Shtojca për Kulturë

Varësia e ndërsjellë e autokratëve dhe servilëve

Kontrolli përmes frikësimit për nënshtrim deri në vdekje, në njërën anë, si dhe, nga ana tjetër, krijimi i avantazheve të pamerituara për servilin, është teknologjia e mbajtjes, ruajtjes dhe vazhdimit të pushtetit të autokratit edhe kur ai nuk është në fron. Ankthi i vërtetë i autokratëve është dyshimi në besnikërinë e servilit. Ankthi i vërtetë i servilit nuk është liria, por zgjedhja e padronit më të fuqishëm

Hyrje

Marrëdhënia midis pushtetit dhe individit është një prej temave më të debatuara në fushën e filozofisë politike, të filozofisë së moralit, të filozofisë së të drejtës, të antropologjisë politike, të psikologjisë sociale e të psikanalizës. Varësisht prej konceptimit që do t’i bëhet natyrës së qenies njerëzore, do të konstituohen doktrina e pikëpamje të ndryshme për marrëdhënien e individit me shoqërinë si dhe modele të ndryshme qeverisëse. Pikëpamja totalitariste, duke u bazuar në konceptin se njeriu nuk është i aftë të gjykojë se çfarë është vlerë dhe e rëndësishme për ekzistencën e tij, konsideron se njerëzit, në përgjithësi, kanë nevojë për një autoritet absolut, i cili është i aftë t’i japë drejtim kuptimit të ekzistencës kolektive të tyre. Përkundër kësaj, pikëpamja liberal-demokratike konsideron se çdo individ është i aftë të gjykojë dhe të vendosë për veten e vet. Pavarësisht doktrinave të ndryshme politiko-shoqërore, parimet e të cilave synojnë të ofrojnë orientime sa më sakta për kalimin e qenies njerëzore nga gjendja natyrore në një gjendje të organizuar shoqërore, çështja e abuzimit të pushtetit në raport me individin dhe anasjelltas, mbetet përherë aktuale. Fenomeni i servilizimit është një nga tiparet karakterologjike të kësaj prirjeje. Pavarësisht trajtave të ndryshme që merr, ai do të jetë i pranishëm si në shoqëritë totalitare, ashtu edhe në ato liberal-demokratike.

Varësia si korrelacion psikologjik i despotizmit

Ekziston një mendim, natyrisht sipërfaqësor, se njerëzit me prirje autoritare janë qenie të lira, kanë forcë të madhe dhe se nuk kanë nevojë për mbështetjen e të tjerëve. Shpeshherë paragjykohet se ata i urrejnë servilët dhe se i luftojnë ata. Në fakt, marrëdhënia midis autokratëve dhe servilëve është më komplekse sesa ky pikëvështrim thjeshtëzues.

Kenneth Rober Minogue në veprën “Mendja servile: si e gërryen demokracia jetën morale” (“The Servile Mind: How Democracy Erodes the Moral Life”) servilizmin e përkufizon “si heqje dorë nga autonomia morale dhe liria e pavarur në favor të ndonjë besnikërie kolektive joreflektuese ose të ndonjë besnikërie të pashmangshme të pjesshme dhe impuls personal për kënaqësi të paligjshme”. Përpos si raport pushtetesh brenda një konteksti të caktuar historik, marrëdhënia midis autokratëve dhe servilëve është një modus universal i ekzistencës, i cili metastazon në sferat më intime të marrëdhënieve ndërnjerëzore. Këtë dimension kompleks të marrëdhënies që ekziston në mes të autokratëve dhe servilëve më së miri e ka materializuar artistikisht Shakespearei në veprën e tij “Mbreti Lir”, ku raportet pushtetore shtrihen edhe në sferat e ndjenjave më intime të ekzistencës në mes të babait dhe bijave të tij.

