Refleksione rreth librit “Dritëhijet e poemës së Ali Podrimjes për Kosovën”, të dr. Sali Bytyçit, botuar nga Instituti Albanologjik – Prishtinë, Prishtinë 2021
Hyrje
Në gamën e gjerë të fushëveprimtarive njohëse të njeriut, mendja letrare përfaqëson fuqinë më të lartë për ndërtimin e kuptimit të marrëdhënies së njeriut me botën. Përderisa logjicienët pozitivistë konsiderojnë se dijet duhet të jetë të ndara nga vlerat e modeleve kulturore e sociale, me ç’rast ato duhet të na ofrojnë një njohje objektive për botën e jashtme në bazë të parimit të verifikueshmërisë së fakteve empirike; epistemologët socialë, siç janë, bie fjala, Lakatosh e Kuhn, konsiderojnë se sistemi i njohurive të riprodhuara prej fushave të ndryshme të dijes është rezultat i rrjeteve komplekse sociale, prandaj, sipas tyre, njohuritë tona për botën varen nga konteksti ynë social në të cilat ngjizen dhe shfaqen ato njohuri.
Mendja letrare, si një nga fuqitë më ingjenioze në fushëveprimtarinë njohëse, qëndron përtej këtyre koncepteve epistemike për njohjen. Letërsia si art është një kombinim i qëndrimeve njohëse dhe vlerësuese të njeriut për veten dhe, në mënyrë të veçantë, për marrëdhënien që ai ka me botën. Ndërsa njohja, si në këndvështrimin e logjicienëve pozitivistë ashtu edhe në atë të epistemologëve socialë, drejtohet prej forcës së dëshirimit të vullnetit që i nënshtrohet parimit të arsyes së individëve për zotërimin e objekteve të veçanta, krijuesit letrarë nuk janë individë, por, të çliruar – siç thotë Shopenhaueri – nga fijet e forcës së vullnetit që i mban të lidhur me botën, janë subjekte të kulluara njohëse që, përmes intuitës, synojnë rrokjen e idesë së përgjithshme. Në dy rastet e para njohja është e kurthuar nga ideja e vlerës së saj epistemike (koherencës, konsistencës, provës, të vërtetës, dobishmërisë praktike etj.) ndërkaq mendja letrare është e liruar nga ideja e vlerave të tilla epistemike në dobi të vlerave estetike e morale.
Fenomeni i disonancës kognitive
Në mjegullën e paqartësisë së intuicionit qëndron fara e të kuptuarit racional të fenomenit. Janë pyetjet e thjeshta, në shikim të parë krejtësisht sipërfaqësore e të parëndësishme, ato që e vënë në lëvizje vullnetin kërkues njohës.
Si është e mundur që një poemë me vlera të larta artistike, autori i saj të mos e përfshijë atë as në vëllimin e parë tij poetik e as në vëllimet e tjera në versionin e parë të saj, por të ndryshuar deri në masën e tjetërsimit nga trajta origjinare e saj?
Kjo do të jetë pyetja e forcës tërheqëse të vullnetit për kërkim të studiuesit Sali Bytyçi.
Vepra më e re e dr. Sali Bytyçit “Dritëhijet e poemës së Ali Podrimjes për Kosovën” sjell para nesh idenë e efekteve negative që prodhon arti letrar kur ai i nënvendoset dëshirimit të një vullneti që drejtohet nga parimi i arsyes instrumentale. Përmes shqyrtimit të versioneve të ndryshme të poemës “Metohija në vjetin e madh 1941”, e botuar për herë të parë në revistën letrare “Jeta e re” më 1961, dhe e ribotuar në formë të përpunuar më 1967 me titull “Toka e zgjueme”, si dhe në vitin 1971 me titull “Hija e Tokës”, autori i studimit monografik “Dritëhijet e poemës së Ali Podrimjes për Kosovën” na sjell në vëmendje ndërlidhjen dhe ndikimin që ushtojnë në gjendjet psikologjike të krijuesve letrarë qëndrimet mbizotëruese politike e shoqërore, si instanca “legjitime e legale” diskursive për përshkrimin dhe vlerësimin e realiteteve të të gjitha niveleve të ekzistencës njerëzore. Duke përdorur metodën gjenetike të modelit të marrëdhënies së jetës së shkrimtarit me veprën e tij dhe të veprës me kontekstin e përgjithshëm shoqëror e politik, Sali Bytyçi e bën të dukshme ndikimin që ushtrojnë qëndrimet mbizotëruese politike e shoqërore në aftësitë përzgjedhëse orientimore të krijuesit për strukturimin e përvojave personale perceptimore në veprën e tij artistike.
