Në koordinatat e vrojtimit brenda natyrës apo natyrave të ndryshme njerëzore operon shfaqja “Ditëlindja” (“Djali im veç ec pak ma kadale”) e Ilrjana Arifit sipas tekstit të Ivor Martiniqit (përkthyer nga Rebeka Qena), e cila u dha këto ditë në teatrin “Dodona” në Prishtinë
Teatri operon në tehun e jetës të mprehur nga tragjikja dhe komikja, aty ku rri natyra njerëzore, e cila pyet dhe kërkon përgjigje. A po zvetënohet njeriu nga natyra e vet, i dhënë pas kërkimit të diçkasë tjetër, e cila vetëm në mendje mund t’i vijë, sepse kemi ikur aq larg nga vetvetja dhe nuk takohemi dot me fatin përveçse në ditëlindje, si një moment kur jeta dëshiron të marrë një impuls të ri, duke bërë një rishpalosje të deriatyshmes për një të nesërme të pasigurt. Në këto koordinata vrojtimi brenda natyrës apo natyrave të ndryshme njerëzore operon shfaqja “Ditëlindja” (“Djali im veç ec pak ma kadale”) e Ilrjana Arifit sipas tekstit të Ivor Martiniqit (përkthyer nga Rebeka Qena), e cila u dha këto ditë në teatrin “Dodona” në Prishtinë.
Nëna – sensor që detekton jetën
Nëna Mia (Rebeka Qena) bën përgatitjet për festën e ditëlindjes së 25-të të birit Denisit i mbetur në karrocë invalidore. Duke medituar për fatin e të birit, ajo tund me lot materialin për tortën dhe sikur e tund jetën për të nxjerrë në sipërfaqe ndonjë të fshehur, e cila mund t’ia thotë të vërteten në raport me djalin, veten dhe familjen në përpjekje për të gjetur shtyllën morale për t’u mbajtur në jetë. Ajo ka dhe nuk ka bashkëshort, mungesa ia forcon sensorët që detektojnë jetën, derisa nëna e saj Ana (Bibi Qena) e projekton veten në marrëdhënie me burrat që kurrë nuk i ka pasur, babai (Bislim Muçaj) një burrë i cili hyn e del nga shtëpia përhumbshëm, i heshtur, i shtrydhur dhe thuaja i dehidruar nga jeta emocionale. Të dy këta i rëndon pesha e pleqërisë, përkatësisht harresa si një vakuum që duhet mbushur me diçka qoftë edhe me gabimet që po tunden në tortën e dilemave.
Shumëçka në këtë dramë familjare është qëllimisht e fryrë si balonat e ditëlindjes për të stigmatizuar humbjen e oreksit për jetën duke nxjerrë në pah dilemën e madhe, e cila përmblidhet në konstatimin: a mos jeta qenka vetëm një meditim dëshirash për një rrugë që nuk e kemi shkelur kurrë?
Denisi i mbetur në karrocë, edhe pse i handikepuar, bart një optimizëm për jetën ushqyer me dëshirën e nënës “se një ditë do të mund të ecë në këmbët e veta” shoqëruar me buzëqeshjen dashurore të Sarës, në dukje naive por e çiltër dhe e sinqertë, që i vjen si urim apo ngushëllim për ditëlindjen e 25-të.
Vajza çapkëne Doris (Florenta Bajraktari) si një produkt i jetës virtuale, e humbur në shumësinë e komunikimeve, përpiqet të gjejë një grimë emocion te mesazhi i dashnorit.
Të gjitha personazhet e shfaqjes, thuaja se, janë reflekse pyetësore për jetën, përmbajtjen apo jo të saj, zvetënimin, improvizimin e të qenit pjesëmarrës aty ku ke munguar, te kuptimet e fshehura të natyrës njerëzore dhe hiçi të cilit i jep emër pleqëria në përpjekje për të njomur të thatën, të stërkequrën (ilustrohet me Ritën, personazh të cilin e interpreton Sheqerie Buqaj)
Në perceptimin e parë, shfaqja tematikisht duket defetiste, deprimuese anti-jetë, absurd, por pikërisht aty ku ka rrezik të normohet absurdi gjendet pikëmbështetja e jetës, tek e vërteta e cila duhet të thuhet dhe të pranohet ashtu siç është. Përpjekja për diçka tjetër shpesh nuk kapet me fjalën që nganjëherë gabimisht e emërtojmë si ndryshim e është refresh, siç na thotë virtualja.
Jeta është bërë aq tepër stresante dhe eksplicite, sa nuk po e duron më as vetveten. Ajo do që të shprehet ashtu siç është, të mos lejojë që tundimet të derivojnë në vetëshkatërrim të shpresës të projektuar si dëshirë, pa harruar se në drejtim të kundërt vjen dikush me dëshirat e tij, andaj na duhet harmonia, pranimi dhe durimi.
Përndryshe, “shpresa” shpërbëhet sikurse materiali për tortën e ditëlindjes së djalit nga dora e nënës, edhe pse pa dëshirën e saj.