Në tragjedinë e Shakespeareit “Mbreti Lir”, mbreti i Anglisë, Liri, vendos të lërë fronin dhe t’ua ndajë pasurinë të tri bijave të tij: Gonerilës, Reganës dhe Kordeljas. Por, që ato ta “meritojnë” trashëgiminë prej tij, Liri atyre u kërkon që ato ta dëshmojnë se sa e duan atë. Liri e ka të domosdoshëm verifikimin e dashurisë së bijave të tij, ndërsa dy vajzat e para e kanë të domosdoshme sjelljen servile ndaj babait për arritjen e qëllimeve të tyre mizore kundrejt tij. Gonerila dhe Regana, duke përdorur lajkatimin, me fjalë të fryra e pompoze u përgjigjen pritjeve të babai të tyre, por jo edhe Kordelja. Për shkak se Kordelja, vajza e vogël e Lirit, është objektive në gjykimin vlerësues të marrëdhënieve emocionale që ka me të atin, Liri dy vajzave të mëdha ua ndan pasurinë, ndërsa Kordeljan e privon nga e drejta për trashëgimi. Shtrohet pyetja, si është e mundur që një despot si Liri të ketë vullnet të heq dorë nga froni dhe pasuria e tij? A ka ndonjë kundërthënie logjike në këtë mes? Si është e mundur që Liri, në njërën anë të besojë vetëm në deklaratat gojore për besnikërinë ndaj tij pa asnjë provë tjetër veprimore praktike, ndërsa, nga ana tjetër të tërbohet nga sinqeriteti dhe e vërteta e Kordeljas? Si autokrati, ashtu edhe servili karakterizohen nga mungesa e integritetit moral në marrëdhënie, në radhë të parë, me veten, dhe, më pas, me të tjerët. Filozofi i moralit Thomas E. Hill në veprën e tij “Automia dhe vetërespekti” (“Autonomy and self-respect”), servilizimin e cilëson si një defekt moral, i cili vjen si pasojë e mungesës së njohjes së të drejtës morale që një person duhet të ketë për veten e vet. E drejta morale është e pandarë nga ideja e lirisë. Ideja e lirisë, si e drejtë morale e vetes për veten, nuk ekziston në ndërgjegjen e servilit, meqenëse servili është mohues më i madh i së drejtës së vet morale. Ndërsa autokratët vuajnë nga tepria e ndjenjës së vetërespektit të rrejshëm, i cili s’është gjë tjetër pos mbivlerësim i të drejtës së lirisë së tyre morale në raport me veten dhe të tjerët; servilët, ndërkaq, vuajnë nga mungesa e ndjenjës së vetërespektit, si pasojë e nënvlerësimit deri në mohim të lirisë së tyre morale, për pasojë – nevoja e tyre për përulje e nënshtrim. Për autokratët, servilët s’janë gjë tjetër pos mjet për përmbushjen e vullnetit të tyre (vullnetit të autokratëve). Për autokratët, servilët janë personifikim i dëshirës për vazhdimin e pafund të pushtetit të tyre.

Sjellja servile shoqërohet pandashëm me vesin e pandershmërisë dhe të mashtrimit. Liri e përdor shantazhin dhe kërcënimin për t’i mbajtur nën kontroll të bijat, ndërsa dy bijat e mëdha, përmes metodës së mashtrimit, e vënë në përdorim arsenalin e miklimeve servile për ta nënshtruar babanë e tyre. Qëndrimi i drejtë i Kordeljas është ankthi ndërgjegjësues i Lirit. Akuza e Lirit drejtuar Kordeljas si mosmirënjohëse është sublimim eksternalizues i frikës së tij nga qëndrimi autonom moral i Kordeljas, e kjo do të thotë i frikës nga ideja se ai nuk paska kontroll absolut mbi të tjerët. Për Lirin objektiviteti është ofendim, sepse refuzohet autoriteti absolut i tij, ndërsa servilizmi i Gonerilës, Reganës është “virtyt” respekti dhe mirënjohjeje. “Mosmirënjohja” më parë sesa motiv përbërës i tragjedisë së Shakespeareit, është shprehje e mizorisë, mbi të cilën është ndërtuar një botë marrëdhëniesh nënshtrimi e sundimi. Servilizmi – thotë Kenneth R. Minogue – është korrelacioni psikologjik i despotizmit, thelbi i së cilës ka të bëjë me një lloj varësie specifike nga të tjerët, sidomos nga ata që kanë pushtet. Bindja e fortë e Lirit, në vërtetësinë e qëndrimit vlerësues për të drejtën e lirisë së vet morale, është shkaku i tragjedisë së tij. Për Lirin më e rëndësishme si mbajtja e fronit është ruajtja dhe vazhdimi i ushtrimit të kontrollit mbi fronin e pasardhësve të tij.

