Njeriu si qenie e dhunshme nuk luftohet te “Togeri i Inishmorit”. Natyra njerëzore është e tillë, terrori luftohet me terror, por ai nuk soset. Shfaqja me tekst të Martin McDonaugh nën regji të Gjorgji Rizeskit e dhënë premierë në teatrin “Adriana” në Ferizaj, nuk pretendon katarzë. Drama kryesore fokusohet në gjetjen e vrasësit e në fakt të gjithë janë të tillë. E inskenuar dhe e ndaluar në shumë vende të botës, “Togeri...” s’i censuron krismat, keqtrajtimet, përgjakjen a anën e errët të qenies
Nëpërmjet terrorit, shfaqja “Togeri i Inishmorit” e lufton terrorizmin dhe vjen si satirë ndaj natyrës së tij. Me tekst të dramaturgut britanik-irlandez Martin McDonaugh nën regji të Gjorgji Rizeskit nga Maqedonia e Veriut shfaqja që u dha premierë në teatrin “Adriana” të premten mbrëma ka qenë e veçantë nga ajo çfarë ka zakonisht në repertor.
Rrëfimi vendoset në Irlandën e viteve ’90. Kryepersonazhi është një lloj ndëshkuesi i fenomeneve negative në shoqëri. Një pjesëtar i ushtrisë së Irlandës, Mad Padraic, e keqtrajton një shpërndarës droge. Kjo është si një lloj introje e shfaqjes.
Por drama kryesore fokusohet në gjetjen e vrasësit të maces së tij, të cilën e do më shumë se gjithçka. Kryepersonazhi Padraic, të cilin e luan aktori Blin Mani, kthehet në shtëpinë e tij në ishullin Inishmore, ku mëson se macja e tij nuk është sëmurë, por është vrarë. Synon hakmarrjen. Vret katër njerëz dhe mace të tjera.
“Togeri i Inishmorit” flet për një gjeneratë të re të dhënë pas dhunës. Personazhet janë kryesisht të rinj dhe kjo e bën më të çuditshëm rrëfimin. Vetë shfaqja vendoset në një botë e rrethana të çuditshme. Është shfaqje e atillë që fatin e maces e vë para atij të njeriut.
Kryepersonazhi në një lloj forme duket se e sjell traditën e forcës fizike nga atje ku ka ushtruar veprimtarinë prej ushtari. Asgjë nuk është më e shenjtë se macja e tij. Madje as babai i tij, të cilin e sheh si të dyshuar për vrasjen e maces. Shpesh komikja përzihet me dhunën. Por qasja e regjisorit bën që të mos ketë fort vend për këtë të parën.
Regjisori Gjorgji Rizeski, i cili për herë të parë ka punuar me një trupë aktorësh nga Kosova, ka thënë se atë që vlerësohet si komedi e zezë, e kanë bërë të duket më serioze.
“Kjo është shfaqje shumë e famshme. Është luajtur në 49 gjuhë, por nuk është më ndryshe se të tjerat. Kjo është një lloj shfaqjeje që të bën të qeshësh, por ne e bëmë ndryshe, madje të kundërtën. Është një lloj kontrasti i lehtë”, ka thënë Rizeski për KOHËN.
Është shprehur i lumtur për mënyrën sesi ka rezultuar shfaqja në vënien e parë në skenë në teatrin “Adriana” në Ferizaj.
“Kjo është hera e parë që e kam drejtuar këtë shfaqje dhe me siguri se nuk do ta drejtoj edhe një tjetër herë. Kështu që misioni u kompletua. Kaluam mjaft mirë. E pamë se publiku e ndjeu energjinë nëpërmjet aktorëve. Është shumë e rëndësishme të shohim se aktorët e dashurojnë lojën në skenë. Kjo ishte shumë e rëndësishme sa i përket bashkëpunimit me ta”, ka thënë regjisori i njohur ndërkombëtarisht, i cili është shpërblyer me shumë çmime për punën e tij.
