Shtojca për Kulturë

Tirana postkomuniste më e hapur ndaj Hasan Kaleshit

Tani, me botimin e veprave të Kaleshit, si do të vlerësohen ato punime kritike të tij që demaskojnë historiografinë serbe për Kosovën që e ka botuar në serbisht, sikurse “Një Iluzion lidhur me kishën e Levishkës” në Prizren, që u botua në “Jedinstvo” më 01.01.1968? Me një letër të tij, e më këto dhjetë vëllime të veprave si dhe me konferencën ndërkombëtare për Kaleshin në Tiranë që është dashur të mbahet më 2 mars, është koha që kush ka kohë, të lexojë e të dijë më shumë për Kaleshin të cilin e humbëm dy herë: me vdekjen e tij të hershme dhe me vendimin e dikujt që ai të anashkalohet

Më 6 mars 2023 mbyllet “viti i Hasan Kaleshit” në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së tij (7 mars 1922 – 19 korrik 1976), i cili që nga dita e parë më 7 mars 2022 e deri në mars 2023, u karakterizua me shumë ceremoni e botime në Prishtinë e në Kërçovë dhe më në fund në Tiranë. Mirëpo, shtrohet këtu pyetja: ç’risi na solli ky “vit i Hasan Kaleshit” kushtuar dijetarit që për një kohë të gjatë u anashkalua me vendim të dikujt sepse gjoja “mbronte tezat serbe”, dhe sa qëndron mendimi se ai kishte “mbështetje të madhe të shtetit jugosllav”, pasi që ka punuar në Universitetin e Beogradit prej 1951 deri më 1965?

Themelues i Orientalistikës shqiptare

“Viti i Hasan Kaleshit” nisi më 7 mars 2022 me një takim përkujtimor në Degën e Orientalistikës të cilën e ka themeluar më 1973, e cila këtë vit feston 50-vjetorin e themelimit me një konferencë shkencore. Më 1973, kur Kaleshi e themeloi këtë Degë, ai ishte emër i njohur jo vetëm në Jugosllavi, por edhe në Evropë, SHBA, Turqi e Egjipt në sajë të paraqitjeve të tij në konferenca ndërkombëtare dhe punimeve të tij që botoheshin në gjuhët ndërkombëtare (gjermanisht, anglisht, frëngjisht etj.). Deri atëherë, në Jugosllavi ka pasur dy qendra të orientalistikës: në Beograd me orientim euro-centrik dhe në Sarajevë me orientim të përzier varësisht prej përkatësisë etnike (boshnjakë, serbë e kroatë). Kaleshi, ndonëse punoi një kohë të gjatë në Katedrën e Orientalistikës në Beograd 1951-1965, ai përfaqësonte shkollën filologjike gjermane në orientalistikën evropiane, e cila dallohet me kriteret shkencore pa ngarkesa ideologjike. Ndaj, me një përvojë të madhe, ai deshi më 1973 të themelojë një orientalistikë më ndryshe që dallohet prej asaj të Beogradit dhe të Sarajevës. Konceptin e tij Kaleshi e paraqiti qartë në Akademinë e Shkencave në Kajro më 1965 me rastin e pranimit të tij në atë akademi. Ndonëse procesi mësimor zhvillohej në dy gjuhët, në kohën e “vëllazërim-bashkimit”, vetë fakti se shumica e studentëve ishin shqiptarë, krijoi bazën për themelimin e një orientalistike të tretë, pra shqiptare. Ajo u ndie por nuk u shpreh si e tillë deri më 1999. Më vonë, një prej themeluesve të Degës, akad. dr. Feti Mehdiu, do të formulonte atë në një shkrim si “disiplinë shkencore në shërbim të albanologjisë”.

Pasi që në Shqipërinë e asaj kohe ideologjia sundonte mbi shkencën, nuk u shpreh ndonjë interesim për këtë disiplinë shkencore, kështu që Prishtina mbeti qendër e kësaj orientalistike shqiptare pas vdekjes së hershme të Kaleshit më 1976, duke vazhduar me atë frymë e duke dhënë kontribute të vlefshme, gjë që do të dëshmohet në bibliografinë e stafit me rastin e 50-vjetorit të Degës. Në këtë drejtim, disa bashkëpunëtorë të Kaleshit morën iniciativën për mbledhjen e botimin të veprave të Kaleshit në disa vëllime për të dëshmuar se shkenca nuk “anashkalohet” prej ideologjisë.