Nga perspektiva e antropologjisë kognitive, mund të themi se hulumtimi i fenomenit të ndryshimeve të modelimeve gjuhësore poetike të poemës “Kosova në vjetin e madh 1941”, i sjellë në studimin “Dritëhijet e poemës së Ali Podrimjes për Kosovën” mund të na shërbejë si një burim për analizimin e ndërveprimeve të modeleve kulturore e politike me mendimin dhe gjuhën brenda tërë arealit kulturor letrar shqiptar. Pse? Sepse gjuha, në njërën anë, është material pune përmes së cilës në veprën artistike objektifikohen potencialet e humanitetit të qenies njerëzore në kontekste të caktuara psikologjike, morale, historike e metafizike dhe, nga ana tjetër, si askund tjetër në gjuhë dhe përmes gjuhës shpërfaqet karakteri i gjendjes antropologjike në marrëdhënien midis individit me shoqërinë dhe ngjarjet politike, të cilat e përcaktojnë atë marrëdhënie.
Përmes hulumtimit të ndryshimeve semantike që pëson poema “Metohija në vjetin e madh 1941” në dy versionet e tjera të saj duke hequr fjalë, vargje apo edhe pjesë të tëra të poemës, ekzaminohet baza morale mbi të cilën ndërtohet lidhja midis gjuhës, mendimit dhe pushtetit politik në kulturën letrare shqiptare në kushtet e robërisë. Në studimin monografik “Dritëhijet e poemës së Ali Podrimjes për Kosovën” ne mund të shohim se diskursi (jo si entitet linguistik, por në kuptimin që atij i jep Fuko, si formë e intervenimit të pushtetit për krijimin e subjektit sipas masës së vet) ushtron ndikim përcaktues në organizmin kognitiv të vlerësimeve e perceptimeve personale të krijuesit, si dhe të fjalëve që i materializojnë ato vlerësime në veprën artistike.
Në këtë rrafsh mund të themi se studimi monografik “Dritëhijet e poemës së Ali Podrimjes për Kosovën” i Sali Bytyçit, më shumë sesa për fatin e krijimtarisë së një autori të veçantë në letërsinë tonë – në këtë rast të një prej poetëve më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, në përgjithësi, siç është Ali Podrimja – është një përpjekje për ta vënë nën dritën reflektive të vetëdijes sonë praninë e simptomës së disonancës kognitive në trupin e kulturës letrare shqiptare, e kjo do të thotë për ta vënë në pah fenomenin e mospërputhjes midis thelbit dhe shfaqjes, midis bindjes së brendshme dhe sjelljes së jashtme.
Dy paradigmat për reduktimin e disonancës kognitive
Disonanca kognitive shfaqet te personat të cilët kryejnë sjellje që janë në kundërshtim me ndjenjën ndaj vetes. Me qëllim që ta reduktojë disonancën kognitive, individi do të jetë i shtrënguar ose ta ndryshojë vlerësimin për njohjen dhe besimin që ka ndaj vlerave ekzistuese, ose ta pasurojë njohjen me elemente të reja në atë mënyrë që ta rrisë shkallën e përputhshmërisë së njohjes me atë të modelit dominues kulturor e politik.
