Banorët e lagjes “Velania”, në kryeqytet, janë shprehur të pakënaqur me orarin e ri të punës, të Qendrës së Mjekësisë Familjare.
Orari i punës në këtë qendër është nga ora 07:00 deri në 15:00.
Këtë orar po e kundërshtojnë banorët. Sipas tyre, ata kanë nevojë për shërbime mjekësore edhe pas këtij orari dhe nuk kanë ku t’i marrin.
Kjo i detyron ata që të shkojnë nëpër QMF të tjera, nga të cilat thonë se refuzohen.
Përveç banorëve të “Velanisë”, edhe ata të “Sofalisë”, “Taslixhes” dhe “Taukbahqes”, marrin shërbime në këtë qendër.
“Kjo QMF, kur është hapur ka punuar me orar të plotë nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 19:00 të mbrëmjes dhe tash para dy vjetëve është kthyer vetëm në orarin e paradites nga 07:00-15:00. Kemi shumë kërkesa të qytetarëve që unë mendoj që iu është bërë e padrejtë që iu është mohuar e drejta për tu shërbyer këtu gjatë ditës, kësisoj ne po detyrohemi që të shkojmë nëpër QMF të tjera. Kjo më ka shtyrë që t’ia bëjë një kërkesë drejtorit të shëndetësisë dhe na është premtuar që orari qysh ka qenë do të kthehet”, thekson Enver Redenica, kryetar i bashkësisë në “Velani”.
Ai thotë se banorët në gjendje jo të mirë shëndetësore po torturohen duke kërkuar shërbime mjekësore larg lagjes së tyre.
“Hapi parë që duhet të shkojmë në QMF të tjera që shumicën e herëve nuk na pranojnë. Mua më kanë refuzua në Ulpianë për shembull, kur kam shkua më kanë thënë e keni ambulanten e juaj. Kjo është shumë mirë e rregulluar brenda, stafi është i mrekullueshëm. Këtu mendoj që staf ka mjaftueshëm, doktoresha që ka punuar pasdite e kanë rikthyer paradite asgjë tjetër. Fluksi i pacientëve këtu është shumë i madh se vijnë edhe nga lagje të tjera”, deklaron Redenica.
Banorët kanë paralajmëruar protestë, në rast se komunarët nuk reflektojnë.
“Përpos shumë emaileve që ia kam dërguar komunës, si kryetar i bashkësisë lokale që kërkesat e qytetarëve me ia adresuar nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër. Kërkesa tjetër është të bëhet edhe protestë para ambulantes edhe para komunës por e kemi shtyrë deri të kryhet fushata sepse nuk dëshirojmë që ky veprim i yni të cilësohet si politik”, thotë Redenbica.
Në një përgjigje për KOHËN, Drejtoria e Shëndetësisë në Prishtinë, ka deklaruar që këtë e kanë bërë për shkak të mungesës së stafit mjekësor.
“Për shkak të mungesës së stafit mjekësor, ne kemi menduar që ta shkurtojmë orarin e punës. Në këtë QMF është bërë kjo gjë edhe në një tjetër në kryeqytet. Mirëpo kështu do të duhej të ishte realisht në të gjitha për shkak se mjekësia familjare kudo nëpër botë e ka orarin e tillë, kjo po bëhet edhe për shkak të mungesës së spitalit të qytetit mandej”, thuhet në përgjigje.
Në “Sofali”, komuna kishte premtuar ndërtimin e një QMF-je, mirëpo deri më tani nuk e ka bërë një gjë të tillë.