Shtojca për Kulturë

Xhafer Deva në dosjen e CIA-s

Raporti i deklasifikuar përmbledhës i marsit të vitit 1955 i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) për veprimtarinë e ministrit të Brendshëm të Qeverisë pronaziste të Shqipërisë së kohës së Luftës së Dytë Botërore, Xhafer Deva, hedh dritë për një kapitull të kësaj figure polarizuese. “Ishte njëri prej nxitësve kryesorë të masakrave të famshme të 4 shkurtit 1944, kur 84 persona u vranë në gjumë”, “....kjo masakër ishte përgatitur në zyrat e kapitenit të SS-së, Haufmanlangen me Xhafer Devën”, janë disa prej shënimeve që mund të lexohen aty. Por si mund të lexohet një raport si ky, gazetarë, historianë e hulumtues arkivash kanë pikëvështrime të ndryshme

“Sa ishte në shërbim në Shqipëri, (Xhafer Deva,v.j.) u dekorua nga Hitleri”.

Kjo është vetëm një prej fjalive nxjerrë nga raporti i deklasifikuar përmbledhës i marsit 1955 i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) për veprimtarinë e ministrit të Brendshëm të Qeverisë pro-naziste të Shqipërisë së kohës së Luftës së Dytë Botërore, Xhafer Deva. Pas jetëshkrimit të shkurtër të Devës, i cili ndër të tjera, kishte qenë edhe kryetar i Odës Tregtare të Mitrovicës, anëtar i Gjykatës Themelore të Mitrovicës në proceset gjyqësore me karakter tregtar dhe kryetar i Mitrovicës, pjesa e “aktivitetit politik” është ajo që rrok më shumë vëmendjen.

“Në gushtin e vitit 1943, Xhafer Deva ishte thirrur në Beograd që të mbante diskutime me Komandën e Lartë Gjermane për Ballkanin. Atje, i ishin dhënë urdhra që të vepronte brenda vendit dhe të formonte Qeverinë, me qëllim që të siguronte qetësi dhe të mos krijohej asnjë telashe për qëllimet gjermane, meqë kishin dalë fjalë për kapitullimin e Italisë”, shkruan në faqen e tretë të dosjes së deklasifikuar të inteligjencës amerikane.

Në paragrafin pasues, shpjegohet se nga tetori i vitit 1943 deri në korrik të 1944-s, Deva ishte ministër i Brendshëm, “duke bashkëpunuar ngushtësisht me gjermanët”. Këta gjermanë ishin kolonel-lejtnant Volksmeister, majorët Schilling, Otto Knoesel, Nagyu dhe Eckstein, kapitenët Kuntze, Meesonat e Haufmanlagen, gjenerali i SS-së, Fitztum, gjenerali Leisser, profesori Sauer, ministri gjerman, Dr. Martin Schliep von Scheiger, shefat e Gestapos: Hauzing, Sauner, Gruza, e të tjerë.

“Dhe të besosh më 1943 në Hitlerin kur lufta e tij veç ishte drejt humbjes, kjo kallëzon që Xhafer Deva nuk ka pasur fort shkathtësi me vlerësu situatën”, ka thënë publicisti Enver Robelli, i cili ka nxjerrë në Facebook pjesët kryesore të raportit të CIA-s, të hartuar në mes të viteve pesëdhjetë.

Image
Faksimile të raportit të CIA-s i vitit 1955 për veprimtarinë e ministrit të Brendshëm të Qeverisë pro-naziste të Shqipërisë së kohës së Luftës së Dytë Botërore, Xhafer Deva

Nata e reprezaljeve

Në dokumentin e CIA-s shkruan se Xhafer Deva ishte njëri prej nxitësve kryesorë të masakrave të famshme të 4 shkurtit, 1944, kur 84 persona u vranë në gjumë.

“Kjo masakër ishte përgatitur në zyrat e kapitenit të SS-së, Haufmanlangen me Xhafer Devën. Arsyeja për këtë masakër ishte nxjerrë nga fakti se më 3 shkurt 1944, Kadri Cakrani (tani në SHBA), komandant i përgjithshëm i Ballit Kombëtar, po largohej nga shtëpia e Devës në Tiranën e Re, kur panë tre burra nga Fieri duke kaluar në këmbë. Me besimin se ishin spiunë, ata i qëlluan. Të tjerët ia kthyen krismat, duke vrarë nipin e Devës, i cili po shoqëronte Cakranin. U vranë të tre burrat e Fierit”, shkruan në faqen e tretë të raportit të CIA-s.

