SOT

40 tonë lakra për hektar, rendimenti që pret fermeri nga Istogu

Një hektar tokë të mbjella me lakra.

Por këto nuk janë të vetmet për fermerin Driton Mehmetaj, nga fshati Zabllaq i Komunës së Istogut.

Gjithsej sivjet ai ka mbjellë 3.5 hektarë tokë me lakra, përderisa kultivon edhe kulturat e tjera si: patatet, qepët, kungujt e shalqinjtë.

Lakrat e sallatës janë ato që gjendet ende në fusha, përderisa ato për zahire veçse janë vjelë.

“Merrem me kultivimin e lakrës në pikë të parë, sepse e mbjell në sasi më të madhe qe 15 vjet, por kam mbjellje edhe të shalqirit, të qepës dhe patates, por me lakër jam më i madh që në rajon të Istogut nuk ka më të madh. Sivjet i kam 3.5 hektarë tokë të mbjella me lakra dhe 1.5 hektarë e kam të paprerë hala, është lakër e dimrit, e paketojmë dhe e shesim pak më vonë.  Kjo përdoret për sallatë, jo për turshi apo diçka tjetër. I kemi pasur 1.5 hektarë edhe të lakrës për zahire, ajo ka përfunduar dhe tashmë e kam mbjellë me grurë”, tha Mehmetaj.

Vjelja e tyre ka filluar gradualisht, përderisa thotë se po e presin javën e fundit të nëntorit për t’i nxjerrë të gjitha.

“Tash po presim kohën, sepse është shumë herët të paketohen, pa u bë ftohtë nuk bën. Po e presim javën e ardhshme, pra nga fundi i nëntorit edhe i vjelim këto. Pra, në dhjetor të hyjmë pak më të relaksuar me punë. Speci ka përfunduar. Si të bie një brymë e vogël përfundon speci. Pataten e kemi hequr, ato i kemi brenda, disa kunguj e kështu”.

Bujku nga Istogu pret rendimente deri në 40 tonë lakra për hektar.

“Rendimenti sivjet ka qenë pak më i dobët, sepse e ka bërë thatësia. Për lakër nuk është e mirë nxehtësia e madhe, por prapë i kemi qëndru gati për ujitje. Kemi pasur shpenzime më shumë për shkak se ujitjen e bëjmë me traktor, që ka shpenzime të naftës, por e kemi mbajtur. Sivjet diku rreth 40 tonë për hektar, aty duhet të sillet”.

Me gjithë sfidën e mungesës së punëtorëve, ai thotë se çdo vit po është më i suksesshëm për të.

“Sivjet bujqësia për mua personalisht ka qenë e suksesshme. Vitet e fundit, pra çdo vit është më i suksesshëm. Sepse ikja e disa punëtorëve e ka bë që ne nuk po i shesim produktet lirë. Kur e paguaj një punëtorë 50 euro, duhet të nxirremi edhe ne. Punëtorë sezonalë ndër 40 euro nuk kemi mund të gjejmë. Deri sivjet e kemi rritur sasinë e tash të shohim. Mendoj që edhe sivjet do të ketë pak rritje”, u shpreh ai.

Bujqësia për të është traditë familjare, përderisa në punë thotë se e ndihmon vëllai, e më së shumti gruaja.

“Ne jemi familje që e kemi punuar tokën. Ne gjenerata e viteve ‘90 që e kemi përfunduar shkollën e mesme, shumica jemi në bujqësi, për këta që i njoh, sepse ashtu na u krijuan rrethanat. Më ndihmon edhe vëllai, gruaja më së shumti”.

Por, pasardhësit e tij thotë se nuk janë të interesuar ta trashëgojnë këtë punë.

“Të rinjtë shumë pak ka që mendojnë të mbesin në bujqësi. Unë i kam dy djem dhe i kanë profesionet e veta dhe nuk më ndihmojnë se janë të angazhuar diku tjetër. I kam pyetur por Prishtina më e mirë. e kam një me vete, është bërë merak fort por ndoshta se ka përkrahjen fort por unë po i them se më mirë këtu sesa të dalë në perëndim. Prej Perëndimit s’ka asgjë. Ai që bën këtu, do të bëj gjithkund, ai që s’bën këtu, s’do të bëj askund”, shtoi Mehmetaj.

Benefitet e marrjes me bujqësi, Mehmetaj thotë se janë shumë të mëdha.

“Ka benefit, ka përfitime. Me qeto toka që i kam me qira, vetëm subvencion që më jep ministria për këtë tokë që e punoj unë e kam një pagë ndoshta të Gjermanisë, pa e llogaritur fitimin. Komuna nuk na ka ndihmuar para 10 viteve ndoshta një serrë ma ka ofruar”.

Fermeri thotë se tani ka hapur edhe një biznes të vogël familjar, prej ku edhe bën shitjen e produkteve të tij.