Shtojca për Kulturë

Vepra e Vasil Gërmenjit dhe faqja tjetër e historisë

Monografia "Vasil Gërmenji: Një jetë në shërbim të çështjes shqiptare" e Elez Osmanit e botauar nga Botimet KOHA

Lexuesi i monografisë “Vasil Gërmenji: Një jetë në shërbim të çështjes shqiptare” që Elez Osmani e ka sistemuar dhe e ka përgatitur me përkushtim dhe njohuri, përveç aq shumë angazhimeve të Vasil Gërmenjit për të ndriçuar aspekte të jetës historike të popullit shqiptar, janë edhe kërkesat e tij për mënyrën dhe mundësitë e pajtimit të shqiptarëve, për ta ndihmuar atdheun si të bashkuar. Në punimet e tij, po edhe në letërkëmbimin e Vasil Gërmenjit, shumë shpesh gjendet edhe një kërkesë, që mund të përmblidhet në synimin e tij për të pajtuar anët e politikës shqiptare në shërbim të atdheut

Përkufizimi

Jeta historike e popullit shqiptar herë ka pasur vetëm njërën anë të ndriçuar, herë ka mbetur nëpër arkivat e botës, kurse të shumtën e herëve është mohuar ndriçimi i tërësishëm i periudhave historike, i ngjarjeve që janë zhvilluar, andaj edhe shumë veprimtarë të çështjes kombëtare kanë mbetur ose të panjohur, ose janë njohur pjesërisht. Një fat të këtillë e ka pasur edhe figura shumëplaneshe e atdhetarit me traditë Vasil Gërmenji. Ishte nip i Themistokli Gërmenjit, andaj ngjarjen e parë që e kishte vëzhguar nga afër në shtëpinë e tij ishte Kongresi i Manastirit i vitit 1908, ku ishte vënë baza e alfabetit të sotëm të gjuhës shqipe, që kishte zhvilluar punimet në hotelin e familjes së tij. Po ashtu, siç del edhe nga letërkëmbimi që ka studiuar prof. Elez Osmani, ai ishte njohës i mirë i të gjitha rrethanave që kishin ndodhur në Shqipëri, që para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe rrethanat që ishin krijuar pas ardhjes në pushtet të komunizmit shqiptar.

Kërkesat e Vasil Gërmenjit për mundësinë që shqiptarët të merren vesh mes vete

Lexuesi i kësaj monografie, që Elez Osmani e ka sistemuar dhe e ka përgatitur me përkushtim dhe njohuri, përveç aq shumë angazhimeve të Vasil Gërmenjit për të ndriçuar aspekte të jetës historike të popullit shqiptar, janë edhe kërkesat e tij për mënyrën dhe mundësitë e pajtimit të shqiptarëve, për ta ndihmuar atdheun si të bashkuar. Në punimet e tij, po edhe në letërkëmbimin e Vasil Gërmenjit, shumë shpesh gjendet edhe një kërkesë, që mund të përmblidhet në synimin e tij për të pajtuar anët e politikës shqiptare në shërbim të atdheut. Si e ka konceptuar Vasil Gërmenji këtë kërkesë, sipas gjasash, për pushtetin aktual të Shqipërisë së asaj kohe, por edhe për mendimin e shumë partive politike të mërgatës shqiptare, ishte e pazbatueshme. Ishte e tillë për faktin, se Vasil Gërmenji kërkonte të hiqeshin nga përdorimi një dorë ligjesh të shtetit, të liroheshin të gjithë të burgosurit politikë, të mundësohej kthimi i mërgimtarëve në atdhe, si dhe të krijoheshin marrëdhënie të mira me SHBA-në. Marrë të tërësi, shkrimet e Vasil Gërmenjit shtrihen në të gjitha anët e jetës shoqërore që zhvillohej në atdhe, por edhe në të gjitha vendet ku ishte vendosur mërgata shqiptare. Kurdo që kishte rastin të kishte në dorë ndonjë botim të kësaj mërgate, Vasil Gërmenji e përgëzonte me aq përkushtim, sa përkufizohej me gjuhën e rilindësve tanë, kur bëhej një shërbim në të mirë të atdheut. 
Puna që ka bërë Elez Osmani në mbledhjen, sistemimin e punimeve të ndryshme, poezive, dhe ruajtjen e letërkëmbimit të tij, është me vlerë të paçmueshme, qoftë edhe për faktin se e gjithë veprimtaria e tij është pjesë e historisë së mërgatës shqiptare, rrjedhimisht është pjesë e historisë sonë kombëtare.

