Futbolli është sporti që, sipas 14-vjeçarit Daors Delia, e mban larg teknologjisë.
Për Daorsin nga Gjakova janë bërë 10 vjet si futbollist aktiv, i inspiruar nga familjarët e tij, të cilët gjithashtu janë aktivë në këtë sport.
Sapo hyn në palestrën ku ushtron, Daorsi thotë se motivimi i tij rritet. Arsyeja për këtë janë fotografitë e lojtarëve të suksesshëm, si ata vendas ashtu edhe ata ndërkombëtarë.
“Pozicioni im në sportin e futbollit është sulmues në të majtë. Më janë bërë 10 vite prej se merren me futboll dhe jam pjesë e ekipit “As” në Gjakovë. Futbollin nuk e kam zgjedh rastësisht, sepse kam edhe familjarë që janë marrë me këtë sport, andaj unë jam rritë në këtë frymë”, thekson ai.
Ritmi i ditëve të tij, prej vitesh, është bërë thuajse i njëjtë.
Nis me shkollën, vazhdon me ushtrimet në klub dhe përfundon duke shikuar ndeshje futbollistike të ekipeve të ndryshme, siç thotë ai, për t’i përvetësuar teknikat e lojës.
“Në këtë sport nuk e kam pasur fillimin e lehtë për shkak se kur prindërit më regjistruan në këtë klub futbolli, të gjithë fëmijët e tjerë ishin në moshë më të rritur se unë. Por unë vazhdova duke e motivuar veten dhe sot mendoj se kam krijuar dispilinën që i duhet një sportisti. Ditët e mia tash janë të njëjta, sepse shkoj në shkollë, pastaj kur kthehem thuajse fare pa pushuar, shkoi në klub për të ushtruar. Kur i përfundoj ushtrimet i shikoj ndeshjet dhe lojëtarët e mi të preferuar”, deklaron ai.
Nga të gjithë lojtarët, 14-vjeçari nga Gjakova e veçon ish-kapitenin e kombëtares shqiptare, Lorik Canën.
“Siç po e shihni pas meje fotografinë e Lorik Canës, ky edhe është i preferuari im kur flasim për futbollin vendor. E kam edhe familjar dhe jam rritur duke i parë ndeshjet e tij. Si i ri në këtë sport mund të them se mburrem me të dhe e synoj një të ardhme si të Lorikut”, thekson ai.
Futbolli për Daorsin është një mundësi e shkëlqyer për të krijuar miqësi të reja dhe për të udhëtuar jashtë Kosovës.
Ai thotë se këto lidhje mund t’i ndihmojnë gjithashtu për të depërtuar jashtë vendit.
“Përveç se po e përmbushi dëshirën time për t’u marrë me sportin që e dua, futbolli po më ndihmon shumë edhe të njoh njerëz kudo që shkoj. Mendoj se si i ri duhet ta shfrytëzoj çdo mundësi të re që më vjen, që nesër të jem futbollist i njohur edhe në arenën ndërkombëtare”, thotë ai.
Futbollisti i ri, Daors Delia, thotë se deri tani ka pasur edhe oferta nga jashtë vendit.
Ai thekson se do t’i shqyrtojë ato pa hezituar, me qëllim që të përparojë në karrierë si sportist dhe të kthehet në vend për të luajtur për Kombëtaren e Kosovës.