Shtojca për Kulturë

Ungjilli sipas “Futbolios”

Qe njeri që e nderonte fjalën dhe, në të njëjtën kohë, u kushtonte vëmendje detajeve dhe i ndiqte pasionet e veta. E kërkonte zgjidhjen e problemeve me dashuri dhe durim, me ngushëllimin se bota dhe jeta janë të bukura prej ngado që i shikon

Qe njeri që e nderonte fjalën dhe, në të njëjtën kohë, u kushtonte vëmendje detajeve dhe i ndiqte pasionet e veta. E kërkonte zgjidhjen e problemeve me dashuri dhe durim, me ngushëllimin se bota dhe jeta janë të bukura prej ngado që i shikon

Do të bëhej një pikë përshtatjeje midis traditës dhe përçarjes, institucionales dhe dashurisë, respektit dhe të qeshurës, mirësisë dhe dinakërisë. Nuk do të ishte një revolucionar idealist që dëshiron të kallë gjithçka dhe vetëm që ta digjte veten. Pse Papa Françesku mund t’i artikulonte të gjitha këto me finesë, dashuri dhe bindje? Hipoteza ime: sepse ai ishte, sikurse unë (nga Amerika jugore) dhe sikurse ju (kosovarët), njeri i lindur në periferi që e kuptoi se nuk mund ta shmangim rrugën për të arritur në qendër

Si fëmijë, mërzitesha në klasën e katekizmit në Shkollën Seminar të Montevideos, një institucion jezuit të cilin e kishin vijuar të gjithë vëllezërit e motrat, babai dhe gjyshi im. Atëherë kisha qenë një fëmijë kureshtar, vrojtues dhe kritik në një vend shekullar, Uruguai, dhe rridhja nga një familje katolike jopraktikuese. “E kam raportin tim personal me Zotin,” gjithmonë thoshte babai im. E pse të mos e kisha unë timin?

Siç e paramendoja si fëmijë, Zoti duhej të ishte më afër pasioneve të mia: futbollit dhe shteteve të tjera në botë. Si tetëvjeçar tashmë i kisha mësuar përmendësh të gjitha kryeqytetet e botës dhe kisha zbuluar se çdo fundjavë të gjitha ato shtete e kryeqytete ngjalleshin pas një topi futbolli –  që bëri që njëri pasion të ndërthurej natyrshëm me tjetrin. Kisha mësuar prej se cili ishte kryeqyteti i Bahamës e deri se kush ishte mbrojtësi i djathtë i Skonto Rigas në Letoni; nga dendësia e popullsisë së Mauriciusit e deri tek arsyeja përse India nuk deshi të luante në Kupën e Botës 1950.

Nuk arrija ta kuptoja luftën e Kosovës që na e pasqyronin në televizion, sepse natyrisht, ai vend nuk gjendej në atlasin tim. Pos një “Jugosllavie” të tretur që rezistoja ta shihja si të zhdukur plotësisht, ngase ende garonte në të gjitha sportet.

Derisa ligjëruesi vazhdonte, truri im shpërndahej gjithandej. Fliste për apostujt si miq të pandarë të Jezusit, si njerëz që i braktisën të gjitha për ta ndjekur mësuesin dhe për ta ndarë jetën me të. Për mua, një jetë pa futbollin nuk ishte jetë, kështu që e shpika edhe një apostull: Futbolio, një apostull uruguaian që u bashkohej dymbëdhjetë të tjerëve dhe u këmbëngulte, pa sukses, që ta kapte një top e të luante sa herë të mundte.

A e di se ndoshta e zgjedhin Bergoglion?

Adoleshenca i radikalizon të gjitha pasionet e fëmijërisë: i shndërron në trup fundamentalist, lëvizje, rreziqe dhe lidhje me të tjerët në hapësirat publike nën vështrimin gjithnjë e më rreptë të të rriturve. Si adoleshent, më zgjodhën njërin nga dy kapitenët e ekipit të futbollit të shkollës dhe kur vdiq Gjon Pali II, me shokët e prindërit po prisnim që të përfundonte ndeshja që po luhej, ashtu që të niste e jona. Njëri baba i komentoi tjetrit:

“A të kujtohet Jorge Bergoglio, prifti që na priti në Buenos Aires?”