Letërkëmbimi që dëshmon rrugën historike të popullit shqiptar

Çka dëshmon letërkëmbimi i Vasil Gërmenjit? Cila ishte gjendja e mërgatës shqiptare, sipas këtij letërkëmbimi? A kishte mundësi që shqiptarët të merreshin vesh për të ardhmen e atdheut? Dua të besoj se këto janë dilemat kryesore të tërësisë së shpëtuar të letërkëmbimit të Vasil Gërmenjit, me të cilin është marrë Elez Osmani. Po ashtu, në shumësinë e interesimeve të Vasil Gërmenjit, përherë dhe kudo, siç thuhej, me bukë, apo pa të, përherë në vend të parë ishte çështja e Shqipërisë etnike, ashtu siç e kishte mësuar nga i ungji Themistokli Gërmenji, dhe nga babai, Telemak Gërmenji, por edhe nga shkolla e madhe atdhetare e Rilindjes sonë Kombëtare. Kudo që shqiptarët, me veprimin e tyre, me punën dhe me angazhimin e tyre, bënin diçka të mirë për atdheun e tyre, Vasil Gërmenji ishte ai që i inkurajonte, ai që gëzohej për secilën fletushkë, gazetë, apo revistë që dilte në gjuhën shqipe. Në shtrirjen e përgjithshme të interesimeve të tij, siç del nga ky letërkëmbim, me të cilin është marrë Elez Osmani, Vasil Gërmenji me vetëdijen më të lartë kombëtare, gjithë veprimtarinë e tij, gjithë angazhimin e tij intelektual, gjithë veprimtarinë në institucione të ndryshme ndërkombëtare, ia kishte kushtuar lirisë së Shqipërisë, duke kërkuar nga mërgata shqiptare, kudo që ishte ajo, që të mos lodhej asnjëherë për të qenë në shërbim të atdheut. Qoftë edhe vetëm për këtë aspekt të veprës së tij madhore, ajo ka merituar kaherë të njihej nga shqiptarët, ka merituar të jetë botuar deri tashti, siç edhe do të duhej të ishte pjesë e edukimit të gazetarëve shqiptarë, nëpër të gjitha këto periudha kohore që ka kaluar jeta e shqiptarëve, që pas Luftës së Dytë Botërore e këndej. Kësisoj, do të shlyhej një obligim i madh kulturor ndaj veprës së Vasil Gërmenjit, por edhe ndaj mërgatës shqiptare në përgjithësi.

Përfundim

Duke shfletuar me kujdes punën e Elez Osmanit në përgatitjen dhe shqyrtimin e kësaj monografie të Vasil Gërmenjit, na vjen në mendje mësimi i lashtësisë shqiptare, se kushdo që vë një gur në kalanë e atdheut kryen një obligim moral ndaj tij, por mbi të gjitha bëhet shkollë për të ardhmen e mendësisë së shqiptarëve, se secila punë në shërbim të atdheut vlerësohet nga brezat që vijnë. 
Letërkëmbimi i Vasil Gërmenjit e dëshmon në tërësi këtë kërkesë, sepse na mëson edhe anën tjetër të historisë shqiptare, e cila pa marrë parasysh paragjykimet e mundshme është në shërbim të lirisë së atdheut, është në shërbim të çështjes së madhe kombëtare, e cila nuk është e plotë pa Kosovën dhe viset e tjera që janë lënë jashtë gjeografisë së atdheut nga Fuqitë e Mëdha të kohës. Qoftë edhe vetëm për këtë porosi të madhe, që del nga letërkëmbimi i Vasil Gërmenjit, meriton shqyrtim, studim, analizë dhe mbështetje të përhershme kjo punë e madhe e studiuesit Elez Osmani, ngase mërgata shqiptare është pjesë e historisë sonë kombëtare. 

Prof. dr. Emin Kabashi është këshilltar shkencor, Instituti Albanologjik i Prishtinës, recensent i librit monografik, “Vasil Gërmenji: Një jetë në shërbim të çështjes shqiptare” të Elez Osmanit, “Botimet KOHA”, tetor 2024. Ky tekst është fjala e recensentit e botuar në monografi