SOT

36 vjet nga marshi, minatorët thonë se përpjekjet e tyre nuk u shpërblyen kurrë

Janë bërë 36 vjet nga marshi i minatorëve, të cilët morën rrugën në këmbë nga Mitrovica për në Prishtinë, në kundërshtim të sistemit të ish-Jugosllavisë.

36 vjet më parë 1.260 minatorë ishin nisur më këmbë nga Miniera e Stantërgut drejt Prishtinës.

Ishte periudhë e okupimit dhe marshi i tyre kishte rëndësi të madhe në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve duke nxitur kryengritjen demokratike. 

Sakrifica dhe rezistenca e tyre bëri që ata të jenë të bashkuar, në kundërshtim të sistemit të ish-Jugosllavisë.  

77-vjeçari, Hajrullah Haliti, nga qyteti i Vushtrrisë, në vitet ‘70 kishte filluar punën si minator në Minierën e Stantërgut. 

Ai ishte ndër organizatorët e marshit historik të vitit 1988.

“Me 17 nëntor të vitit 1988 kemi marr vendim të shkojmë nga ky vend për në Prishtinë, 1260 minatorë kem marr rrugën për me shkuar e për me mbrojt këtë vend. Ky vend aq i vlefshëm e strategjik i takon këtij populli, atyre që kanë dhënë mund e gjak për më mbrojt këtë vend. Na është duk që sistemi ish-Jugosllav gjithmonë e ka shfrytëzuar Kosovën si vend i devotshëm për ta. Nga ky vend deri në Prishtinë jem shkuar në këmbë. Kem marr vendim që me forcën që kem pasur arave qysh kem mundur nëpër baltë, kem shkuar në hallë sportive. Pak para orës 17:00 ka ardhur Kaçusha Jashari, kryetare e komitetit krahinor atë kohë. Na ka thënë ‘ju lutem vetëm 15 minuta kam kohë sepse në ora 17:00 e kam mbledhjen e komitetit krahinor qendror. Ajo na ka përkrah.. Dhe prapë u kthyem ashtu siç shkuam në këmbë”, deklaron Haliti. 

Në shkurt të vitit 1989, minatorët u futën në një grevë 8-ditore brenda minierës, duke treguar edhe një herë rezistencën e tyre kundër padrejtësive të sistemit të atëhershëm. 

Haliti thotë se falja e gjaqeve dhe formimi i celulave të UÇK-së kanë lindur pikërisht nga Miniera e Stantërgut.

“Duke e parë që ende ka padrejtësi me 20 shkurt të vitit ’89 minatorët kanë hy prapë në grevë në minierën e Stantërgut deri në të 11 horizont. Falja e gjaqeve ka filluar nga miniera, celula e UCK-së ka dalë prej këtu. Prej 1260 minatorëve rreth 218 jem gjallë. A ka mbledhje, tubim institucional që mbahet në shtetin tonë që përmendet sakrifica e mundi i minatorëve. Jo nuk ka. Kur shoh jetën e minatorëve, janë të mjerueshme. Nuk kanë qenë minatorët që kanë luftuar për 10 cent për vete por për këtë popull. A nuk e drejt rruga Mitrovicë-Prishtinë të quhej “Epopeja e Minatorëve 88-89”, thotë ai. 

Thekson se minatorët e “Trepçës” kanë qenë gur themeli i Pavarësisë së Kosovës ndërsa sot nuk vlerësohen sa duhet. 120 euro është vlera e pensionit që ata marrin.  

“Pse sot minatorët me mbet me 120 euro pension. Ka prej tyre që për një ditë-javë nuk e kanë plotësuar stazhin e punës. U tha me ja plotësuar kërkesat minatorëve kur më, kur vdes edhe unë a? Nuk po më duhet më asgjë. 8 barna i përdori brenda ditës, ato duhet me i ble. Faleminderit që i kam kushtet, por ka dikush që si ka kushtet”, tregon Haliti.

“Erdha sot këtu ta vizitoj edhe njëherë këtë vend ku kam hy në të, ku kem hy në grevë, ku kam ngrenë e pirë, për çfarë kem sakrifikuar. Pavarësia e shtetit të Kosovës është nga miniera e Stantërgut, prej grevave, protestave të minatorëve, studentëve që me vite të tëra kanë luftuar për këtë shtet, luftojnë edhe sot. Më e vlefshme është merita e atyre që më nuk janë gjallë”, shton ai.  

Sylë Aliu, një tjetër ish-minator, kujton kohën kur udhëtonte çdo ditë nga Vushtrria në “Trepçë”. 

Ai ishte pjesëmarrës i marshit të vitit 1988.Thotë se përpjekjet e minatorëve nuk u shpërblyen kurrë. 

“Në 8 në mbrëmje jemi nisur ndërsa kemi mbërri në 17:00 në mesdite. Kemi bërë 52 kilometra të lodhur, rraskapitur. U lodhem na u prishën këmbët, na ka ra lëkura e këmbëve prej ecjes. Veç vdeka që se di endë që nuk mëri. Shkuam e u kthyem por sot e asaj dite nuk kem marr asnjë perspektivë. Na u shty jeta për 25 vjet më mbrapa se ku kem”, thekson Aliu.

Edhe Ramadan Beqiri, minator nga Mitrovica, ishte pjesëmarrës i marshit dhe grevës 8-ditore në Stantërg. 

Kohën e kujton me dhembshuri. Thotë se mundi i minatorit duhet të shpërblehet më shumë në liri. 
“Jam pjesëmarrës edhe i marshit të Prishtinës edhe i grevës 8 ditsh në minierë. Nuk kanë qenë vite të kollajshme. Me mos pajtimin me shtetin okupues që ka qenë Serbia e sotit. Jem detyruar në njëfarë mënyre pa dashjen tonë por për interesin tonë, për të mirën e minierës dhe të Kosovës me marshuar për Prishtinë. Marshi nuk kaloj edhe aq, pastaj u futëm edhe në grevën 8 ditshe-natshe. Një fitore për minatorët ka qenë që janë kthyer në vendin e punës. Është dy vjet dalë në pension dhe pensionet janë të dobëta. Edhe për koleget e mi që kanë dalë më herët por edhe për ne. Shpresoj ata që vijë pas neve të kenë më ndryshe”, tregon Beqiri.

Niman Meholli  pas dy vjetësh do të pensionohet. Punën në minierë e nisi në vitet  ’80.

“Kam qenë në ndërrimin e tretë, kurr se harroj. Jem nis nga këtu e kem bërë marshin deri në Prishtinë. Ka qenë ditë e ftohtë. Minatorët e kanë trondit ish-Jugosllavinë, por sot ku jem mbet. Shpresoj ta gëzojnë këtë të rinj, të shkojnë përpara”, thotë Meholli. 

Gani Osmani, teknik i xehetarisë, thotë se greva e minatorëve ishte vendimtare për thyerjen e themeleve të ish-Jugosllavisë.

“Kjo ka qenë grevë politikë, ne as nuk kem kërkuar kushte dhe rritje të pagave. Kem kërkuar vetëm mbrojtjen e kushteve të Kosovës. Jem na të parët që i kem thyer themelet e ish-Jugosllavisë, është e pamundur të përmendet ditëlindja e pavarësisë së Kosovës e të mos përmendet “Greva e Minatorëve”, tregon Osmani. 

Minatorët e “Trepçës” kërkojnë që sakrifica e tyre të njihet dhe të vlerësohet si një pjesë e çmuar e historisë së Kosovës.