Shtojca për Kulturë

Vrasës, cuba e ikanakë në Kishën e Bajës më 1500, 1689, 1806 e 1830

Mbamendja e banorëve të Bajës në messhekullin e nëntëmbëdhjetë nuk shkonte kushedi sa larg. Nuk i bënte kujt përshtypje as kisha mesjetare e as legjendat për njëfarë kavalieri me emrin Strahinja Banoviq që fliste arnautçe. “Ata vetëm thanë që e morën këtë qytet prej vllehëve në kohërat e moçme”, shkruante konsulli rus, Aleksander Hilferding kur e vizitoi luginën e pasur me ujëra termale. Kisha e Bajës në vitet 1500, 1689, 1806 e vitet 1830 u përdor shpeshherë si strehë ikanakësh, cubash e vrasësish

Tri orë prej Mitrovice, si lihej pas Boletini e Bugariqi me ngastra duhani, në gjirin e një lugine gjysmërrethore, lartohej katundi i Bajës. Në këtë bokërimë me 50 shtëpi që dukeshin si të përfjetura për udhëtarin jabanxhi, nga krahu lindor ende binin në sy rrënojat e një kishe të gjerë e elegante. “Čuvena je to bila crkva” (Dikur ishte kishë me nam), tha me një zë midis psherëtimës e dhimbjes një banor i atyshëm. Duke bërë kallauzin, ky ortodoks me emrin Risto Perunoviq po shpjegonte historinë trepjesëshe të rrënojave: “Prvo je bila crkva, potom džamija, a sada je — batal (Së pari herë ishte kishë me nam, pastaj xhami, e tash është batall!). Një bashkëvendës mysliman gati i hidhet në qafë: “Kako batal! Nije to batal, nego džamija. U njoj se klanjamo petkom i u Bajramu” (Ç’batall? Nuk është batall, por xhami. Ne lutemi aty të premteve dhe për Bajram).
Me këtë kuvendim hidh-e-prit prej fshatarësh ortodoksë e myslimanë, konsulli dhe sllavisti rus, Aleksander Hilferding e përshkruante Bajën e vjetit 1857. Si shumë udhëpërshkrues para dhe pas tij, ai jep një tablo të hirnosur të këtij vendbanimi me burime uji termal, me rrënoja që për dikë ishin të kishës e për dikë të xhamisë e me legjenda për Strahinja Banoviqin.

Njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë vjet më vonë, ato që ishin mbijetoja muresh me tulla e gurë të mermertë përbëjnë ngrehinën e manastirit të restauruar të Bajës bashkë me konakët shoqërues. Në fundshtatorin e sivjetmë, edificet e kishës nuk ishin batall po të ripërdoren fjalët e Hilferdingut. Mbi tridhjetë terroristë të armatosur, të cilët mbanin distinktivë të Serbisë, nga aty kishin vendosur të sulmonin gjithçka identifikohej me shtetin e Kosovës. Me pelegrinë të zënë rob, ngrehat e kishës asodite u kthyen në llogore me armatime frikëndjellëse: armë automatike, thasë me municione, predha gjithfarëshe, mina e dronë. Megjithëse u dënua nga Perëndimi si akt i rëndë terrorist në kurriz të sovranitetit të Kosovës, me kumtesa të njëpasnjëshme kundërthënëse, Dioqeza Rashkë-Prizren mohoi fillimisht se ka njerëz të armatosur brenda manastirit e më pas mohoi se janë gjetur armë. E thënmia e Prosper Merimes se “dy mohime janë baraz me një pohim” këtu mori një miratim plot nënqeshje. Së paku prej fillimshekullit të nëntëmbëdhjetë, historia e Bajës dhe e disa manastireve të tjera ortodokse nuk i ka sefte çetat, katilët, armët, plumbat e shestimet për serbizmën.

