SOT

65-vjeçari synon majat më të larta të botës

Agim Idrizi

Nuk ka bjeshkë në Alpet Shqiptare që nuk e ka ngjitur. 

Për të natyra është bërë ushqim i shpirtit. Çdo mëngjes 65-vjeçari nga Gjakova e nis në parkun e bukur të Shkugzës.

Ecjet e përditshme maleve Agim Idrizin e mësuan edhe të ushqehet me bimët e natyrës. 

“Kom nis me u marrë me bjeshkatari qe 6 apo 7 vjet i rregullt, por ecjet në natyrë i kam pas qysh fëmijë. I kam pas edhe disa lëndime, por këto i ka natyra. Mrekullitë që i ka Kosova jonë, janë të rralla. Ende ka të pa eksploruara, e mos të flas edhe për pjesët e Shqipërisë”, tha Idrizi. 

Agimi kujton ngjitjet më të bukur dhe më emocionale. Këtë ndjesi ia japin vendet ku janë të varrosur dëshmorët e vendit. 

“Ecja më e gjatë që e kam bërë ka qenë në bjeshkët e Tropojës, të cilën e kam nis nga varrezat e Koshares e pastaj kemi kaluar në vendet e Tropojës, ndër bukuritë më të rralla që mund t’i shohësh. Edhe kthimin e kam bërë në të njëjtin shteg me një gjatësi prej 46 km”, tha ai. 

Në ecjet me shumë metra lartësi, Agimi kishte edhe terrene sfiduese.  Të tilla i ka në stinën që ai e do më shumë, dimrin. 

“Bashkë me shoqëri e kam ngjit edhe majën e Shkëlzenit, që i bie në tre kufirin Kosovë – Maqedoni – Shqipëri. I ka afër 30 km rrugë. Këtë ngjitje e kam bë dimrit, pra këtë dimër, në sezonin tim të preferuar. Ka pas trashësi të madhe bore, por nuk jemi ndal edhe pse për mua ka qenë terreni më i rrezikshëm e sfidues që e kam kaluar ndonjëherë”, tha Idrizi. 

Dëshira e tij është që t’i ngjisë edhe tri maja të larta në botë, por për të shprehet se kushtojnë shumë. 

“Natyrës nuk mundesh me i thënë kurrë jo. E kam me shumë dëshirë t’i ngjes edhe majën e Titos, majën Mont Blanc dhe Everestin, po të tria kushtojnë shumë, prandaj po pres me kohë”, tha ai. 

Gjëja më e mirë që ia ka dhuruar natyra është shëndeti i plotë, thotë 65-vjeçari nga Gjakova. 

“Nëse flas për përfitimet shëndetësore i kam të shumta. Në këtë moshë natyra më ka bë që të mos kem asnjë problem shëndetësor. Nuk kam as tension, as probleme me yndyrën e asgjë. Më ndodhin lëndime që janë normale, por jo të vuaj nga ndonjë sëmundje”, tha Idrizi.  “Tash informacion ka sa të duash për natyrën edhe ecjen e të mirat e saj. Një këshillë për të gjithë prindërit që t’i largojnë fëmijët nga telefonat dhe pos mësimeve të rregullta që i kanë, le ta bëjnë rutinë me ia kushtu pak kohë edhe natyrës, sepse vjen një kohë kur nis mosha e pleqërisë e duhet me shku te mjeku, prandaj më mirë në natyrë që e kemi pa pare, sesa të mjeku me të gjitha ato shpenzime”.