Marrë në përgjithësi, në mesin e tetë veprave të kompletit të profesorit shumëvjeçar të letërsisë arabe, Ismail Ahmedi, kemi temën e magjistraturës dhe disertacionin që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me letërsinë arabe, kemi dy vepra të botuara në arabisht që nuk janë për lexuesin shqiptar, si dhe tri përkthime nga arabishtja. I vetmi përkthim nga letërsia arabe është drama “Të huajt”, por këtu del emri i I. Ahmedit si bashkëpërkthyes, kurse përkthyesi i vërtetë është Abdylatif Arnauti. Duke vlerësuar lart kontributin e botuesit (Logos-A) në botimin e kompleteve, na duket se ky komplet është dashur të vlerësohet në mënyrë më profesionale. Siç duket, ky komplet doli në “Bibliotekë për hatër”
Viteve të fundit shtëpia botues “Logos-A” në Shkup ka nxjerrë disa komplete të figurave kombëtare (Sami Frashëri, Vehbi Ismajli e të tjerë), kurse tani pritet të botohet kompleti me veprat e Tahir Kolgjinit (1903–1988). S’ka dyshim se këto botime plotësonin një zbrazëti dhe paraqisnin një kontribut të mirëseardhur për lexuesin shqiptar, pasi që u botuan shumë vepra për herë të parë.
Mirëpo, me këtë botim që e përmendëm në një shkrim më herët (“Koha ditore”, Shtojcë për kulturë, 08.01.2023) dhe premtuam t’i kthehemi në një rast tjetër, duket se kemi diçka që dallohet prej kompleteve të tjera.
Vetë fakti që prof. Agim Vinca u habit kur mori vesh për këtë komplet, pra se autori ka kaq vepra që meritojnë të botohen në një komplet, na shtyri këtu t’i prezantojmë këto vepra në dy aspekte: aspekti profesional i autorit si profesor i letërsisë arabe në Universitetin e Prishtinës deri në pension, si dhe sa vlerat origjinale aktuale që i kanë veprat për lexuesin shqiptar.
Teksti i zhdukur për letërsinë arabe që nuk u kompensua
Autori prof. dr. Ismail Ahmedi filloi punën më 1975 si asistent i Hasan Kaleshit në Degën e Orientalistikës për lëndën letërsia arabe, kurse më 1978 e mbrojti në Kuvajt temën e magjistraturës “Kultura arabe islame në Maqedoni dhe në Kosovë gjatë shekujve XV–XVIII". Vërtet, këtë lëndë (letërsia arabe) e ligjëronte prof. Hasan Kaleshi, që e themeloi Orientalistikën më 1973, dhe kishte përgatitur një tekst universitar për letërsinë arabe gjatë 1975, por ai u “zhduk” në Rektorat pas vdekjes së tij më 1976. Vërtet, Kaleshi kishte kujdes të posaçëm për I. Ahmedin për arsye të miqësisë midis dy familjeve dhe e ndihmoi gjatë punës në temën e magjistraturës, pasi që e kishte bazën në disertacionin që e mbrojti në Beograd më 1960 dhe e botoi në Prishtinë më 1973 me titull “Dokumentet më të vjetra vakëfit në gjuhën arabe në Jugosllavi”. Mirëpo, vdekja e hershme e Kaleshit si profesor dhe njohës i mirë i letërsisë arabe më 1976 e la asistentin e tij pa mentor profesional, gjë që u reflektua në karrierën dhe në prodhimin e tij shkencor, e dallueshme më së miri në këto vepra të kompletit. Në këtë drejtim ndikoi shumë dhe orientimi i tij për disertacion (Hafiz Ali Korça jeta dhe vepra), ndërsa ai mbeti dhe u avancuar për profesor të letërsisë arabe në Orientalistikë deri në pension më 2012. Kjo do të vërehet menjëherë në këto 8 veprat e kompletit në fjalë.
