Po nisej drejt Bllatës së Parteshit të Komunës së Vitisë.
Në fushat e kësaj zone 25-vjeçari Jakup Rexhepi nga Remniku i lë të lira 147 lopët me të cilat nis çdo mëngjes i tij.
Blegtoria për të riun është puna e vetme nga e cila, thotë se, ia siguron të ardhurat familjes.
“Jam Jakup Rexhepi 25-vjeçar nga fshati Remnik i Vitisë. Me blegtori merremi thuajse të gjithë brezat e familjes. Në fillim i kemi pas 1000 dele tash i mbajmë rreth 150 krerë lopë. Për to kujdesemi bashkë me prindin dhe jetojmë prej kësaj pune”, thotë ai
I riu nga Remniku thotë se nuk e ka menduar asnjëherë një punë tjetër.
“Punoj për veten, ku gjithçka e udhëheq vetë”, shprehet ai.
“Unë mund të punoj edhe për dikë tjetër, po më mirë punoj për veten. 25 vjet i kam bë, po asnjëherë nuk kam punu për dikë tjetër. Jam krejt kohën me dele edhe lopët që i kam tash. Prej tyre i kam të ardhurat”, tregon ai.
Edhe pse tokat ku qëndrojnë 147 lopët i ka larg nga shtëpia, Rexhepi i viziton disa herë gjatë ditës, shpesh edhe gjatë orëve të vona të natës.
“Puna e blegtorit ka shumë vështirësi sidomos gjatë dimrit. Duhet të kujdesemi për ushqimin e lopëve. Gjatë ditës ndodhë që prej Remnikut vij 5-6 herë këtu në Bllatë të Parteshit, por ka pasur raste kur më është dashur të vij edhe natën vetëm për t’u kujdes për to”, thotë ai.
220 krerë ishte numri më i madh i lopëve që 25-vjeçari i kishte mbajtur.
Njësoj dëshiron t’i ketë edhe tash, por për këtë e ka të nevojshme sigurimin e një ferme.
“Vitin e kaluar i kam pasur 220 krerë lopë, por këtë vit kam dëshirë me i mbajt kaq sa kam. Numrin e tyre do ta shtoja edhe më shumë, po më duhet një fermë, e cila do të ma lehtësonte punën me to”, tregon ai.
Jakupi dikur kishte punësuar edhe punëtorë. Por, kohët e fundit edhe ai po has në vështirësi në gjetjen e tyre.
Sot nuk e ka asnjë. Thotë se po kërkojnë pagë të lartë, por, sipas tij, punën nuk po e kryejnë siç duhet.
“Kam pasur edhe punëtorë, por tash nuk kam. Më ka ndodhur që punëtori ka ardhur e ka shiku punën për një ditë dhe nuk ka ardhur ditëve tjera. Kanë edhe kërkesa për pagë të lartë, por nuk e kryen punën si duhet. Ndodhë që vjen në orar të tij e ende pa filluar largohet prej vendit të punës”, thotë ai.
Për të rinjtë kosovarë, blegtori nga Remniku përcjell porosi që të mos bien pre e paragjykimeve.
Si i ri thotë se ka dëgjuar komente të ndryshme për të, porse nuk e kanë shqetësuar, pasi që prej blegtorisë e mban familjen.
Jakup Rexhepi blegtorinë do ta vazhdojë si veprimtari kryesore për jetesën e tij, teksa kërkesë të vetme ka ndërtimin e një ferme.