Nata e dytë e edicionit të 12-të të “Prishtina Jazz Festival” me dy koncerte ka qenë një rrugëtim i gjatë në zhanre të muzikës, por që rikthehen në jazz. Kryeqyteti është shndërruar në kryeqendër të emrave të shquar, teatri “Oda” i ka ngjarë skenave botërore. Atyre ku ka shkelur edhe jazz kitaristi i Kosovës Taulant Mehmeti, i cili është rikthyer në vendin ku u takua për të parën herë me jazzin. Koncertit të kuartetit të tij i ka paraprirë ai i bendit amerikan “Titan to Tachyons” muzika e të cilit përshkruhet si hyrje në sferat e surrealizmit dhe të fantashkencës nëpërmjet pasazheve eklektike dhe improvizuese
Jazzi është në qendër, por rocku, ritmet blues “heavy metal” e meloditë shqiptare vijnë natyrshëm e bukur në zhanrin e veçantë muzikor. Në natën e dytë të “Prishtina Jazz Festival” rrëfimin muzikor e kanë ndërtuar amerikani Trevor Dunn me kontrabas, bendi amerikan “Titan to Tachyons” dhe kuarteti i jazz-kitaristit Taulant Mehmeti. Dy koncerte në një mbrëmje kanë sjellë origjinalitetin, personalitetin dhe shprehjen muzikore në teatrin “Oda”.
Ai ka qenë destinacioni për festivalin edhe në natën e dytë. Publiku i shumtë në numër ka qenë i pranishëm në sallë. Edhe më shumë është mbushur në pjesën e dytë ku kanë performuar “Taulant Mehmeti Quartet”.
Introja “psikodelike” me “Titan to Tachyons”
Koncerti ka nisur me lojën solo të kompozitorit, bas-kitaristit e kontrabasistit amerikan Trevor Dunn. Vepra e tij ka qenë melodike e frymëzuese. Shumë shpesh befasuese. Ai herë luan me gishta në instrument, herë me hark. Në herë të tjera krijon lloje muresh në tinguj e me gjithçka tjetër që përfshin në lojë. Sjell secilën herë diçka të re, e avancon përherë lojën e tij duke e mbajtur audiencën të interesuar për hapat e mëtutjeshëm në performancën e tij.
Nga loja me tinguj të shpeshtë me hark, sjell një seri të gjatë të tingujve me gishtërinj. Loja e tij është atraktive. Jo vetëm për tingujt e shpeshtë dhe të shkurtër, të shthurur, por interpretimin e bëjnë atraktiv edhe atmosfera që gërsheton me prekjen e instrumentit e trokitjet në të. Dunn krijon momente të çuditshme dhe të pakuptimta të cilat shkrihen në melodi melankolike. Sofistikon tingujt duke vendosur gjësende midis telave të kontrabasit që e bën atë të tingëllojë ndryshe. Krijon katrahurë në tela që pasohet nga një lloj lufte për hapësirë për të nxjerrë tingullin.
56-vjeçari Dunn u bë i njohur në vitet 1990 me grupin eksperimental “Mr. Bungle”. Prej atëherë ka punuar në një sërë stilesh muzikore, duke përfshirë atë me saksofonistin e kompozitorin John Zorn, me “Secret Chiefs 3” dhe me ansamblin e tij avangardë të jazzit e rockut, “Trevor Dunn's Trio Convulsant” . Ai është gjithashtu anëtar i grupit “Tomahawk”.
Ka marrë pjesë në dhjetëra incizime si bashkëpunëtor kryesor dhe si muzikant i ftuar. Ai është pjesë e “MPThree” të Mike Prides, “Klezmer Madness” të David Krakauerit dhe “Nels Cline Singers” . Gjithashtu ka luajtur me “Afro-Mystic”, Ben Goldberg, Brian “Head” Welch, “Graham Connah's Sour Note Seven”, “Jess Jones Quartet”, “Junk Genius” e shumë bende të tjera.
Të premten mbrëma në “Oda” ka shfaqur mjeshtërinë e tij edhe si bas-kitarist, instrument të cilin e luan prej moshës 13-vjeçare. Në pjesën e dytë të koncertit të parë ka luajtur bendi amerikan “Titan to Tachyons” me lideren Sally Gates, Trevor Dunn, Kenny Grohoëski dhe Matt Hollenberg.
