“Një identitet krijues që reflekton aktualitetet e kohërave të vështira. I lidhur me traditën për t’i çuar zë të ardhmes, pikturat ngjyrashumë të Rexhep Ferrit – një vullkan sipas njohësve të artit – kanë sjellë ‘freskinë e optimizmit’ në kohë të vështira”, shkruante “Koha Ditore” më 21 tetor të vitit 2020 për ekspozitën e fundit të akademik Rexhep Ferrit në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës
Prishtinë, 20 tetor 2020 – Janë dhjetëra profile njerëzish, çift dhe tek, që theksojnë një dinamikë mes ngjyrave ku spikat e kuqja, e zeza dhe e kaltra e butë. Nuk është një bredhje e pacak, por një kundrim prej udhëtarësh të zhytur në të thella për tri kohë: të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen. Me traditën e sublimuar anë e përtej, veprat e reja kondensojnë atë që më së shumti i mungon vitit të murtajës: optimizmit se ditë të mira do të vijnë. Të martën mbrëma, (më 20 tetor të vitit 2020 v.j.) në Galerinë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, është hapur ekspozita personale me mbi dyzet vepra të akademik, Rexhep Ferrit.
Edhe një herë bota shumëngjyrëshe e piktorit 83-vjeçar përçon shpirtin e tij kërkues përballë aktualiteteve sfiduese. Ajo çfarë kritiku francez, Jean- Marie Dunyer, e kishte shkruar 43 vjet më parë në “Le Monde” se vizatimet e tij krijojnë personazhe të shformuara e të zhveshura me “prani që të pushton”, kjo mori një pohim edhe kuptimplotë në ditëlindjen e 83-të të akademikut.
“Ferri nuk flet kurrë për historinë derisa fytyra njerëzore i ka rezistuar prerjes së sëpatës, profilet e tij janë të tmerrshme, si çdo gjë nga një racë krenare”, kishte shkruar atëbotë Dunyer.
“Jemi në një kohë të maskave dhe një shekulli që pret optimizëm. Është faji i njeriut dhe jo gjetkë”, ka thënë akademik Ferri për KOHËN. Në të vërtetë, ekspozita e mbrëmshme, e organizuar nga Seksioni i Arteve pranë ASHAK-ut, ka hapur siparin e të parit event të tillë në institucionin më të lartë akademik në vend prejse ka pllakosur pandemia.
Me reputacionin e pranuar prej vitesh si një prej emrave që i është brendashkruar historisë së artit modern në Kosovë, punimet e paraqitura në ekspozitë kanë bartur shenjat e dukshme të një ndjeshmërie artistike përballë realiteteve në evoluim.
Tre vjet më parë, kur kishte mbushur plot tetë dekada jetë, në ASHAK ishin ekspozuar punime të tij, kryesisht tapiceri.
“Iu kam afruar pak mitologji me gjyshërit tanë brez pas brezi”, kishte thënë artisti për mitin e njeriut të shpalosur në dhjetëra punime të bëra me një teknikë që s’përdorej më.
Në hapje të ekspozitës të së martës, skulptori Luan Mulliqi ka thënë se Ferri tani sjell një freski të veçantë ngjyrash nga krijimtaria e viteve të fundit.
“Si pjesëmarrës i shumë ekspozitave, emri i tij natyrisht se ka hyrë në panteonin e artit pamor shqiptar”, ka thënë Mulliqi, i cili është edhe anëtar korrespodent në ASHAK. Sipas tij, ky set kulturor e artistik ishte paraparë të mbahej shumë më herët, por pandemia kishte bërë që të shtyhej.
“Vendosëm ta mbanin tani në këtë kohë pak më të qetë”, ka shtuar Mulliqi.
Kurse vetë Ferri ishte fare fjalëpak e modest në adresimin e tij para të pranishmëve në ekspozitë. I ka falënderuar të gjithë ndërkohë që ka thënë se nuk ka përgatitur fare fjalim.
“Jemi me maska dhe duhet të flasim pak e nga largësia. Mund të merrni gjithçka ju pëlqen me vete, por jo si pikturë”, ka thënë si me shaka Ferri. Piktorja dhe ligjëruesja në Fakultetin e Arteve në
Universitetin e Prishtinës, Zake Prelvukaj, e ka quajtur ekspozitën e Ferrit si vullkan i një artisti shumëdisiplinar.
“Ka shpërthime, rritje të intensitetit të ngjyrave dhe vijave të mprehta si kufizim fugal. Vërtet kombi ynë fisnikërohet nga krijimtaria pamore dhe e shkruar e tij”, ka thënë Prelvukaj për gazetën. “E veçanta e tij është se gjatë kronologjisë së tij krijuese gjithmonë ka ecur me kohën pa e humbur identitetin e tij krijues. Motivet e Ferrit kanë për bazë aktualitetet e dekadave, rënieve dhe ngritjeve tona”.
Një rrëfim emocional të jetës së tij prej krijuesi, Ferri e kishte shpalosur sivjet në emisionin “Express” në KTV me gazetaren, Erjona Gjikolli. Kishte evokuar hapërimet e tij nga fundvitet ‘50 kur kishte mbaruar Shkollën e Mesme të Artit në Pejë e deri te diplomimi në Akademinë e Arteve në Beograd.
“Kisha aq shumë brenda vetvetes për të thënë e për të shprehur sa në ëndrra më shfaqej vetja duke fluturuar”, kishte kujtuar Ferri. Artisti i lindur më 1937 në Kukës, qysh në vitet ’70 ishte shquar për kontributet e tij në fushën e arteve figurative. Në vitin 1974, ai do të zgjidhej pedagog në Akademinë e Arteve Figurative në Prishtinë. Fryt i angazhimit të tij prej pedagogu është një brez i tërë emrash të artit pamor. Më 1996 është zgjedhur anëtar korrespodent i ASHAK-ut, kurse katër vjet më vonë është avancuar në anëtar të rregullt. Brenda këtij institucioni akademik për ca kohë ishte sekretar i Seksionit të Arteve. Në vitin 2010, ASHAK-u ia botoi monografinë me gjithë opusin e tij artistik. Ka organizuar shumë ekspozita të pavarura në vend dhe jashtë, ka marrë pjesë në manifestime të rëndësishme, ekspozita, bienale, takime, në Kosovë, në ish-Jugosllavi, por edhe në Francë, Itali, Gjermani, Turqi, Egjipt, e të tjera. Ka botuar disa përmbledhje me poezi, romane si dhe ese.