Sportet luftarake

16-vjeçaret që me sportin e mundjes po krenojnë Kaçanikun

16-vjeçaret Lonisa Reka dhe Elsa Nikoci janë të reja në moshë, por arritje të mëdha i kanë sjellë qytetit të tyre të vogël brenda pak vjetëve me sportin e mundjes.

Ato janë dy vajzat me të cilat po krenohet i tërë Kaçaniku.

Lonisa u bë e 5-ta si më e mira në botë në kategorinë e saj e në Ballkan e mori vendin e parë.

Nga gjimnastika ajo kaloi në mundje, aty ku tani po e gjen veten shumë mirë, e përmes së cilës po triumfon në secilën garë që po merr pjesë, porse suksesi i saj varet edhe nga puna në përditshmëri ku prioritet është disiplina.

Edhe Elsa Nikoci që e vogël kishte shprehur talentin për sportet luftarake, e tash e 5 vjet  është pjesë e klubit të mundjes “Kaçaniku”.

Brenda 3 vjetësh me  ushtrime ajo arriti të jetë në top 5-shen evropiane.

Sportisja e re thotë se një sukses të tillë në afat të shkurtër kohor nuk e kishte imagjinuar asnjëherë.

Peng e ka mospjesëmarrjen  në një garë e cila iu pamundësua si pasojë e një lëndimi.

Klubi i mundjes “Kaçaniku” suksesin po e arrin vetëm me punën vullnetare të sportistëve. Madje për anëtarët e rinj që duan të jenë pjesë e klubit, trajnimi dhe angazhimi iu mundësohet pa kryer asnjë lloj pagese.

Që të 3 fëmijët e Lirie Lutës po e ushtrojnë sportin e mundjes, duke marrë benefite tejet të mëdha në shëndet.

Mundja është një sport luftarak dhe konsiderohet si një nga sportet më të vjetra në botë. E vajzat kosovare e kanë dëshmuar edhe herë të tjera zotësinë në këtë lloj sporti, madje Leonisa dhe Elsa si modele për të ndjekur kanë suksesin e kampiones botërore, Majlinda Kelmendi.