Rrjetet sociale kanë krijuar mundësi të jashtëzakonshme për të komunikuar dhe shpërndarë informacione në mbarë botën, përfshirë edhe Kosovën.
Megjithatë, ndikimi i tyre nuk është gjithmonë pozitiv.
Valon Kerolli, njohës i rrjeteve sociale, thekson se përkundër mundësisë për t'u përdorur në mënyra konstruktive, rrjetet sociale shpesh përdoren për qëllime të dëmshme në Kosovë, duke pasur një ndikim negativ në shoqëri, sidomos te të rinjtë.
Një shembull i qartë i kësaj, sipas tij, është përdorimi i TikTok-ut.
“Kryesisht te ne rrjeti social më i përdorur është ai Facebook, por kohëve të fundit ka filluar të dominojë edhe TikTok-u. Kryesisht te ne kontenti që po bëhet viral e që po përdoret më së shumti në TikTok ka filluar me qenë kontent toksik. I dëmshëm për të rinjtë, i dëmshëm për nxënësit e studentët. Realisht në krejt botën rrjetet sociale mund të shfrytëzohen edhe për të mirë por edhe për të keq, fatkeqësisht në vendin tonë, TikTok-u është duke u përdorur më shumë për keq se për të mirë. Ndalimi i Snapchat është absurde që të ndalohet sepse ka shumë aplikacione të tjera të ngjashme si Viber etj., që përdoren për komunikim. Problemi kryesor është TikTok-u”, thekson ai.
Kerolli nënvizon se një nga problemet kryesore me TikTok-un është algoritmi i tij, i cili “mëson” preferencat e përdoruesve dhe u shfaq në vazhdimësi përmbajtje të ngjashme.
Një tjetër shqetësim për njohësin e rrjeteve sociale është përdorja e moshës së rreme nga fëmijët për të hyrë në rrjetin social TikTok.
“Mosha e lejuar që mund ta përdorin TikTok-un është ajo 13-vjeçare dhe është një kohë e caktuar brenda 24 orëve kur munden me përdorë. Te ne e manipulojnë këtë fëmijët kosovarë sepse përdorin moshë të rrejshme, pra mbi 18-vjeçare. Algoritmi i TikTok-ut e ka bërë një revolucion pasi që e dedukton personin që e përdor TikTok-un, se çfarë dëshiron të shikojë. Nëse është një kontent i dëmshëm, një kontekt toksik, rrahje apo debat i ashpër, nëse shikohet ajo për disa sekonda, TikTok-u e llogarit që personit po i pëlqen videoja dhe përmbajtja e saj dhe vazhdimisht TikTok-u shfaq përmbajtje të ngjashme. Pikërisht ky është problemi me TikTok-un dhe të rinjtë në Kosovë”, deklaron ai.
Kerolli e përshkruan TikTok-un si “armën më të fuqishme” të varësisë digjitale, duke theksuar se kosovarët më shumë janë të prirë për të konsumuar përmbajtje negative.
“Ka vite që bëj thirrje për me ndalu TikTok-un në Kosovë, pak e pazakontë prej një personi të kategorisë sime që të bëjë thirrje të tilla sepse punën që ne e bëjmë nëse e krahasojmë fuqinë e armeve në një luftë, TikTok-u në fushën tonë është arma më e fortë. Unë mendoj që në interesin e përgjithshëm, e në veçanti fëmijëve kosovarë duhet të jetë në interes të atyre që e përdorin për të mirë TikTok-un. Në botë ka shumë punime shkencore kanë treguar që TikTok-u e ka arritur varshmërinë ndaj rrjeteve sociale të tjera. Pra të rinjtë janë të varur në TikTok. Më duket se si popull jem shumë kureshtarë me konsumu përmbajtje negative. Ka rrjete sociale të tjera që janë me përmbajtje dhe monitorim më të mirë siç është Youtube”, tregon Kerolli.
Sipas tij, ndryshe nga platforma e tjera, TikTok-u nuk ofron siguri me monitorimin që bën, pasi që mbështetet kryesisht në inteligjencën artificiale, e cila ka vështirësi ta kuptojë gjuhën shqipe.
Për këtë, ai propozon ndalimin e TikTok-ut në Kosovë ose institucionet relevante të bëjnë kërkesë nga TikTok-u për hapjen e një zyre përfaqësuese në Kosovë, e cila do të mundësonte monitorim më të mirë të përmbajtjes.
“TikTok-u e ka sistemin e monitorimit, por fatkeqësisht TikTok-u dhe rrjetet e tjera sociale më shumë ia ka besuar këtë punë inteligjencës artificiale. Këtu vjen në dukje problemi i gjuhës shqipe që mendoj se është problemi kryesor për shkak se monitorime me inteligjencë artificiale ka problem me kuptuar gjuhën shqipe, prandaj ka aq kontent të dëmshëm e negativ krejt kjo si shkak e inteligjencës artificiale. Aktualisht për mendimin tim zgjidhje e vetme ndalimi i tërësishëm i tiktakut, për institucionet ka mënyrë të tjera p.sh nuk mundemi mu quajt vend komunist nëse e bëjmë këtë pasi që edhe SHBA-ja ka kërkuar që TikTok-u të shitet te një kompani amerikane shkak i monitorimit. Ne mundemi me detyruar TikTok-un që me punësuar moderator nga Kosova, me i punësuar 200-300 persona që e bëjnë monitorimin e gjuhës shqipe ose të paktën me kërkuar prej TikTok-ut nëse donë me operuar në Kosovë ose Shqipëri me hap një zyre ku e kanë përfaqësinë e TikTok-ut. Ku institucionet e Kosovës munden me ju drejtuar atyre në rast kur ka përmbajtje të tillë. Aktualisht kontenti i TikTok-ut në Kosovë është toksik, negativ që nuk ia sheh ‘hajrin’ askush, e në veçanti shoqëria jonë”, thekson Kerolli.
Ndikimi i rrjeteve sociale në Kosovë, sipas psikologes Florentina Dushi, shihet si shqetësuese edhe për shëndetin mendor të të rinjve.
“Kur rrjetet sociale përdoren për qëllime jo edukative, normalisht që konsiderohet që ka një efekt jo të mirë në aspektin e koncentrimit të fëmijëve, sepse në rrjete sociale jepen shumë informacione ku shembull brenda disa sekondave marrin senzacione, ngjaje apo storie të ndryshme. Është jashtëzakonisht e rëndësishme kur ne flasim për mediume sociale në përgjithësi nëse ato nuk përdoren për një qëllim të mirë, edukative apo marrje të informacioneve të mirëfillta, normalisht që kanë një ndikim jo të mirë në zhvillimin mendor”, deklaron Dushi.
Ajo thekson se komunikimi online po e zbeh atë real.
“Nëse ne kënaqësinë e vetme e kemi vetëm në rrjete sociale, ka të bëjë me humbjen e kontaktit real dhe e dimë që kjo nuk është e shëndetshme për mirëqenien tonë, sepse ne jem mirëqenie sociale. Por në anën tjetër disa mungesa të tjera që mund t’i përjetojmë, njerëzit e përdorin rrjetin social si një prehje”, thotë Dushi.
Sipas Valon Kerollit, ndërhyrjet institucionale dhe monitorimi më i mirë janë thelbësore për të kufizuar përhapjen e përmbajtjeve toksike në rrjetet sociale.
Së fundi edhe Shqipëria synon ndalimin e TikTok-ut dhe Snapchat-it, pas vrasjes së një të mituri, ku sipas hetuesisë zënkat mes dy të miturve kishin nisur pikërisht nga TikTok-u.