Shtator, 1990: Kosova në gjendje shtetrrethimi dhe e okupuar nga Serbia, një rrogë e shpenzuar në “Walkman”. Tetor, 1991: Edhe në Prishtinë u gjet kaseta me titullin “Simply the Best”. Viti 2000: Kosova po e shijonte vitin e parë e të jetuarit në liri, Tina Turner, tashmë ishte bërë pjesë e historisë. Maj, 2022: Takimi me “Tina Turnerin” në Broadway. 24 maj, 2023: Lajmi për vdekjen Tina Turnerit në telefon të mençur dhe jehona e “The show must go on!”
Ishte fundi i 1990-s, dhe Kosova në gjendje shtetrrethimi dhe e okupuar nga Serbia. Pas grevës së 3 shtatorit, të gjithë ne të punësuarit në sektorin publik, prisnim vetëm ditën kur dikush do të na shpallte “tepricë teknologjike” e të na dëbonte nga puna.
Rrogën, për të cilën hamendësoja se do të ishte e fundit, vendosa ta shpenzoja të tërën për ta qerasur veten duke i blerë dy pajisje që kishin të bënin me kaseta: një “Walkman” për të dëgjuar muzikë dhe një VCR, demek video, për të shikuar filma në versionin më pirat që ke mundur t’i gjeje kudo.
Gjysmë muaji më vonë, mbeta pa punë. Tash mund t’i haja pajisjet bashkë me kasetat.
Po mirë, në kohë krize, njeriu pashpjegueshëm merr fuqi për të mbijetuar, dhe e gjen mënyrën për t’ia dalë mbanë. Kosova gjeti shumë mënyra mbijetese, e njëra nga to qe edhe shitja e kasetave muzikore. Çudia ishte se nuk dihej as nga vinin e edhe më çudi se, megjithatë, gjendeshin myshterinj të mjaftueshëm për t’i blerë, sado simbolik që e kishin çmimin.

* * *
Nga tetori i 1991-s, posa e dalë në tregun ndërkombëtar, edhe në Prishtinë u gjet kaseta me titullin “Simply the Best” e këngëtares Tina Turner. “Walkmanit” tim të shkretë ia sigurova edhe bateritë nikel-kadmium me mbushës, që të mund të rimbusheshin, sepse ndryshe nuk kishte “takat” për më shumë se tri “lëshime” të 17 këngëve që i përmbante përmbledhja. Për shijen time, Tina thjesht shënoi “goditje” – pas thuajse një dekade në kërkim të vetes, me një sërë këngësh të huazuara nga këngëtarë të tjerë, por që u bënë hite vetëm atëherë kur i interpretoi ajo.
Kishte shtatë vjet që ishte rikthyer në skenën muzikore, pas një pauze të konsiderueshme. Brezi para timit e mbante mend si një këngëtare me zë të fuqishëm, që këndonte rock&roll së bashku me bashkëshortin e saj, Ike Turner.
Nuk e besonte kush se do të mund të arrinte ndonjë sukses si soliste. Sidomos jo pasi që i kishte ndarë rrugët e dhunshme me “zbuluesin” dhe mentorin e saj.
Më 1984 editoi albumin “Private Dancer” dhe për të i fitoi disa “Grammy”, përfshirë edhe atë për solisten e vitit. Me këtë elan, e provoi veten në film, si aktore në njërin vazhdim të filmit “Mad Max” në krah të aktorit më të famshëm të kohës, australianit, Mel Gibson. Nuk është që kush do ta ketë mbajtur mend aktrimin e saj, porse të gjithë e mbajtën mend superhitin “We Don’t Need Another Hero”, që ishte edhe tema muzikore e filmit.

* * *
Vazhdoi të prodhonte këngë me më shumë ose më pak sukses dhe nisi të mbante turne e koncerte nëpër botë. Tashmë kishte rizbuluar dashurinë, me një njeri të bardhë dhe 17 vjet më të ri se ajo. Ishte 47 vjeç, porse dukej shumë më e re se që kishte moshë.
Kishte energji të pabesueshme të cilën e derdhte në secilën skenë ku paraqitej me koreografitë e ushtruara. E fitoi vetëbesimin të cilin e kishte humbur në martesën e parë. E vlerësoi se pos zërit kishte edhe trup për të treguar, sidomos këmbët, që dinin t’i merrnin mendtë me ritmin që e impononin. Aq, sa në kulm të karrierës i siguroi këmbët në vlerë prej 3.2 milionë dollarësh.

