Fshati i Gjakovës, Bishtazhin në çdo festë të fundvitit zbukurohet i tëri. E po këtë fshat e vizitojnë të shumtë persona pasi që i magjeps nga bukuria që merr për Krishtlindje e Vit të Ri. Për detaje ndiqeni storien e përgatitur nga Dona.
Festat e fundvitit në fshatin Bishtazhin të Gjakovës janë më të veçanta.
Nga 15 tetori vullnetarë të shumtë angazhohen rreth organizimit që Famullia e Kishës së Zonjës Rruzare, përgatit për Krishtlindje e Vit të Ri.
Gjithçka përreth kishës duket magjepse, dritat e dekorimi deri në detajin e fundit, kanë bërë që si fshat të jetë tërheqës për vizitorët.
“Kjo kishë është zbukuruar nga të rinjtë, që e kanë zbukuruar aq mirë saqë po vijnë vizitorë të shumtë këtu. Vizitorë të shumtë vijnë çdo ditë për ta parë ambientin prej vendeve të ndryshme. Ndihem mirë që jam vullnetare këtu. Kisha e ka zbukuruar e gjithë fshatin”, tha vullnetarja Samanta Domgjoni.
“Eksperienca jonë gjatë kësaj periudhe është shumë e bukur sepse bashkohemi ashtu siç e kërkon kjo festë. E kemi arritë me ndriçu Kishën tonë kaq bukur me ndihmën e shumë të rinjve, të cilët janë edhe prej fshatrave të tjera, përveç Bishtazhinit”, tha Mandalena Oroshi, një vullnetare tjetër.
Festave të fundvitit u gëzohet edhe Dejan Tuci, banor i këtij fshati. Thotë se zbukurimi dhe ndezja e dritave, ia kanë shtuar më shumë veçantinë fshatit Bishtazhin.
“Ne si famulli e Bishtazhinit i kemi ftuar, e na vijnë miq, dashamirë nga të gjitha anët. Sidomos nga kurbeti vijnë edhe na bashkohen për festa. Të gjithë shqiptarëve kudo që janë urime Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, shëndet e lumturi”, tha Tuci.
Diana Gojani jeton në Gjermani, por edhe këtë vit për Krishtlindje e Vit të Ri ka zgjedhur Kosovën, pikërisht vendin e saj të lindjes, Bishtazhinin.
Thotë se për festa këtu e gjen më shumë ngrohtësinë, pranë familjarëve e miqve.
“Jetoj dhe veproj në Gjermani. Që disa ditë kam ardhur këtu. Vij çdo herë për Krishtlindje sepse për ne është shumë e veçantë, madhështore dhe e ngrohët. Në Gjermani ka shumë gjëra që organizohen por jo në mënyrë vullnetare ndërsa këtu është gjithçka vullnetare dhe është shumë më mirë se atje. Gjallëria është më e mirë në Kosovë”, tha Gojani.
Antigona Paloka është nga Marmulli, fshat i Gjakovës. Për festa atë e gjejmë gjithmonë në Bishtazhin.
“Më pëlqen shumë fshati Bishtazhin, është shumë i veçantë. Çdo vit e vizitojmë këtë vend. Dritat dhe aktivitetet që ka kjo famulli më pëlqejnë shumë. Ju uroj gjithë shqiptarëve Krishtlindjen dhe Vitin e Ri”, deklaroi Paloka.
Anita Kerhani, sopranoja e njohur edhe përkundër angazhimeve të saja edhe jashtë shtetit, është e angazhuar për përgatitjet e korit te moshat e ndryshme.
“Këngët përzgjidhen zakonisht nga motrat e nderit, i cili është reportar kishtar. Ne ndahemi në korin e të vegjëlve, kori i të rriturve dhe kori i djemve. Këngët punohen disa muaj me radhë për të dalë sa më mirë në interpretim. Kori është përgatit për Krishtlindje dhe për Vitin e Ri”, tha Kerhani.
Prifti Dom Marian Topalli thotë se Roma nuk mund të krahasohet me asnjë vend tjetër sa i përket festes së Krishtlindjes. Krenohet për organizimin e bashkëvendësve të tij rreth festave të fundvitit.
“Si prift jam i dioqezës Prizren-Prishtinë. Viteve të para kam shërbyer në Katedralen Shën Nëna Terezë. Tash aktualisht ndodhem me studime postdiplomike, specializim në Romë. Vij shpesh në vendlindjen time. Krishtlindja në Kosovë është akoma në atë ngrohtësinë për të festuar. Me Romën nuk krahasohet askush sepse është qytet i amshueshëm, Roma e ka veçantinë e vet në përgjithësi, ndërsa sa i përket Bishtazhinit me mundësitë që i ka është një organizim i mirë duke i falënderuar të gjithë vullnetarët dhe famullitë e tjera që kanë ndihmuar në rregullimin e kësaj kishe”, tha Topalli.
Për krejt këtë organizim, vullnetarët nga moshat të ndryshme që nga 15 tetor kanë filluar përgatitjet për dekorimin e kishës, ushtrime në këndim, aktrim e aktivitete të tjera.
Çdo 3 dhjetor ndizen dritat në Bishtazhin, duke mbledhur qindra vizitorë nga vende të ndryshme.