Rizeski u lind më 1991 në Shkup. U diplomua për regji të teatrit dhe ka përfunduar studimet specialistike në Dramaturgji në Universitetin e Arteve Audiovizuale - Akademia Evropiane e Filmit dhe Teatrit ESRA. Është i punësuar si regjisor teatri në Teatrin Kombëtar të Ohrit. Gjatë karrierës së tij, ai ka bërë regjinë e më shumë se 30 shfaqjeve që i kanë sjellë çmime të rëndësishme dhe ka marrë pjesë në shumë ngjarje, punëtori dhe festivale teatri në vend dhe jashtë tij. Ka të botuar po ashtu edhe një libër të titulluar “Shiko përtej syve të mbyllur”.

Sipas biografisë, prodhimet e tij janë moderne dhe të fuqishme, shfaqjet e tij i kanë krijuar atij një reputacion për vepra tronditëse dhe kontroverse me standard të lartë artistik. Ashtu sikurse të qenit regjisor i inskenimit të një shfaqjeje të McDonough.
Dhunë, krisma armësh, skena e fjalor eksplicit e shoqërojnë krejt shfaqjen. Skena e teatrit bëhet shpesh arenë dyluftimi midis karaktereve.
Aktori Arben Marevci ka thënë se shfaqja ka qenë krejt e veçantë nga ato të mëhershme, edhe për shkak të natyrës së shfaqjes e të regjisorit.
“Është një proces më ndryshe se herëve të tjera, jo pse regjisori është më i veçantë prej të tjerëve me të cilët kemi punuar. I ka ditur saktë kërkesat e tij prej ditës së parë dhe në atë formë kemi funksionuar. Shumë shpejt kemi kaluar prej provave të leximit në skenë. Kemi pasur mjaftueshëm kohë që secili ta realizojë rolin e tij. Sepse nuk është punë e thjeshtë. Edhe fizikisht kërkon angazhim. Secili duhet të merret edhe me skenografinë dhe rolin”, ka thënë Marevci.
E ka vlerësuar shfaqjen “Togeri i Inishmorit” si zgjedhje interesante e lexim ndryshe. Personazhet i ka konsideruar sfidues për t’u luajtur.
“Janë personazhe jo të zakonshëm, kanë shumë dhunë brenda vetes, janë goxha të egër si karaktere. Nuk mendojnë diçka tjetër pos vrasjeve, hakmarrjes që e kanë gjatë gjithë kohës në kokën e tyre. Tensioni brenda nesh na ka ndihmuar ndoshta të dukemi më të vështirë si personazhe, më kriminelë”, ka thënë ai më tej.
Krejt zhvillimet dramatike, ngjarjet trishtuese, komedia minimale dhe gjithçka tjetër, kanë veç një shkas: vrasja e një maceje. Aty zbulohet absurditeti i krejt dramës dhe se dhuna është tashmë e pakthyeshme. Në një moment Padraic përballet me Kristin, i cili e pengon vrasjen e babait të togerit.
Por ndonëse kapet, ngjan se shpirti luftarak i kryepersonazhit triumfon. Një re e madhe pluhuri e kaplon krejt skenën para se të nisë një seri e shkrepjeve me armë. Ndriçimi dhe muzika në këtë rast luajnë rol në shtimin e efekteve të dinamikes, krahas krismave të fuqishme të armëve.
Aktori Marevci ka thënë se janë munduar t’i minimizojnë këto lloj skenash, në mënyrë që mesazhi të shkojë te publiku nëpërmjet shfaqjes si tërësi.
“Jemi kursyer prej disa krismave më shumë që parashihen në shfaqje, shumë më shumë se kaq. Pikërisht për shkak të publikut që të mos shkaktojmë më shumë trauma. Në këtë rast me krisma, sepse ajo duhet të shkojë te publiku si ngjarje, jo të irritohet. Është proces më ndryshe prej shfaqjeve që kemi punuar më parë”, ka thënë aktori Marevci.
