SOT

13-vjeçarja përgatit pallaçinka, iu ndihmon prindërve

Me fluksin e qytetarëve edhe puna e tyre shtohet. E kur vijnë mërgimtarët kërkesat për ushqimet e tyre të nxehta janë edhe më të mëdha.

Kjo është familja Buzhala nga Ferizaj, të cilët bashkërisht po punojnë në një kioskë të vogël pranë Komunës së Ferizajt.

Ideja fillestare ishte që vetëm prindërit, Qëndrimi dhe Kosovarja, të kujdeseshin për këtë kioskë, por pas mësimit atyre  iu bashkohen edhe dy të vegjlit e tyre, Amra dhe Kroni.

“Fillimisht ishte Komuna që pati një projekt dhe e hodhi në ankand, ka qenë në votim dhe kanë bërë kërkesë qytetarët që shtëpiza të tilla të jenë në shesh dhe unë menjëherë e mendova si opsion të mirë. Verës filluam me akullore, tornado, çipsa e dimrit i kemi pallaçinkat dhe petulla të çastit që kërkohen në masë të madhe. Më lehtë tani po bëhet puna me familje, e bashkëshortja dhe fëmijët menjëherë më përkrahën, këtë e filluam veç me gruan, e fëmijët në mënyrë që të largohen pak nga rrjetet sociale po na bashkëngjiten dhe janë afër nesh”, thekson Buzhala.

Ai thotë se përgatitja e pallaçinkave është shumë e lehtë, andaj edhe vetë fëmijët ishin iniciatorë t’iu vinin në ndihmë prindërve. Fëmijët fillimisht ishin ngacmuar nga moshatarët e tyre, por Buzhala shton se është i lumtur që pasardhësit e tij kanë fituar një kulturë pune.

“Ka pasur bullizim tek vajza ku e kanë ngacmuar, fëmijët e mi kanë rrjete sociale, por ato janë nën mbikëqyrjen tonë. Fëmijët këtu janë shumë të kënaqur, familjarët na japin kurajë e vullnet. Kur zgjohen në mëngjes e kuptojnë më shumë vlerën e punës, shpeshherë myshterinjtë na qerasin edhe me kafe. Jam shumë i lumtur dhe krenar që kam arritur që fëmijëve të mi t’u jap kulturë pune, mirë është të kenë sukses në shkollë, por në të kundërtën ata mund të kenë një biznes të tyre”, deklaron Buzhala.

Sipas tij, mërgimtarët e pëlqejnë më shumë shërbimin e ushqimeve në rrugë, prandaj edhe në këtë periudhë orari zgjatet.

“Orari i punës verës fillon qysh nga ora 9 në mëngjes, vijmë i bëjmë përgatitjet me akullore e me pije të freskëta, tani dimrit është ftohtë e kështu fillojmë më vonë kah ora 11, në dhjetor dalim më herët dhe qëndrojmë më gjatë, sepse vijnë diaspora dhe shtohet kapaciteti i punës”, thotë Buzhala.

13-vjeçarja Amra Buzhala, thotë se prioritet ka mësimet, e pas tyre menjëherë merr vrapin e vjen në kioskë.

“Pas shkollës shkoj në kurs dhe në volejboll, më pas vij këtë dhe iu ndihmoj prindërve, kam shumë dëshirë t’ju ndihmoj, më së shumti qëndroj 2-3 orë. Ka qenë propozimi im që të vij këtu për ndihmë, sepse verës kishte shumë punë dhe më pëlqente t’i përgatisja edhe unë ato”, thekson Amra. 

Ajo është e lumtur që pjesën më të madhe të ditës e ka produktive pranë prindërve e shumë pak iu kushton rëndësi rrjeteve sociale dhe përdorimit të pajisjeve teknologjike.

“Mërgimtarët më kanë pritur shumë mirë dhe më japin bakshishe shumë, madje edhe fëmijëve të tyre u tregojnë shembullin tim. Jam shumë e lumtur që mund t’i ndihmoj familjes, sepse nuk po merrem me telefon shumë. Në fillim më kanë ngacmuar shoqet e mia, por tani po më përkrahin dhe më japin kurajë”, thotë Amra.

Pallaçinka, petulla çasti, çips të freskët, e pije të ngrohta, janë produktet që për çdo ditë shërbehet nga familja Buzhala, me një çmim prej 1 eurosh secila.