Shtojca për Kulturë

“Unë po lëviz ngapak, por fatkeqësisht Serbia nuk po lëviz fare!”

Latinka Peroviq

Ashtu siç ishte i vetmuar zëri i saj në Serbinë nacionaliste, deri në këto çaste edhe vdekja e saj është “e vetmuar”. “Unë po lëviz ngapak, por fatkeqësisht, Serbia nuk po lëviz fare!“, ishin fjalët që nëpërmjet telefonit mi tha, zonja Latinka Peroviq vetëm pak ditë para se të ikte nga kjo botë. Dhe motoja e saj ishte “pavarësisht rrethanave dhe rreziqeve që mund t´i kanoseshin njeriut, ai gjithnjë duhet të jetë i gatshëm t’i dalë në mbrojtje së vërtetës dhe të luftojë deri në frymën e fundit për të!”

Këto ishin fjalët që nëpërmjet telefonit mi tha e ndjera Latinka Peroviq (1933-2022) në bisedën e fundit që e pata pak ditë para se ajo të vdiste. Në Beogradin e siç e quante ajo “refugjatëve të dëshpëruar që si kujtim na i la Sllobodan Millosheviqi, të drejtorëve të frustruar provincialë, të ish-kriminelëve të luftës të veshur me rroba priftërinjsh” zonja Peroviq i kalonte ditët duke mbajtur kontakte me një grup të vogël bashkëmendimtarësh, por gjithnjë e gatshme që me përvojën e saj të begatë politike, por edhe me bagazhin e pasur intelektual, t‘u ndihmojë brezave të rinj, duke ngjallur tek ata shpresën se fati i Serbisë është në duart e tyre dhe vetëm ata mund ta nxjerrin vendin nga errësira mesjetare!

“Do të zhdukeni!“

Duke e njohur qëndrimin refuzues të shumë personaliteteve që nga koha e Gjermanisë së Hitlerit, dhe të mospranimit të tyre që të hynin në ujërat e nacionalizimit primitiv, dhe kur ata për asnjë çmim, pavarësisht privilegjeve e kompromiseve të ofruara nuk pranonin të bëheshin pjesë e elitave në regjimet antinjerëzore të kohës, megjithatë, duhen kujtuar edhe shembujt kur emra të njohur të kulturës dhe të elitës të kombeve të ndryshme, shpeshherë janë izoluar, janë heshtur, madje historia e njerëzimit njeh raste kur ata të dëshpëruar deri në skajshmëri kanë ngritur dorë edhe mbi veten e tyre!

E lindur në vitin 1933 në një fshat të vogël të Kragujevcit, kryeqendrës së Shumadisë apo siç thuhet shpeshherë të “zemrës së Serbisë“, Latinka Peroviq, qysh prej ditëve të para të shkollimit fillor, ishte e bindur se bota e cila e rrethonte atë edhe pse në sytë e saj dukej shumë e zymtë, mund të përmirësohej vetëm nëse në të mbisundonte e vërteta dhe nëse njerëzit ishin të gatshëm që në mënyrë pozitive t‘u përgjigjeshin sfidave jetësore, por edhe të jetonin në harmoni me proceset historike të kohës në të cilën jetojnë ata. Edhe pse në biseda private ajo nuk fliste për moton e saj jetësore, qysh në kontaktet e para, bashkëbiseduesi mund të kuptonte se qëndrimi i saj në këmbë “në vertikalen e brishtë serbe“ ishte rezultat i parimeve që ajo nuk i shkeli as atëherë kur Titoja e largoi nga skena politike në fillim të viteve të shtatëdhjeta të shekullit XX, por edhe më vonë pas viteve të nëntëdhjeta kur mendimi ndryshe në Serbi paguhej me kokë!

Dhe motoja e saj ishte “pavarësisht rrethanave dhe rreziqeve që mund t´i kanoseshin njeriut, ai gjithnjë duhet të jetë i gatshëm t´i dalë në mbrojtje të vërtetës dhe të luftojë deri në frymën e fundit për të!”

Nuk gabojmë nëse themi se Latinka Peroviq, u qëndroi besnike këtyre parimeve dhe të vërtetës sa u përket krimeve serbe në Kosovë, çështjes së Kosovës në përgjithësi dhe për këtë flasin mjaft dëshmi të lëna të saj, si me shkrim, por edhe si deklarata të dhëna publikisht ku ajo i kritikoi, por edhe akuzoi në mënyrë të hapur, të gjitha regjimet serbe që prej vitit 1990, e deri në ditët e fundit të jetës së saj.