Ritmet e sinkronizuara e ato që shkëputen nga vija melodike, shkallët e ndryshme të improvizimit e devijimet e qëllimta si dhe timbri origjinal, kanë qenë vetitë e lojës së bendit.
Një kitarë kryesore, dy të tjera dhe bateritë kanë sjellë lojë tejet energjike. Kalimi nga jazzi në rock dhe anasjelltas është i dallueshëm. Shpesh ky kontrast bëhet kulmues. “Critical paranoia” ka qenë e fundit vepër ku bendi harmonizohet për jazz ndërsa loja në bateritë koncentrohet kryesisht në çinella. Shpesh njëra kitarë pushon e dy të tjera i rreken improvizimit.
Intriguese është muzika e tyre. Çuditërisht aty-këtu është ndonjë pasazh melodik. Shpërthimet e papritura janë karakteristikë me pasazhe rock, ritme funku e kulminacion “heavy metal”.
“Titan To Tachyons” është grup eksperimental jazz-metal i udhëhequr nga kompozitorja dhe kitaristja nga Zelanda e Re, Sally Gates. Siç shkruhet në prezantim, “kuarteti paraqet në mënyrë instrumentale sferat e surrealizmit dhe të fantashkencës nëpërmjet pasazheve eklektike dhe improvizuese”. “Titan to Tachyons” ka bërë një turne me paraqitjet në festival si në “Big Ears”, “Jam Room Fest” e të tjera në prezantim të albumit të tyre “Vonals” në vitin 2022.
Rikthimi i Taulant Mehmetit aty ku u takua me jazzin
Më shumë se një gjysmë ore e ka ndarë koncertin tjetër në kuadër të “Prishtina Jazz Festival”. Skena ka qenë për kuartetin e Taulant Mehmetit. Formacioni i përbërë prej tromboistit John Cushing, kontrabasistit e kitaristit Noah Garabedian dhe bateristit Sam Levin kanë sjellë jazzin me ritme blues të përzier me melodi tradicionale shqiptare.
Trombi e kitara shpeshherë shkëmbejnë rolet e tyre duke ardhur në qendër sa u përket tingujve që dominojnë. Pos në trombon, Cushing ka luajtur edhe në piano elektrike, ndërsa Mehmeti ka luajtur me dy lloje kitarash si dhe me një lloj trumbete. Ai me kitarë shpesh sjell lojë-solo.
Para publikut ka bërë të ditur se kjo ka qenë hera e parë që ka interpretuar në teatrin ‘Oda’ pas tetë vjetësh. Ka kujtuar sesi atëkohë kishte shumë më pak njerëz të pranishëm. Për KOHËN ka treguar se po në teatrin “Oda” ishte njoftuar me jazzin në vitin 2005.
“’Oda’ është eksperiencë shumë e mirë ku jam njoftuar me jazzin për herë të parë kur kam qenë 13 apo 14-vjeçar. Kam parë disa bende amerikane që kanë bërë muzikë dhe më ka inspiruar të hulumtoj jazzin dhe ma ka ndryshuar jetën pozitivisht. Kam vendosur të vij çdo vit prej 2005-tës në festivalin që e ka organizuar Ilir Bajri. Në vitin 2011 kam marrë pjesë me bendin tim me kompozime origjinale dhe tash pas 13 vjetësh po kthehem në ‘Prishtina Jazz Festival’ me bendin tim prej New Yorku, ku jetoj”, ka thënë Mehmeti.
Për festivalin në përgjithësi ka thënë se sivjet ka programin më të mirë ndonjëherë.
“Ka më shumë muzikantë shqiptarë. Natën e kaluar ka qenë ‘Prishtina Jazz Orchestra’ dhe kanë luajtur dhjetë prej muzikantëve më të mirë të jazzit në Kosovë, bashkë me disa prej muzikantëve më të mirë internacionalë prej Spanjës, New Yorkut, Francës, Gjermanisë, Sllovenisë. Ishte koncert magjik me ta. Edhe sot kemi kaluar shumë mirë. Audienca ka qenë shumë e qetë dhe shumë e interesuar”, ka thënë Mehmeti, interpretues i shquar në skenën e jazzit të New Yorkut, duke ndarë skenën në vende ikonike si “Blue Note”, “Birdland”, “B.B. King's” e “Iridium”.
