Një jetë ia përkushtoi talentit dhe pasionit për artin, por me kalimin e kohës vëmendjen e tij e morën dy të vegjlit e tij dhe përkushtimi ndaj familjes që duhej të kishte.
Ditë më parë, Arbnor Morina nga Prizreni u nderua me çmimin “Babi i Vitit”, vlerësim për të cilin pa modesti thotë se e meriton.
Ai dhe gruaja e tij, Dorarta, janë shembulli më i mirë i një raporti të shëndetshëm të cilët arritën të ruajnë karrierën dhe pasionet e tyre, e në anën tjetër të jenë aty kurdo që fëmijët e tyre, Leari dhe Lisi kanë nevojë.
“Unë, bashkëshortja Dorarta, djali i madh Leari dhe i vogli Lisi kemi një raport shumë të mirë, përditshmërinë e kemi shumë kaotike, mëngjeset janë shumë dinamike përderisa i përgatisim fëmijët për në kopshte e shkollë e pastaj edhe ne për në punë. Zakonisht kur arrij të pi një kafe në mëngjes jam i lumtur sepse kjo është e vështirë, kur ke fëmijë planet bëhen vazhdimisht por edhe prishen vazhdimisht, në shumicën e kohës jemi spontanë sepse asnjëherë nuk janë të parashikueshme, me fëmijë është shumë dinamike, asnjëherë nuk e di se kush mund të sëmuret, ndoshta sa ulem të shijoj kafenë më thërrasin nga kopshti për ta marrë djalin kështu që dita është shumë e ngjeshur”, thekson Morina.
Shton se gjithherë kishte pasur dashuri për të vegjlit, por tanimë atë ndjesi që e ka për Learin 9 vjeçar dhe Lisin 2 vjeç nuk krahasohet me asnjë tjetër.
“Para se të bëhesh prind e ke një liri që nuk e di se e ke, mund të bësh plane, të punosh për karrierën, por kur bëhesh prind fëmijët janë në vend të parë, interesi e kujdesi për ta janë primare, në profesion më nuk mund të japësh siç ke dhënë më herët. Kam menduar se kam qenë përgatitur por gjithçka është ndryshe kur ata janë këtu, por lehtësohet me kalimin e viteve por ato të parat kanë qenë shumë sfiduese”, thotë Morina.
Për përkushtimin që ka Morina ndaj familjes, shoqëria tanimë e di mjaft mirë, madje ka raste kur atyre u prishen planet vetëm se fëmijët kanë nevojë për të. Madje vetë ata kanë qenë iniciatorët që kujdesi i Morinës të vlerësohej me një çmim dhe ky i “Babait të Vitit” ishte adekuati.
“Një shoqe më kishte propozuar te organizata D4D përmes një shkrimi ka fol për mu, e kur më thirrën më treguan ishte shumë interesante, ishte emocion, ne nuk kujdesemi për fëmijët për një çmim, ai është obligim i yni por ishte emocion ndryshe nga çmimet e tjera. Nga shoqëria ime nuk është diskutuar se a e meritoj këtë çmim, por këtë e dinë të gjithë se unë jam i gatshëm të anuloj çfarëdo obligimi tjetër kur është fjala për fëmijët, jam i gatshëm pa u mërzit me heq dorë nga gjithçka, edhe shoqëria e di se në kohën më të mirë ndoshta kur jemi bashkë nëse fëmijët kanë nevojë për mua unë menjëherë shkoj”, deklaron Morina..
Sipas Morinës, edhe baballarët kanë rolin e tyre në zhvillimin e fëmijëve, sikurse nënat gjithnjë duhet të jenë pranë tyre në çfarëdo kërkese që kanë.
“Mendoj se ka shumë prindër që e meritojnë këtë çmim, ka baba të mrekullueshëm, për nëna nuk dua të diskutoj se ato janë shumë meritore. Babai e ka rolin e tij sikurse nëna dhe duhet njëjtë me qenë të përkushtuar. Duhet me qenë të duruar dhe me qenë i dëgjueshëm, sepse të vegjlit kanë nevojë ne t’i dëgjojmë ata”, thotë Morina.
Ai thekson se ndëshkimin ndaj tyre asnjëherë nuk e ka praktikuar, sipas tij, çelësi për çfarëdo mosmarrëveshje është dhe do të mbetet për të komunikimi.
“Formën që e praktikoj me fëmijët e mi është komunikimi, nuk jam për ndëshkim, duhet gjetur momentin me ta me diskutu sepse jo gjithherë ata kanë dispononim për të na dëgjuar neve të rriturve”, thekson Morina.
Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) edhe këtë vit ka ndarë çmimin për “Babai i Vitit” e këtë herë janë shpërblyer tre baballarët Arbnor Morina, Hajdin Islami dhe Adrian Davies.
Qëllimi i këtij çmimi është përçimi i mesazhit se prindërit duhet të bashkëpunojnë dhe të ndajnë përgjegjësitë dhe kohën e përkujdesjes ndaj fëmijëve mes tyre, dhe nxitja e rishikimit të modelit të propozuar nga qeveria për leje prindërore për të mundësuar një ndarje më të balancuar të pushimit mes të dy prindërve dhe ofrimit të lejes prindërore me pagesë për të inkurajuar një pjesëmarrje më aktive të baballarëve në përkujdesjen e fëmijëve.