Shtojca për Kulturë

Zëri që i tregoi botës për shpëtimin e hebrenjve në Kosovë

Rrëfimet për strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve kishin hasur në vëmendjen e një znj. Xhangyle Ilijazi, qysh në fillim të viteve ‘70. Ajo kishte filluar interesimin pas qëndrimit njëvjeçar në Mbretërinë e Bashkuar, dhe ku kishte hasur në një libër ku thuhej se hebrenjtë ishin persekutuar në Kosovë. Ajo, e bindur se e vërteta është më ndryshe, me t’u kthyer në Kosovë, dhe me ndihmën e vëllait të saj, Tanerit, kishin filluar të gjurmojnë për familjet shpëtimtare të hebrenjve në Kosovë. Dhe nuk u ndal gjatë gjithë jetës. E, sot vepra e saj është udhërrëfyese

27 Janari është Dita Përkujtimore e Holokaustit, e miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, për ta nderuar kujtimin e viktimave të krimeve më të tmerrshme të shekullit XX. Ndërsa, në mbarë botën, përkujtohen viktimat e nazizmit, me moton kryesore “We Remember” (Ne përkujtojmë), e po ashtu edhe “Never Again” (Kurrë më).

Për kombin shqiptar, përveç solidaritetit me mbarë botën, kjo datë merr edhe kuptimin e një momenti historik i cili na bën krenarë. Kjo, për faktin që tashmë ka filluar të njihet edhe botërisht se hebrenjtë në Shqipëri, jo vetëm që nuk ishin persekutuar, por atyre madje u ishte siguruar strehimi i sigurt, e me këtë edhe shpëtimi e mbijetesa.

Kjo pjesë e historisë sonë vazhdon të jetë komplekse dhe me mjaft hapësirë të mëtejme për t’i zbuluar detajet, por janë faktet e patjetërsueshme të cilat dëshmojnë për një sjellje shembullore të kombit shqiptar. Megjithëse nëpër qarqet familjare copëza rrëfimesh ishin bartur te gjeneratat më të reja, megjithatë, opinioni – sikurse vendor e edhe ai ndërkombëtar – nuk kishte njohuri se çka në të vërtetë kishte ndodhur dhe se si hebrenjtë mbijetuan në Shqipëri. Dhe jo vetëm kjo, por edhe fakti se numri i hebrenjve pas Luftës së Dytë Botërore ishte dhjetëfishuar krahasuar me numrin e hebrenjve që jetonin në Shqipëri para se të fillonte lufta.

Image
Delegacionet nga Kosova dhe Shqipëria, së bashku me ish-kongresistin Joseph Dioguardi dhe këshilltaren për çështje të Ballkanit në LQSHA, Shirley Cloyes Dioaguardi, me rastin e hapjes së ekspozitës “Besa”, në Jerusalem, më 2007

Rrethanat që u krijuan pas përfundimit të luftës, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, bënë që shpëtimtarët të mos ndiheshin të sigurt për të rrëfyer më hapur se çka kishte ndodhur vetëm pak vjet më parë. Shumë prej tyre vuajtën nga pushtetet e kohës, duke mos lënë hapësirë që të dokumentohen me kohë dhe në formë të duhur shumë nga këto ngjarje.

Sidoqoftë, ishte një ngjarje krejtësisht e një natyre tjetër kur ndodhi hapi i parë që opinioni botëror të mund ta kuptonte këtë pjesë të historisë sonë. Në vitin 1990, Shqipërinë komuniste e vizituan pas pothuajse 50 vjetësh, dy zyrtarët e parë amerikanë. Ishin kongresisti Tom Lantos dhe ish-kongresisti Joseph Dioguardi, të cilët kishin shkuar në Tiranë për ta takuar diktatorin e atëhershëm, Ramiz Alia. Gjatë bisedës, diktatori shqiptar me të kuptuar se Lantos ishte i mbijetuar i Holokaustit, e përmend në takim se hebrenjtë janë shpëtuar në Shqipëri. Për habinë e dy zyrtarëve amerikanë, Alia ua dorëzon atyre edhe dokumentet nga arkivat shtetërore me dokumente e dëshmi për strehimin e hebrenjve. Këto dokumente Dioguardi i dërgon në Institutin Përkujtimor të Holokaustit “Yad Vashem” në Izrael, ku edhe konfirmohen këto informacione. Dhe ky shënon hapin e parë të madh, madje fundamental kur historia e shpëtimit të hebrenjve fillon të njihet në opinionin botëror.

Image
Nga e majta: Xhangyle Ilijazi (Shoqata e miqësisë Kosovë-Izrael), Avner Shalev (ish-president i Institutit “Yad Vashem”), Mustafë Rezniqi (i biri i Asllan Rezniqit “Fisnik mes Kombeve”) dhe Dr. Rachel-Shelly Levy Drummer (mbesa e Dr. Haim Abravanel, mjekut hebre të shpëtuar nga Asllan Rezniqi), me rastin e hapjes së ekspozitës “Besa”, në Jerusalem, më 2007