Një binom i pandarë

Autokratët dhe servilët janë një binom i pandarë. Varësia ndërmjet autokratëve dhe servilëve nuk buron nga dashuria që ata kanë për veten e tyre dhe për vlerat njerëzore, por, përkundrazi, nga mungesa e dashurisë për veten. Varësinë mes vete ata e ushqejnë me forcën e egoizmit të tyre për të qenë të pranuar nga të tjerët në mënyrë absolute. Për aq kohë sa do të kenë nevojë për riparimin e vetëvlerësimit të ulët që kanë për veten dhe për ushtrimin e kontrollit mbi të tjerët, për aq kohë do të zgjasë varësia ndërmjet tyre. Për një autokrat, servili është jashtësia e brendësisë së tij të parealizuar; për servilin, autokrati është jashtësia e realizuar e pamundësisë aktuale të tij të brendshme. Ajo që e bashkon servilin dhe autokratin është beteja e tyre e përbashkët për t’u pranuar dhe vlerësuar nga të tjerët si të rëndësishëm dhe të autoritetshëm. Për shkak se nuk jetojnë sipas virtytit të karakterit, motivimi i tyre gjithnjë është i jashtëm (nevoja për prestigj, për mirëqenie personale, për pushtet, për kontroll administrativ), e jo i brendshëm, i cili mendjen e shtyn drejt veprimeve që prodhojnë vlera të qenësishme shoqërore. Servili është autokrati impotent; autokrati është servili në gjendjen e realizmit të potencës së vet. Servilizmi është sjellje morale, përmes së cilës servilët përpiqen ta përballojnë vuajtjen nga dominim i autokratëve. Përshtatja përmes nënshtrimit është metoda e mbijetesës së servilit në kushtet e dominimit. Servili heq dorë nga uni i vet në masën e përshtatjes me dëshirat e autokratit që i nënshtrohet. Kontrolli përmes frikësimit për nënshtrim deri në vdekje, në njërën anë, si dhe, nga ana tjetër, krijimi i avantazheve të pamerituara për servilin, është teknologjia e mbajtjes, ruajtjes dhe vazhdimit të pushtetit të autokratit edhe kur ai nuk është në fron. Ankthi i vërtetë i autokratëve është dyshimi në besnikërinë e servilit. Ankthi i vërtetë i servilit nuk është liria, por zgjedhja e padronit më të fuqishëm, shfrytëzimi i të cilit i ofron komoditet më të madh në ekzistencën e tij. Autokrati është hakmarrës ndaj tradhtisë që mund t’i bëhet. Servili është mosmirënjohës, prandaj edhe hakmarrës. Kur “fuqizohet” duke iu nënshtruar një autokrati tjetër më superior se parapraku, servili e shfaq gjithë urrejtjen ndaj të parit. Urrejtja e servilit është mjeti, me të cilin ai e zhvillon betejën e tij të brendshme për ta shkëputur nga vetja autokratin paraprak, me qëllim që t’i krijojë hapësirë të plotë brenda vetes autokratit të ri.

Servilizmi intelektual

Nëse për Kenneth Minoguen servilizmi, në përgjithësi, është kolapsi i lirisë morale, servilizmin intelektual është metastaza kanceroze e tij. Servilizmi intelektual është fenomen defektuoz moral brenda inteligjencies, si grup shoqëror që konsiderohet se me qëndrimin e vet kritik dhe ndjeshmërinë e lartë morale ka rol të rëndësishëm në emancipimin e përgjithshëm shoqëror. Servilzimi intelektual është mohimi më radikal i këtij misioni.

Servilizmi intelektual është shprehje e vetëvlerësimit të dëmtuar intelektual. Autokratizmi intelektual është ana tjetër e medaljes morale të servilizmit intelektual. Servili intelektual është gjithnjë në gjendje inferiore intelektuale, sepse mbështetet në qëndrimet negative për vlerën e vet intelektuale. Ai është tejet i ndrojtur para një autoriteti intelektual. Përkundër kësaj, autokrati intelektual mbështetet në qëndrimet tejet pozitive për vlerën e vet intelektuale. Autoriteti intelektual ndërtohet për aq sa bazohet në fuqinë e të vërtetës; autokrati intelektual ndërtohet duke u bazuar në forcën e pushtetit për kontroll të servilëve dhe institucioneve ku ata marrin pozicione. Ka raste kur autokrati intelektual veten e vet prej autokrati e formon përmes rrugës së të qenit autoritet prodhues intelektual në betejat intelektuale për të vërtetën, por që më pas ky autoritet, në rrugëtimin e formimit, duke marrë lëndime të rënda morale nga pushtete të ndryshme politike e normash shoqërore, pajiset me tipare karakterologjike autokritike devijante për misionin e intelektualit. Në raste të tilla, e vërteta, si qëllimshmëri e ndërgjegjes së brendshme intelektuale, tek autokrati intelektual zëvendësohet pjesërisht ose plotësisht me idenë për akumulim të pushtetit të jashtëm, si qëllimshmëri e ndërgjegjes së tij autokratike për ushtrim të kontrollit mbi vlerat diturore përmes vendosjes së kontrollit mbi servilët intelektualë dhe mbi pozicionet e institucioneve shkencore e kulturore ku ata mund të jenë. Institucionet funksionalisht të konsoliduar janë të mundura përmes individëve me ndjeshmëri të larët për lirinë e vet morale. Me servilë, si individë me moral të kolapsuar, kolapsojnë edhe institucionet e mundshme të konsoliduara.