“Vepra 1” është “Hafiz Ali Korça- Jeta dhe vepra”, pra disertacioni për të cilin e kishte për mentor prof. Mahmud Hysën, të cilin e mbrojti në Prishtinë më 1995 dhe ia botoi “Logos-A” në Shkup më 1999. Orientimi për këtë temë ndikoi që autori të largohet më shumë prej fushës profesionale (letërsia arabe) dhe të merret më shumë me veprat e ndryshme të Ali Korçës, që i botoi më vonë si komplet.
“Vepra 2” është “Aspekte letrare dhe shkrime të tjera”, që u botua më 1996 në Shkup dhe përmban shkrime të ndryshme që kanë të bëjnë me tema të ndryshme letrare e joletrare sikurse si “Administrata në institucionet shqiptare në Kërçovë gjatë viteve 1939–1950” e të tjera, të cilat recensenti atëherë nuk e pa të udhës të botohen. Mirëpo, tani në këtë vepër i kemi ato dhe të tjera nga disertacioni për Hafiz Ali Korçën, kurse nga letërsia arabe kemi tri shkrime dhe një në gjuhën arabe(!). Risitë në këtë botim janë disa vështrime të librave të ndryshëm, kurse në pjesën e tretë u futën 11 vjersha të përkthyera nga poezia arabe e shekullit XX, që nuk e kanë vendin në këtë libër pasi që nuk janë pjesë të një studimi ose nuk i përkasin një shkollë poetike.
“Vepra 3” është tema e magjistraturës “Kultura arabe islame në Maqedoni e në Kosovë gjatë shekujve 15–18”, e mbrojtur në Kuvajt më 1978, e kontestuar vonë për plagjiat. Çfarë tërheq vëmendjen këtu janë dy gjëra të çuditshme. Së pari, botimi i kësaj teme ashtu siç ishte më 1978 pa ndonjë përditësim, përkundër kësaj që në këto 42 vjet dolën shumë studime në gjuhë të ndryshme që është dashur të merren parasysh. Së dyti, që tërheq vëmendjen më shumë, kjo temë u botua ashtu siç ishte në arabisht në vend që të përkthehet në shqip për ta dëshmuar origjinalitetin e saj!
“Vepra 4” është “Gjuha bashkëkohore arabe”, një tekst me ilustrime për ata që dëshirojnë të mësojnë arabishten, i cili ishte pjesë e një serie me 4 libra në bashkëpunim me prof. Adnan Ismailin dhe mr. Jahja Honozin, të botuara nga Universiteti i Tetovës më 2012. Çfarë tërheq vëmendjen në këtë libër është që u botua në gjuhën arabe, pra nuk e ka vendin këtu si komplet veprash për lexuesin shqiptar. Sa për origjinalin e këtij libri po ashtu meriton të merret në shqyrtim në një rast tjetër.
“Vepra 5” është përkthimi i veprës së vetme të Sami Frashërit në arabisht “Përpjekja e heronjve në përhapjen e Islamit”. Mirëpo, këtu na befason fakti që këtë vepër të botuar në Stamboll më 1885 e përktheu në shqip Myftar Ajdini dhe e botoi në revistën shkencore “Edukata Islame” (nr.44-45, Prishtinë 1986) dhe u botua në Prizren si vepër e veçantë më 1989. Kështu, pa ndonjë arsyetim në Parathënie I. Ahmedi e përktheu këtë vepër dhe e botoi në Shkup (“Logos-A” 1994), kurse tani ribotohet në këtë komplet.
