Pamjes së bukur të lumenjve Nerodime e Lepenc në Kaçanik hijeshinë po ua zbeh një bimë jo e zakonshme në Kosovë.
Bëhet fjalë për Reynoutria Japonica, një specie bimore pushtuese e përhapur në shumë pjesë të botës, e së fundmi edhe në Kosovë.
Sipas organizatës për mbrojtjen e mjedisit “Gjethi”, kjo bimë ka filluar të pushtojë brigjet e këtyre lumenjve në Kaçanik. Zhvillimin e ka të hovshëm, dhe lartësia e bimës mund të arrijë deri në 3-4 metra.
Kjo organizatë e ndihmuar nga vullnetari Thomas Weiss nga “Peace Corps” ka filluar të punojë rreth eliminimit të kësaj bime, e cila nëse nuk trajtohet me kohë mund të dëmtojë bregun e lumit, shëtitoren dhe të pengojë zhvillimin e bimëve të tjera natyrore.
“Jam vullnetar nga ‘Peace Corps’ dhe aktualisht po punoj me organizatën për mbrojtjen e mjedisit ‘Gjethi’ këtu në Kaçanik. Së fundmi nga kjo hapësirë jemi duke u munduar ta eliminojmë një bimë japoneze që po rritet në hapësirat e Kaçanikut, por kjo rritet edhe në shumë vende të tjera të Evropës e të SHBA-së, mirëpo origjina e saj është nga Azia dhe ka tendencë të zgjerohet në tërë hapësirën. Kjo vazhdon të rritet duke marrë tërë sipërfaqen dhe më pas mund të pengojë vendkalimin për këmbësorë, lumin, e po ashtu dëmton edhe pemët që organizata i ka mbjellë”, ka thënë Weiss.
Weiss thotë se është aplikuar edhe një lloj herbicidi i trajtuar sipas protokollit të Departamentit të Bujqësisë të Shteteve të Bashkuara për të eliminuar këtë bimë.
“Mund të rritet në secilin vend, jo vetëm afër lumit, por kudo. Ne nuk do të mundemi kurrë ta largojmë tërësisht bimën, por duam ta kontrollojmë atë dhe të eliminojmë sa më shumë që mundemi te lumi, në mënyrë që të mos e pengojë ecjen e qytetarëve. Kemi pasur bashkëpunim edhe me qytetarët, por puna më e madhe është bërë me organizatën ‘Gjethi’ dhe kemi përdorur protokollin nga Departamenti i Bujqësisë i Shteteve të Bashkuara. Kjo bimë rritet shumë shpejt, por është lehtë e menaxhueshme nëse veprojmë që nga fillimi dhe nuk e lejojmë të rritet, kështu duhet vepruar, duhet prerë fundin në fillim, në mënyrë që të mos rritet dhe më pas ta trajtojmë atë. Ato që i kemi hasur në Kaçanik ka qenë vonë për trajtim, sepse kanë qenë 3-4 metra të gjata, por ne i kemi prerë dhe është dashur t’i djegim ato”.
Sipas organizatës për mbrojtjen e mjedisit “Gjethi”, kjo bimë nuk është e pranishme vetëm në Kaçanik, por edhe në vendet e tjera të Kosovës. Me ndihmën e vullnetarit Thomas Weiss kuptuan që kjo bimë duhet eliminuar sa më parë, për shkak të zhvillimit të hovshëm që ka.
Sami Stagova tregon se për herë të parë në vend po trajtohet kjo bimë, e madje po bëhet sipas protokollit të një shteti tejet të zhvilluar.
Sipas Stagovës, kjo bimë në Kosovë supozohet se erdhi nga lulishtet të cilat lulet e tyre i sjellin nga jashtë.
Organizata për mbrojtjen e mjedisit “Gjethi” vazhdimisht ka aktivitete të cilat ndihmojnë në zhvillimin dhe mirëmbajtjen e mjedisit, por për atë që krenohen më së shumti mbetet mbjellja e qershisë pranë lumenjve Nerodime e Lepenc, si e vetmja komunë që ka mbjellë në vende publike pemë të tilla që frutat e tyre munden t’i shijojnë edhe qytetarët.