Shtojca për Kulturë

Vitet 1300: Trepça, Novobërda, Graçanica, Prishtina, Prizreni...

Në rrjedhën e organizimit kishtar, ndër organizimet më të suksesshme të katolikëve në Kosovë u shënua ai në Novominte, Neuberge apo Novobërdën e sotme. Në shekullin XV “kolonia katolike” e Novo Bërdos ishte ndër kolonitë më të mëdha në brendinë e Ballkanit. Historia e këtij vendbanimi të xehetarisë mund të përcillet që prej vitit 1319 e deri në fund të shekullit XVII. Novobërda ka pasur dy kisha katolike, që iu kishin kushtuar Shën Kolit, të quajtur “kisha e Sasëve” dhe një tjetër kishë katolike ndodhej në pjesën e nënqytetit në Sheshin e Poshtëm, e cila iu ishte kushtuar Shën Mërisë

Sasët dhe raguzianët

Historiani serb Sima Qirkoviq (1929-2009) – siç theksohet edhe në pjesën e parë të këtij teksti botuar javën e kaluar në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore” – sikur me dashje i pret rrënjët katolike të kosovarëve mesjetarë! Ai konstaton se “duke u mbështetur në privilegjet e sasëve, famullitë katolike në Serbinë mesjetare u krijuan nga mesi i shekullit XIII, ndërkaq në Bosnjë-Hercegovinë bërthamat katolike u krijuan në kuadër të veprimtarisë së françeskanëve, të cilët njëherësh edhe e patën fjalën kryesore në planin e organizimit kishtar”.

Në rrjedhën e organizimit kishtar ndër organizimet më të suksesshme të katolikëve në Kosovë u shënua ai në Novominte, Neuberge apo Novobërdën e sotme. Në shekullin XV “kolonia katolike” e Novo Bërdos ishte ndër kolonitë më të mëdha në brendinë e Ballkanit. Historia e këtij vendbanimi të xehetarisë mund të përcillet që prej vitit 1319 e deri në fund të shekullit XVII. Novobërda ka pasur dy kisha katolike, që iu kishin kushtuar Shën Kolit, të quajtur “kisha e Sasëve” dhe një tjetër kishë katolike ndodhej në pjesën e nënqytetit në Sheshin e Poshtëm, e cila iu ishte kushtuar Shën Mërisë. Më pastaj Novobërda i pati katër kapelanë. Priftërinjtë shpeshherë ishin shqiptarë të ardhur prej Piloti edhe qytetet bregdetare, por edhe njerëz autoktonë si Nikashin Vërla, i cili si tregtar në Novobërdë e kishte të vëllanë dhe nipin.

Image
Ndër famullitë e para që përmenden në vitin 1303 është edhe ajo e Grazanizës, por më vonë ajo më nuk paraqitet kurrë si vend i xehetarisë, por edhe si famulli katolike. Siç është e njohur Graçanicë, më vonë u quajt manastiri pravosllav, që mbreti serb Milutini e ngriti në vitet e fundit të sundimit të tij, bile në këtë manastir për një kohë të gjatë u vendos edhe selia e peshkopatës ortodokse të Lipjanit (Foto: Alban Bujari)

Trepza, Trepiza apo Trepça në letrën e Papës më 1303

Gjithashtu vend me traditë të gjatë të xehetarisë, me historinë e cila edhe pse me ndërprerje vjen deri në kohët tona, ishin edhe Trepza, Trepiza apo Trepça. Për herë të pare, Trepça përmendet në letrën e Papës të vitit 1303. Në Trepçë ishin dy kisha katolike: ajo e Shën Mërisë, rrënojat e së cilës janë ruajtur dhe ajo dikur ishte në afërsi të Stantërgut dhe kisha e Shën Pjetrit. Lidhur me priftërinjtë katolikë janë ruajtur pak të dhëna, por duke u mbështetur në një dokument arkivor raguzian të vitit 1428, rezulton se aty kanë jetuar katër priftërinj.

