“Kam ardhur me e taku njërin nga miqtë e mi më të dashur. Agimin, ngaqë është në karrocë, gjithmonë vij e takoj edhe e nxjerr për shëtitje. Kështu që po shkoj dhe bashkë e takojmë”.
Takimet me Agim Pajazitin, Shkurta Haxhiu i ka të shpeshta.
Janë miq prej vitesh, andaj me t’u takuar i nisin bisedat e përbashkëta.
Ky është Agimi nga Podujeva, i cili asnjëherë nuk u pengua nga gjendja shëndetësore për t’u marrë profesionalisht me muzikë, pasion i tij kaherë.
Këngë me motive patriotike këndon shpesh, por së fundi këngë u dedikoi edhe personave me nevoja të veçanta.
Nga banesa po dilnin së bashku për të shkuar te lokali ku Agimi i kalon nga dy orë çdo ditë.
Edhe për Agimin, njësoj sikurse për shumë persona me nevoja të veçanta, sfidë mbesin dalja nga banesa e lëvizja nëpër rrugë.
Megjithatë, fat të mirë për të, 39-vjeçari e konsideron ndihmesën nga familjarët e miqtë që e shoqërojnë çdo ditë.
Ndjeshmëria që ka për këtë kategori, bën që Agimit t’i kujtohen rastet kur ka hasur në paragjykime a mungesë kujdesi ndaj tyre.
Vetë Agimi kishte hasur në vështirësi për të marrë shërbimet që i duheshin, andaj ka një kërkesë drejtuar institucioneve.