“Në të njëjtën pasdite, rinia e Ballit Kombëtar, nën komandimin e Reshat Stermasit; Kadri Cakrani, komandant i përgjithshëm i forcave të Ballit Kombëtar, Hysni Dema, komandant i përgjithshëm i Xhandarmërisë së Tiranës, Qazim Mulleti, prefekt i Tiranës, dhe Xhafer Deva, ministër i Brendshëm, u takuan që të përgatitnin reprezaljet, dhe përgatitën listën e atyre që duhet të vriteshin natën, duke ndarë qytetin e Tiranës në disa sektorë. Të gjithë personat në listë u vranë në të njëjtën natë dhe trupat iu nxorën prej shtëpive të tyre dhe u ekspozuan gjatë gjithë ditës më 4 shkurt”, shkruan më tej.

Në raport shtohet se “ky terror vazhdoi për një muaj: më 12 shkurt, dy burra të rinj vdiqën nga torturat” derisa “më 28-in katër burra të rinj u nxorën nga burgu dhe u masakruan në rrugë”.

“Krejt kjo u krye me urdhër të Xhafer Devës në bashkëpunim me Xhelal Staraveckën, Hysni Demën, Qazim Mulletin”, thuhet po aty.

Salih Mehmeti, historian e gazetar, thotë se “incidentet e armatosura të 3 dhe 4 shkurtit nuk i kanë pasur përmasat çfarë u janë dhënë” nën ndikimin e propagandës komuniste të Shqipërisë enveriste.

“Teksa britanikët provuan t’i luanin penjtë e elementëve antikomunistë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, në fund ishin amerikanët ata që u etabluan si fuqia më me ndikim në politikën e deterrencës ndaj komunizmit të nxitur nga Moska”, thekson Mehmeti, duke shtuar se rrjedhimisht, nuk është aspak e habitshme që të gjitha ato forca politike komuniste që më vonë do të rrëzoheshin zinin vend të rëndësishëm në raportet e shërbimeve inteligjente amerikane. “Sidoqoftë, ky raport është shkruar 11 vjet pas incidentit të shkurtit të 1944-s dhe, sigurisht, që përpiluesit e raportit janë shërbyer vetëm me ato burime të shkruara që arrinin t’i siguronin në një mënyrë ose tjetër”, thotë ai. “Burimi i keqkuptimit të madh është fakti që e gjithë kronika për incidentet e 3 dhe 4 shkurtit është ftilluar gabimisht, në fakt duke i marrë si pikënisje traktet e komunikatat e PKSH-së, të cilat shpesh qëllonin të ishin dezinformime të qëllimshme”.

“Deva larg të qenit nazist”

Robelli ka thënë se u mbetet historianëve shqiptarë që ta verifikojnë vërtetësinë e pretendimit të CIA-s.

“Në fund të Luftës së Dytë Botërore, August Schmidhuber, komandanti i divizionit ‘Skanderbeg’, dogji shumë dokumente në zyrën e tij në Kosovës. Këtë, sipas historianes Franziska Zaugg, e tregon një dokument”, i është referuar Robelli studiueses zvicerane që ka doktoruar me studimin e “Skanderbegut”.

“Xhafer Deva shumë herët dhe në mënyrë intensive ka rekrutuar njerëz për gjermanët, ai ishte informator i gjermanëve dhe ka qenë ministër i Brendshëm i ‘Shqipërisë së Madhe’ dhe një kohë kryetar i ‘Lidhjes së Dytë të Prizrenit’”, ka thënë Zaugg në intervistën ekskluzive dhënë Robellit për Grupin KOHA. “Si ministër i Brendshëm ai qartazi ka qenë përgjegjës për disa qindra deportime të hebrenjve dhe komunistëve (të vërtetë apo të dyshuar, së paku 510) dhe të dhjetëra-mijëra serbëve dhe malaziasve”.

Zaugg ka shtuar gjithashtu se “Deva ishte larg të qenit nazist”.

“Ai ishte patriot i bindur, i cili patriotizmin e tij e njollosi, e komprometoi në pjesën më të madhe duke bashkëpunuar me nazistët. Si nacionalist ai ishte i gatshëm që me të gjitha mjetet ta shpëtojë - edhe pas përfundimit të luftës – ‘Shqipërinë e Madhe’, e cila ekzistonte nga viti 1941”, tha studiuesja zvicerane.

Robelli thotë se Deva më shumë mendoi për qëllimin se për mjetet e jetësimit të tij. “Qëllimi arsyeton mjetet, kështu e shoh biografinë e tij”, thekson ai.

Nismëtarët e Lidhjes së Dytë të Prizrenit

“Xhafer Deva u bë ministër i Brendshëm në Tiranë sigurisht për shkak të rrethanave të reja me vendosjen e ushtrive të Rajhut në Shqipëri, porse qenia e tij politike nuk duhet marrë thjesht si dikush që nisi ex nihilo”, thotë Mehmeti, duke shtuar se Deva ishte nga shqiptarët e rrallë të shkolluar në atë kohë e që mund të krenohej me njohuritë e tij për ekonominë e tregtinë.