Si çdo autokrat, edhe autokrati intelektual, më shumë sesa prestigjin që ia krijon puna e tij krijuese intelektuale, e synon vazhdimësinë e autoritetit në gjendjen e pamundësive krijuese. Ai ka nevojë për mirëmbajtjen dhe rregullimin e vetëperceptimit si qenie e domosdoshme dhe e paanashkalueshme. Servilët intelektualë janë mirëmbajtësit e perceptimeve dhe vlerësimeve pozitive që autokrati intelektual ka për vlerën e vet intelektuale. Servilët, me ego të dëmtuar intelektuale e morale, u ofrohen autokratëve intelektualë me qëllim që të jenë të pranuar në gjithë zonën e ndikimit intelektual të autokratit intelektual. Famën dhe respektin e autokratit intelektual, për shkak se unin e vet ia dorëzojnë unit të autokratit intelektual, servilët intelektualë e përjetojnë si famë dhe respekt për veten e tyre. Servilin intelektual mund ta kritikosh për paaftësi personale intelektuale. Edhe ta ofendosh. Këto ai mund edhe t’i kalojë në heshtje e pa zhurmë, sepse veten nuk e përjeton si subjekt që mendon. Por, po t’ia cenosh autoritetin e autokratit intelektual, tek i cili është strukur qenia e tij inferiore intelektuale, servili do të tërbohet. Autokrati intelektual është strofulli i sigurisë për qenien inferiore të servilit intelektual. Në dhe përmes autokratit intelektual, servili intelektual e projekton reputacionin e vet shoqëror që do ta ketë në ardhmen.

Autokrati intelektual, në thelb, nuk ka respekt ndaj servilit intelektual. Me qëllim që ta fusë sa më thellë në detyrime morale dhe me qëllim që ta thellojë varësinë e tij me të, autokrati me raste, për nevoja praktike afirmuese të autoritetit të servilit intelektual, para opinionit e madhëron servilin intelektual përmes lëvdatash pa mbulesë për të. Nga ana tjetër, në të kundërtën e kësaj, ka momente kur brenda servilit intelektual zgjohen impulse të forta urrejtjeje kundrejt autokratit intelektual, por në pafuqishmëri, impulsin e kundërshtimit të çastit ai e disiplinon, duke e sublimuar atë në përulje e miklime më të mëdha e më të ëmbla kundrejt autokratit intelektual. Përulja e servilit nuk është virtyti i budistit, i cili është gjithnjë reflektues në raport me kauzën e tij të madhe shpirtërore. Përkundrazi, përulja e servilit është ana tjetër e arrogancës së autokratit, e cila, gjithashtu, në synimin për kontroll dhe dominim, nuk e njeh arsyen reflektuese.

Entuziazmi i servilit

Për shkak se gjithnjë do të jetë i motivuar nga jashtë, servili intelektual shquhet edhe për entuziazmin e tij administrativ. Për servilin intelektual nuk është e mjaftueshme siguria që mund t’i ofrojë autokrati intelektual. Ai ka nevojë për një siguri më të strukturuar. Mungesën e aftësisë për të menduar, si kusht për krijimin e autoritetit të mirëfilltë intelektual, servili intelektual konsideron se mund ta kompensojë përmes ngritjes në detyrë në poste administrative institucionale. Servili intelektual, prandaj, shquhet për entuziazmin e tij administrativ. Vlerësimin e ulët intelektual që ka për veten, servili intelektual pretendon ta riparojë duke marrë detyra udhëheqëse në poste administrative: politike, shkencore ose kulturore. Duke qenë në poste administrative, vlerën e vet do ta masë me masën e nevojave që të tjerët kanë për shërbimet e tij administrative. Nevojat formale të të tjerëve në ndërgjegjen e servilit intelektual përjetohen si vlerë e brendshme e tij. Përmes të qenit në detyra administrative servili intelektual ashtu konsideron se mund ta riparojë ndjenjën e vetëvlerësimit të ulët intelektual që e ka për veten. Mjediset më të përshtatshëm për përmbushjen e aspiratave të servilëve intelektualë janë ato mjedise në të cilat është e deformuar ideja e dijes, e rolit të saj në shoqëri, si dhe marrëdhënia e individit me punën. Sa më e dobësuar ndjenja e përgjegjësisë ndaj detyrës në fushën e caktuar të dijes, aq më i përligjshëm bëhet korrupsioni intelektual, dhe anasjelltas. Servilët intelektualë lulëzojnë në kushtet e korrupsionit intelektual e institucional dhe janë pjesë integrale e atyre kushteve. Në kushtet ku mbizotëron korrupsioni intelektual e institucional, aftësitë krijuese shkencore ose kalohen heshtazi ose shpallen të padobishme, ndërsa produktet serike mendore e deri te plagjiaturat krejt transparente, shpallen si të arritura të larta, “risimtare”, të “patejkaluara”, e “modele” për studiuesit e ardhshëm.

