Interaltiviteti është “formula” që e bën joshës, e synimet janë të qarta: krijimi i urave midis fëmijëve a të rinjve dhe trashëgimisë kulturore. “Trashëgimi me ngjyra” është e tillë edhe për nga qasja. “Platforma do të ketë ndikim në ndërgjegjësimin e brezave të rinj mbi trashëgiminë kulturore”, ka thënë autorja Erodita Klaiqi
Lidhja e brezit të ri me trashëgiminë kulturore të vendit konsiderohet esenciale për të ardhmen e tyre. Platforma digjitale “Trashëgimi me ngjyra” ndihmon në kuptimin dhe vlerësimin e historisë dhe traditave të vendit me materiale që janë sa informuese, aq janë edhe argëtuese. Duke u përqendruar në monumentet kulturore e historike të komunës së Prishtinës, autorja Erodita Klaiqi me produktin e saj synon të stimulojë njohuritë për trashëgiminë si identitet kulturor.
“Trashëgimi me ngjyra” vjen si material ku vetë shfletuesit e saj i ilustrojnë shumë prej faqeve të librit elektronik me paletën që ofrohet aty. Përpos kësaj janë edhe shpjegimet e të dhënat mbi objektet e trashëgimisë kulturore që ndodhen në kryeqytet dhe në fshatrat përreth tij.
Në hyrje bëhet e ditur se “libri interaktiv” është i përshtatshëm për fëmijët nga 5 deri në 11 vjeç. Duke e shfletuar, shfaqen ilustrime për ngjyrosje dhe lojëra të ndryshme që pasohen nga historiku e shpjegimi i objektit përkatës.
Me autore dhe ilustrime të Erodita Klaiqit, “Trashëgimi me ngjyra” ka për qëllim të ndikojë në edukim të hershëm mbi trashëgiminë. Sipas Klaiqit, platforma ka ndikim të shumanshëm.
“Platforma do të ketë ndikim në ndërgjegjësimin e brezave të rinj mbi trashëgiminë kulturore, ku përmes përmbajtjes do të krijojë ndjenjën e përgjegjësisë për ruajtjen e trashëgimisë, do të frymëzojë për lidhje më të thella me të kaluarën, historinë dhe do të inkurajojë fëmijët të eksplorojnë historinë, kulturën dhe të lidhen me të në mënyrë emocionale dhe edukative”, është shprehur Klaiqi nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për KOHËN.
Sipas saj, “të mësuarit për trashëgiminë kulturore ndihmon fëmijët të kuptojnë rrënjët e tyre dhe të krijojnë dhe ndërtojnë identitet kulturor që është thelbësore për formimin e identitetit personal dhe kolektiv”.
Impakti i platformës është edhe më i gjerë, sipas saj. Klaiqi përmend edhe përparësitë në aspektin social si rrjedhojë e njohjes së trashëgimisë.
“Kur fëmijët mësojnë për traditat dhe kulturën e tyre, ata mësojnë gjithashtu të respektojnë dhe vlerësojnë trashëgiminë e të tjerëve. Kjo i përgatit ata për të jetuar në një shoqëri të larmishme dhe globale. Kur trashëgimia kulturore përçohet në mënyrë argëtuese, si përmes lojërave, ngjyrosjes ose tregimeve interaktive, ajo bëhet më e qasshme dhe e kuptueshme për fëmijët. Kjo përforcon mësimin dhe bën që njohuritë të jenë më të qëndrueshme”, është shprehur autorja dhe ilustruesja e librit digjital.
Përmbajtjen e sheh edhe si nxitje e pjesëmarrjes së prindërve e kujdestarëve duke e bërë mësimin aktivitet të përbashkët familjar. Vlerëson se libri do të ndikojë edhe në zhvillimin e turizmit kulturor pasi thekson se zgjon kureshtjen e fëmijëve për t’i vizituar nga afër këto objekte.
Në “Trashëgimi me ngjyra”, Shatërvani i Vjetër i qytetit të Prishtinës është njëri prej monumenteve. Atë e pason enigma me gjetjen e rrugës së hapur për ta përcjellë ujin për te shatërvani. Shpjegimi për Sahat Kullën e ndërtuar në shekullin e 19-të që gjendet në qendrën e vjetër të Prishtinës e pason rubrika “Ngjyros!”. Hamami i Madh, Xhamia e Llapit, artefakti Hyjnesha në Fron, Muzeu Etnologjik, një shtëpi banimi në qendrën e vjetër të Prishtinës prej më shumë se njëqind vjet e vjetër, janë monumentet që u bëhet vend në këtë platformë. Gjithashtu përfshihet Kisha e Shën Ndout dhe Kisha e Shën Nikollës.