Mu në ditën e parë të "Vitit të Kaleshit”, kur u shënua fillimi i këtij viti në Degën e Orientalistikës dhe u shpall e u prezantua projekti për ribotimin e veprave të Kaleshit në disa vëllime dhe promovimi i tyre në Institutin Albanologjik më 30 prill 2022, dikujt nuk i erdhi mirë pasi që u mendua se Kaleshi u “anashkalua”. Kështu, me interesimin e ri që po shfaqet për Kaleshin, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës akad. Mehmet Kraja u paraqit në një intervistë në emisionin “Desku” të KTV-së më 7.04.2022 duke deklaruar se “Hasan Kaleshi u anashkalua në kohën kur ishte gjallë dhe pas vdekjes për një arsye të thjeshtë: ai mbronte tezat serbe për Kosovën”.

Përkundër këtij qëndrimi të kreut të Akademisë, kuptohet që nuk prezanton vetëm qëndrimin e vet personal, në ceremoninë e promovimit të katër vëllimeve të para të veprave të Kaleshit në Institutin Albanologjik në Prishtinë më 30 prill 2022, salla e madhe ishte përplot që tregonte qartazi se Kaleshi nuk u “anashkalua” dhe veprat e tij që po dalin tani tregojnë një opus shumë të gjerë dhe të pasur që arrin në nja 5000 faqe me tema origjinale që u bënë referenca për shumë studime në gjuhë të ndryshme.

 Akademiku i parë shqiptar

Ndonëse në In Memoriam që e botoi Mehmet Kraja në gazetën “Rilindja” më 21. 07. 1976 u përmend për herë të parë në shtypin e Kosovës se Kaleshi ishte akademik, përkatësisht anëtar i Akademisë së Shkencave në Kajro, ky aspekt sikurse nuk u mor parasysh fare me rastin e themelimit të Shoqatës së Shkencave dhe Arteve të Kosovës më 1975 ose të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës më 1978. Për një kohë u përmend se Kaleshi u bë anëtar i Akademisë së Shkencave në Kajro më 1967, por gjatë punës në përgatitjen e vëllimeve të veprave të Kaleshit doli se ai u zgjodh anëtar më 1965. Këtu vlen të përmendet se Akademia e Shkencave në Kajro ka peshë në mesin e akademive në Lindjen e Mesme. Ajo, e themeluar më 1933 me dekret të mbretit Fuad, kandidati i rilindësve për fronin e Shqipërisë, kishte me statut 50 anëtarë: gjysma egjiptianë e gjysma prej të huajve. Atë vit, më 1965, Hasan Kaleshi u pranua me orientalistë të njohur në Evropë: francezin Jacgues Bergue (1910-1995) dhe italianin Umberto Rizzatano (1913-1980). Kaleshi kishte një meritë tjetër: i pari dhe i vetmi që u zgjodh prej Jugosllavisë.

Kaleshi me rastin e pranimit, u paraqit me një fjalë që e mahniti audiencën në Akademi, pasi që e prezantoi konceptin e tij për orientalistikë që ishte krejt e ri për atë elitë. Ç’është e vërteta, në Lindjen e Mesme shikohej me rezervë koncepti i orientalizmit perëndimor, që e demaskoi Edward Said në librin e tij “Orentalism” që u përkthye në shumë gjuhë, e që merret me studimin e “tjetrit” të ndryshëm. Mirëpo, me paraqitjen e Kaleshit ai e prezantoi konceptin e vet për orientalistikë me të cilën merrej: në Kosovë e Maqedoni nuk është orientalistika studimi i “tjetrit”, por studimi i trashëgimisë së popullit tonë gjatë periudhës osmane.