“Unë i përkas gjeneratës e cila e ka filluar shkollimin e mesëm pas çlirimit. Si nxënëse shembullore u kisha rënë në sy atyre që në ndonjë mënyrë donin të më angazhonin në shoqëri. Por, isha e bindur se mosha ime e re ishte pengesë që të përfshihesha në ndonjë aktivitet serioz, sepse ashtu edhe e perceptoja angazhimin eventual në politikë. Në atë atmosferë, e gjeta veten në punën vullnetare, ku ne të rinjtë thuajse ishim të përfshirë, të them përmes aksioneve punuese. Faktikisht, ishte ajo kohë e një entuziazmi të madh për rilindjen e vendit. Isha dy muaj në ndërtimin e Beogradit të Ri, në ndërtimin e rrugës ‘Bratstvo – Jedinstvo’ (Vëllazërim – Bashkim) Beograd – Zagreb, në ndërtimin e hekurudhës Banjallukë – Doboj (Bosnje e Hercegovinë) pastaj isha në ndërtimin e fabrikës së tekstilit në Novi Pazar (Sanxhak)”.

Për koincidencë, edhe rruga në Beograd, ku jetoi zonja Latinka Peroviq quhej rruga e “Novi Pazarit” dhe ajo ishte jo shumë larg qendrës së qytetit. Ndërtesa ku ajo i kaloi vitet e fundit të jetës, ishte ekzemplar më vete i pallateve të kohës së ish–sistemit komunist dhe para se njeriu ta kalonte pragun e banesës saj të rregulluar me shije, por të mbushur anekënd me libra, së jashtmi ballafaqohej me muret e ndërtesave identike që deri vonë pas viteve të nëntëdhjeta mund të haseshin në Elbasan dhe në qytetin e Pernikut në Bullgarisë, vetëm pak kilometra para se të arrihet në Sofje!

Megjithatë atmosfera që znj. Peroviq e krijonte gjatë bisedës, sidomos me analizat e mprehta të fenomeneve të ndryshme sociale e historike, me elaborimin e saktë dhe me metodën krahasuese të ngjarjeve me rëndësi jo vetëm nga e kaluara e ish– Jugosllavisë, por edhe më gjerë, e bënte bashkëbiseduesin që shpejt t´i harronte imazhet e jashtme të ndërtesës, duke u thelluar në ngjarjet e rrëfyera në vetën e parë dhe ku protagonistja e atyre ngjarjeve qëndronte në anën tjetër të tryezës.

“Serbinë e sotme e kemi pjellë të Rusisë së gjysmës së shekullit XIX”, thoshte me bindje ajo, pasi një pjesë e hulumtimeve të saja pikërisht për temë i kishin “Lidhjet revolucionare serbo – ruse” të botuar si libër i veçantë në vitin 1993.

“A jeni e vetëdijshme se si është reaguar në opinion serbe kur iu drejtuat serbëve me fjalët ‘se nëse nuk përmirësohen, Serbia dhe serbët do të zhduken?’”

“Për ta kuptuar më mirë atë që e kam thënë po nisemi nga Beogradi që pak a shumë e njohin gjithë popujt e ish – Jugosllavisë” – e nisi elaborimin e znj. Peroviq, duke iu shmangur qëllimisht përsëritjes së mendimeve të mëhershme të botuara në shtypin e kohës, të transmetuara në radio apo televizion. “Unë i përjetova këto pamje të Beogradit: të kohës së fillimit të ndërtimit të tij, të kohës së shndërrimit të Beogradit në një qytet kozmopolit, të Beogradit të refugjatëve nga Kroacia por edhe nga viset tjera të ish-Jugosllavisë, e përjetova Beogradin e njerëzve margjinalë, Beogradin si strehimore të ish-kriminelëve të luftës dhe tani po jetoj në Beogradin e nacionalistëve të regjeneruar të Vuçiqit! Prandaj as Beogradi e as Serbia nuk janë ashtu siç ishin dhe çfarë duhet të jenë. E gjithë kjo ndodhi sepse kombi serb akoma nuk e kupton faktorin kohë dhe zhvillimin e proceseve aktuale në Evropë dhe botë, prandaj do të zhduket gjithçka që i vihet kundër proceseve zhvillimore dhe aq më shpejt do të zhduken ata që pa kurrfarë arsye i qëndrojnë përballë progresit dhe gjithnjë i refuzojnë ndihmat jetike për zhvillimin normal te kombit pjesëtarë të të cilit janë edhe vetë ata!”

Në nënpyetjen mos vallë znj. Peroviq e kishte marrë mbi vete përgjegjësinë e priftërinjve serbë, që me dhjetëra vite e kanë ushqyer opinionin serb me rrëfime për Serbinë e vënë në rrezik të zhdukjes prej fqinjëve të saj, duke u buzëqeshur lehtë dhe pa kurrfarë ironie ajo shtoi: “Kisha serbe ka më shumë shenjtorë se sa që në fakt ekzistojnë në fenë krishtere! Fatkeqësisht që prej viteve të nëntëdhjeta nën petkun e shumë priftërinjve serbë janë fshehur kriminelë të mëdhenj! Mjafton ta kujtojmë rastin e Karaxhiqit! Kisha serbe është përgjegjëse për gjakderdhjen gjithandej ish-Jugosllavisë dhe ajo është përgjegjëse për stagnimin e Serbisë!”

