Dita e Solidaritetit po zhvillohet në 8 komunat e Kosovës, ku për një ditë nxënësit do të lirohen nga procesi mësimor e atë ditë do të punojnë në një biznes lokal. Përmes shumës simbolike me të cilën do të paguhen për kontributin njëditor, ata do të grumbullojnë të hollat të cilat do të bëjnë një ndryshim në komunitetin e tyre.
Është hera e 4-t që organizata “Toka” në Kosovë po zhvillon aktivitete për Ditën e Solidaritetit.
Nxënësit e 8 komunave të Kosovës për një ditë do të lirohen nga procesi mësimor dhe do të punojnë në një biznes lokal. Përmes shumës simbolike me të cilën do të paguhen për kontributin njëditor, ata do të grumbullojnë të hollat të cilat do të bëjnë një ndryshim në komunitetin e tyre.
Fatime Veliu, nxënëse e klasës së 11-të në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, për herë të parë përjeton ndjenjën e të punuarit në një biznes. Fati i saj është që këtë ditë të solidaritetit po e zhvillon brenda hapësirës së një farmacie, gjë që po e shtyn ta mendojë këtë si profesion të së ardhmes.
“Sot po e mbajmë Ditën e Solidaritetit e unë jam zgjedhur të punoj në farmaci, kam mësuar shumë gjëra e po e mendoj edhe për të ardhmen. Kjo është hera e parë që po punoj, kam mësuar renditjen e ilaçeve, ofrimin e ndihmës ndaj pacientëve e shumë të tjera. Pagën që do ta marr këtu do ta dhuroj për shkollën, që me gjasë do të ndryshojmë diçka në shkollë”, thotë ajo.
E Shqiprim Kastrati, po ashtu nxënës i klasës së 11-të në të njëjtin gjimnaz, në Ditën e Solidaritetit po punon në një lokal me pajisje sanitarie. Fakti se puna e tij do të kontribuojë në të mirën e shkollës së tij e gëzon tej mase.
“Sot kam mësuar shumë gjëra në këtë biznes në të mirën tonë, unë kam një biznes të ngjashëm me këtë që po punoj e mësova gjëra të reja. Po ndihem mirë se unë në atë shkollë jam dhe dua të shoh ndryshime pozitive”, thekson ai.
Bizneset edhe këtë herë u shprehën të gatshme të ndihmojnë nxënësit për të arritur qëllimin e tyre, një restorant këtë herë ka angazhuar 10 nxënës, të cilët janë shpërndarë në pozita të ndryshme të punës.
“Sot kemi 10 nxënës, vajza dhe djem, nga gjimnazi në Podujevë, ata do të punojnë në orar sikurse ne, do ta kenë një pagesë simbolike e me atë do të përkrahet ndonjë projekt. Nxënësit janë shumë të mirë, i kemi ndarë në vende të ndryshme, nuk kemi hezituar asnjëherë t’i ndihmojmë në projekte të tilla, për ne është hera e dytë që kemi nxënës për Ditën e Solidaritetit”, thotë Ditar Hoti, pronar i një biznesi.
Mësimdhënësja në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani”, Albana Bryma, tregon se 50 nxënës nga kjo shkollë janë angazhuar në Ditën e Solidaritetit.
“Kjo është një ditë e veçantë, sepse nxënësit marrin një rol ndryshe, ata do të punojnë për një ditë të plotë në biznese lokale, qëllimi i kësaj është që nxënësit të njihen me vlerat e punës, të zhvillojnë aftësi të reja dhe me fonde të mbledhura do të ndihmojnë për shkollën. Ata ishin shumë entuziastë, por edhe ne si mësimdhënës kemi punuar me kënaqësi e përkushtim të madh. Janë 50 nxënës që veçse janë duke punuar në biznese e madje edhe bizneset na kanë përkrahur”, deklaron ajo
E Nuhi Tërshani nga OJQ “Toka” thotë se këtë herë kjo ditë po udhëhiqet nga nxënësit vullnetarë që ishin herëve të kaluara, të cilët përpos që mësuan rëndësinë e kësaj dite tani kanë mundësi ta përcjellin atë në gjeneratat e reja.
“Dita e Solidaritetit po bëhet për herë të 4-t këtë vit, janë 8 komuna dhe jemi bashkë më mësimdhënës e nxënës liderë, këta nxënës janë ata që kanë qenë vullnetarë herën e kaluar. Çdo ditë e kemi këtë ditë në secilën komunë, presim deri më 5 dhjetor, që është dita e fundit, me marrë pjesë 350 vullnetarë në këto komuna, në pranverë i kemi pasur 191 vullnetarë e tani veçse jemi dyfishuar”, thekson ai.
Sipas tij, në fund të këtij projekti nga këto 8 komuna priten të grumbullohet një fond prej rreth 5 mijë eurosh.
“Në pranverë kemi grumbulluar 3.600 euro e këtë herë presim diku 5.000 euro, fondi grumbullohet nga të dyja fazat dhe në fund nga të gjitha këto komuna do shpërndahet fondi dhe më pas do të caktohet se çka do të ketë ndryshim në komunitetin ku ata jetojnë ose mësojnë”, thotë Tërshani.
Dita e Solidaritetit u organizua edhe në fillim të këtij viti e afro 50 nxënës, që ishin pjesë e aktivitetit, në fund arritën të punësoheshin nga ato biznese gjatë sezonit të verës.