Është ndër të rrallat që studion instrumentin e fagotit.
Belinda Mehana nga Vushtrria pasi përfundoi shkollën e mesme në solo këndim vendosi që studimet t’i vazhdojë në Fakultetin e Arteve, Dega e Muzikës në Universitetin e Prishtinës.
Ajo është e përkushtuar në mësimet që i merr sa i përket instrumentit frymor, fagot.
Fakulteti për studenten e vetme në këtë gjeneratë në fagot e ka siguruar një klasë, ku ajo i ndjek ligjëratat dhe bën provat.
21-vjeçareja ka qenë pjesë e shumë koncerteve që janë mbajtur në Operën dhe Filarmoninë e Kosovës.
Është fituese kryesisht e vendeve të para në koncertet e shumta që janë mbajtur brenda dhe jashtë vendit.
Mehana tregon momentin kur për herë të parë familjarët dhe të afërmit e saj e kanë kuptuar se ajo do ta studiojë instrumentin frymor fagot.
Thotë se nuk e kishin idenë se për çfarë instrumenti bëhej fjalë, po, megjithatë, e kanë përkrahur në rrugëtim e saj.
Edhe përkundër angazhimit të saj në studime, studentja ka ambicie që të vazhdojë tutje duke marrë pjesë në koncerte të ndryshme.
Meriton Ferizi, profesor në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, dhe drejtor i Operës së Kosovës, ka thënë se Belinda Mehana është me fat që është e vetmja studente e kësaj gjenerate që ka zgjedhur fagotin.
Profesori bën thirrje edhe te të tjerët që nëse e duan këtë instrument ta studiojnë.
E, Belinda në të ardhmen e sheh veten duke u dhënë mësim të tjerëve.