Image
Së paku prej fillimshekullit të nëntëmbëdhjetë, historia e Bajës dhe e disa manastireve të tjera ortodokse nuk i ka sefte çetat, katilët, armët, plumbat e shestimet për serbizmën

Disa desiderata historike për kishën e Bajës

Burimet e shkruara historike e vënë dritën e projektorit ndër viset e Ibrit të epërm kur këto tërthore u bënë logbeteja përplasjesh midis një Bizanti intransigjent e zhupaneve sllave. Në rrethanat e prirjeve qendërikëse lokale dhe përplasjeve me Bullgarinë, pushtetit epror perandorak në Kostandinopojë prej kohësh e kishte përvijëzuar Rashën si kufi me botën serbe. Duke filluar me Konstantin Porfirogjenetin, ky qytet përfytyrohet si σύνορον (Porphyrogenitus 32, 54: μέχρι τῶν συνόρων, ἕως τῆς ῾Ράσης). Kështu, sipas anëpamjes bizantine, zhupat sllave ishin brenda kufijve të jashtëm të ekumenës (οἰκουμένη), veçmas ajo pjesë e Serbisë së kërshtenizuar (ἐν τῇ βαπτισμένῃ Σερβλίᾳ) e nënshtruar ndaj perandorisë (δουλικῶς ἐστιν ὑποτεταγμένος τῷ ῾Ρωμαίων Βασιλεῖ).

Pas tërheqjes nga Rasha, viset e Ibrit fortikohen nga pushteti perandorak me Zveçanin që spikat si kryekështjellë e mbrojtjes. Është një botë kufitare me vija imagjinare, dhe ky është psehu që në pjesën e dytë të shekullit të njëmbëdhjetë ndër shkrimtarë bizantinë përdorej termi klasicist μεσαίχμιον, me kuptimin e “tokës së askujt” (Aleksiada, 9, 4: ἐν μεσαιχμιῷ τῶν τε ῾Ρωμαϊκῶν ὁρίων καὶ τῆς Δαλματίας) Së këndejmi, njoftimet bizantine, për aq sa janë të ruajtura, relikizojnë frymën e përgjithshme të shqetësimit që vinte prej inkursioneve shkretuese nga zhupa e Rashës. Kjo shembullzohet nga letra që Argjir Karaxha, si megas hetaireiarches, i niste eprorit të vet në themën e Durrësit. Ai e njoftonte se perandori Aleks sapo kishte dëgjuar që “barbarët po i kalonin qafëmalet” (βαρβαρικὴν διὰ τῶν κλεισουρῶν ἔλευσιν), ishte nisur prej kryeqytetit për t’i siguruar kufijtë e bizantinëve (ἐφ’ ᾧ τὰ μεσαίχμια τῆς Ῥωμαίων ἀρχῆς ἀσφαλίσασθαι, Aleksiada, 8, 7). Lufta e përhershme në formë pretimesh bëhej dytehëshe në kuptimin që të dyja palët bënin me gisht kah njëra-tjetra. Kështu kur princi serb Vukan negocioi për paqe me perandorin Aleks më 1093, ai nuk ngurroi që krejt fajin t’ua ngarkonte “satrapëve romakë” (σατράπαις τῶν ῾Ρωμαίων): “Duke mos dashur të rrinë në kufijtë e tyre, ata bëjnë sulme të shpeshta duke i shkaktuar dëme jo të vogla Serbisë (ἐκεῖνοι μὴ τοῖς οἰκείοις ὅροις ἐμμένειν βουλόμενοι διαφόρους ἐκδρομὰς ποιούμενοι οὐ μικρὰν τὴν Βλάβην τῇ Σερβίᾳ. Aleksiada, 9, 4)