Megjithatë, Kaleshi jo vetëm se nuk u përfill me rastin e themelimit të Akademisë, por edhe u anashkalua me vendim të pashkruar. Vërtet, kjo nuk kishte të bënte me shkencë, siç do ta paraqiste më vonë akademik Kraja, por me qëndrime personale e ideologjike. Kaleshi u paraqit atëherë me punime origjinale në konferenca ndërkombëtare dhe në revista shkencore në gjuhët e huaja, pra ai nuk shkruante për një rreth të ngushtë, me çka ai u bë emër i njohur jashtë Jugosllavisë, e jo vetëm jashtë Kosovës. Ai me atë vetëbesim kishte sjellje të tjera në raport me udhëheqësit politikë që përziheshin në institucionet shkencore për emërimin e “partizanëve”. Më kujtohet vetëm një rast në pranverën e vitit 1975. Ai u thirr për një takim me dekanin dhe doli prej zyrës kurse nuk vonoi shumë kur u kthye i shqetësuar. Tregoi se aty e gjeti Mahmud Bakallin, sekretari i Komitetit Krahinor të PKJ-së me pushtetin që e dinë ata që e kanë përjetuar atëherë. Ishte fjala për një intervenim për emërimin e një pedagogu në titull që nuk e meritonte në saje të “meritave” të tij si ish-partizan. Kaleshi e kishte refuzuar atë emërtim në forumet e Fakultetit, por tani u befasua me praninë dhe intervenimin e Bakallit. Nguli këmbë për refuzimin e emërimit të atij ish-partizani në thirrje të lartë pa doktoraturë, dhe në një moment tensionimi u ngrit dhe doli prej Zyrës së dekanit, duke përplasur fort derën. Kur arriti në zyrën e Degës, iu duk se do të kishte pasoja dhe i tha kolegut Feti Mehdiut që ishte në zyrë: “Ndoshta nuk është dashur të përplas kështu derën”

Kështu, Kaleshi jo vetëm se nuk u pranua në Akademi, por atje u mor vendimi për “anashkalimin” e tij me pretekst që bënte efekt atëherë, se ai “bashkëpunon me serbët” ose se ai “mbron tezat serbe” etj. Kjo u pa kur u vendos të hartohet “Fjalori enciklopedik i Kosovës”, që doli më 2019 në dy vëllime. Përkundër asaj që në Degë ka pasur akademikë e profesorë që e njohin mirë Kaleshin dhe veprat e tij, redaksia e angazhoi për zërin kushtuar Kaleshit mr. Jahja Hondozin, i cili vazhdoi punën e Kaleshit me lëvrimin e letërsisë shqip me shkronja arabe. Ndonëse u prezantua mirë me kontribute të ndryshme, në fund papritmas konstatohet se ai “kritikoi teza të historiografisë shqiptare lidhur me islamizimin, për çka ndërlidhet me teza të historiografisë serbe dhe turke” (vëll. II, fq.727).

Pikërisht këto fjalë, që dyshoj të jenë të autorit, i përsëriti kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja në intervistën e përmendur më 7.04.2022 duke arsyetuar “anashkalimin” e Kaleshit tha: “U anashkalua për një arsye të thjeshtë: ai mbronte tezat serbe për Kosovë”. Mirëpo, këtu nuk thuhet se këto “teza të historiografisë shqiptare lidhur me islamizimin” u hartuan në Tiranë me direktiva partiake gjatë regjimit komunist e ato kaluan në Prishtinë më vonë, kurse në Tiranën postkomuniste ato teza u lëkunden. Kështu, mu ai studim i Kaleshit – “Depërtimi turk në Ballkan dhe islamizimi: faktorët e ruajtjes së qenësisë etnike dhe kombëtare të popullit shqiptar” – u botua shqip në prag të 100-vjetorit të Kaleshit në revistën “Përpjekje” që editohet nga Fatos Lubonja i cili u shpreh shumë më ndryshe se akademik Kraja: “Botimi i këtij artikulli përmbush një detyrim të vonuar për pasqyrimin e një prej tezave më origjinale të hartuara nga një studiues shqiptar me përgatitje dhe talent krejt të rrallë”.

Tani me botimin e veprave të Kaleshit, si do të vlerësohen ato punime kritike të tij që demaskojnë historiografinë serbe për Kosovën që e ka botuar në serbisht, sikurse “Një Iluzion lidhur me kishën e Levishkës” në Prizren, që u botua në “Jedinstvo” më 01.01.1968?

