SOT

9-vjeçarja shet piktura për shërim të fëmijëve, mbledh mbi 4 mijë euro

Secili kënd i shtëpisë së saj në Prizren është i mbuluar me piktura të punuara nga 9-vjeçarja, Tara Alija.

Tara, kohën më të madhe jashtë mësimit e kalon duke shprehur talentin e saj në pëlhurë, edhe pse secilën nga punimet e ka për qejfi dhe dëshiron t’i mbajë si kujtim brenda mureve të shtëpisë. Megjithatë, një iniciativë të cilën e ka ndërmarrë së fundmi ka bërë që ato t’i shpërndajë te të tjerët, duke ndihmuar për një kauzë tejet të rëndësishme.

Kontributi i vogëlushes është shumë i madh dhe human. Tashmë pikturat e punuara nga ajo po i shet një nga një me qëllim për të ndihmuar bashkëmoshatarët e saj të cilët përballen me sëmundje të ndryshme.

“Unë kam dëshirë të u ndihmoj njerëzve dhe t‘i shes pikturat që i punoj e ato para që i fitoj ua dërgoj familjeve të atyre. Kam anëtarë të familjes që edhe ata dinë të pikturojnë, e unë më shumë e gjej vetën në pikturimin e natyrës dhe kafshëve”, thotë Tara.

Pikturat janë me motive të ndryshme.

Ndryshe prej profesionistëve të tjerë, ajo nuk e përcakton çmimin e punës së saj, thotë se klientët që duan të ndihmojnë përmes blerjes së pikturës e vlerësojnë vetë artin.

“Nuk i përcaktoj çmim pikturave, ato i bënë blerësi, deri më tani kam ndihmuar shumë raste, gra të prekura nga kanceri i gjirit dhe fëmijë të vegjël”, tregon ajo.

Nëna e Taras ishte shtysa më e madhe që e bija në një moshë kaq të re të ndërmerrte një iniciativë të tillë. Me punën e saj, sadopak arriti t’ia lehtësojë shumëkujt trajtimin mjekësor të cilin po e marrin në spitale të ndryshme.

“Nëna ime i sheh këto raste që kanë nevojë për ndihmë përmes rrjeteve sociale, më tregon mua dhe menjëherë pikturoj e i shes ato, deri më tani kam grumbulluar 4300 euro nga shitja e tyre”, shton Tara.

Edhe në shkollë po vazhdon të jetë shembullore në mësime, por duke mos anashkaluar asnjëherë kauzat e tilla, e madje së shpejti synon të realizojë një ekspozitë me qëllimin e njëjtë, atë humanitar.

“Prindërit e mi e kanë kuptuar që në vegjëli se kam talent artin, kam marrë pjesë në gara të ndryshme dhe madje fitova edhe çmime. Pikturës i kushtoj kohë 2 ditë në javë, e 3 ditët e tjera pianos, e di që jam e ngarkuar por i bëj me dëshirë”, thotë ajo.

Të gjitha mjetet që i duhen për punën në pikturë ia siguron vetë familja, e të cilët vazhdimisht e mbështesin e janë krenarë për të dhe vullnetin që ka.

“Anëtarët e familjes më ndihmojnë në blerjen e ngjyrave, brushave dhe pëlhurës, kanë kosto të lartë, por gjithsesi më ndihmojnë në sigurimin e tyre”, shton në fund Tara.

Tara vazhdimisht zgjedh rrjetet sociale për të promovuar punën, por edhe qëllimin e saj në lidhje me pikturat të cilat po arrin t’i shesë në kohë rekord.