Zhbërja e famullisë katolike të Graçanicës

Ndër famullitë e para që përmenden në vitin 1303 është edhe ajo e Grazanizës, por më vonë ajo më nuk paraqitet kurrë si vend i xehetarisë, por edhe si famulli katolike! Siç është e njohur Graçanicë, më vonë u quajt manastiri pravosllav, që mbreti serb Milutini e ngriti në vitet e fundit të sundimit të tij, bile në këtë manastir për një kohë të gjatë u vendos edhe selia e peshkopatës ortodokse të Lipjanit. Duke u mbështetur në rregullat e kishës autoqefale serbe midis Ulpianës antike, ku u themelua peshkopata dhe Novobërdës, selia ipeshkvnore në shekujt XV dhe XVI, sikur në rastet e tjera u vendos në manastir. Është interesante të shihet se si është operuar me dioqezën e Graçanicës në dokumentet papnore të Avinjonit. Në një dokument të vitit 1368, qëndron se Trepça dhe Novobërda janë përfshirë në dioqezën e Grazanicës, mirëpo në të nuk përmendet as emri i ipeshkvit dhe as selia e tij, ndonëse “arhiprezviteri” i Trepçës në atë kohë ka qenë abati i manastirit të Shën Palit në Pilot dhe dekan i kishës së Shën Pjetrit në Avinjon. Pra, përveçse që emri i tij nuk përmendet në dokument, nuk është e sigurt se a është ai identik me emrin Andria, të prezviterit të Shën Palit në Pilot, i cili në vitin 1367 në Raguzë kishte arritur marrëveshje që ta shkollonte nipin e tij Nikollën tek Ivani, doktori lokal i gramatikës.

Duke iu falënderuar këtij të fundit, selia papnore kishte pasqyrë më të qartë të famullive katolike në Kosovë. Kështu Famullia “plebanatus nuncupata e saint Marie de Novoberda” për shkak të “skizmatizmit” të mbretërisë rashiane, mirëmbahej nga donacionet e besimtarëve që vdisnin! Vlerësohej që të ardhurat nuk i kalonin 60 monedha ari në vit. Prandaj, përveç të tjerash prifti duhej t’i dëgjonte rrëfimet e besimtarëve katolikë në sllavisht (in idiomate sclauonico)! Por, që nga vdekja e famulltarit të mëparshëm kaloi aq shumë kohë sa që e drejta e emërimit të pasardhësit kaloi në kompetencë të selisë apostolike, e cila në atë kohë ndodhej në Avinjon.

Mamrin Kalenda, kanoniku nga Ulqini

Prandaj zgjedhja ra mbi kanonikun e Ulqinit, Marin Kalendën, që me origjinë ishte nga ai vend dhe e dinte gjuhën (shqipe – S. L.), por ai mandej hoqi dorë nga të ardhurat si kanonik dhe si kapelan i përhershëm, pasi këto i gëzonte në vendlindjen e tij në Ulqin. Fatkeqësisht për veprimtarinë e Marin Kalendës në Novobërdë nuk është ruajtur ndonjë informacion, prandaj mund të themi se ai këtu ndoshta vetëm i ka marrë të ardhurat, pasi si kanonik në të njëjtën kohë në Ulqin njihet prifti me të njëjtin emër, i cili madje e ka pasur edhe rolin e diplomatit dhe më në fund ai e ka mbajtur edhe pozitën e argjipeshkvit në Tivar.

Në fund mund të themi se famullia katolike e Grazanizës në vitin 1303 nuk do të jetë e njëjtë me dioqezën që paraqitet në dokumentet e vitit 1368 dhe është e natyrshme që vazhdimësinë e saj ta njohim në Janjevë, në një qendër të vjetër të xehetarisë, ku ishte kisha katolike e Shën Kolit dhe ku emri i famullitarit Stefanit ndodhet i shkruar në një pllakë guri të vitit 1328.