Në studimin e Sali Bytyçit reduktimi i fenomenit të disonancës kognitive në kulturën letrare shqiptare del të jetë arritur përmes paradigmës së ndryshimit të vlerësimit të njohjes personale në përputhje me kërkesat e strukturës së modelit dominues politik. Si? Duke i ndryshuar dhe adaptuar idealet estetike sipas nevojave të sjelljes së jashtme dhe në përputhje me strukturat kognitive dominuese politike. Për rrjedhojë, në kulturën letrare shqiptare do t’i hasim dy paradigma të përshtatjes, si forma për reduktimin e disonancës kognitive midis qëndrimeve dominuese politike dhe gjendjes psikologjike individuale të krijuesve:
a) përshtatja me bindjet dhe vlerat që imponon diskursi dominues përmes paradigmës së sjelljes angazhuese, e praktikuar në letërsinë shqipe përmes metodës së realizmit socialist; dhe
b) përshtatja me bindjet dhe vlerat e diskursit dominues përmes paradigmës së sjelljes abstenuese ndaj angazhimit, e praktikuar në letërsinë shqipe përmes metodës estetizante.
Sipas autorit të monografisë, versioni i parë i poemës “Metohija në vjetin e madh 1941” përfaqëson fazën e kundërshtimit të poetit ndaj sistemit politik dhe fuqive të tij diskursive për organizimin kognitiv të vlerësimeve e të perceptimeve për realitetin në krijimtarinë letrare. Versioni i dytë me titull “Toka e zgjueme” e botuar fillimisht në “Jeta e re” më 1967 e më pas edhe në vëllimin poetik “Dhimbë e bukur” në po të njëjtin vit, është fillimi i fazës së përshtatjes së tij me qëndrimet dominuese politike të kohës, për të kaluar, më pas, në versionin e tretë me titull “Hija e tokës”, botuar si libër i veçantë më 1971 në kohën e fillimit të ndryshimeve kushtetuese të Kosovës. Versioni “Hija e tokës” përfaqëson aktin solemn të pranimit të diskursit dominues politik nga ana e poetit.
Për ilustrim të pranisë së paradigmës së përshtatjes përmes abstenimit, autori i studimit përmend edhe fenomenin e “deheroizmit” të poetit, e materializuar në krijimtarinë poetike të Fahredin Gungës, dhe konkretisht në pjesën e parë të poezisë së tij “Tri monologje për veten”. Këtë poezi F. Gunga do ta botojë jo shumë kohë kur ai, në cilësinë e dëshmitarit, bashkë me disa shkrimtarë të tjerë, do të dëshmojë në gjykimin kundër Adem Demaçit. Akti i abstenimit nga kategoria “e angazhimit”, si përbërës i idealit praktik jetësor, dhe reduktimi i tij në kategorinë e “përsiatjes” përmes intuitës së kulluar të ndarë nga përvoja empirike, si ideal estetik i afirmuar në vargjet e poezisë “Tri monologje për veten”, për autorin e saj do të shërbejë si mjet për arsyetimin dhe rehabilitimin e ndërgjegjes së tij qytetare e kombëtare të tjetërsuar prej qëndrimit dhe sjelljes së tij publike në gjykimin kundër Demaçit. Ndryshimi i idealit estetik për “mos-angazhimin ndaj heroikes”, i shprehur përmes vargjeve në poezinë “Tri monologje për veten”, nuk është pasojë e ndonjë rimendimi metateorik që Faheredin Gunga (dhe jo vetëm ky poet! -A.H.) do t’u bëjë idealeve të tij estetike sipas nevojave të tij të brendshme krijuese, por rrjedhojë e nevojës për reduktimin e pranisë së fenomenit të disonancës kognitive të shfaqur në personalitetin e tij si rezultat i shfaqjes së konflikt midis besimit në idealin e lirisë njerëzore dhe gjendjes reale psikologjike të tij; midis ndërgjegjes qytetare e kombëtare dhe ndërgjegjes artistike të tij. Abstenimi, i materializuar përmes “ndryshimit” të idealit estetik në përputhje me kërkesat morale të dobishmërisë praktike të idealit jetësor, do të jetë përbërësi qenësor i paradigmës së përshtatjes së vetëdijes krijuese letrare kundrejt fuqisë së diskursit dominues politik të kohës.
Në funksion të argumentimit të një hipoteze të tillë, autori i studimit monografik për lexuesit sjell në vëmendje mendimin e Çesllav Millosz-it, të shprehur në trajtesën e tij me titull “Detyra për kritikun”, për rolin negativ dhe orientimin e gabuar që një letërsie i jep (auto)censura, e cila, në funksion të krijimit të paqes me qeverisësit e flijon fushërrezatimin komunikues të vetë letërsisë me lexuesin.