Si rrjedhojë e një opinioni të tillë, shpëtimtarët e kombit serb, sipas znj. Peroviq në fakt ishin varrmihësit e tij!

“Shqiptarët dhe rritja e Kosovës në sytë e mi”

“Për herë të parë, shqiptarët i kam takuar në Beograd, në vitet e studimeve. Shqiptarët atëherë punonin kryesisht si punëtorë fizikë, punonin në pastrimin publik, punonin si hamallë. Në fakt kjo ishte një pasqyrë e përgjithshme e perceptimit të shqiptarëve edhe para se unë t’i takoja ata si pjesëtarë të një kombi që kishte një histori të veçantë. Por, mua më ndodhi diçka e kundërt me portretizimin që u bëhej shqiptarëve, sepse kurrë nuk e takova ndonjë shqiptar e të mos ishte i sinqertë, qoftë edhe të detyruar prej rrethanave, ata shqiptarë që unë i kam takuar si më parë kur isha në politikë, si më vonë e gjenin mënyrën që ta thoshin të vërtetën me sinqeritetin më të madh!”, shprehej me bindje të plotë Latinka Peroviq.

Por, përveç sinqeritetit që ajo e kishte hasur me ata shqiptarë që kishte pasur kontakt, ndikim të fuqishëm në formimin e këndvështrimin të saj të veçantë ndaj shqiptarëve dhe çështjes së Kosovës, padyshim se e kishin pasur imazhet që ajo i kishte hasur qysh në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, kur si politikane e re kishte shkelur në tokën e Kosovës.

“Fillimisht, në vitet e para Luftës së Dytë Botërore dhe disa vjet më vonë, në organet më të larta të Jugosllavisë dhe të Serbisë së atëhershme, Kosovën e kanë përfaqësuar kuadrot serbo-malazeze! Në kohën kur unë kisha filluar të shkoja atje, ende ishin prezente pasojat e pushtetit ushtarak në Kosovë. Përfaqësuesit e pushtetit, pra joshqiptarët me sjelljet ndaj shqiptarëve, por edhe me veshjet dhe qëndrimin e tyre më kthenin në fëmijërinë time, atëherë kur grupe të burrave të Shumadisë herët në mëngjes niseshin në gjah maleve përreth, të përcjellë nga bashkëshortet e tyre që atyre u uronin fat dhe që armët e tyre të godisnin saktë! Mund të paramendoni kur sekretari i Komitetit Krahinor të Kosovës, e mbante revolen në brez edhe pse ai nuk ishte i veshur me uniformë ushtarake e as policore!”

Deri në kohët kur znj. Peroviq, kishte filluar që për Kosovën por edhe për shqiptarët të mësonte prej librave të gjeneratës së parë të autorëve shqiptarë të Kosovës së pas luftës, ajo megjithatë kujton se “me disa përfaqësues të pushtetit, pra serbë që kryesisht vinin prej viseve jugore të ish-Jugosllavisë, nisëm ta zbatonim një qasje afirmative si për shqiptarët por po ashtu edhe për Kosovën”.

“Nuk duhet të dalësh para serbëve me idenë që Kosova t’i bashkohet Shqipërisë, sepse Kosova është shumë prezente në vetëdijen e serbëve”, sipas dëshmisë të së ndjerës Latinka Peroviq, këto ishin fjalët e famëkeqit Aleksandar Rankoviq, thënë Josip Broz Titos në kohën e hedhjes së themeleve të shtetit jugosllav! Ajo madje shtonte se kjo bisedë është e ruajtur si dokument dhe është e arkivuar.

Megjithatë, Kosova në sytë e Latinka Peroviqit ishte si fëmijë, rritjen e të cilit ajo e kishte parë dhe përcjellë thuajse në vazhdimësi.

“Së pari kosovarët me shumë përpjekje ia dolën që ta hiqnin qafe hegjemoninë jo vetëm serbe, por edhe atë malazeze! Të mos harrojmë se në disa raste malazezët ishin më agresivë se sa vetë serbët! E di se çfarë do të thoshte të ishe shqiptar në atë kohë! I kujtoj akoma përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës se sa të kujdesshëm ishin në vitet para shkarkimit të Rankoviqit, por edhe më vonë. Ata nisën të ndiheshin më të sigurt vetëm atëherë kur u bindën se autonomia e Kosovës ishte forcuar në mjaftueshmëri, saqë ajo nuk mund të kontestohej prej askujt! Më vjen keq se nuk e përjetova realizmin e statusit të Republikës të Kosovës si pjesë e shtetit jugosllav! Nuk e di se sa janë të vetëdijshme elitat serbe të viteve të fundit se çfarë lehtësimi do të ishte për ata por edhe për vetë Serbinë, nëse mbi kurrizin serb nuk do të ngarkohej barra e pas viteve të nëntëdhjeta, pra e krimeve serbe mbi shqiptarët – nëse Kosova do ta fitonte statusin e republikës së paku kah mesi i viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar!”