Edhe në apogjeun ditëshkurtër të armëve bizantine në kohën e Manuelit I Komnen (1143-1180), qëndrimi nopran bizantin karshi serbëve të Rashës vazhdoi të ishte njësoj i ftohtë dhe shpërfillës. Poshtërimi i zhupanit të madh, Stefan Nemanja, kulmoi me imazhe gati të karikaturuara të serbëve në oborrin komnenian (Papageorgiou, 2015). Kësisoj, Mihajl Retori prej Selaniku ua mvishte serbëve të gjitha behanet e cenet “manisë barbare”; sipas frazimit të tij retorik, “trazimi u vjen atyre nga frika, kurse frika nga mania barbare; mania iu sjell luftë, kurse lufta iu sjell zarare” (Rhetoris, 161, 2, 5: ἐκ μὲν γὰρ δειλίας ἡ ἐρις, ἐκ δὲ τῆς μανία βαρβαρικε· καὶ τὴν μανίαν διεδέχετο μάχε, μάχη δὲ ἀνέρρηξε τραύματα). Imazhe të allasojta vinin edhe nga krahu tjetër. Kështu, kronikani i njohur kryqtar Williami i Tirit në veprën “Historia Rerum in Partibus transmarinis gestarum”, gjatë vizitës së tij në Kostandinopojë më 1168, iu ndajmathi serbëve (Servis) imazhet e një populli të pakulturuar e të pamarrëvesh (populus incultus, absque disciplina), që jetonte në pyje (montium et silvarum habitator) e nuk merrte erë nga bujqësia (agriculture ignarus). Duke syzuar besnikëritë e lëkundura të zhupës së Rashës, Williami i Tirit zinte ngojësh edhe pretimet në tokat e rrethepërqarkut: “Ndonjëherë ata i shtrohen perandorit, por herëve të tjera, meqë janë gjindje e rreptë e luftarake, ata mësyjnë nga malet dhe i shkretojnë vendet rrotull”. Kishte qenë mu kjo “energji e mbledhur popullore” (prikupljena narodna energia), ajo që e shkakëzoi shkulmin e madh kolonizues të elementëve malësorë të Rashës në drejtim të tokave më të përshtatshme për jetesë. Depërtimet ushtarake u pasuan me ato etnike duke filluar të ravijëzohen në demografinë e Kosovës prej shekullit të 12-të e tutje (Qoroviq, 2006).

Image
Sipas shënimit të një kallugjeri me emrin Andonija, që datohet si i vitit 1419, kishës i ishte vënë zjarri me ç’rast ishin djegur edhe librat. Një re nebuloze misteri mbulon për më shumë se një shekull Bajën dhe kishën e saj...

“Në një vend të quajtur Bajë”

Me konsolidimin dora-dorës të pushtetit në Kosovë, veçmas pas autoqefalizimit të Kishës pravosllave me 1219, nemanjidët u bënë patronë kryesorë të financimit të kishave e edificeve ortodokse. Në saje të burimeve të rralla hagiografike merret vesh edhe fizionomia e re pasbizantine e Kosovës, veçmas me kishën kushtuar Shën Stefanit në Bajë të Ibrit. Gjithçka dimë rreth ndërtimit të saj në kohën e Stefan Uroshit II Milutin i detyrohet murgut dhe kronikanit nga Pulti, Danilo II. Pena e tij mbush pjesën më të madhe të përmbledhjes “Životi kraljeva i arhiepiskopa srpski” (Jeta e mbretërve dhe kryepeshkopëve serbë); një pjesë tjetër me sa duket u vazhdua nga një prej dishepujve të tij. “Unë i përvuti Danilo” – shkruan mes të tjerash në këtë vepër – asokohe isha peshkop i Kishës së Shën Stefanit apostull në një vend të quajtur Bajë” (Giljferding, 1978: 261).
Si communis opinio mes studimtarësh, ideja për ndërtimin e kishës në fjalë duhet të jetë hedhur aty rreth vitit 1312 në të gjallë të ëmës së mbretit Milutin, Helena Anzhu. Ndërtimi i saj duhet të ketë zgjatur prej vitit 1312 deri më 1317 (Novakoviq, 1892: 5). Nga të dhënat që jep shkronjësi Danilo, ky mbret u bë patron për pesëmbëdhjetë kisha, disa prej të cilave edhe në Selanik, Kostandinopojë dhe Jerusalem. Teksa dihen veçse pak gjëra për kishën e mëparshme mbi të cilën u ngrit e reja, ekziston mendimi që ajo nuk u shkatërrua e tëra, porse muret e saj dhe kupola u përdoren gjatë ndërtimit. Kjo, së paku, lë të hapur mundësinë që kisha e Bajës u ndërtua mbi themelet e arkitekturës bizantine (Vukanoviq, 1970: 44).

