SOT

1000 dhurata për fëmijët me kancer dhe ata autikë

Takimet me fëmijët janë gjithmonë të mbushura me emocione dhe dashuri për Burim Krasniqin, i cili për 15 vjet ka punuar pa u lodhur për t'i gëzuar ata. 

Ndërkohë që po përgatiste disa dhurata për fundvit, ai vendosi t'i ndajë ato me fëmijët që i pa në sheshin e Prishtinës. 

1000 dhuratat që ka mbledhur me kaq shumë kujdes, Burimi do t'i dhurojë për fëmijët që vuajnë nga kanceri dhe ata që janë të prekur nga autizmi. 

“Qysh në moshë të re fillova me nisma për të ndihmuar njerëzit në nevojë, si një vullnetar i ri. Duke e parë gëzimin në fytyrat e atyre njerëzve, atëherë më lindi si ide që të bëjë diçka vet, e cila do të më gëzonte edhe mua kur e di që pata mundësi ta lumturoj sado pak dikë. Këto dhurata që po i shihni, ditën e martë do t’i dorëzoj në Klinikën e Pediatrisë, për fëmijët e prekur me kancer, për fëmijët me autizëm”, thekson ai.

Ky është një akt i solidariteti dhe shprehi e dashurisë për ata që kanë më shumë nevojë.

“Emocionet më të forta i kam pasur sa herë që i kam nda dhuratat te fëmijët e prekur me kancer. Ka pasur raste kur jam emocionuar jashtëzakonisht shumë në SOS fshat, te fëmijët e braktisur, sepse kanë menduar që kemi shkuar t’i marrim. E këto kanë qenë jo lehtë të përballueshme”, deklaron ai.

Dhuratat e fundvitit, i riu Burim Krasniqi, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, do t’i shpërndajë të martën në Klinikën e Pediatrisë dhe në Shoqatën “Autizmi”.