Ngjyrat e dashurisë ilustrohen në disa prej skenave ku luan aktorja Dora Xhemajli. Veçmas në fund, ngjan si një rrëfim i atillë që duket si përfundim i lumtur dashurie. Por nuk është. Kryepersonazhi shtyhet drejt vaskës ku vritet nga Mairead, të cilën e luan Xhemajli.
Aktorja Dora Xhemajli ka thënë se “Togeri i Inishmorit” ka qenë shumë interesante e sfiduese.
“Shfaqja ka qenë shumë më ndryshe prej çfarë jemi mësuar të shohim, shfaqje pak më horror. Nuk sjellin të tilla për shkak të kushteve dhe për shkak se njerëzit nuk munden të durojnë kaq shumë krisma, kaq shumë dhunë e skena eksplicite dhe ne e kemi paralajmëruar që shfaqja është +16 dhe duhet pasur kujdes”, ka thënë aktorja Xhemajli, derisa ka folur edhe për rolin e saj në shfaqje. “Është një vajzë e re që nuk ka dëshirë të jetë princeshë, por luftarake. Është pak problem të luhet sidomos kur vetë e ke karakterin pak më lozonjar. Është rol sfidues. Ka qenë sfiduese, por me ndihmën e regjisorit ka shkuar gjithçka mirë dhe jam shumë e lumtur që edhe publikut i ka pëlqyer”, ka thënë aktorja Xhemajli.

E ka konsideruar të jashtëzakonshëm bashkëpunimin me regjisorin Gjorgji Rizeski duke e theksuar profesionalizmin e tij.
“Unë personalisht kam luajtur në goxha shumë shfaqje, por të punoj me një regjisor kaq të ri që është kaq i përgatitur, nuk më ka ndodhur më herët. Kemi bërë prova për rreth një muaj e dy javë por aq mirë kemi kaluar, aq rrjedhshëm ka ecur procesi është dukur si një javë punë. Nuk jemi lodhur hiç, plus duke pasur parasysh që ka qenë shumë nxehtë”, ka thënë ajo në fund.
Rrëfimin e kanë projektuar edhe aktorët Mevlan Saraçi, Sherif Bega, Ali Krasniqi dhe Jajush Ramadani.
Skenografia ka qenë tjetër pjesë e veçantë. Një trekëndësh tredimensional lëvizës ishte gjithçka. Por ndërrimi i secilës faqe të tij shpalos një tjetër histori.
Vapa në sallën e teatrit “Adriana” ka qenë e vetmja “e metë” në premierën e shfaqjes me të cilën institucioni e mbyll sezonin.
Autori i shfaqjes, Martin McDonough, vitin e kaluar kishte akuzuar teatrot se kanë refuzuar të luajnë shfaqjet e tij sepse ai nuk do të lejonte ndryshimet në tekst. Në vitin 2006 ai kishte thënë për revistën “New Yorker” se shfaqja “Togeri i Inishmorit” (The Lieutenant of Inishmore) ishte vepër që do të mund të rezultonte në vrasjen e tij si autor i saj.
Teatri “Adriana” në shpjegimin për shfaqjen ka thënë se ajo është “një shfaqje që është censuruar në shumë teatro në vende të ndryshme të botës për shkak të dhunës së vërtetë”.
E kufizuar ka qenë mosha e audiencës për ta ndjekur këtë shfaqje. Nesër jepet repriza e parë e shfaqjes dhe e fundit para mbylljes së sezonit të teatrit “Adriana”.
Veç katër ditë pas premierës dhe dy pas reprizës së produksionit të teatrit “Adriana”, të martën shfaqjen e njëjtë do ta inskenojë edhe teatri i qytetit të Gjilanit nën regji të Shkëlzen Berishës.
Është një rrëfim i atillë që duhet përfundim i lumtur dashurie. Por ndodh krejt e kundërta. Vrasja e kryepersonazhit është drama e fundit.