“Nuk mund të litodizohet roli i tij pozitiv e zhdërvjelltësia negociuese me përfaqësues të Wehrmachtit për t’iu shkëputur maksimumin e koncesioneve për shqiptarët në Mitrovicë e në Novi Pazar, treva të cilat, pavarësisht vullnetit të popullatës lokale, nuk u përfshinë në juridiksionin e Tiranës”.

Image
“Kongresi i parë i ‘Lidhjes së Prizrenit” në mërgim, New York City, 27, 27 nandor 1966. Xhafer Deva, në panel, i pesti nga e majta (Foto nga arkivi i Bashmir Xhemajt)

Në dosjen e inteligjencës amerikane spikatet se më 16 shtator 1943, do të themelohej Lidhja e Dytë e Prizrenit në Prizren me nismën e Xhafer Devës, Musa Shehut, Asllan Boletinit, Tahir Zajmit, Lukë Mjedës e Pjetër Muçajt.

“Në këtë takim morën pjesë përfaqësuesit e rajoneve të Kosovës, Dibrës, Tuzit, Strugës, Ulqinit. Ky takim zgjati deri më 20 shtator dhe u morën vendimet pasuese: Shpallja e vullnetit popullor për Bashkimin e Kosovës, Ulqinit, Dibrës dhe Strugës si pjesë të Shqipërisë së Pavarur; Krijimi i një organi Ekzekutiv ose Komiteti Qendror me Qendër në Prizren dhe nënkomiteteve në të gjitha rajonet e çliruara; Mbrojtja e kufijve etnikë kundër çdo sulmi dhe përgatitja e popullsisë politikisht dhe ushtarakisht në këtë sens; Zgjedhje demokratike e delegatëve, të cilët do të përfaqësojnë rajonet e çliruara gjatë Asamblesë Kushtetuese të Tiranës”.

“Barra e rëndë” e historisë

Bashmir Xhemaj, autor i librit “Një shqiptar në CIA”, thotë se ajo që e quan “prirja që në çdo debat historik të citohen historianë të huaj, copëza artikujsh e dokumentesh që shpërfaqin vetëm njërën anë të personazhit historik apo një ngjarje historike”, është joprofesionale dhe flet për një “barrë të rëndë që i kanë vënë vetes këta individë”.

“E konsideroj për më shumë një kompleks të pajustifkueshëm përmes të cilit disa mendojnë se e kanë monopolizuar të vërtetën dhe e kanë të sigurt verifikueshmërinë dhe vërtetësinë e atyre që e thonë”, thotë ai, duke shtuar se historia nuk mund të gjykohet nga disa dokumente. “E aq më pak nga dikush që ka një dije shumë të cekët historike për periudhën e Luftës së Dytë Botërore, sepse duhet rindërtuar ngjarje të tëra historike duke lexuar në mënyrë kritike të gjitha burimet, duke i krahasuar mes tyre dhe duke i mbivendosur në kontekstin e kohës”.

Historiani Mehmeti thotë se paragjykimet e mosnjohja shpesh janë larg më të dëmshme sesa të pavërtetat. Ai thotë se Xhafer Deva bie në kategorinë e atyre figurave politike të Luftës së Dytë Botërore që nuk është dritësuar as për së afërmi kur kihet parasysh relevanca e tij.

“Ai është mësuar gjithnjë si nemesis i secilit: regjimi komunist në Tiranë e mallkoi si ‘kriminel’ e ‘kuisling’; madje këtyre diatribave vitriolike i bashkohej edhe Beogradi që fliste për Devën si ‘kriminel’ kundrejt serbëve në Kosovë”, thekson ai.

Edhe me Hitlerin, edhe me amerikanët?

Më 3 nëntor 1944, Xhafer Deva arratiset drejt Prizrenit dhe me gjermanët largohet për Austri, duke ua kthyer shpinën kosovarëve që po luftonin, shkruan në të tretën prej 14 faqeve të dokumentit të CIA-s.

“Sa ishte në shërbim në Shqipëri, u dekorua nga Hitleri”, vihet në pah po aty.

“Ku duhet kërkuar dokumentin për gjoja dekorimin e Devës nga Hitleri? Disa adresa të mundshme: Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, Arkivi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë në Berlin, Arkivi Berlin-Lichterfelde dhe Arkivi në Freiburg”, ka rekomanduar Robelli.