Të gjitha opinionet e sipërpërmendura të së ndjerës Latinka Peroviq i dëgjova dhe i regjistrova në korrikun e vitit 2018 dhe për asnjë çast nuk e pendova se pse kisha ardhur enkas prej Belgjikës së largët, duke qenë i vetëdijshëm se në Beogradin e asaj kohe, por edhe të tanishmin, për shqiptarët “nuk kishte konak” dhe veç zonjës Peroviq, fatkeqësisht ishte vetëm një numër i vogël i personaliteteve të njohura të skenës politike dhe kulturore të Serbisë, që e kishin guximin e bashkëbisedues sonë që t’ia numëronin shtetit të Serbisë në mënyrë publike, krimet dhe të këqijat që ajo ua kishte shkaktuar Kosovës dhe shqiptarëve.

“Përgjegjësia personale në politikë është vendimtare”

Padyshim se znj. Latinka Peroviq ishte e interesuar dhe e bindur se mund ta ndihmonte afrimin dhe përmirësimin e raporteve shqiptaro-serbe, Kosovë–Serbi, por ajo nuk mjaftohej nëse ndonjë ditë, krerët e Serbisë do t’u kërkonin falje shqiptarëve! “Kam dëgjuar shpeshherë se kërkimi i faljes për krimet e Serbisë në Kosovë, do të ndodhë, por ai duhet të jetë një kërkim falje i sinqertë dhe atë duhet kodifikuar në mentalitetin e brezave të ardhshëm të të rinjve serbë, madje data e kërkimfaljes duhet të shënohet edhe në kalendarin shtetëror të Serbisë! Unë jam kundër kërkimfaljes vetëm si një akt formal!”

Ndërkaq, brezave të rinj ua tërhiqte vërejtjen se “në politikë përgjegjësia personale është vendimtare dhe se pasojat e veprimeve, të qëndrimeve dhe vendimeve në një moment të caktuar do të maten dhe do të vlerësohen”. “Mendoj se njësoj është edhe në jetën e përditshme. Por, për fat të keq, ne (serbët) nuk jemi shoqëri me kulturë individuale. Ne jemi shoqëri me ideologji kolektive dhe ne gjithmonë mendojmë se (pa)përgjegjësia jonë aspak nuk do të ndikojë në rrjedhën historike. E kemi një bindje të mbrapshtë se: përgjegjësia individuale shkrihet diku në përgjegjësinë kolektive!”

Fatkeqësisht, pandemia COVID-19 e pengoi ardhjen në Prishtinë të znj. Latinka Peroviq në shtatorin e vitit të kaluar, përkundër organizmit dhe informimit me kohë të “Qendrës Multimedia” ku edhe pritej të bëhej promovimi i librit “Ashtu ka qenë”. Megjithatë qysh para ftesës, me znj. Peroviq ishim marrë vesh që librin në versionin më të zgjeruar ta botonim në vitin 2023.

“Unë po lëvizi ngapak, por fatkeqësisht Serbia nuk po lëviz fare!”, ishin fjalët që nëpërmjet telefonit mi tha, zonja Latinka Peroviq vetëm pak ditë para se të ikte nga kjo botë. Fatkeqësisht ashtu siç ishte i vetmuar zëri i saj në Serbinë nacionaliste, deri në këto çaste edhe vdekja e saj është “e vetmuar”.

jetës së saj Latinka Peroviq ka qenë e injoruar dhe shihet qartë se ashtu do të trajtohet edhe pas vdekjes së saj”, ka deklaruar Gjorgje Miketiq, deputeti i grupit “Duhet së bashku“ i cili ka kërkuar që institucionet shtetërore të Serbisë të organizojnë mbledhjen zyrtare komemorative për të shprehur respekt për dikë që ka luftuar për paqe dhe për zhvillimin e shoqërisë. Por, deri në këtë moment (e premte në mesnatë) askush prej kreut shtetëror në Serbi, nuk e ka marrë guximin që të ballafaqohet me zërin e arsyes dhe guximin e intelektuales dhe historianes serbe e cila e ëndërronte një të ardhme më të mirë të serbëve edhe shqiptarëve dhe të Serbisë e Kosovës si dy shtete fqinje dhe të barabarta në çdo aspekt.

Sint Truiden, Belgjikë , dimër, 2022