Studimet i kreu për një profesion tjetër, por pasioni për gatimin nuk e anashkaloi, e madje në një moshë të re arriti të vetëpunësohet .
Alba Zejnullahu tashmë njihet për ëmbëlsirat e biskotat në biznesin që mban emrin e saj.
“Jam Alba Zejnullahu nga fshati Ramjan i Vitisë, studioj master në ekonomi. Përveç punës në profesion, pasioni për gatimin më ka bërë të punoj edhe me këtë biznes, fillimisht kam përgatit ëmbëlsira vetëm për festa bashkë me nënën time, e më pas fillova të përgatis edhe për të tjerët”, thotë ajo.
Alba tani po ndjek studimet në master për ekonomi, por nga numrat sërish kthehet në kuzhinë për të vazhduar me ëmbëlsira.
“Edhe pse isha në studime dhe në punën në profesion si kontabiliste, përsëri gjej kohë për kuzhinën, në shtëpi kam pas një hapësirë ku përgatisja më parë dhe më vonë e ndërtova objektin dhe aplikova për një grant”, tregon Alba.
Zotësinë e saj në kuzhinë e ka treguar tash e sa kohë, madje së fundmi ka arritur të përfitojë grant në vlerë të 15 mijë eurove.
“Pajisjet që i fitova në grant ma kanë lehtësuar procesin e punës. Për një ëmbëlsirë më duhen 2 orë minimum kohë, por dekori merr kohën më të madhe”, thotë Alba.
Për një 24-vjeçare hapja e një biznesi të tillë nuk ishte e lehtë, por mbështetja që gratë marrin i lehtëson hapat për ngritje në karrierë.
“Për një fillestare është e vështirë me i siguru të gjitha pajisjet, por në komunën tonë ka përkrahje të vazhdueshme nga organizata të ndryshme që po mbështeten gratë dhe unë isha një nga to”, tregon ajo.
Ajo i kushton rëndësi të madhe secilit detaj në ëmbëlsira, andaj edhe klientët i mbesin besnikë, nga rekomandimet e të cilëve puna veçse i shtohet.
“Në fillim kanë porositur familjarë e më pas edhe rrethi dhe shoqëria. Mundohem higjienën ta kem në nivel të lartë, e përveç shijes së ëmbëlsirës kujdesem shumë edhe për dekorin sepse për çdo festë torta është kryesore”, shton ajo.
Alba pjesën më të madhe të ëmbëlsirave arrin t’i shesë përmes rrjeteve sociale, nga ku ekspozon gjithë punën, porse edhe në punëtorinë e saj të cilën e ka pranë shtëpisë.