Dekorimi eventual i Devës nuk i duket fort i mundshëm Xhemajt, ndonëse thotë se duhet verifikuar. “Koha kur Deva ishte ministër i Brendshëm, nuk ishte koha kur Hitleri kishte punët më së miri në frontet e luftës”, thekson ai. Sipas tij, edhe kjo nuk tregon asgjë, sepse nëse duhet besuar dokumentit të CIA-s, “atëherë duhet besuar qindra dokumenteve të tjera sekrete amerikane që e portretizojnë Devën si njeriun e amerikanëve”.

Prandaj, shton Xhemaj, figura e tilla historike nuk mund të studiohet në mënyrë të duhur përmes “copëzash artikujsh e statusesh në Facebook”.

Në dosjen e CIA-s të marsit të vitit 1955, shkruan se nga viti 1944 deri më 1948, Deva udhëton nga njëri vend në tjetrin, në Itali dhe gjetkë. Më 1948, arrin në Egjipt në Aleksandri dhe i paraqitet Zogut. Ai udhëtonte e kalonte kohë ndër vite edhe në mes të Greqisë, Austrisë, Turqisë e Italisë në përpjekje për t’i bërë shqiptarët bashkë kundër regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Të gjitha këto, si dhe kontaktet e vëna me britanikët spikaten në dokumentin e CIA-s. Deva më vonë pikërisht në Shtetet e Bashkuara do t’i kthehej asaj që do të njihej si Lidhja e Tretë e Prizrenit.

Historiani Mehmeti thotë se është fort e nevojshme që profili i Devës pas largimit nga Shqipëria e deri në vendosjen në SHBA, të ndriçohet njëherë e mirë.

“Ai nuk është se rezignoi nga angazhimi politik; përkundrazi atë e gjejmë gjithnjë në organizime të mërgimtarëve shqiptarë në SHBA. Deva ishte një nga figurat e vetme politike që antikomunizmin e kishin sa stancë politike, po aq edhe bindje”, thekson ai. Mehmeti thotë se nga letrat e korrespodencat e Devës, sikurse edhe nga kujtimet e të tjerëve për të, “mësojmë për një shqiptar që nuk pajtohej se nuk pajtohej që Shqipëria të mbetej nën komunizëm. Rrjedhimisht, bashkëpunimi i tij me CIA-n duhet parë në dritën e një konteksti më të gjerë. Nga vitet ’50 e tutje, amerikanët ishin në kontakt me të gjithë eksponentët antikomunistë të Evropës Juglindore”, shton ai.

Paralajmërimi i Devës për luftën e Kosovës

“Më 26 dhe 27 nëntor të vitit 1966, në hotelin ‘Sheraton Atlantic të New Yorkut, mbi 200 delegatë shqiptarë nga të gjitha kontinentet morën pjesë në Kongresin e parë të Lidhjes së Tretë të Prizrenit. Numri i madh i personaliteteve që morën pjesë dhe telegramet që dërguan ishin dëshmia më e fortë se puna ia kishte vlejtur”, ka shkruar Xhemaj në Facebook në prag të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shoqëruar me fotografi të kuvendit të mbajtur në tokën e “Shtatores së lirisë”.

“Në kongres u miratua edhe Statuti i Lidhjes që shërbeu edhe si program. Në pikën tre të këtij statuti, thuhej: ‘Lidhja e Prizrenit në Mërgim’ ka karakter thjesht kosovar dhe nuk përzihet në çështje politike partiake të Shqipërisë së 1913-s. Do të jetë kurdoherë e gatshme të ndihmojë fuqimisht në çlirimin e Shqipërisë nga tirania komuniste”.

Dhe “në krye të saj u vu Xhafer Deva”, spikat Xhemaj, duke treguar se ka kopjet e arkivit të “Lidhjes së Tretë të Prizrenit”.

Në letërkëmbime, Xhemaj ka zbardhur se Deva, ndër të tjera, do të shkruante se çështja e Kosovës nuk do të zgjidhej pa shkatërrimin e Jugosllavisë e as pa luftë. “Dëshira e kuptueshme e Devës ishte një organizim i vërtetë i shqiptarëve në Amerikë që do t’i shërbente këtij qëllimi”, përmbledh autori i “Një shqiptar në CIA”. Ai shkruan se Deva ishte njeriu i amerikanëve, CIA e rekturoi duke ia dhënë nofkën DECADAL. Sipas Xhemajt, Roger Hollingshead, është agjenti i CIA-s që Deva e quante “mikun ma besnik amerikan”, dhe këto e të tjera dokumente sekerete janë në librin e tij, “Një shqiptar në CIA”.

33 vjet pas mbajtjes së Lidhjes së Tretë të Prizrenit në tokën amerikane, Shtetet e Bashkuara do t’i prinin fushatës 78-ditore të bombardimit të Jugosllavisë për çlirimin e Kosovës. Aty ku nisi, edhe do të përfundonte shkatërrimi i Jugosllavisë serbomadhe.