Banjska e Zveçanit njihet si vendbanim i vjetër antik. Thuhet se para një shekulli u përkiste shqiptarëve, ndërsa tash ky fshat është i banueshëm vetëm me serbë.
Po ashtu ishte qytezë ku lulëzonin tregtia e turizmi. Në kohën e Perandorisë Osmane, fshati ka qenë më i zhvilluar, ka pasur 9 hane, disa kafene, punëtori të ndryshme e 12 dyqane.
Armend Shkoza, i cili jeton në Mitrovicë, tregon se familjarët e tij nga ana e babait deri në vitin 1912 kishin jetuar në këtë vend, e që më pas ishin detyruar të emigronin drejt Turqisë.
Shkoza thotë se ka qenë i lidhur me nënën e babait, ngase ajo i ka treguar shumë për këtë fshat. Përmend se si gjyshja e tij edhe pas emigrimit dokumentet i ka marrë në Banjskë.
Jusuf Osmani tërë jetën e tij ia ka kushtuar historisë shqiptare. Me profesion ishte arkivist dhe deri më tani ka 20 botime, të cilat kanë të bëjnë me vendbanimet shqiptare.
Si njohës i historisë, ai thotë se fshati Banjskë emrin e mori si shkak i banjës shëruese, e cila ishte e frekuentuar nga shumë qytetarë.
Prej vitit 1912, dhe deri në vitin 1923, popullsia shqiptare e fshatit emigroi në Turqi, ka thënë Osmani.
“Historia po përsëritet”, thotë ai teksa flet për zhvillimet e fundit që përcillen Banjskën.
Në fshatin Banjskë të Zveçanit shpesh për vizitë ishte Fazli Hajrizi.
Hajrizi edhe si njohës i historisë thotë se gjithmonë ka pasur iniciativa që të zvogëlohet popullata shqiptare në Kosovë.
Sipas njohësve të historisë, vetëm në vitin 1923, Banjskën e braktisën 54 familje shqiptare, duke marrë rrugën për në Turqi. Deri në vitet 1944-45 në këtë fshat ishin 17 familje të tjera, të cilat po në atë vit u shpërngulën dhe u vendosën në Mitrovicë, të cilët me vete morën mbiemrin Banjska.
Pas vitit 1999, fshati është i njohur edhe me emrin Banja e Mitrovicës.