“Po, më kujtohet. Njeri shumë i mirë”.

“Epo, duket se është në garë për t’u zgjedhur Papë”.

“Mos u tall! Një Papë jezuit dhe argjentinas! Do të ishte çmenduri”.

Nuk e zgjodhën atëherë. Tymi i bardhë doli për Joseph Ratzingerin, i cili u bë Benedikti XVI. Por vetëm tetë vjet më vonë, doli një foto: Benedikti XVI e paralajmëroi një vendim historik, që nuk kishte ndodhur që gati gjashtë shekuj. Dorëheqja për së gjalli. Ishte lodhur, ishte dorëzuar dhe nuk dinte të orientohej në një botë që tashmë përfundimisht nuk ishte më klasike, që kishte ndryshuar furishëm ritmin dhe që ishte mbështetur mbi boshte të tjera, të paafta për të përqafuar një teolog tradicional, me një mision të thellë intelektual dhe një qasje abstrakte. Një gjerman tjetër, Immanuel Kant, investoi dhjetë vjet heshtjeje dhe e krijoi një vepër kyçe të filozofisë universale: “Kritika e arsyes së pastër”. Për fatin e keq të shpirtrave të qeta si Kanti dhe Ratzingeri, njerëzimi më nuk e ka luksin e kësaj hapësire kohore. Ratzinger, njeriu, më nuk dinte si ta lexonte botën dhe bota, përplot frymësh, nuk dinte më ta lexonte atë. Duhej një udhëheqës tjetër.

2013. Ishin kohë ndryshimi, udhëheqjesh të reja dhe vit ku paqja botërore ishte e mundshme deri në fund të kohës: Barack Obama shndriste si fundi i lumtur i secilës narrativë politike, Evropa ishte nisur rrugës për t’i zgjidhur të gjitha tensionet e saj politike dhe shihej pak dritë në fund të tunelit pas krizës së madhe ekonomike që kishte goditur shtetet jugore. Madje edhe në Ballkan të gjithë ngazëlleheshin me Marrëveshjen e Brukselit. Lufta në Ukrainë nuk kishte filluar ende. Lufta në Siri nuk ishte shpërfaqur në formën më të përgjakshme. Izraeli dhe Palestina jetonin një armëpushim të qetë. Përparësitë e globalizimit dhe të internetit ua mundësonin një klase të mesme të re që të udhëtonte me fluturime të lira dhe t’i mbushte çantat me përvoja të reja. WhatsApp po lindte dhe tashmë po lidheshim me prekjen e një pulle. Që të gjithë i ngarkonim fotot tona më autentike dhe më të hareshme Facebook dhe Instagram.

Ky qe konteksti kur Jorge Mario Bergoglio u bë Papa Françesku. Papati në vetvete është një paradoks i pamatshëm gjeopolitik: një udhëheqës botëror që qeveris shtetin më të vogël në botë dhe, megjithatë, ka aftësinë e diktatit ndaj më shumë se 1.4 miliard katolikëve në mbarë botën –  fesë më të madhe të institucionalizuar në botë. Si argjentinas i mirë, i mësuar me jetën e paradokseve dhe kundërthënieve, Papa Françesku e kuptoi se cila ishte përgjegjësia e tij historike.

Do të shndërrohej në referencë morale për njerëzimin. Nuk do të ishte predikues panairesh në tregun e feve.

Do të ishte mik që do ta falte kompleksitetin njerëzor. E jo një arsimtar i rreptë i gramatikës ekzistenciale.

Do të bëhej një pikë përshtatjeje midis traditës dhe përçarjes, institucionales dhe dashurisë, respektit dhe të qeshurës, mirësisë dhe dinakërisë. Nuk do të ishte një revolucionar idealist që dëshiron të kallë gjithçka dhe vetëm që ta digjte veten.

