Federata Panshqiptare “Vatra” dhe gazeta më e vjetër shqiptare që ende del, “Dielli”, janë themele të vetëdijes dhe shtetformimit kombëtar. Përderisa shënojnë 110-vjetorin e themelimit, për të dyja po hapet një kapitull i ri që ruan edhe trashëgiminë e pasur historike të tyre
Qysh tani filluan përgatitjet në SHBA dhe më gjerë në botën shqiptare për të shënuar 110-vjetorin e Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe të gazetës më të vjetër shqiptare që ende del, “Dielli”. Kësaj here, kjo festë do të ishte më ndryshe me promovimin e monografisë në 4 vëllime të historianit Beqir Meta, si dhe digjitalizimin e numrave të gazetës “Dielli”, dikur e përditshme e tani mujore, që të jetë në dispozicion të historianëve për një periudhë të ndjeshme të historisë sonë kombëtare.
Siç dihet, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, në saje të gjendjes së vështirë ekonomike, shumë shqiptarë u shpërngulën në Rumuni, Egjipt dhe SHBA, ku themeluan atje koloni shqiptare që kontribuoi në Rilindjen kombëtare me anë të shtypit në përhapjen e vetëdijes kombëtare për alfabet dhe për një shtet kombëtar.
Në SHBA, për arsye të njohura, shqiptarët u përqendruan në bregun lindor, përkatësisht në New England, ku u themeluan shumë shoqëri kombëtare, si “Besa-Besë”, ”Flamuri i kombit”, ”Mirëbërësia”, ”Shoqëria kombëtare” e të tjera. Në këto shoqëri u shquan me aktivitetet e tyre figurat kombëtare, si Fan S. Noli, Faik Konica, Kristo Floqi e të tjerët. Mirëpo, me paraqitjen e sfidave kundër shqiptarëve në viset e tyre u pa e udhës bashkimi i shoqërive shqiptarëve në SHBA në një federatë për të forcuar ndikimin e tyre në shtetin që po merr rol gjithnjë më të madh në prag të acarimit të gjendjes në Evropë.
Kështu, filluan në Boston më 24 dhjetor 1911 mbledhjet që përfshinin shoqëritë shqiptare të lartpërmendura dhe vazhdonin deri më 28 prill 1912 kur u shpall themelimi i Federatës Panshqiptare “Vatra”, e cila u përkrah edhe nga dy shoqëritë e tjera (“Malli i Mëmëdheut” dhe “Dallëndyshja”). Ajo u regjistrua zyrtarisht në shtetin e Messashusetts dhe filloi menjëherë punën me një bord të përkohshëm në krye me Fan S. Nolin dhe me Llambi Cherkezi për financa dhe Kristo Kirka si redaktor për gazetën e re “Dielli”.
Federata Panshqiptare “Vatra” u themelua në një kohë delikate, kur aleatët për Ballkanin merreshin vesh për copëtimin e viseve shqiptare dhe shprehën haptas pretendimet e tyre me shpalljen e Luftën Ballkanike në tetor 1912.
Kontribut në luftë e në paqe
Përkundër marrëveshjeve të Fuqive të Mëdha për kufijtë e Shqipërisë dhe kandidatit për fronin e Shqipërisë më 1913, shpërthimi i Luftës së Parë Botërore më 1914 krijoi një vakum në Shqipëri gati deri në fund të Luftës me ndarjen e Shqipërisë në disa zona në jug dhe në veri, duke rrezikuar vazhdimësinë e shtetit kombëtar. Mu në atë kohë, Federata Panshqiptare “Vatra” u paraqit me rol të ndjeshëm, sa që u shikua si “qeveri në mërgim” me autoritetin që kishte në SHBA, që tani u bë faktor kyç në LPB dhe në konferencën e propozuar për paqe në Paris. Në këtë kontekst, figurat e Federatës Panshqiptare “Vatra” lobuan në Administratën amerikane për të mbrojtur interesat e Shqipërisë, fati i së cilës tani varej nga vendimet e Konferencës së Paqes në Paris. Mu për atë, Federata “Vatra” i dërgoi në Evropë Fan S. Nolin dhe Faik Konicën për të lobuar për çështjen shqiptare në qarqet evropiane. Ndërkohë, edhe “Dielli” u shndërrua në gazetë të përditshme.