Locus sanctus

Megjithë pohimin e Danilos për ripërtëritjen e kishave të qëmoçme (ose po t’i përdorim fjalët e tij “Stare crkve obnovi i ukrepi”), gjithsejti arkitektonik i kishës së Bajës përfaqëson një rast të kulluar të stilit të së ashtuquajturës “shkollë e Rashkës”. E shestuar që në krye të herës për funksione më fort sepulkare, plani i “katholikonit” në Bajë i shkërben goxha si shumë kishës së Hyjëlindëses në Studenicë. Ngjashmëria më e rrokshme ka të bëjë me korridoret anësore si dhe me nartheksin e madh që ka anash dy kulla masive. Fakti që mbreti patron kishte urdhëruar që kisha e Bajës të ndërtohet “sipas shëmbëlltyrës së asaj në Studenican” (na sliku svete Bogorodice studeničke), vlerësohet si një rikthim kah modeli nemanjid i ndërtimit, aq më tepër që ishte menduar si kishë për të qenë mauzoleum i vetë mbretit (Sinkević 2021: 67-68). Si për shumë edifice mesjetare, për mjeshtrit e kësaj kishe nuk ka kurrfarë të dhënash, përveç hamendësimeve që kanë si vëng dromca rrethanore. Në Bajë, sipas Jireçekut, mund të kenë qenë kryemjeshtri nga Deçani, Gjorqa tok me vëllezërit, Dobrosllavin dhe Nikollën (Vukanoviq 1970: 44). Në mungesë të një përcaktimi më të prerë, po kaq grishës ngjan edhe mundësia tjetër që në kishë të kenë punuar mjeshtër nga Dalmacia. Kështu, një dokument raguzan i gushtit të 1313-s zë në gojë largimin e pesë mjeshtërve e gurëpunuësve, të cilët nuk kthehen në vendlindje gjer më 1320. Për ndonjë studiues, ata mund të kenë qenë pikërisht prej atyre që punuan në Kishën e Bajës (Subotić 1998: 61). Kjo ngrehë u sendërgjua për të qenë një locus sanctus, ndaj kjo ngjan si arsyeja kryesore pse kjo kishë me urdhër të mbretit fitoi statusin e një “stauropegioni” në përgjegjësinë e Danilos: pra një ekzistencë e pavarur, duke mos qenë as seli peshkopate e as mitropolie.

Image
Një ekzemplar modern i Krisobulës së Bajës (1316-18) që përmban edhe emërvende shqiptare

Krisobulla, teksti që jetoi më gjatë se Kisha

Përmendorja e vetme që pati jetë më të gjatë madje se vetë kisha ishte krisobulla e Bajës, e përpiluar, gjithnjë sipas hamendjeve, midis viteve 1316-1318 (Jagiq, 1890: 3-7). Në të stipulohet dhurimi i plot 75 fshatrave, 8 katundeve me mbi 500 familje baritore, maleve e pasurive të tjera (Novakoviq 1892: 12). Shtrirja e tyre nuk është vetëm në rrethepërqarkun e Bajës, por edhe në vise të tjera në Zetë, Dukagjin si dhe fushën e Kosovës. Paçka se stivon vetëm emërvende, ajo është edhe një shkëputje e relikosur e gjendjes onomastike ashtu siç shënohej në administratën nemanjiqe. Fjala vjen, duke shfletuar krisobullën, nuk mungojnë as emërvendet shqipe ose të lidhura me shqipen: Bjellogllavc (si përkthim i Kryebardhë), Kamene Struge, Katun, Kuqevo, Macuzhina Selishta, Muzaqeve Kuqe, Shalinovc, Shekullari, Shirokar, etj (Loma, 2013).