Pse Papa Françesku mundi t’i artikulojë të gjitha këto me finesë, dashuri dhe bindje? Hipoteza ime: sepse ai ishte, sikurse unë (nga Amerika jugore) dhe sikurse ju (kosovarët), njeri i lindur në periferi që e kuptoi se nuk mund ta shmangim rrugën për të arritur në qendër.

Papa i periferikëve

Shpesh e kam pyetur veten se si ia doli Nënë Tereza që të bëhej një ikonë botërore ani që vinte nga një sfond kaq i izoluar kulturalisht, sikurse është pakica shqiptare në Maqedoni. Njësoj kam menduar edhe për Dua Lipën, duke e marrë parasysh vendin e ndërmjetëm ku u rrit, në lëvizje mes Prishtinës dhe Londrës. Ndoshta ishte thjesht fat. Ndoshta ishte thjesht talent. Ndoshta është vetë hiri hyjnor. Ose ndoshta po ndodh diçka që pak prej nesh e shohim: algoritmi për t’u dalluar në një botë ndërkombëtare nënkupton pikërisht zhvillimin e një dëshire të thellë për t’u folur të gjithëve, pa u shkëputur nga prejardhja, për përkatësinë që secili ka. Dhe të pranohet se njëra ngatërrohet me tjetrën, se nuk ka identitete të pastra, sepse të jetuarit është t’u hapësh botën dhe të tjerëve, të transformohesh dhe ta transformosh përvojën.

Para disa ditësh shkrova këtë poezi:

DUA LIPA ft NËNË TEREZA

Nuk mund të depërtosh

nuk mund të jesh

thellësisht botëror

nëse nuk je

thellësisht i lidhur

për një rrënjë

thellësisht autentike.

Nuk mund të shijosh

flladin e detit mbi valën e tij

Nuk mund të kalërosh

me flokët e shprishur mbi kalë,

nëse nuk mbahesh

me të gjitha forcat

për trupin dhe shalën.

Papa Françesku është një shembull i shkëlqyer i kësaj. Ishte njëri nga udhëheqësit kryesorë të botës, ndërkohë që mbeti djaloshi nga Flores, lagje në Buenos Aires, dhe tifoz i Club Atlético San Lorenzo, duke mbajtur vëmendjen dhe përkushtimin më të thellë për sublimen dhe më banalen, njëkohësisht. Të afërmit e tij të përjetshëm mbetën të tillë pavarësisht shkallës më të lartë kishtare që e mbërriti në jetë.

Njërin nga shkrimtarët argjentinas që më së shumti i admiroj, Alejandro Dolina, i vendos shumicën e tregimeve të tij imagjinare dhe absurde po në të njëjtën lagje: Flores. Personazhet e librit të tij “Kronikat e Engjëllit të Përhimët”, i trajtojnë dilemat më komplekse etike, filozofike dhe strategjike të botës pa i braktisur rrënjët e tyre popullore, nga të njëjtat qoshe ku u rrit Papa Françesku. Përpiqen ta zgjidhin botën dhe nuk e zgjidhin kurrë plotësisht, sepse bota është kundërthënie e pastër. Personazhi im i preferuar, pa dyshim, është Manuel Mandeb, të cilin do të mund ta përshkruanim si një personazh që doli nga zemra popullore dhe filozofike e Buenos Airesit. Lojtar bilardoje, konsumues i xhinit, njeri librash dhe modest, Mandebi e përfaqëson atë përzierje të rrallë të mençurisë së thellë, leximeve origjinale dhe muhabetit të përditshëm që i përshkon kafenetë e limanit.

