SOT

120 dele të llojit rude, bariu i pagëzon me emra të veçantë

Florim Përboçi qysh i vogël është kujdesur për bagëti. Kjo njëherësh është puna e tij e vetme përmes së cilës siguron të ardhurat familjare. 

Tani ai ka një kope të deleve që i përket llojit rudë. 

Jeton në qytetin e Rahovecit. Thotë se është i kënaqur me punën që bën dhe se asnjëherë nuk e ka menduar ta braktisë Kosovën. 

“Në mëngjes zakonisht zgjohem dhe pi kafe. Pastaj shkoj te delet, mendjen e kam krejt kohën te to. I kontrolloj a e kanë gjendjen e mirë pastaj i lëshoj në kullosa. Dhe kujdesem krejt ditën për to, kënaqem me to. Me këto dele po jetoj. M’u kujdes për dele më ka mbet nga baba dhe babagjyshi, jam rrit me këtë dhe më ka hy në shpirt kjo punë. Pa to nuk mund të jetoj, do të jem me to deri sa jam gjallë. Me këtë punë e mbaj familjen, djemtë e mi, krejt familjen”, thotë Përboçi. 

“Kurrë nuk kam menduar as nuk mendoj që të jetoj jashtë. Me këtë e mendoj gjithë jetën të merrem. Masi rininë kam kaluar me to, mendoj të vazhdoj edhe tutje”, shton Përboçi. 

Bariu rëndësi të veçantë i kushton kujdesit të deleve edhe në pamjen e tyre. Pasi për çdo dele ai punon rruaza dhe ua vendos si qafore. 

Secilën prej deleve e ka pagëzuar me emra si p.sh. Gala, Beka, Sharka e të tjera. 

“Aq shumë i dua delet sa që çdo mbrëmje i punoj rruaza dhe ua vendosi në fyt. Edhe komona të vogla edhe rruaza i blej edhe në treg”, thotë Përboçi. 

“I kam 120 dele, me pas mundësi i kisha bërë edhe 1000 të tjera. Prej merakut që kam për to, ia kam vënë emrin çdo delme. P.sh. Ragusha, Cupa, Kalesha, Gala, Shakra, Beka”, shton Përboçi.

Merret edhe me përgatitjen dhe shitjen e djathit. Thotë se tregun e ka më shumë në Prizren. Kjo punë thotë se i sjell të ardhura të kënaqshme. 

“Djathin zakonisht e shesim në Prizren, atje ka shitje më së shumti. Fitime ka të mira por duhet edhe punë. Njëherë për njëherë mirë, jam i kënaqur sepse para luftës për dele nuk na kanë dhënë asgjë. Ish-Jugosllavia taksa na kanë marrë ndërsa tash po na japin ndihma për dele. 25 euro marr për një dele janë të mjaftueshme”, tregon Përboçi. 

Florim Përboçi shprehet se është duke menduar që të zgjerohet me stallë dhe numër të deleve.