Shtojca për Kulturë

“Veç edhe sot” si ikje nga një rrugë e pakthim

Erolli me gjithë sinqeritetin të cilin e shpreh gjatë gjithë tekstit, në asnjë moment nuk e fajëson askënd për faktin se dikur u ishte futur drogave. Në nëntekst do të perceptohet përherë ndjenja e fajësisë me të cilën ka jetuar gjatë, duke iu futur një rruge e cila dukej e pakthim deri në çastin kur, disi si rastësisht, e gjeti zgjidhjen

Nuk e mbaj mend vitin. E edhe stinën e vitit e kam të mjegullt.... mbase do të ketë qenë dimër. Mbaj mend vetëm lajmin: se diku në atë që quhet Prishtina e vjetër, ishte gjendur trupi i pajetë i një të riu. Dyshohej se kishte vdekur nga përdorimi i tepruar i narkotikëve – një “overdose” siç ishim mësuar ta dëgjonim kur na vinin lajmet nga Amerika për ndonjë idhulli muzike e filmi. Arsyeja e vdekjes qe mbidoza – e heroinës apo e kokainës, nuk e mbaj mend mirë.

U fol për rastin disa ditë me radhë, e më pas siç bëhet jo rrallë zakon, u fut diku në sirtarët e harresës.

Megjithatë, më mbeti në kujtesë detaji se viktima e drogës kishte qenë nga Prizreni, i cili kishte vite tashmë që kishte krijuar famën e qendrës së drogës në Kosovë.

Disi u krijua përshtypja se qyteti më i bukur i Kosovës ishte shndërruar në qendrën e narkomanisë dhe kjo, për shkak të lidhjeve të afërta, imagjinare ose jo, që banorët e saj kishin me Turqinë.

Flitej e përflitej se droga po transportohej ilegalisht prej atje në autobusët që i bartnin udhëtarët kosovarë që i mësynin Turqisë për të blerë mall – kryesisht tesha, këpucë e aksesorë për dasma – ngase klientë për këso malli kishte me bollëk, atëherë kur butikët nisën të mbinin si biznes i leverdishëm privat.

Se a kishte qenë kjo copëz e rrëfimit “me të nime”, e vërtetë ose jo nuk e di. Porse diçka të vërtetë do të ketë pasur aty, për shkak se në një sistem ku të gjithë i janë frikuar pendrekut, nuk ka qenë aq e thjeshtë të qarkullojë droga nëpër qytet e që askush të mos ndërmerrte gjë për ta ndalur. Kjo, për shkak se në zinxhirin e furnizimit, nuk ka dyshim, kanë qenë të përfshirë si doganierët ashtu edhe vetë milicët.

* * *

Diku nga shkolla e mesme nisa ta dalloja erën e duhanit nga ajo e marihuanës. Në shkollën e mesme që e vijoja jashtë Kosovës, drejtoria kishte lejuar që nxënësit të pinin duhan në një hapësirë të caktuar të oborrit. E kishin vlerësuar se ishte më mirë t’i kishin nxënësit aty nën kontroll, sesa që këta të fshiheshin e të gjenin mënyra si të iknin nga mësimi për ta ndezur një. Nuk e di nëse në çastin kur kishin vendosur kështu do t’u ketë shkuar në mendje se pos duhanit do të mund të tymosej edhe diçka tjetër – e kjo në fakt ndodhte, edhe pse jo shpesh mu në atë oborr. Dhe me gjithë tymin masiv që krijohej, megjithatë, era e marihuanës dallohej. Shumë bile.

Mbase kundërmimi i cili më pengoi që në çastin e parë, bëri që kurrë të mos e kisha as interesimin për ta provuar. Dhe bëri që përherë të pyetesha se çfarë është ajo që e shtyn dikë që fillimisht ta provojë “barin”, e që më pas të “avancojë” në kërkimin e ndjesive të drogave të “reja” e më të forta, deri në krijimin e varshmërisë nga ajo, aq sa jeta të bëhet e pamundur: se “nuk mund të jetosh as me të, e as pa të”, siç do të thoshte autori.

Nuk është se u mundova fort për ta gjetur përgjigjen në pyetjen time të retorike. Do të nevojiteshin katërdhjetë vjet dhe një pandemi për ta marrë atë në formën më të papritur. Dhe, natyrisht, do të nevojitej edhe vendi që skenari i paplanifikuar të zhvillohej në formën e vet të rrjedhshme.

* * *

Prizren, 9 gusht 2021.

Jemi në “DokuFest” – ngjarjen më të rëndësishme kulturore që e ka krijuar e kultivuar Kosova që nga paslufta. Është fakt që atë e kanë krijuar një grup entuziastësh, porse e gjithë Kosova e ka përvetësuar si të veten. Edhe unë, sepse ka diçka në shpirtin e këtij festivali që e ndiej si të ishte pjesë imja. Dhe jo, nuk janë filmat. Janë njerëzit, është ambienti, është mikpritja dhe ndjenja se je në shtëpi, pavarësisht se a je në “DokuKino”, në “Lumbardh”, te BarAca, te çajtorja afër Sinan Pashës, te “Shëndeti” për bozë, a te byrektorja afër Shadërvanit...