Do të dukej çmenduri të mendosh se një humorist si Dolina e frymëzoi figurën kryesore shpirtërore të botës. Nga mënyra se si qeshte Papa Françesku, nuk do të thosha se është çmenduri. Në fakt, klubi i tij, San Lorenzo, e fitoi sërish kampionatin argjentinas në të njëjtin vit kur Bergoglio u zgjodh papë. Rastësi? Siç themi në Uruguai dhe Argjentinë: “ose beso ose plas”. Një vit më vonë, i njëjti klub e fitoi Copa Libertadores për herë të parë në histori. Rastësi? Sërish: ose beso ose plas. Megjithatë, kur rivali më i madh i San Lorenzos, Huracán de Parque Patricios, arriti në finalen e Copa Sudamericana më 2015, një çift argjentinas i kërkoi Papës që t’ua bekonte ekipin. Françesku buzëqeshi dhe u tha: “Zoti e di që vazhdoj të jem i keq”. Huracán e humbi finalen.

Premtoi se më nuk do të shikonte televizor në vitet ‘90. Megjithatë, kurrë nuk e humbi asnjë ndeshje të San Lorenzos. Madje duke qenë papë, u kërkonte gardianëve zviceranë që t’ia tregonin rezultatet diel më diel. Qe njeri që e nderonte fjalën dhe, në të njëjtën kohë, u kushtonte vëmendje detajeve dhe i ndiqte pasionet e veta. E kërkonte zgjidhjen e problemeve me dashuri dhe durim, me ngushëllimin se bota dhe jeta janë të bukura prej ngado që i shikon.

Në Argjentinë, do ta quanin “papë peronist”, ndonjëherë me përçmim e ndonjëherë me mendjemadhësi. Nuk e besoj se ishte i tillë. Ishte një papë thellësisht argjentinas, me të gjitha virtytet argjentinase: një përzierje e erudicionit dhe vizionit kozmologjik të Jorge Luis Borgesit, me zgjuarsinë, përulësinë dhe shpejtësinë e Roberto Fontanarrosas. Një njeri që diti të qëndronte këtu/tani edhe atje/në të ardhmen.

I hodhi të vërtetat si gurë në një botë të polarizuar, ku përherë e më shumë flitet për të menjëhershmen si të vetmen zgjidhje. Hapi shteg në fushën e stërmbushur me një monokulturë intelektuale shumë të rrezikshme: narcizmi si burim i gjithë legjitimitetit. Qeshi me atë që s’duhej qeshur dhe u ballafaqua me atë që të gjithë të tjerët i dridhen. Por nuk e bëri nga një altar moral e as nga një revolucion i pamundur: e bëri duke jetuar në të gjithë njerëzimin që ia zinte trupi.

E pyeta ChatGPT-në se cili, para Françeskut, kishte qenë papa i lindur sa më larg Romës. Përgjigjja ishte: vetë themeluesi i kishës, Shën Pjetri, i cili kishte lindur në Galile, 2300 kilometra larg. Distanca e Françeskut është katërfish më e madhe: janë 11.100 kilometra midis lagjes Flores dhe Vatikanit. Dhe gjëja më e mrekullueshme është se nuk e braktisi kurrë të parën për t’iu përkushtuar të dytit. Kështu zgjerohet, kështu mbushet me kuptim dhe përvojë.

Ose të paktën kështu do që të besojë një konsulent dhe gazetar uruguaian, i cili po e shkruan tezën e tij për sportin në Kosovë në një universitet zviceran, ndërsa jeton në Spanjë për të qenë pranë fëmijëve të tij. Një tjetër njeri që nuk pushoi kurrë së ndjekuri Futbolion, atë apostull apokrif, që luan kur të gjithë janë seriozë, që lëviz kur të gjithë duan të ndalen, që e di –  dhe kjo është pjesa më e vështirë –  se pavarësisht pasioneve të veta, duhet t’i respektojë normat. Sepse në fund të fundit të gjithë apostujt janë apostuj të ndërsjellë.

Dhe ndonëse Futbolio nuk shfaqet kurrë në asnjë ungjill, autori i këtij teksti e gjeti te një papë nga jugu, në një ribashkim me fetaren që jetonte përherë përbrenda tij, ani pse jeton përgjithmonë në periferi.

Nëse Futbolio kanonizohet ndonjëherë, kjo do të jetë falë atyre që, si Françesku, luajtën lojën e tyre pa e shqyer kurrë shpirtin.