probleme me shëndetin dhe më kë ndihmuar. Para 15 vejte 2-3 stane kanë qenë ndërsa tani ka plotë, gjatë verës shef fëmijë e të rritur ka tjetër atmosferë. Në bjeshkë tash po vijnë edhe shoqëria se është rregulluar rruga, dalim ecim neper bjeshkë, tjetër klimë ka me krahasuar me rrafsh edhe fëmijët këtu kanë tjetër shëndet”, tregon Istrefaj.

Dervish Ramaj ka qenë mësimdhënës i gjeografisë, ndërsa tani që është në pension ka zgjedhur Bjeshkën e Strellcit për të jetuar.

72-vjeçari thotë se bukuritë e këtij vendi nuk krahasohen me asgjë.

“Është një bjeshkë jashtëzakonisht e bukur, nga kjo bjeshkë duket e gjithë Rrafshi i Dukagjinit. Sidomos liqeni artificial i Radoniqit. Jem në regjionin e Nikajve, këtu përpara janë dalë banorët me bagëti. Më herët kanë qenë vetëm 2-3 bane ndërsa sot janë shumë të tilla dhe është me të vërtet një Strellc i ri dhe është kënaqësi që të vinë vizitorë të ndryshëm t’i vizitojnë këto bukuri natyrore ... Çdo gjë është e veçantë, është fillimi i alpeve shqiptare. Tash edhe rruga u mundëson vizitoreve që të vijnë këtu. Është mëkat i madh që nuk vijnë me i vizitu këto bjeshkë”, tregon Ramaj.

Si njohës i gjeografisë e njeh mirë ketë terren. Tregon historinë e gurit të nuses dhe pse e ka marrë këtë epitet.

“Nga Shqipëria e kanë zënë një nuse nga Berisha e brigjeve, nusja është sëmurë po ata nga Shqipëria kanë ardhur dhe e kanë marr dhe rrugës nusja ka vdekur”, thotë Ramaj.

Xhafer Istrefaj si fillim e kishte ndërtuar vetëm një shtëpizë malore për familjarët dhe tregon se si i erdhi ideja që të zgjerohej. Shton se si qëllim kishte turizmin në këtë vend.

“Në këtë bjeshkë kam ardhur në vitin 2006, si fillim e kam ndërtuar një bujtinë nga druri vetëm për familje. Gjatë verës e kem shfrytëzuar më së shumti. Më vonë më erdh ideja të ndërtoj edhe një bujtinë-restorant me ushqime tradicionale. Turistë kem nga Kosova dhe Shqipëria. Bjeshka jonë jo vetëm pse është e Strellcit, por nuk ka asnjë bjeshkë të Alpeve tona që në 2 mijë metra lartësi që ngjitesh për 20 minuta”, tregon Istrefaj.

Turistë të shumtë të cilët vizitojnë Bjeshkën e Strellcit pas ecjes në natyrë ndalen për t’i shijuar ushqimet tradicionale.

ushqimore e kem të fokusuar te gjerat tradicionale, kem edhe të tjera por kjo kërkohet nga vizitorët që na vizitojnë. Sofra tradicionale përfshin fli, leqenik, mish të freskët, mazë të zier, mazë me speca e sallata të ndryshme. Të gjitha janë tradicionale sepse i marrim nga fermerët dhe kultivuesit në fshat”, thotë kamerieri Elonit Istrefaj.

Bjeshka e Strellcit është vizituar nga alpinistë të njohur vendorë dhe të huaj.