* * *
Më 1993, Kosova tashmë vuante nga represioni i gjithëpërhapur. Me mijëra njerëz e kishin braktisur vendin, për mungesë perspektive, e me mijëra të rinjsh i iknin detyrimit ushtarak, ngase ish-shteti tashmë ishte futur në vorbullën e luftës. Nuk donin ta luftonin luftën e huaj.
Për ne që kishim mbetur, nuk kishte më asnjë gjë që mund të quhej aktivitet kulturor. As kinema. Edhe ajo ishte segreguar.
Por, kjo nuk nënkuptonte se do të mbesnim pa i përcjellë të gjithë filmat që i prodhonte industria filmike, sidomos ajo amerikane.
Nuk e di se kush i pari i kishte zbuluar, porse përnjëherë u mbushëm përplot me video-klube, ashtu i quanim, që kryesisht ishin vendosur nëpër bodrume e garazhe. Merrnim videokaseta me qira, shikonim filma, i kthenim prapa.
Mirëmbajtja e videove ka qenë “mesele” më vete – duhej pastruar koka, ngase kasetat bartnin pluhur dhe shpesh dinin të shkaktonin “kracere”. Pra ndonjëherë s’kishte as imazhe e as zë. Prandaj, disi duhej ndenjur kujdestar për ta marrë filmin e ri posa të vinte në videoklub.

I tillë ishte edhe “What’s Love Got to do With It” – filmi i realizuar në bazë të autobiografisë së Tina Turnerit, “I, Tina: My Life Story”, në regji të britanikut Brian Gibson.
Do të ishte një nga filmat e rrallë ku shumica absolute e aktorëve ishin të zezakë dhe një nga ata rrallë filma ku zezakët paraqiten njerëz si krejt të tjerët me përvojat e mira dhe të këqija të jetës. Si gjithkush tjetër.
Titulli tregonte se rrëfimi kishte të bënte me Tina Turnerin. Ishte kënga e saj ajo e cila e kishte kthyer në jetë dhe i kishte hapur horizonte të reja.
Whitney Houston kishte qenë e përzgjedhura për rolin. Në fund, nuk do ta luante, sepse ishte para lindjes së vajzës saj të vetme. Hisja që ta personifikonte, do t’i binte aktores Angela Bassett, ndërkohë që Ike Turnerin do ta luante Laurence Fishburne.
Në njërin prej aktrimeve më mbresëlënëse që mbaj mend nga ajo kohë, Bassett luajti me aq emocion dhe aq bindshëm, sa që edhe simulimi i këndimit (këngët i këndoi vetë Tina Turner) dukej si të mos ishte i tillë. Bassett e fitoi “Globin e Artë”, kurse së bashku me kolegun Fishburne, u nominuan për “Oscar”, për rolet kryesore.

* * *
Në vitin 2000, Kosova po e shijonte vitin e parë e të jetuarit në liri. Ndërkohë, në moshën 61-vjeçare, pas një karriere e jete të bujshme, Tina Turner zyrtarisht po tërhiqej nga skena, me turneun “Tina! 50th Anniversary Tour”.
Kishte arritur të editonte një numër të madh albumesh, bashkë me Ikeun dhe më pas edhe vetë. Kishte arritur të thyente rekorde shitjeje me albumet e saj, që mbërrinin edicion platini.
Bashkëpunoi me muzikantët më të famshëm e më të mirë të botës dhe madje e kishte kënduar temën kryesore të njërit nga filmat e James Bondit (GoldenEye).
Tashmë ishte bërë pjesë e historisë.

* * *
E lumtur me partnerin e saj gjerman, bashkëjetonte me të në Zvicër që nga 1995-a. Më 2013, u kurorëzuan, kurse pak kohë më pas, do të merrte shtetësinë zvicerane dhe do të hiqte dorë nga ajo amerikane. Pjesën tjetër të jetës do ta identifikonin si shtetase zvicerane.
Më 2015, bashkëshorti i saj Erwin, do të niste me realizimin e një ideje të menduar prej kohësh: krijimin e një mjuzikëlli që do t’i kushtohej Tina Turnerit, të quajtur thjesht “Tina”.