“Vepra 6” është “Antologjia e prozës bashkëkohore arabe”, e vetmja që ka të bëjë me punën gati 40- vjeçare të autorit si profesor i letërsisë arabe. Mirë, këtu vlen të përmendet se kjo vepër u botua së pari në Prishtinë më 1983 me titull “Proza e sotme arabe” (“Rilindja”, Prishtinë 1983) si vepër kolektive me pjesëmarrjen e disa orientalistëve, kurse tani u hoqën ato tregime që i kanë përkthyer të tjerët dhe mbeti punë ekskluzive e I. Ahmedit pasi që i hoqi ato tregime i futi të tjera në përkthim të tij me një parathënie të vetën. Kuptohet, kjo është drejta e tij pasi kaluan nja 40 vjet për një letërsi të madhe si ajo arabe. Mirëpo, duke kaluar praninë e Kaleshit në Parathënie, mund të thuhet se ajo e vitit 1983 ishte e kohës, kurse kjo tani është larg ta prezantojë “prozën bashkëkohore arabe”. Lexuesi arab do të habitet kur mëson se si Lutfi al-Manfaluti (1876–1924) prezanton tani “Prozën bashkëkohore arabe”!
“Vepra 7” është përkthimi i një dramë siriane me titull “Të huajt” e shkrimtarit Ali 'Ukla 'Ursan (1941), emri i të cilët fare nuk figuron në kopertinë. Mirëpo, këtu kemi diçka tjetër që nuk mbahet në mend. Në kopertinën e brendshme del emri i bashkëpërkthyesit Abdylatif Aranautit (1931–2022), aktivisti dhe përkthyesi i njohur sirian me origjinë kosovare. Mirëpo, siç dihet, A. Arnauti, si në Tiranë, si në Prishtinë, linte disa përkthime të tij te disa miq e kolegë për t’i redaktuar sipas gjuhës standarde. Mirëpo, në këtë rast A. Arnaut u habit kur e pa se dramën e botoi “Logos-A” më 2005 me emrin e I. Ahmedit si bashkëpërkthyes. Ai ma shprehi dëshpërimin e vet, si dhe edhe kolegut akademik Feti Mehdiut.
“Vepra 8” është përkthim i librit “Sahihu-l-Buhari”, përkatësisht përmbledhja e traditave të profetit Muhamed, që i mblodhi dijetari Muhammad al-Buhari (vdiq në vitin 870). Vërtet, kjo vepër e madhe u botua në shqip në 12 vëllime më 1995–2015, me participimin e kolegëve (Feti Mehdiu, Ismail Ahmedi, Mehdi Polisi, Abdulla Hamiti dhe Isa Memishi), pra këtu e kemi vetëm “vëllimin 5” që e përktheu atë I. Ahmedi në kuadër të atij projekti kolektiv, kurse ashtu siç doli në kopertinë nënkupton se është fjala për tërë atë vepër të madhe të Buhariut.
“Bibliotekë për hatër”
Marrë në përgjithësi, në mesin e tetë veprave të kompletit të profesorit shumëvjeçar të letërsisë arabe kemi temën e magjistraturës dhe disertacionin që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me letërsinë arabe, kemi dy vepra të botuara në arabisht që nuk janë për lexuesin shqiptar, si dhe tri përkthime nga arabishtja. I vetmi përkthim nga letërsia arabe është drama “Të huajt”, por këtu del emri i I. Ahmedit si bashkëpërkrhyes, kurse përkthyesi i vërtetë është Abdylatif Arnauti. Ndoshta me këtë mund të kuptohet se çfarë mësonin studentët në Orientalistikë për letërsinë arabe në mungesë të një teksti universitar ose profesional dhe përse nga ata për nja 40 vjet nuk kemi ndonjë që u mor me letërsinë arabe.
Duke vlerësuar lart kontributin e botuesit (Logos-A) në botimin e kompleteve, na duket se ky komplet është dashur të vlerësohet në mënyrë më profesionale. Siç duket, ky komplet doli në “Bibliotekë për hatër” që nuk e ka vetëm ky botues prej Shkupi deri në Tiranë. Në një bisedë spontane me një redaktor të kësaj shtëpie botuese më 2019 për një libër që u botua atëherë, ai e pranoi se atë e kanë botuar në “Bibliotekë për hatër”. Duke u pajtuar atëherë me arsyetimin se libri në fjalë u botua kështu për shkak të gjendjes shëndetësore të autorit të vyeshëm, tani më duket se në “Bibliotekë për hatër” mund të tolerohet ndonjë botim, por jo një komplet si ky.