Image
Prizreni ka qenë qytet i vjetër tregtar, i njohur nga kohët bizantine për prodhimin e zhvilluar të mëndafshit dhe tekstileve (Foto: Driton Paçarada)

Prizreni, Kopaoniku dhe Kratova

Prizreni ka qenë qytet i vjetër tregtar, i njohur nga kohët bizantine për prodhimin e zhvilluar të mëndafshit dhe tekstileve. Krahas ekzistimit të famullisë katolike, në qytet kanë ekzistuar kishat, ajo e Shën Mërisë në qytet, ndërsa jashtë qytetit mbi Prizren ndodhej kisha e Shën Pjetrit (St. Petri supra Prizren). Priftërinjtë e famullisë së Prizrenit përmenden rrallëherë, ndërkaq në vitet e shtatëdhjeta të shekullit XIV, njëri prej tyre luftoi që të emërohej si ipeshkvi i Prizrenit.

Gjithashtu edhe Prishtina ka qenë vend tregtar i njohur dhe rëndësinë e saj e ka ndihmuar xehetaria e zhvilluar në qendrat e Janjevës, Novobërdës dhe Trepçës. Famullia katolike e Prishtinës nuk përmendet në dokumentet papnore, sepse ajo u krijua vonë. Në Prishtinë ka qenë kisha katolike e Shën Mërisë dhe ajo u ndërtua rreth vitit 1387, por punimet në të nuk përfunduan deri në vitin 1442, pra deri në kohën e fillimit të pushtimeve të para osmane.

Më pastaj në letrën e papës të vitit 1346 dhe në disa dokumente të Raguzës dhe Kotorit përmendet famullia e Bërvenikut. Kjo qendër tregtare ndodhej në afërsi të minierave të Kopaonikut. Aty ndodhej kisha e Shën Triphonisit. Në të njëjtën letër papnore midis famullive të dioqezës së Kotorit, numërohet edhe Coporichi, që ne e njohim si qendër tregtare e farkëtimit të monedhave. Për kishën katolike nuk kemi të dhëna të tjera. Të ardhurat e kësaj qendre nga fundi i shekullit XIV i janë “dhuruar” manastirit të Shën Pentelejmonit në Malin e Shenjtë! (Manastiri rus i Shën Pantelejmonit ndodhet në bregun perëndimor të Malit të Shenjtë – shënim S. L.).

Vendbanim i xehetarisë ka qenë edhe Pllana në Kopaonik, që përmendet në dokumentet papnore të vitit 1346. Në rrethinat e Pllanës ka mjaft gjurmë të zhvillimit të dikurshëm të xehetarisë. Edhe pse për kishën katolike të Pllanës nuk ka të dhëna megjithatë, në vitin 1413 si prift në këtë famulli përmendet prifti sas prete dei Todeschi. Në dokumentet papnore të vitit 1346 përmendet edhe famullia Ostacia, por lidhur me këtë vend nuk ekzistojnë dokumente të tjera, prandaj edhe përcaktimi i pozitës së kësaj famullie nuk është aq i saktë, duke potencuar se disa studiues e identifikojnë këtë famulli katolike me Ostraqin, fshatin e Kopaonikut, ku nuk ka gjurmë të xeheve, e disa të tjerë me Ostatinë në pjesën burimore të Studenicës.

Në letrën e vitit 1346, nën emrin e kishës katolike të St. Triphonis de Gergoniste, studiuesit e ndryshëm janë të mendimit se është fjala për Tërgovishten edhe pse nuk është e qartë se a është fjala për vendbanimin e dikurshëm të Rozhajës së sotme apo për ndonjë vendbanim tjetër që ndodhet në grykën e lumit të Sebeçevës.

pastaj mungojnë të dhënat për famullinë katolike të Rogosnas që ndodhej midis pesë famullive që përmenden në vitin 1303. Rogosna ishte mal i pasur me xehe, por në një kohë është dashur të jetë vendbanim, sepse në një testament në kohën e murtajës së madhe të vitit 1348, përmendet emri i princit të Rogosnës, Ariano Toldescho del chonte de Rogosna.