Do t’i kontaktonin producentët në Evropë dhe tre vjet më vonë, më 2018, në Londër, do të shfaqej premiera e mjuzikëllit. I pranuar shkëlqyeshëm nga publiku. Do t’i thyente rekordet e shikueshmërisë në West Endin e Londrës, ku ende shfaqet, dhe së shpejti do të bartej në Broadway. Premiera amerikane do të ndodhtë më 2019 dhe do të shfaqej deri në gusht të 2022-s, me një ndërprerje të detyrueshme njëvjeçare për shkak të pandemisë.
E, produksioni i kësaj shfaqjeje është rrëfim më vete. Sikurse edhe vetë ambienti ku zhvillohet.

* * *
Broadway.
Për të mbërritur deri te “Lunt-Fontanne Theatre”, duhet kaluar nëpër sheshin “Times Square”. Aty thuajse përherë është sikur të ishte nata e Vitit të Ri. Me mijëra njerëz lëvizin lart-poshtë, marrin poza e fotografohen, ose thjesht ulen e pushojnë. Ecja nëpër rrugët e New Yorkut ta humbë nocionin e distancës. Në fund të ditës, janë këmbët ato që e ndezin alarmin.
Një rrugë e gjerë, sikurse janë shumica në Manhattan, të bëhet ngushtë kur hyn në rrjedhën e masës që “lundron” drejt teatrove që pos shfaqjeve të rregullta në mbrëmje, kanë edhe edicione të matinesë përgatitur për fundjavë.
Teatri, i projektuar në stilin “Beaux Arts” (me simetri, formë nga renesanca italiane dhe me elemente dekorative greko-romake) ka pësuar ndryshime me kalimin e viteve. Objektit origjinal i ka mbetur një fasadë e vetme që e dallon dhe që njëkohësisht e bën shenjë identifikuese e New Yorkut. Dhe nuk ke si ta humbësh: prej larg shihen pankartat e mëdha që e shpalosin shfaqjen, e me të edhe teatrin.
Hyrja në objekt lë përshtypje. Qasja për në objekt dikur kishte qenë parkingu i karrocave me kuaj, është e gjerë dhe ka rend. Vjet në këtë kohë, nuk mund të hyhej pa maskë, sepse ende ishin kufizimet shkaktuar nga pandemia. E kemi për shëndetin tonë, ta thoshte mendja, ngase salla ka rreth 1500 ulëse.
Objekti origjinal kishte qenë i frymëzuar në teatrin shekspirian londinez “Globe”, emrin e të cilit e kishte bartur shumë vjet. Më vonë do t’i ndërrohej emri, dhe do t’i kushtohej çiftit të aktorëve teatrorë Alfred Lunt dhe Lynn Fontanne.
U ndërtua më 1910. U rinovua më 1958. Dhe ende frymon si nga mesjeta e vonshme. Shumë rokoko gjithandej, përfshirë edhe vetë sallën brenda.
Një palë shkallë çojnë nga qasja në sallë që ka dy nivele – pjesa e poshtme më afër skenës dhe me bileta më të shtrenjta. Pjesa e sipërme me rende të gjata me nja 20 a kush e di sa karrige, që ta komplikojnë daljen në rast urgjence. Nuk lejohet xhirimi me telefon dhe kjo kontrollet për së afërmi nga një sërë personash të uniformuar, kryesisht gra, që gjatë gjithë shfaqjes thuajse, qëndrojnë këmbë.
* * *
Me të hyrë në sallë e kupton se e bën pakicën mes publikut: shumica dërrmuese e publikut janë zezakë. Asgjë e jashtëzakonshme do të thoshte dikush, por, kështu nuk kishte qenë dy net më herët në Metropolitan Opera House... aty publik kishte të të gjitha racave dhe prej të gjitha anëve të botës.
Nuk po di, mbase është lloji i muzikës ai që e përcakton edhe publikun. E ndoshta edhe vetë Tina, për të cilën bëhet fjalë. Si simbol, se fama e suksesi janë të arritshëm edhe për dikë të lindur në një vend të quajtur Nutbush, e që mezi gjendet në hartë.
Ulemi nëpër kolltukët e gjerë, mbështjellë me plish blu. Fiken dritat. Nis akti i parë. (në kllapa janë titujt e këngëve që ekzekutohen)
Anna Mae Bullock, një vajzë e hollë, e gjallë, këndon me sa fuqi ka në kishën e komunitetit, ndërkohë që nëna e saj Zelma ankohet për këtë (“Nutbush City Limits”). Prindërit e Anna Maeit e kalojnë jetën duke u fjalosur dhe Zelma e braktis shtëpinë me vajzën e madhe Allinen. Anna Mae e vogël mbetet nën përkujdesjen e gjyshes Gran Georgeanna.