“Përmes aktivitetit kreativ të ngjyrosjes së objekteve, të zbërthyera në mënyrë të fragmentuar dhe të shoqëruara me informacionin përkatës historik dhe kulturor, synon të tërheqë natyrshëm dhe pa u sforcuar vëmendjen e fëmijëve te trashëgimia kulturore, si dhe ruajtja dhe zhvillimi i saj, ku përmes lojërave dhe aktiviteteve atraktive që platforma ofron, do t’i edukojë ata në mënyrë joformale rreth artit dhe trashëgimisë kulturore në Kosovë, do të rrisë vetëdijen e përgjithshme lidhur me rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe historike”, ka shpjeguar Klaiqi.
Platforma është zhvilluar nga Ylli Limani, Blina Kasumi, Gazmend Zeka dhe Alban Kasumi. Ajo është mbështetur nga Ministria e Kulturës me tre mijë e 500 euro si projekt përfitues nga thirrja publike për projekt-propozimet kulturore të vitit 2023 për art dhe kulturë.
Klaiqi ka thënë se synojnë sigurimin e fondeve shtesë në mënyrë që platforma të zgjerohet më tej.
“Platforma në plan afatgjatë është menduar që me sigurimin e fondeve shtesë në të ardhmen nga mbështetja e partnerëve apo donatorëve të interesuar, të vazhdojë të plotësohet, duke u zgjeruar edhe në komunat e tjera më të vogla por që kanë vlera të mëdha të trashëgimisë kulturore, e për të cilat flitet pak ose aspak”, ka thënë ajo.

Ka bërë të ditur se platforma është bazuar në disa kritere paraprake ku përmend përfshirjen e trashëgimisë kulturore lokale me elemente historike e kulturore, promovimi i identitetit kulturor ku aktivitetet dhe përmbajtja fokusohen në ndërtimin e lidhjes së fëmijëve me trashëgiminë e qytetit si dhe atë se platforma duhet të reflektojë në bashkëjetesën ndërkulturore dhe ndërfetare të qytetit. Kjo me qëllim që fëmijët të edukohen sa i përket respektit dhe tolerancës ndaj dallimeve.
“Përmbajtje edukative dhe argëtuese me aktivitete ndëraktive; udhëzime të qarta ku çdo aktivitet të ketë udhëzime të thjeshta dhe të përshtatura për fëmijët e grupmoshave 5-11 vjeç; qasje vizuale dhe praktike, me ilustrime, animacione dhe dizajn tërheqës dhe të lehtë për t’u kuptuar nga fëmijët; qasja gjithëpërfshirëse dhe qasja universal duke qenë e disponueshme- kompatibile për të gjitha pajisjet elektronike dhe sistemet operative IOS dhe Android”, përmend në vijim Klaiqi kriteret mbi të cilat e ka zhvilluar projektin e saj.
Klaiqi ka thënë se edukimi mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore i bën brezat e rinj më të ndërgjegjshëm dhe më të angazhuar si në ruajtjen e traditave dhe monumenteve historike.
“Kjo platformë konsiderohet të jetë mjaft atraktive për fëmijë për t’u argëtuar sikurse shumë lojëra të tjera që janë në dispozicion përmes internetit, përveç se në vend se thjesht vetëm argëtuese, kjo platformë është edhe edukative. Edukimi i hershëm te fëmijët krijon një lidhje të thellë dhe emocionale me kulturën dhe historinë tonë. Përqendrimi në gjeneratat e ardhshme si përcjellës të trashëgimisë, dhe zhvillimi i qasjes së edukimit dhe zhvillimit për fëmijët është një çështje e rëndësishme që do të ndihmonte në ruajtjen e trashëgimisë kulturore”, është shprehur ajo.
Gjetja e dhjetë dallimeve në objektet e sjella në formë skice e gjetja e monumenteve të trashëgimisë kulturore midis tollovisë së krijuar me objekte, janë pjesa atraktive e materialit.
Krejt në fund, si “outro” e librit është shpjegimi për vetë atë se çfarë nënkupton trashëgimia kulturore, çfarë përfshin dhe se pse është e rëndësishme që ajo të ruhet dhe të përcillet te brezat e tjerë.
“Trashëgimia kulturore është si një urë që na lidh me historinë, traditat dhe vlerat tona, duke na lejuar të mësojmë për të kaluarën dhe ta ndajmë atë me brezat e ardhshëm. Ruajtja e trashëgimisë kulturore është thelbësore në mënyrë që ajo të mos humbet me kalimin e kohës”, shkruhet aty midis tjerash.
“Trashëgimi me ngjyra” konsiderohet si mjet i fuqishëm për formimin e brezave që mësojnë vlerat e trashëgimisë derisa shijojnë përvojë atraktive të mësimit.