Kjo është hapësira në kryeqytet ku prania e qenve endacakë është e madhe.
Sado qeveri të jenë ndërruar, situata me qentë endacakë vazhdon të jetë shqetësuese. Madje, as gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare nuk u dha ndonjë premtim për zgjidhje të këtij problemi.
Duke e konsideruar të lënë pas dore këtë çështje, një bashkatdhetar ka menduar për mirëqenien e kafshëve.
Sadri Sopi ka rreth 30 vjet që jeton dhe vepron në Holandë, por kohët e fundit vizitat e tij në Kosovë i ka më të shpeshta si shkak i shoqatës së themeluar nga ai.
“Jetoj që 30 vjet në Holandë, kam punuar si punëtor juridiku, por kur vija në Kosovë shihja problemin me qen dhe kjo më shtyri ta themeloj shoqatën dhe kam synim të punoj në këtë çështje për 5 vjet dhe më pas të ua kaloj vullnetarëve vendës”, thekson Sopi.
Sipas tij, problemi me qen endacakë është hije e zezë për Kosovën dhe kjo mund të pengojë tërheqjen e investitorëve të huaj.
“Nuk kanë bërë shumë në Kosovë por ka lëvizje, edhe ne si shoqatë po bëjmë presion sepse kjo çështja e kafshëve është hije e zezë për Kosovën dhe mund të pengojë investitorët dhe zhvillimin e shtetit”, shton Sopi.
Ai ka ofruar strategji nga ekspertët e Holandës për vendlindjen e tij që kjo problematikë të ketë zgjidhje në një të ardhme të afërt.
“Ne u kemi dhënë strategji nga ekspertët e Holandës meqenëse Holanda këtë temë e ka më të rregulluarën në botë, duhet bërë sterilizim masiv dhe kur bëhet kjo brenda 6 vjetëve qentë do të zhduken, e më pas fondet për kafshët mos të shpërndahen nëpër organizata të ndryshme e as në komuna sepse po zhduken por të mblidhen në një vend”, deklaron Sopi.
Ai tregon se këtë herë përpos angazhimit me shoqatën e tij, një tjetër arsye e solli në Kosovë, ajo për të votuar.
“Vizita këtë herë ka qenë për të takuar liderët e politikës të u bëjmë me dije se edhe kjo çështje duhet pasur vëmendje nga ta sepse është problem shtetëror, por arsyeja e vizitës është edhe për të votuar sepse kam votuar online mirëpo ka pasur probleme e tani do të jem fizikisht këtu”, deklaron Sopi.
Ai shton se diaspora ka ndihmuar mjaft familjet kosovare dhe tani është koha të kontribuojë edhe në mirëqenien e kafshëve.
“Diaspora do të kontribuojë në këtë aspekt edhe më tepër por ende nuk njohin shoqata që merren me kafshë, janë dëshpëruar më herët nga disa të tjera e prandaj edhe ngurojnë të ndihmojnë”, thekson Sopi.
Këtë vikend shumë bashkatdhetarë kanë vizituar Kosovën, jo vetëm për t’u takuar me të afërmit e tyre por edhe të shfrytëzojnë të drejtën e votës duke shpresuar për një të ardhme më të mirë për vendlindjen e tyre.