Në vend të përfundimit
Përmes metodës gjenetike, duke e parë ndërvarësinë e lidhjes së aftësive krijuese me potencialin e kushteve objektive kontekstuale të kohës, në studimin monografik “Dritëhijet e poemës së Ali Podrimjes për Kosovën” të Sali Bytyçit hulumtohen lidhjet, ngjashmëritë dhe dallimet midis versioneve të ndryshme të shkruara në kohë të ndryshme nga botimi i variantit të parë të poemës “Metohija në vjetin e madh 1941”, si dhe lidhjet që ekzistojnë midis ndryshmit të fakteve letrare në versione të ndryshme të poemës me qëllim që ato përputhshmërisht t’u përgjigjen modeleve dominuese politike e shoqërore, në momentet e ndryshimit të tyre në etapa të ndryshme kohore. Aty evidentohet qartë ndikimi i qëndrimeve të politikës në vlerësimin, orientimin dhe organizmin e perceptimeve të tij për botën në kontekste të ndryshme politike e shoqërore.
Shopenhaueri – në kontestin e konceptit të tij pesimiste për jetën, të cilën e sheh si një cikël vuajtjesh ku edhe kënaqësia momentale përbën bazën e një vuajtjeje në formim – artin e sheh si një nga tri format e veprimtarisë shpirtërore për çlirimin e njeriut. Arti, sipas tij, është një nga veprimtaritë e rralla të njeriut, e cila është e aftë t’i këpusë fijet që e mbajnë të lidhur vullnetin e njeriut me botën, si entitet objektiv për realizimin e nevojave praktike të tij dhe shkaktare e të gjitha vuajtjeve. Arti – jo si vullnet, por si përfaqësim i botës – me karakterin e tij transcendental të njohjes, përmes intuitës së kulluar a posteriori, i merr në shqyrtim mundësitë e përvojave të mundshme të ekzistencës njerëzore në botë. Në këtë mënyrë arti i vërtetë njeriun e vendos në kushtet, siç do të thoshte Maks Shileri, e një qenieje frymore, të lirë në hapësirë e kohë, e cila është e aftë ta transcendentojë strukturën e realitetit të vet objektiv.
I dobët është ai art, i cili, në kundërshtim me lirinë, e afirmon idenë e lidhjes së kushtëzuar e të pashmangshme të qenies njerëzore me përmasën e të dobishmes së botës empirike, e kjo do të thotë është i dobët e pa vlera ai art, i cili e afirmon idenë e varësisë së ekzistencës njerëzore me proceset e tij biologjike e sociale në kushtet e një bote krejtësisht empirike-pragmatike. Ky ka qenë ideali krijues i metodës së realizmit socialist. Tashmë na janë të qarta efektet e asaj letërsie te lexuesi, por edhe fati i saj. I dobët është, gjithashtu, edhe ai art, i cili, në emër të vlerave universale, përmes intuitës së kulluar apriori, refuzon përfshirjen e objekteve të botës empirike në radiusin e ndërgjegjes artistike. Ende nuk na janë të qarta efektet e letërsisë avangardiste, me premisat e një epigonizmi gati fëmijëror, si dhe, për shkak të një vetëkonceptimi iluziv superlativ për aftësitë krijuese të krijuesve tanë, nuk na është i qartë fati i saj në kushtet e një formati racional të aksiologjizimit të saj brenda kulturës letrare shqiptare në përgjithësi.
Studimi monografik i Sali Bytyçit “Dritëhijet e poemës së Ali Podrimjes për Kosovën”, në mënyrë implicite na përcjell mesazhin se hegjemonia e diskurseve politike të të gjitha kohëve, me qëllim që ta vendosë dominancën absolute, ka qenë dhe do të mbetet vëzhguesja e kontrolluesja më fanatike e mendjes letrare, si një nga instrumentet më rezistuese kundër diskurseve monolite që synojnë robërimin e mendjes njerëzore.