Me përfundimin e Luftës së Parë Botërore dhe hapjen e Konferencës së Paqes në Paris më 1919 Federata Panshqiptare “Vatra” bëri një aktivitet të madh për mbledhjen e ndihmave që arritën në 150 mijë dollarë për të mbuluar qëndrimin e delegacionit të vet në Konferencën e Parisit, kur lobuan atje për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë. Për fat të mirë, në krye të delegacionit amerikan në konferencë ishte vetë presidenti Wilson, i cili u nis për në Paris me ekip të madh që ka përpunuar hartën e re të Evropës në bazë të konceptit të shteteve kombëtare, duke përfshirë edhe Shqipërinë, përkundër kërkesave të Fuqive të Mëdha në bazë të konventave të fshehura (Konventa e Londrës më 1915).
Me stabilitetin e shtetit shqiptar në 1920, tani kemi edhe një rol tjetër të figurave të “Vatrës” në shtetndërtimin e Shqipërisë së re, sikurse në rastin e Fan S. Nolit dhe Faik Konicës e të tjerëve. Kështu, vetë Fan S. Noli arriti të bëhet kryeministër i Shqipërisë pas revolucionit të qershorit 1924, kurse pas dështimit të revolucionit u kthye përsëri në SHBA, duke marrë përsëri udhëheqjen e “Vatrës” deri në vdekjen e tij më 13 mars 1965.
Pas tij, Agim Karagjozi u zgjodh kryetar i Federatës Panshqiptare “Vatra” në rrethana të tjera politike, kurse në vitet ‘90 me ardhjen e shumë shqiptarëve nga Kosova e Shqipëria në Amerikë, përkatësisht në New York, selia e “Vatrës” kaloi në New York në lagjen ”Bronx”, ku e ruan tani arkivin e “Diellit” dhe bibliotekën në një ndërtesë të vetën, që përfshin edhe një sallë të vogël për mbledhje e ligjërata.

Kosovari i parë në krye të “Vatrës”
Ndryshimet e mëdha demografike dhe politike, përkatësisht me rritjen e numrit të kosovarëve prej viteve ‘90 të shekullit XX dhe me Pavarësinë e Kosovës më 2008, diktuan një gjendje të re në mesin e “Vatrës”. Kështu, tanimë “Vatra” ka 15 degë në SHBA, por me koncentrim në pjesën lindore ku tani kemi shumë storie suksesi për një gjeneratë të re të kosovarëve që u vendosën atje dhe tani ka peshë në biznes dhe ka lidhje të mirë me administratën amerikane (si shembull: familja Osmani nga Morina e Gjakovës).
Në saje të kësaj, në mbledhjen e Kuvendit zgjedhor më 20 janar 2020 u zgjodh kryetar Elmi Berisha, veprimtar i njohur në komunitetin shqiptar në SHBA. Në këtë mandat u fol shumë dhe tani po punohet për përtëritje të “Vatrës”, gjë që do të definohet në zgjedhjet e reja që do të mbahen muajin e ardhshëm.
Selia historike e “Vatrës” në “Bronx” është magjepse për gjeneratën time, ku njeriu ndihet si në një vend të shenjtë midis fotografive të figurave kombëtare, që punuan për themelin dhe ndërtimin e shtetit kombëtar. Mirëpo, z. Berisha e sheh ndryshe perspektivën për “Vatrën”, duke kërkuar një hapësirë më të madhe për selinë e saj. Ashtu siç është, selia është tërheqëse për gjeneratën e vjetër, e cila ka nostalgji për kohën e lavdishme të “Vatrës”. Por tani komuniteti shqiptar u rrit shumë, u rrit më shumë gjenerata e re e lindur në SHBA ose e rritur këtu. Për këtë gjeneratë, e cila në numër u bë më shumë, duhet të krijohet një hapësirë tërheqëse që përkon me rrethin amerikan, ku mund të mësojnë gjuhën amtare, por edhe të kalojnë një kohë të mirë në hapësirë sportive ose në aktivitete të ndryshme.
Nga ana tjetër, z. Berisha me të drejtë gjykon se “Vatra” duhet ta ruajë imazhin e vet si shtetndërtuese, ndaj të ruajë autoritetin midis rrymave dhe partive politike, si në Shqipëri, ashtu në Kosovë dhe në Maqedoninë Veriore, sepse vetëm kështu “Vatra” do të mbetet simbol i një kohë të lavdishme dhe vend i hapur për të gjithë shqiptarët.
Nga ana tjetër, në “Vatra” tani ka ardhur një redaktor i ri për gazetën “Dielli”, gazetari Sokol Paja, i cili me entuziazëm flet për projektin e digjitalizimit të numrave të “Diellit”, të cilët kanë vlerë të madhe për historianët. Ndonëse po punohet në kushte modeste, por me entuziazëm të madh, tani puna arrit në 60 për qind dhe kemi shpresë të kompletohet deri më 28 prill të vitit 2022, kur “Vatra” e feston 110-vjetorin.