Në Kosovë, rrethanat ishin pak më të ndryshme. Rrëfimet për strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve kishin hasur në vëmendjen e znj. Xhangyle Ilijazi, qysh në fillim të viteve ‘70. Ajo kishte filluar interesimin pas qëndrimit njëvjeçar në Mbretërinë e Bashkuar, dhe ku kishte hasur në një libër ku thuhej se hebrenjtë ishin persekutuar në Kosovë. Ajo, e bindur se e vërteta është më ndryshe, me t’u kthyer në Kosovë, dhe me ndihmën e vëllait të saj, Tanerit, kishin filluar të gjurmojnë për familjet shpëtimtare të hebrenjve në Kosovë. Pasi kishte gjetur familjen e parë shpëtimtare, dhe pas intervistimit e mbledhjes së informatave, Xhangyle Ilijazi kishte gjetur të dytën, atë të Mustafë Rezniqit. Ajo, menjëherë kishte filluar të grumbullonte dëshmi dhe ta kompletonte kërkesën zyrtare drejtuar Yad Vashemit, në mënyrë që të njihet kontributi për shpëtimin e hebrenjve për Asllan Rezniqin, të atin e Mustafës. Angazhimi ka vazhduar pareshtur, madje edhe gjatë viteve të represionit në Kosovë. Megjithatë, pas përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës, puna për të hulumtuar historinë e shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit, e pa një perspektivë të re. Në vitin 2005, znj. Ilijazi ishte pjesë e themelimit të Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael “Dr. Haim Abravanel”, misioni kryesor i së cilës do të ishte hulumtimi i shpëtimtarëve të hebrenjve, e po ashtu edhe trashëgimisë hebraike në Kosovë.

Do të ishte znj. Ilijazi, e cila bashkë me Mustafë Rezniqin, do të vazhdonin më tej zbulimin e një numri të konsiderueshëm shpëtimtarësh të hebrenjve në Kosovë, për të arritur te dëshmitë autentike dhe të patjetërsueshme se libri, të cilin e kishte lexuar në Londër, nuk përmbante të vërteta. Dhe se shqiptarët, sikurse në Shqipëri, edhe në Kosovë kishin shpëtuar hebrenjtë.

Ilijazi do të haste në rrëfime familjare shumë të veçanta, të cilat do të dëshmonin edhe një fakt tjetër të patjetërsueshëm, se ishin pikërisht shqiptarët e Kosovës ata të cilët e mundësuan kalimin e sigurt të hebrenjve, së pari nga viset e Evropës dhe më afër të vendeve të Ballkanit, nga ku përndiqeshin, për në Shqipëri. Jo vetëm përmes sigurimit të transportit, qoftë nëpër rrugët e zakonshme apo nëpër vise malore, por duke shkuar edhe më larg dhe duke rrezikuar edhe më shumë për t’u siguruar dokumente false të identifikimit, në mënyrë që të kalonin postblloqet dhe pikat kufitare.

Image
Nga e majta: Votim Demiri (kryetar i Bashkësisë Hebraike të Kosovës), Sali Berisha (ish-kryeministër i Shqipërisë), Xhangyle Ilijazi (Shoqata e miqësisë Kosovë-Izrael), Liri Berisha (bashkëshortja e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha), David Cohen (ish-ambasador i Shtetit të Izraelit në Shqipëri), Lekë Rezniqi (Shoqata e miqësisë Kosovë-Izrael), me rastin e 64-vjetorit të Pavarësisë së Izraelit, në Tiranë, më 2012

Për t’i theksuar argumentet se si ishte e mundur kjo sjellje e shqiptarëve ndaj hebrenjve, hulumtuesja e shquar do t’i nënvizonte tri elemente. E para sipas saj, ishte niveli i ulët i antisemitizmit në tokat e ish-Perandorisë Osmane, për dallim nga vendet e Evropës Perëndimore. E dyta, padyshim bashkëjetesa fetare te shqiptarët, si një nga veçoritë shoqërore. Dhe e treta, besa shqiptare. Secili element në vetvete ka luajtur rolin e veçantë, megjithatë besa, apo premtimi i dhënë, më i larti që njihet te shqiptarët, ka pasur rolin më të madh, e në disa raste edhe jetik. Janë disa raste, kur kishte situata rreziku, qoftë të kontrollit nga forcat pushtuese apo madje edhe të spiunimit se në një shtëpi po strehoheshin hebrenj, por ishte pikërisht besa shqiptare ajo që nuk i kishte lënë nikoqirët ta thyenin premtimin e dhënë. Duke rrezikuar madje edhe që të sakrifikohen vetë.

Për kontributin shumëdimensional të hulumtueses së shquar Xhangyle Ilijazi, që kjo histori e kombit shqiptar të njihet në opinionin botëror do të ishte e pamundur të përmblidhet në një artikull të vetëm, megjithatë, ajo me angazhimin dhe hulumtimet unike ka bërë që të njihet edhe kontributi i shpëtimtarëve edhe jashtë Shqipërisë sovrane, të cilët duke rrezikuar jetën e tyre, kishin strehuar hebrenjtë dhe i kishin ndihmuar që të gjenin rrugën e sigurt për në Shqipëri. Për të përmendur vetëm një. Bashkëpunimi me Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane në realizimin e ekspozitës “Besa – Shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit”, e hapur më 2007 në Institutin “Yad Vashem” në Jerusalem, si dhe saktësisht 15 vjet më parë, më 27 Janar 2008, në selinë e OKB-së në New York.

Për fat të keq, znj. Ilijazi humbi betejën dhe vdiq në nëntor 2021, duke lënë një trashëgimi të pasur, e cila shërben si udhërrëfyese për hulumtimet e mëtejme.

Autori është magjistër i arkivistikës, gazetar, stërnip i Arsllan Mustafa Rezniqit, shqiptarit të parë të Kosovës të dekoruar si “Fisnik mes Kombeve” nga “Yad Vashem” - Izrael, dhe është sekretar i shoqatës së miqësisë Kosovë-Izrael “Dr. Haim Abravanel”, me seli në Prishtinë. Aktualisht ndjek studimet për Holokaustin në Universitetin e Haifas