Afria midis autokratit intelektual me servilin intelektual nuk bazohet në ndjenjën e përgjegjësisë ndaj detyrës për dijen, por në shfrytëzimin e njëri-tjetrit për përmbushjen e impulseve të tyre egoiste për famë e pushtet. Servilët intelektualë, përpos që janë të “mirësjellshëm” me autokratin e tyre intelektual, ata janë të mirësjellshëm edhe me të tjerët. “Mirësjellja” e servilëve intelektualë ndaj të tjerëve nuk është virtyt, por ves i brendshëm i moralit të tyre hipokrit, sepse ata tjetrin e shohin vetëm si mjet potencial për realizimin e qëllimit të tyre për pranim shoqëror dhe ngritje në sferën e jetës akademike.

Servilizmi intelektual bashkekziston në dhe përmes vesit të mashtrimit. I udhëhequr nga impulsi egoist për famë dhe prestigj të pamerituar dhe rrugës sa më të lehtë e të shpejtë, servili intelektual ndjenjën e vet të vetëmashtrimit si person me “vlera intelektuale” ka nevojë ta verifikojë duke i mashtruar edhe të tjerët për “vlerat” e tij. Revistat false shkencore (fake journals), platformat komerciale online si dhe mjetet e komunikimit masiv, ku ai do t’i botojë e plasojë produktet e veta “intelektuale”, servili intelektual do t’i përdorë si mjete ndikuese për pranimin absolut të “autoritetit të tij intelektual” nga opinioni i gjerë shkencor, dhe jo vetëm. I paaftë për të shtruar pikëpamje, ide, koncepte dhe përmbajtje të reja mendimore, impotent për t’u përballur me probleme diturore, servili intelektual dëshiron ta mpijë gjykimin kritik të opinionit të gjerë përmes identifikimit dhe njësimit me “autoritetin e dijes” ndërkombëtare të rrejshme, të materializuar në platformat e revistat e rrejshme. Marrëdhënia me revistat e rrejshme (komerciale) ndërkombëtare për servilin intelektual është e të njëjtit karakter me marrëdhënien që ka ai me autokratin intelektual. Përmbushja e dëshirës së pamerituar dhe të paligjshme, për të qenë i rëndësishëm dhe i pranuar në mënyrë absolute, bazohet në nevojën për tejkalimin vuajtjes që servilit intelektual ia shkakton ndjenja e brendshme e vetëvlerësimit të ulët intelektual. Sa më e fuqishme që është ndjenja e vetëvlerësimit të ulët intelektual, aq më arrogante e mashtruese bëhen veprimet e servilit intelektual në jetën publike e shoqërore.

Përfundim

Për shkak se qëndrimet vlerësuese motivohen gjithnjë nga jashtë, e jo nga brenda, servili gjithnjë është inferior, prandaj edhe i pasigurt në vendimmarrje. Servili ka nevojë gjithnjë për shtytjen dhe mbështetjen e pa rezervë të të tjerëve për realizimin e ambicieve të paligjshme, të cilat i kalojnë fuqitë e mundësive të tij morale e intelektuale. Ai nuk mendon; ai vepron në bazë të impulseve egoiste, herë nga nevoja për mbijetesë e herë nga nevoja për prestigj shoqëror, varësisht se në cilën shkallë të situatës ndodhet. Autokrati është ana tjetër e së njëjtës monedhë karakterologjike. Qëndrimet vlerësuese, mënyrat e sjelljes ndaj të tjerëve – ngjashëm si në rastin e servilit – edhe autokratit ia diktojnë nevojat e impulseve egoiste. Për ndryshim nga servili, qëndrimet vlerësuese dhe sjellja e veprimet e autokratit, motivohen në mënyrë autonome, nga ideja që ata formojnë për të drejtën e “lirisë” së tyre morale për akumulim të pushtetit, i cila nuk i nënshtrohet arsyes reflektuese të tij.