Jemi në kinon “Lumbardhi”, ku po shfaqet premiera kombëtare e filmit sensacional “Pa vend”, nga Samir Karahoda. Filmi fenomenal që merr përkrahje po ashtu fenomenale nga publiku i mbledhur, pavarësisht masave anti-Covid.

Si përherë, përqafimet paraqesin përshëndetjen me organizatorët. Vetëm njëri nga ta më përshëndet me “mirë se keni ardhë zonja Flaka”. Është Erolli, kësaj radhe me flokë më të shkurtër se zakonisht, e mbase me nja 500 gramë më shumë peshë ? – me gjasë rezultat i karantinës.

Me mjaft ndrojtje më afrohet dhe më tregon se gjatë karantinës, kishte pasur kohë me bollëk për t’u ulur e për ta bërë një “shkrim”, siç e quante ai, për përvojën e tij me drogat. Më pyet nëse do të kisha mundësi ta lexoja dhe t’ia jepja një mendim. I them se po, pa problem, vetëm le të ma niste tekstin me email dhe në rastin e parë, do të merrja ta lexoj.

* * *

Rasti i parë erdhi pas katër muajsh. Teksti i shkruar nga Erolli ashtu siç i kanë ardhur fjalët dhe kujtimet, kishte një kronologji shumë të logjikshme e mbi të gjitha, të rrjedhshme për veten, shoqërinë, drogën, shërimin dhe përvojën empirike që mund të zgjidhë shumë telashe vetëm po të gjendeshin të tillë që do ta dëgjonin.

Që në fillim kishte vendosur të tregonte se as nuk ishte shkrimtar e as që pretendonte të quhej i tillë dhe se arsyeja se pse kishte vendosur ta rrëfente jetën e vet, kishte qenë nevoja për të folur për një diçka që nuk duhet të jetë, pas gjithë këtyre viteve, ende temë tabu në shoqërinë kosovare.

Kishte qenë aq i kujdesshëm, saqë kishte vendosur të mos e përmendte asnjë emër të vetëm, as të njerëzve me të cilët ishte shoqëruar apo tregtuar, e as të atyre që janë shtirur se e luftojnë krimin duke e cytur atë me tregti droge. Përjashtimin e vetëm e bëri me bashkëshorten dhe fëmijët, të cilët pa dyshim, i ka vlerën dhe shpërblimin më të madh për fitoren më të madhe që e ka arritur në jetë.

Me ta lexuar tekstin, të cilin së bashku me Erollin kemi vendosur të mos e standardizojmë, për shkak se humbte shumë nga autenticiteti, do t’ju duket thuajse ju flet vetë Erolli. E ai ju flet me një sens humori të papërsëritshëm të një njeriu natyrshëm inteligjent, një zanatliu që shkollën e ka kryer pse është dashtë, kurse librat i ka lexuar sepse ka dashtë.

Erolli me gjithë sinqeritetin të cilin e shpreh gjatë gjithë tekstit, në asnjë moment nuk e fajëson askënd për faktin se dikur u ishte futur drogave. Në nëntekst do të perceptohet përherë ndjenja e fajësisë me të cilën ka jetuar gjatë, duke iu futur një rruge e cila dukej e pakthim deri në çastin kur, disi si rastësisht, e gjeti zgjidhjen.

Përkrahja e jashtëzakonshme e familjes, e në veçanti e nënës tashmë të ndjerë të Erollit, me të pranuar varësinë e tij nga droga dhe pa u përpjekur ta gjenin një fajtor jashtë vetë Erollit, do të shndërrohej në çelësin që do t’ia shpëtonte jetën dhe do ta shndërronte në njeriun i cili sot ofron përkrahje të parezervë të gjithë atyre që jetojnë me moton që u shndërrua në titullin e këtij libri. Të atyre që mendojnë se me dozën e kësaj dite, do të ndalet dëshira për ta marrë edhe një, edhe një, edhe një...

* * *

Nuk kam si ndryshe ta përfundoj këtë parathënie pos t’ia shpreh falënderimin Erollit që ma besoi rolin e redaktores së librit të tij që më ka lënë pa gjumë jo pak javë. Është rrëqethëse të kuptohet se sa lehtë mund të biesh në droga e sa vështirë të dalësh nga to. Është edhe më e rëndë të vërehet se sa verbërisht po sillemi si shoqëri ndaj një fenomeni që, nëse para 30 vjetësh ka qenë mbase i lokalizuar, tash është i gjithëpërhapur dhe pa ndonjë ide të qartë se si të luftohet.

Narkomania është sëmundje e rëndë. Ajo jo vetëm që merr jetë, por edhe shkatërron familje, pra e shkatërron bërthamën e një shoqërie. E ky shkatërrim nuk mund të ndalet duke u shtirë se nuk ekziston.

Aferim Eroll!

5 shkurt 2022