Po kështu sipas krisobullës së Bajës, në pjesën e sotme verperëndimore të Kosovës, domethënë krahu veriperëndimor i Mitrovicës, nxjerrin krye këto fshatra: Banjska, Valq, Zhriovnica, Bresnica, Banje Polje, Rudarije, Korilja, Kozarevo, Vlqija, Birovo, Jelshmanica, Gnjezhdani, Globoko, Koporiqi, Graniqane, Dabrhava, Selqanica, Koshutovo, Bistrica, Vlahinja, Orjahovo dhe Trepça (Božanić 2007). Disi më rrallë për nga shpeshtësia e vendbanimeve, këto anë paraqiten në regjistrimin e parë osman të Kosovës me 1455 (Defter-i mufassal-i Vilayet-i Vlk). Kësisoj, nahisë së Klopotnikut i bashkëngjiten këto fshatra: Banje, Magjupiq, Kopulaviq, Bojnoviq, Oteshenoviq, Vlkosaliq, Vaslaviq, Zlatari, Kaludra, Ljubojeviq dhe Jabulka (Hanxhiq 1972: 17-18). Disa nga këto fshatra paraqiten edhe një shekull më vonë në defterin e Sanxhakut të Vushtrrisë të viteve 1566-75 (Pulaha 1984: 651-55).

Strehë e të arratisurve

Me avancimin e vazhdueshëm osman në Ballkanin qendror pas 1389-s, edhe këto anë do të ndikoheshin në një mënyrë ose tjetër. Në këtë kohë duhet të jenë zhvarrosur reliket e mbretit Milutin për në Trepçë. Sipas shënimit të një kallugjeri me emrin Andonija, që datohet si i vitit 1419, kishës i ishte vënë zjarri me ç’rast ishin djegur edhe librat (Novakoviq 1892: 24). Një re nebuloze misteri mbulon për më shumë se një shekull Bajën dhe kishën e saj. Në gjysmën e dytë të shekullit të pesëmbëdhjetë, eshtrat e mbretit Milutin për së dyti herë do të zhvarroseshin e do të barteshin në kishën e Shën Nedeljas në Sofje.

Image
Njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë vjet më vonë, ato që ishin mbijetoja muresh me tulla e gurë të mermertë përbëjnë ngrehinën e manastirit të restauruar të Bajës bashkë me konakët shoqërues. Në fundshtatorin e sivjetmë, edificet e kishës nuk ishin batall po të ripërdoren fjalët e Hilferdingut. Mbi tridhjetë terroristë të armatosur, të cilët mbanin distinktivë të Serbisë, nga aty kishin vendosur të sulmonin gjithçka identifikohej me shtetin e Kosovës

Ky heshtim burimesh do të prishej vetëm kur në vjeshtën e 1530-s udhëtari e diplomati slloven, Benedikt Kuripeshiq i shkeli në këmbë këto vise. Si e pati lënë Pazarin e Ri, ai dhe shoqëruesit e tij kaluan sipër një mali të lartë të quajtur “Regesno” (mali i Rogoznës), prej të cilës zbritën në një luginë me ar e argjend. Në të majtë të luginës, sipas Kuripeshiqit, ndodhej “një manastir i madh e i bukur, porse në rrënoja” (Zatim dođosmo do vrlo velikog i lijepog, ali razrušenog manastira). Nga përshkrimi pasues i Kuripeshiqit kuptohet se shkatërrimi i manastirit u bë “jo shumë kohë më parë” prej sulltanit. “Aty strehoheshin të kërshten të cilët, të kapur nga turqit, iknin prej skllavërisë” (Kuripešić 2006: 32-33). Me sa duket Baja nuk kujtohej më për asgjë tekqë tetëdhjetë më vonë relatori papnor, Marin Bici e përmend vetëm Trepçën me 500 shtëpi, nga të cilat dyqind syresh ishin skizmatike. Kjo pjesë e popullatës, sipas këtij relacioni të 1610-s, e kishte edhe priftin që banonte në një manastir ortodoks jashtë qytetit (Elsie 2003). Një përshkrim i shpejtë e tejet domethënës i bërë prej Evlija Çelebiut jep të kuptohet se në shekullin e shtatëmbëdhjetë Baja veçse ishte bërë me një kala që shërbente sa për një garnizon ushtarak (Maletić 1973: 760). Kjo duhet të ketë qenë arsyeja pse trupat austriake të Pikolominit do t’i vinin syrin Bajës; në vjeshtën e 1689-s koloneli Mauersberg do të vinte flamurin habsburg në kala.