Në krahasim me “Fjalorin enciklopedik të Kosovës", që e paraqet Kaleshin në këtë mënyrë ideologjike “në shërbim të tezave serbe për shqiptarët”, redaksia e Enciklopedisë së madhe në arabisht që e boton ALESCO (organizatë si UNESCO-ja, pranë Ligës arabe) me seli në Tunis më kërkoi një zë për Kaleshin për vëllimin e 31-të të Enciklopedisë, së paku me 1000 fjalë, gjë që tregon respektin e botës shkencore për Kaleshin.

Çfarë “mbështetjeje jugosllave” kishte Kaleshi?

Në intervistën e përmendur të kryetarit të ASHAK-ut, akademik Kraja thotë për Kaleshin se “ai kishte mbështetje të madhe të shtetit jugosllav, mbështetje shumë të madhe që diti ta përdorte”, që nënkuptonte lidhjet e tij me serbët derisa punonte në Katedrën e Orientalistikës në Universitetin e Beogradit prej vitit 1951 deri më 1965.

Por ç’nuk dihet, ose nuk dëshirohet të dihet është ajo se Kaleshi u pranua atje më 1951, sepse nuk kishte konkurrent dhe mbeti atje deri sa e mbrojti tezën e doktoratës në temën “Dokumentet më të vjetra të vakëfit në gjuhën arabe në Maqedoni”, e cila u prit mirë në qarqet shkencore në Evropë kur u botua. Mirëpo, përparimi i Kaleshit që u bë emër në orientalistikë në Jugosllavi e në Evropë në vitet ‘60 të shekullit XX ishte fryt i përkushtimit të tij të shkencor e jo nga “mbështetja e shtetit jugosllav”. Vetëm rrethi i ngushtë e dinte vuajtjen e Kaleshit me stagnimin e avancimit të tij në docent gjatë 1960-1965, në kohën kur kolegët e tij serbë avancoheshin me ndihmën e shefit të Katedrës prof. Fehim Bajraktareviq, i cili donte ta ruante pozitën. Si pasojë, hezitimi i shefit për nënshkrimin e raportit për avancim deri më 1965 nuk i la Kaleshit tjetër zgjedhje veç ta lëshojë Beogradin dhe Jugosllavinë e të shkojnë në Gjermani për qëndrim shkencor, ku ai participoi në prezantimin e shumë personaliteteve shqiptare në “Leksikoni bibliografik të Evropës juglindore” që u botua në München.

Për atë vendim të vështirë që ta lëshojë Katedrën, kemi një letër të Kaleshit drejtuar shefit, prof. Fehim Bajraktareviq më 15.04.1965, në të cilën kuptohet mirë se sa u prek Kaleshi dhe sa kishte vetëbesim e jo në “mbështetje të shtetit jugosllav”. Origjinali i letrës ruhet tek akad. Feti Mehdiu, i cili më dha leje vetëm ta citoj fragmentin e fundit pasi që ai do ta botojë më vonë. Kështu, Kaleshi pasi që trajton shumë anime të shefit për kolegët serbë në Katedër dhe shpreh vendimin e vet për lëshimin e punës konkludon në fund: “Unë, me të vërtetë nuk di se çka do të bëhet me mua, por një është e sigurt: do të mbetem fisnik dhe i vendosur, kurse ndikimi im në orientalistikën jugosllave do të rritet. Kurrë nuk kam qenë kaq i vendosur, që edhe më shumë të punoj, sikurse tash. E vetmja gjë që më vjen keq, këtë po e përsëris edhe një herë, që kjo çështje të vijë deri te kjo, sepse babai im, rahmet pastë, vazhdimisht më ka mësuar që t’i nderoj profesorët e mi, pavarësisht a kam mësuar unë ndonjë send prej jush apo jo”.

Me këtë letër të Kaleshit, e më këto dhjetë vëllime të veprave të tij që hapin rrugë për ndërmarrje të tjera në Shkup – me botimin e librit të Irfan Morinës “Jeta dhe vepra e Hasan Kaleshit dhe të tjera së shpejti – si dhe me konferencën ndërkombëtare për Kaleshin në Tiranë që është dashur të mbahet më 2 mars 2023, por u shty për disa javë me kërkesën e pjesëmarrësve prej Turqisë për shkak të tërmetit, është koha tanimë që kush ka kohë, të lexojë e të dijë më shumë për Kaleshin që e humbëm dy herë: me vdekjen e tij të hershme dhe me vendimin e dikujt që ai të anashkalohet.