Pas disa vjetësh, e ëma e fton që t’u bashkohet në St Louis, dhe e inkurajuar nga gjyshja, ajo shkon (“Don’t turn around”). Motra e njofton me jetën e natës (“Shake a Tail Feather”) dhe këtu takohet me Ike Turnerin dhe grupin e tij, “Kings of Rhythm” (“The Hunter”). Një natë, Anna Mae i bashkohet Ikeut në skenë për të kënduar (“Matchbox”). I mahnitur, Ike do ta bindë Zelman se Anna Mae duhet t’i bashkohet grupit ("It's Gonna Work Out Fine").
Ikeu vendos t’ia ndërrojë emrin dhe ta quajë Tina Turner. Kjo kundërshton, por në fund pajtohet, duke iu frikësuar temperamentit të tij vrullshëm (“A Fool in Love”). Ndërkohë, ajo nis romancën me Raymondin, anëtarin e grupit (“Let's Stay Together”). Pas një turneu të suksesshëm, Ike i kërkon Tinës të martohet me të. Kjo pajtohet edhe pse bart fëmijën e Raymondit, ndërkohë që ky i fundit e braktisë (“Better Be Good to Me”). Tina do të vazhdojë të performojë me gjithë mosbesnikërinë, dhunën dhe shterjen fizike të sajën, meqë e lind edhe fëmijën e tyre të përbashkët (“I Want to Take You Higher”). Menaxherja e udhëtimeve të Ikeut, Rhonda Graam, e këshillon Tinën që ta lërë, por kjo refuzon.
Ikeu arrin marrëveshje me Phil Spectorin, producent, por hidhërohet kur ky i fundit e do incizimin vetëm të Tinës (“River Deep Mountain High”). Ike nuk mund të pajtohet me faktin se kjo mund të shpërthente si solo artiste dhe gjatë një fjalosjeje, nis ta godasë djalin e saj, Craigun. Tina vendos të ikë, por Ike i kërkon falje dhe e bind të qëndrojë (“Better be Good to Me”). E dëshpëruar, Tina e pi një kuti hapash për gjumë dhe përfundon në spital. Prej aty, Ike e nxjerr dhe e detyron të performojë (“Proud Mary”). Në prapaskenë, Tina dhe Ike e nisin edhe një fjalosje të dhunshme, e cila asaj ia mbush kupën. E mavijosur dhe e gjakosur, shkon në një hotel, dhe e lut recepsionistin që ta lejojë të qëndrojë aty, duke i premtuar se do ta paguajë më vonë, meqë nuk ka para (“I Don't Wanna Fight”).
Perdja nuk bie, edhe pse akti i parë përfundon. Skenografia është asisoj e paraparë, saqë me vetëm katër-pesë elemente që i lëvizin vetë aktorët në skenë, krijohet atmosfera e veçantë në secilën shkëputje a këngë. Mahnitëse.
* * *
Pauza 15 minutëshe nuk të mjafton as për të shkuar në tualet... rreshti i gjatë sa s’dihet... prandaj më mirë një këmbim llafi para se të fillojë akti i dytë dhe i fundit.
E çliruar, Tina shkon në Las Vegas për të performuar, së bashku me Rhondën që tash është bërë menaxherja e saj. E kanë shumë të vështirë, ngase askush nuk do të lidhë kontratë me një artiste zezake afër të dyzetave. Për ta bërë më zor, Ike e ka mbajtur të drejtën e autorit mbi të gjitha këngët nga “Ike & Tina Revue”, duke ia mohuar mundësinë që kjo t’i këndojë (“Private Dancer”). Në kërkim të mundësive, e çojnë një kasetë të incizuar te Roger Davies, një producent i ri muzikor australian, adhurues i Tinës. Rogeri shkon në Las Vegas për ta parë Tinën “live” (“Disco Inferno”) dhe i propozon që t’i bëhet menaxher. Rhonda ndihet e anashkaluar. Tina e bind se ka nevojë ta bëjë një ndryshim në jetë dhe se Rhonda i duhej më shumë si motër sesa si menaxhere (“Open Arms”).
