Në fshat njihet me nofkën “Sahit Hekuri”, e kjo për shkak të mjeshtërisë që e zotëron në punimin e metalit.
Shumicën e punëve në shtëpinë e katundit të cilën janë duke e ndërtuar në fshatin Strofc të Vushtrrisë, e ka kryer vetë 67-vjeçari Sahit Duraku.
Kjo shtëpi është ndërtuar për t’iu shërbyer banorëve për organizimin e dasmave të fshatit, të pameve e tubimeve me mërgimtarë.
Nuk e ka kursyer veten në shërbimin e tij në të mirë të komunitetit, edhe për kundër që është dashur të punojë punë jo të lehta. Thotë se këtë punë e bën me shumë përkushtim dhe nuk ndien lodhje kur punon për fshatin.
“Nuk është aspak e vështirë për mua. Kur punoj për fshat jam shumë i lumtur jo vetëm për këtë mirëpo edhe për punë të tjera që i punoj në fshat i punoj me shumë vullnet dhe dëshirë. Disa kanë kontribuar edhe na kanë ndihmuar, disa të tjerë as nuk kanë ardhur. Unë ankoj nga dhimbjet e boshtit kurrizor, mirëpo kur punoj këtu e ndiej veten shumë të lehtë për të punuar. Kam mirënjohje edhe prej shkollës për kontributin që e kam dhënë. Çka do që punon dhe kontribuon për vendin ku jetoni është një gjë shumë e mirë pa marrë parasysh. Kjo shtëpi mbet të shfrytëzohet për të rinjtë e këtij vendi”, ka thënë Sahit Duraku.
Sipas tij, kontribut kanë dhënë të gjithë banorët, mirëpo shumicën e punës e ka kryer ai.
“Jam duke e punuar këtë pjesë që vendoset në hyrje të shtëpisë, për ta mbrojtur nga shiu. Këtu po e ndërtojmë një shtëpi të katundit që do ta shfrytëzojmë për dasma, të pame dhe ahengje të tjera. Brenda 3 javëve kemi arritur që ta ndërtojmë. Të gjithë kemi dhënë kontribut, mirëpo unë kam qenë më i lirë dhe kam pasur dëshirë të merrem më shumë me ndërtim”, është shprehur Duraku.
Kryetari i Këshillit të fshatit Behar Duraku ka thënë që mërgimtarët kanë dhënë shuma më të mëdha të parave.
Sipas tij deri më tani ata vetë kanë mbledhur 15 mijë euro, kurse kostoja e finalizimit do të jetë 25 mijë euro.
“Kjo shtëpi ka një muaj qëkur kemi filluar që ta ndërtojmë, është pritur jashtëzakonisht mirë edhe prej vetë banorëve, më mirë sesa që edhe unë vet e kam pritur. Ne kemi participuar të gjithë me shuma të parave aq sa kemi pasur mundësi. Kanë kontribuar edhe mërgimtarët edhe vendasit. Punët e vrazhda i kanë bërë banorët. Kontributin më të madh e kanë dhënë mërgimtarët të cilët i falënderoj. Ka donatorë që kanë paguar materialin ndërtimorë, si fshat i kemi mbledhur rreth 15 mijë euro. Mirëpo e tëra kjo ka kushtuar 25 mijë euro deri në finalizimin e komplet shtëpisë”, ka deklaruar Behar Duraku.
Nevojën për një shtëpi të tillë në fshat, e thekson edhe banori Nexhmi Duraku, i cili edhe i falënderuar të gjithë kontributdhënësit. Sipas tij, ndërtimi ka shkuar mirë.
“Edhe ne kemi kontribuar, ne nuk i kemi pagat sikur mërgimtarët tanë, ata kanë pasur mundësi të japin më shumë për ndërtimin e kësaj shtëpie. Unë i falënderoj të gjithë për kontributin. Kemi pasur nevojë për këtë shtëpi i gjithë fshati. Gjithçka ka shkuar në rregull dhe është punuar mirë. Kemi nevojë ende mirëpo me kalimin e kohës do t’i përfundojmë shumë shpejt”, ka deklaruar ai.
Brenda shtëpisë është planifikuar të jetë, një dhomë e pritjes së mysafirëve, një kuzhinë dhe një tualet.