Nxitja nga Beogradi, trazimi i Arnautllakut

Më mars të vitit 1807 rrugës për në Janinë, François Pouqueville do të përvijonte të njëjtin itinerar si shumë udhëtarë të tjerë. Si la Pazarin e Ri, tridhjeteshtatëvjeçarit francez iu shfaq Baja (Bagno, Bagnisca), një fshat me nja katërdhjetë a pesëdhjetë shtëpi. Sipas Pouquevilleit, aty ende dukeshin gjurmët e fundit të luftës që pati kapluar Serbinë e Bosnjën (offrait les traces récentes de la guerre qui embrasait alors la Servie et la Bosnie). Si sypamës në këtë vend të mjeruar, ai vuri re një kishë ortodokse (couvent grec), një xhami si dhe disa ngrehina të djegura nga palë që po luftonin prej vitesh. Sidoqoftë, përshtypja e Pouquevilleit nuk është e keqe për Bajën: “Megjithë fanatizmin e banorëve, që janë prej më të sertëve në Arnautllak, nuk më pritën keq siç mendova” (Pouqueville 1826: 156).

Fillin e Bajës së shkatërruar, ashtu siç e pa udhëtari francez, duhet kërkuar te kryengritja e parë serbe në kohë të Karagjorgjit. Kjo kishte nxitur edhe një numër bejlerësh nga Bosnja që t’i kundërpërgjigjeshin kryengritjes që po bënte për vete serbë lokalë (Bećirović 2001: 180) Me 1806, raja e nxitur nga shembulli në Beograd nisi të kryengritej edhe drejt Sanxhakut të Pazarit të Ri dhe Kosovës së sotme. Nga një dëshmi e kohës mësohet se serbë lokalë nga anët e Ibrit të Epërm, Kopaonikut e Vushtrrisë iu bashkuan thirrjeve të kryengritësve në Beograd. Së këndejmi, qëllimi i Karagjorgjeviqit kishte qenë që, nëpërmjet Senicës, kryengritësit të bashkoheshin me fiset malazeze. Ky avancim i serbëve, që kishte prekur trevat verilindore të Kosovës, u ndërpre vetëm pas Betejës së Kamenicës në afërsi të Nishit më 1809 (Samardžić: 1990: 134).

Njësoj e shkatërruar, Baja iu shfaq më 1836 edhe udhëtarit tjetër francez, Ami Boué. Aty kishin mbetur sall 40 shtëpi, teksa afër kishës së dikurshme tashmë ishte një xhami e një sahat kullë (Boué 1854: 181).

Në vitet 1860 kur ia behën dy udhëtaret Georgina Mackenzie dhe Paulina Irby, Baja banohej “ekskluzivisht prej myslimanësh sllavë”. Sipas tyre, kjo popullatë mund të ishte pasardhëse e atyre “felëshuesve” që nuk kishin dashur të hiqnin dorë nga armët. Baja e 1861-s, që nuk dallonte fort prej asaj siç e kishte parë udhëpërshkruesi rus Hilferding, i kishte të dukshme ende gjurmët e kryengritjes së bejlerëve boshnjakë në vitet 1830 nën prijën e Hysein Gradashçeviqit. “Omar Pasha, kur e shtypi kryengritjen e fundit – shkruajnë dy udhëtaret britanike – bëri çmos që t’i mpakte bejlerët, të cilët më nuk kanë fole feudale, porse jetojnë në qytete...” (Mackenzie, 1877: 260).

Në kapacitetin e zëvendëskonsullit serb në Prishtinë, Todor Stankoviq, në shtator të vitit 1891, vizitoi Bajën. Në raportin e përpiluar nga kjo vizitë njohëse, diplomati serb vuri në dukje se “në Bajë nuk ka as edhe një shtëpi të vetme serbe, kurse gjuha amtare e turqve ishte serbishtja” (Peruničić, 1985: 113-14).

Mestitujt janë të Redaksisë. Pjesa e bibliografisë është hequr për shkak të natyrës së tekstit.