SOT

65-vjeçari që çdo ditë ushqen pëllumbat në Ferizaj

Moti dhe temperaturat qofshin ato plus apo minus, nuk janë problem për Ali Sadikun nga Ferizaj, për ta vazhduar përditshmërinë e njëjtë.

Qëkur niset nga shtëpia fillon grumbullimin e ushqimit të cilin të tjerët e kanë hedhur në mbeturina. Destinacion e ka sheshin, ku me ushqimin e mbledhur ushqen pëllumbat, të cilët edhe janë mësuar me prezencën e tij saqë brenda pak sekondave të gjithë grumbullohen afër tij.

Aliu thotë se shpeshherë shkon në vizitë te familjarët jashtë vendit, por mendjen gjithsesi e ka te këto shpezë.

Dashuria e Aliut për këta pëllumba është e madhe, porse edhe dikur i kishte pasur pasion kafshët, saqë edhe një ujk e kishte gjithherë afër vetës.

Gjithë këtë punë e bën në mënyrë vullnetare, por nuk do të refuzonte edhe ndihmë nga institucionet për t’ia lehtësuar sigurimin e ushqyerjes për to.

Nuk ka njohuri specifike për to, por thotë se ka arritur ta shtojë numrin e pëllumbave qëkur kishte nisur ushqyerjen e tyre.

Sipas Aliut, pëllumbat kanë shtuar edhe më tej hijeshinë e qytetit.

Vullnetarizmi i Aliut u ka rënë në sy edhe kalimtarëve të tjerë, porse Aliu nuk është i vetmi që kontribuon në këtë pjesë.

Edhe pak kohë Aliu së shpejti do të mbushë 65 vjeç dhe si pensionist thotë se do të vazhdojë atë që e bën me pasion.

Ai në kohën e luftës së fundit në Kosovë kishte qenë i torturuar nga forcat serbe, saqë edhe shëndeti i tij kishte qenë në rrezik, porse tani në ditët e çlirimit gjithë forcën dhe vullnetin për të vazhduar edhe më tej e gjen në këtë hapësirë pranë pëllumbave të Ferizajt.