Tina shkon në Londër për të incizuar në kompaninë e Rogerit. Aty e takon Erwin Bachun, një producent muzikor. Tina do që të këndojë rock dhe nuk pajtohet me këshillat e Rogerit (“I Can't Stand the Rain”). Erwini i ofron prehje.

Tina nuk pranon më të bëhet kukulla e askujt. E vetëm, e ka një vegim: e sheh veten e vogël me gjyshen që e ka rritur dhe që i jep kurajë (“Tonight”). Pavarësisht audicionit të suksesshëm, shtëpia diskografike ende refuzon të nënshkruajë kontratë me të, për shkak të ngjyrës së saj të lëkurës. Rogeri atëherë vendos që të organizojë turne në SHBA, kurse Erwini e lut të qëndrojë në Londër me të. Ajo e refuzon. Kënga e re e Tinës shënon sukses të jashtëzakonshëm (“What's Love Got to Do with It?”) dhe Capitol Records kërkon që të nënshkruajnë kontratë. Ajo pranon, por vetëm sipas kushteve të saj.
I vjen motra për t’i treguar se po iu vdes nëna. Tina shkon te Zelma në spital dhe aty e gjen edhe Ikeun. Zelma përpiqet t’i pajtojë; Tina kërkon që Ikeu t’i kërkojë falje, por ky nuk e bën dhe largohet. Nënë e bijë kanë një përballje emocionale, pas së cilës Zelma vdes. Tina dhe Alline e vajtojnë nënën e tyre (“We Don’t Need Another Hero”).
Ndërron skena brenda çastit. Aktorja kryesore ndërron kostumet dhe ngjitet shumë lart në skenë... Derisa Tina përgatitet për një koncert para 180 mijë shikuesve në Brazil, shfaqet Erwini. Pajtohen.
Tina del në skenë, ovacionet ushtojnë në çastin kur aktorja që e personifikon Tinën, Nkeki Obi Melekwe, e këndon këngën ikonike (“The Best”).
Publiku çohet në këmbë... këndim krejt me një zë... “Tina” e orkestra ndalen: publiku këndon “a capella” pa e humbur ritmin në asnjë çast të vetëm... vazhdojnë të gjithë së bashku deri në fund. Përfundon kënga, dhe ovacionet shpërthejnë mes publikut... është ngazëllim autentik, përcjellë me fishkëllima e britma e urata... duart skuqen, ënjten nga të rrahurat, po nuk ndalen, derisa “Tina” bashkë me ansamblin nuk dalin për të dytën a tretën herë.
Nuk mbaron këtu – pason bisi me dy këngë “Nutbush City Limits” dhe “Proud Mary”.
Fiken dritat në skenë, ndizen ato në sallë. Veshët ushtojnë, ndërkohë që në dalje e sipër, secili këndon më vete ndonjërën nga këngët që i kanë mbetur në veshë nga shfaqja. Unë mbes me “What’s Love Got to do With It”. Dalim prej teatrit. Thuajse kishim qëndruar në një dimension tjetër.
* * *
“Tina” vazhdon të performohet në Gjermani, Holandë, Spanjë, Australi... kurse në SHBA, pas afro 500 shfaqjeve në Broadway, ka nisur turneun e madh në Amerikën Veriore që do të zgjasë disa vjet. Që nga shtatori i vjetëm, trupa i ka vizituar mbi 40 qytete dhe nuk dihet ende edhe sa shfaqje do të mbahen.
Ueb-faqja e produksionit e ka edhe një përmbajtje të veçantë. Është promovimi i bizneseve me pronarë zezakë, në të cilin aktivitet marrin pjesë ansambli, ekipi kreativ dhe producentët e mjuzikëllit. Qëllimi është që të krijohen më shumë mundësi për komunitetin afro-amerikan në shoqëri gjithandej.
* * *
Është viti 2023 dhe Kosova ka 15 vjet që është e pavarur.
Tash kam telefon të mençur, punon pa kaseta, dhe më dërgon porosi kur ndodh ndonjë lajm nëpër botë. Një natë u dridh telefoni. BBC lajmëronte se Tina Turner kishte vdekur, në moshën 83-vjeçare.
Po atë mbrëmje mbahej edhe një shfaqje e “Tinës” në Londër. Nuk u anulua, përkundrazi. Në shenjë nderimi për të, trupa i ra shfaqjes deri në fund. Ashtu siç do të donte edhe ajo vetë: “The show must go on!”