Është më se e sigurtë se edhe “presbyter Crathove” që figuron në dokumentet e raguziane ishte famullitar i kishës, sepse Kratova (sot në Maqedoninë e Veriut) ka qenë qendër e njohur e xehetarisë, për të cilën fatkeqësisht ka shumë pak të dhëna të epokës paraosmane.

Më pak të sigurta edhe pse të evidentuara në dokumentet raguziane, janë të dhënat për kapelanin e Shkupit, pasi është e njohur se raguzianët e vjetër i merrnin me vete kapelanët e tyre. Për këtë ekziston dëshmia e fisnikut raguzian Paskoje Sorkoçeviq që me vite e kishte në përcjellje kapelanin Andrinë nga Novobërda.

Peja para Betejës së Kosovës dhe murtajës

Më pastaj një vit para Betejës së Kosovës kur murtaja e kishte përfshirë rrethinën e Pejës, me çka u vështirësua lëvizja e njerëzve, një tregtar raguzian u detyrua t’i linte disa gjësende personale me vlerë në Pejë, në duart e “priftit latin Don Gjergjit”. Natyrisht se Peja e atëhershme nuk është identike me selinë e patriarkut (serb – S. L.) dhe si qendër e rëndësishme ishte tërheqëse për tregtarët bregdetarë, që jetonin dhe vdisnin këtu. Ekzistojnë mjaft të dhëna për zhvillimin e bujshëm tregtar midis të huajve dhe banorëve autokton pejanë.

Ndihma e Raguzës, Tivarit e Kotorit

Mbijetesa e këtyre famullive, në territoret që gradualisht u shkëputën nga qeverisja e drejtpërdrejtë e qendrave katolike kishtare, padyshim se paraqiste vështirësi në zbatimin e juridiksionit të rregullt kishtar. Siç është e njohur kryeipeshkvia e Raguzës dhe e Tivarit, e shtrinin të drejtën e tyre mbi territoret në viset e brendshme të Gadishullit Ballkanik. Madje, Raguza nuk kishte gjasa reale të shtrinte juridiksionin mbi famullitë e “porsaformuara” katolike, sepse pretendimet raguziane nuk mund të shkonin më larg territoreve të Bosnjë-Hercegovinës, që ajo i humbi në vitin 1247. Të gjitha famullitë që në mënyrë graduale (ri)krijoheshin me qëllim të ruajtjes së identitet fetar katolik në lindje, pra në territoret tanimë që ndesheshin si pjesë e tokave serbe dhe ku kisha e Raguzës prej sundimtarëve provincialë serbë nuk shihej me sy të mirë për shkak të përpjekjeve të pareshtura serbe për nënshtrimin e qendrës së Tivarit dhe të suprimimit të ipeshkvisë së kësaj qendre.

Në rrjedhën e zhvillimeve në planin e organizimit fetar të besimtarëve katolikë, për disa dekada mungojnë të dhëna për kontekste ndërkishtare, ndërkaq nga një informacion i vetëm i vitit 1390, bëhet e qartë që Novo Bërda ishte pjesë e dioqezës së Kotorit. Fatkeqësisht në këtë kohë Kotori filloi t’i humbë pozicionet apo ndikimet që i kishte mbi qarqet sundimtare në Serbi. Luftërat e viteve të gjashtëdhjeta e dobësuan fuqinë ekonomike të kësaj qendre, ndërkaq situata u rëndua edhe më keq kur në vitin 1371 Kotori ra nën sundimin serb. Por, kulminacioni arriti kur në vitin 1420, Kotori u vendos nën pushtetin afatgjatë të Venedikut, ndërsa Tivari ngeli nën sundimin e despotatit serb! Kështu në një letër të papës të vitit 1457, bëhet e njohur se kishat e Novo Bërdos, ajo e Shën Kolit dhe Shën Mërisë bënin pjesë në dioqezën e Tivarit. Duket se ipeshkvi i Kotorit edhe pas rënies nën sundimin serb e kishte caktuar vikarin e tij që e kishte marrë mbi vete përkujdesjen mbi kishat në tokat serbe, por pushteti faktik ishte në duart e argjipeshkvit të Tivarit.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë