Përgatitjet nuk iu marrin shumë kohë.
Mindilin, shaminë me rruaza dhe tërë veshjen kombëtare e bartin me shumë krenari. Këto janë vajzat e ansamblit të këngëve dhe valleve “Hajvalia”.
Amela Gërbeshi, edhe pse e re në moshë, ka treguar një angazhim dhe pasion të madh për vallëzimin, duke qenë pjesë e ansamblit "Hajvalia" për tre vjet.
Vajzat e ansamblit kanë përfaqësuar vendin me valle tradicionale shqiptare edhe në shtete të tjera.
“Unë jam pjesë e këtij ansambli tash e tre vjet edhe ajo çfarë më ka bërë përshtypje më së shumti gjatë këtyre viteve kanë qenë vlerat kombëtare të këtij ansambli. Më pëlqen edhe vallëzimi që ne e bëjmë këtu. Gjatë këtyre viteve kemi pasur të arritura të shumta, e kemi përfaqësuar Kosovën në vende të ndryshme e se fundmi edhe në Turqi. Mirëpo neve na presin edhe shumë festivale të tjera, ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme. Ua uroj të gjithë shqiptarëve anekënd botës Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë”, thekson Gërbeshi.
Në festivale të ndryshme ka marr pjesë edhe Alina Buzuku, valltare në ansamblin “Hajvalia”.
“Si valltare në këtë ansambël kam filluar të jem qe 3 vjet, kam qenë pjesëmarrëse në festivale të ndryshme, qe 2 vjet më është besuar kjo punë. Fillimisht vallëzimet këtu i kam filluar vetëm si hobi, por pastaj ka filluar që të më pëlqejë shumë dhe vendosa të vazhdoja edhe më tej, më pëlqen edhe mënyra e ushtrimeve e pastaj edhe koreografia. Për nder të 28 Nëntorit, pra Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, të gjithë shqiptarëve ua uroj këtë ditë. Urime!”, thekson Buzuku.
Ansambli i këngëve dhe valleve "Hajvalia" ka një histori që nga vitet ‘70, me interpretimin e këngëve dhe valleve nga treva të ndryshme shqiptare.
Edhe pse ansambli ka arritur të mbijetojë gjatë periudhave të vështira, duke përfshirë luftën e Kosovës, gjendja e tij nuk ka qenë gjithmonë e lehtë.
Jakup Demolli së bashku me shokët e tij, me shumë vështirësi kanë arritur që ta rimëkëmbin ansamblin pas luftës.
“Ashtu siç mbahet mend që nga viti 1970, ka pasur grupe folklorike dhe shoqëri kulturo-artistike që çdoherë kanë qenë aktive që ta mbajnë gjallë ansamblin. Që nga viti 1985 e tutje unë së bashku me këta shokët e mi jemi aktivë. Nga ky ansambël kanë dalë edhe emra të mëdhenj të muzikës shqiptare. Lufta ka qenë shumë e vështirë për t’u përballuar edhe për ne, mirëpo kemi arritur me mbajtë gjallë edhe pse aktivitetet kanë qenë shumë të pakta. Në vitin 2016, unë dhe Ramiz Vitija kemi marrë iniciativë dhe e kemi ngritur në këmbë prapë ansamblin folklorik të këngëve dhe valleve ‘Hajvalia’, deklaron Demolli.
Ai thotë se këtë gjë e bën për shkak të atdhedashurisë dhe dëshirës së madhe për ruajtjen e vlerave kombëtare shqiptare.
“Nëse e do vendin tënd duhesh me dashtë me zemër dhe jo sipërfaqësisht. Për t’u identifikuar si komb duhet ta kesh gjuhën, kulturën dhe traditën tënde dhe veshjet kombëtare dhe duhet ta ruash atë. Secili që na sheh të veshur kështu me simbole kombëtare e din që jemi shqiptarë. Ne e ruajmë me fanatizëm këtë gjë dhe jemi të përkushtuar derisa të mundemi, po ashtu edhe pasardhësit tanë duhet ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo ka të bëjë me atdhedashurinë. Kushtet pas luftës kanë qenë të rënda për t’u rimëkëmbur, qeveritë e ndryshme këtu nuk na kanë ndihmuar aspak”, thekson Demolli.
Ansambli “Hajvalia” më 28 nëntor do të udhëtojë për në Shqipëri, atje ku do të performojë në manifestimin qendror të festës së flamurit.