Ai ka interpretuar e regjistruar me artistë të shquar, duke përfshirë legjendarin Vic Juris, Peter Bernstein, Ingrid Jensen, Armend Xhaferi, Ilir Bajri dhe Marko Churnchetz.
Albumi më i ri i Mehmetit, “Visa for Aliens”, nxjerr në pah përzierjen novatore të trios së tij të harmonisë jazz dhe ritmeve ballkanike tok me një nga jazz-kitaristët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, Peter Bernstein. Albumi i tij ballkan-jazz, “Song to My Brother” me Ingrid Jensen qe i suksesshëm ndërsa ai ka regjistrime të tjera të rëndësishme që përfshijnë paraqitjen e tij në albumin e Ernesto Llorens – “On My Gypsy Way”, duke ndarë këngë me kitaristët legjendarë Bireli Lagrene, Stochelo Rosenberg, dhe Adrien Moignard.
Në “Oda”, midis tjerash ka interpretuar veprat e tij origjinale “Visa for Aliens” si dhe ka prezantuar premierën “Prishtina blues”. Me bend ka befasuar prindërit e tij duke rikthyer 50 vjet pas prej ditës së martesës së tyre këngën “Martesa jonë” së cilës i ka dhënë zë vetë Mehmeti.
Vepra “Kosovologji” ka qenë në përgjithësi me ritme blues ndërsa “Çaj rusi” e Armend Xhaferit ka një temë tradicionale që përsëritet shumë herë. Kitara përcillet nga tromboni. Pas shumë zhvillimeve të gjata në vepër, ajo rikthehet një herë të vetme dhe mbyllet.

“Festivali është mrekullia vetë”
Bas-kitaristi Sheki Hoxha ka thënë se është mrekulluar nga performanca e Mehmetit me bend. I ka vlerësuar edhe performancat e Trevor Dunn e të bendit “Titan to Tachyons”.
“Na mrekulloi. Ku ka më mirë se të kesh një emër kaq të madh si Taulant Mehmeti i cili tash është klas botëror pasi tërë kohën është në New York dhe ka kontakte me muzikantë të mëdhenj të botës. Kështu që nuk ka mundur të jetë më ndryshe sesa shkëlqyeshëm. Edhe pse edhe muzikantët paraprakë i kam për qejf me ‘fusion’ një lloj ‘psychedelic’, muzikë në të cilën ishin paranojakë. Vetë festivali është mrekullia vetë. Është mirë të kemi këso festivalesh pak më shpesh, problemi është gjithmonë që nëse artin nuk e zëvendëson shteti, arti vdes”, ka thënë Hoxha.
Programin e ka konsideruar laroshi të shkëlqyeshme. Vetë ai do të bëjë muzikë në skenën e “Prishtina Jazz Festival” në natën e fundit si “Sheki & Friends”.
Publiku e ka duartrokitur gjatë pas çdo vepre e ato kanë kulmuar në përfundim të performancave. Ka qenë një lloj konfirmimi i suksesit të tyre në skenën e festivalit.
Ndërmarrësi Mentor Dida ka veçuar koncertin e Taulant Mehmetit.
“Çfarë ndodhi sot ishte diçka shumë speciale pasi i morëm ritmet e jazzit që ishin të marinuara me ritmet tona shqiptare dhe të Ballkanit, në mënyrë që depërtoi direkt në zemrat tona. Në fillim nisëm direkt me një energji që na mbajti dhe na çoi shumë lart. Taulanti me ekipin ishin fantastikë, diçka që mua më mungon këtu të ketë më shumë eksperienca të tilla. Është diçka fantastike që Xhafa e ka sjellë këtë mundësi”, ka thënë ai.
Jazzi bashkon kultura, ngjyra e kombësi e kësisoj ka bërë bashkë edhe publikun e “Prishtina Jazz Festival” jo vetëm për të shijuar koncertet por edhe për ta festuar zhanrin muzikor.