Mungesa e dashurisë dhe sallata e kondomëve
Festa në shfaqjen “Ditëlindja” nuk është kulmi i gëzimit është argumenti i boshësisë dhe përpjekja për të gjetur fijen e barit te gjelbër në luadhin e zverdhur të jetës, na thotë Ilirijana me shfaqjen “Ditëlindja”.
Sintagma “veç të ish-dashuruar” është dëshirë dhe nostalgji për një kohë tjetër kur dashuria ishte dedikim intim, e jo deklaratë publike, virtuale.
Parqet janë bërë arenë e dashurisë, thotë Rita (Sheqerie Buqaj) apo kontejner prezervativësh të cilët njëpërdorimin e kanë shprehje dhe si të tillë, janë pengesë, janë mbytje e jetës. E jeta do frytnim me dashurinë e cila ka ikur dhe po banon diku me qira, ushqyer me një sallatë kondomësh në pjatën e epsheve me ndjenja të amputuara (lexo korruptuara).
Andaj “Veç të ish-dashurue” tingëllon si thirrje apokaliptike për mungesën e dashurisë, si bubullimës shiu. Kjo sintagmë bëhet moto e shtjellimit skenik të dramës së Ivor Martiniqit, andaj regjisorja Ilrijana Arifi duhet vlerësuar pikë së pari për zgjedhjen e këtij teksti i cili kap aktivisht kohën të cilën po mundohemi ta përmbajtjesojmë duke kërkuar fajin që e mbajmë brenda vetes.
Regjisorja Arifi kishte përzgjedhur një kastë të mirë të aktoreve dhe aktorëve, duke i bërë një lexim regjisorial “të pahetueshëm” me një organizim të mizanskenës, të ambientuar në funksion të kompozicionit të shfaqjes ku funksionalizoheshin edhe përbërësit e tjerë të produksionit: skenografia, kostumet (Theranda Sertolli) dhe sidomos ndriçimi (Skender Latifi).
Regjisorja me gjuhë regjisoriale të kuptueshme, me ndjesi të theksuar ku aktori e personazhi thuaja njëjtësohen në veprimin skenik, insiston të gjurmojë jetën e munguar, dramën e ndrydhur brenda shpirtit, e cila pastaj kur shpërthen prek dimensione që shkojnë përtej individit dhe bëhen shenja të gjendjes së një shoqërie deri tek organizimi i shtetit si një refleksion i familjes.
Aktrimi në shfaqje ishte spontan, jo i sforcuar, i mirë motivuar me një natyrshmëri thuaja dokumentare, e cila na bën që të besojmë dhe njëkohësisht na e aktivizon mendimin për personazhet të cilat veprojnë brenda një labirinthi, në të cilin futemi të gjithë, si njerëz me shpresa të thyera, por që megjithatë, duan që jetën ta nxjerrin prej aty.
Personazhe të shartuara mirë në lojën e aktorëve
Argument i lojës së mirë është çifti skenik, Igballe Qena e Rebeka Qena, të cilat marrëdhënien komplekse nënë-bijë e zbërthejnë me interpretim plot amplituda emocionale, pastaj Sheqerie Buqaj (Rita) në një personazh tejet ekspresiv që valorizon hirin në zjarr, derisa zjarrin e frenon me një elegancë me shprehje verbale dhe të trupit për të nxjerrë rrënjën katrore të karakterit të saj të dyzuar.
Veçohet sidomos Rebeka Qena e cila me sondën e saj interpretuese fotografon thellësi emocionale për të gjetur zbrazëtinë, kutinë e zezë të emocionit, mungesën e lëngut jetësor në përpjekje të jetësojë dëshirën për të birin të cilin do që ta shohë duke ecur ashtu siç i ndien hapat e tij në shpirtin e saj.
Ajo e kishte shartuar mirë personazhin duke na e dhënë artistikisht emocionin e ndrydhur në shpirt dhe si një bombë e tempuar me tension, shpërthen në pyetjen: “Çka është jeta?”, drejtuar babait (Bislim Muçaj) i cili i përgjigjet duke mos u përgjigjur me mimikë miniaturiale, dhe pa e thënë asnjë fjalë plason te spektatori dilemën esenciale të shfaqjes, si duhet ecur në jetë për të mos marrë n’thu në vetveten.
Ngarkesa emocionale e kësaj skene emblematike ishte si një ventil shkarkues për gjithë çka ishte akumuluar deri aty, skenë e katarsisit e cila afishoi artistikisht të thënmen e shfaqjes, si mesazh dhe provoi aktrimin brilant të Rebekë Qenës dhe Bislim Muçajt.
Edhe Igballe Qena përmes personazhit të saj kompleks (jeta në harresë) i jep shfaqjes energji dhe dinamikë, duke dëshmuar se aktorët nuk kanë moshë tjetër përveç moshës artistike.
Aktorët e rinj, Labinot Raci në rolin e Denisit, Florentina Bajraktari në rolin e Dorisit si dhe Alketa Sylaj në rolin e Sarës, ishin të natyrshëm dhe imponues me interpretimin e tyre deri në thjeshtësinë e duhur.
Urimi për ditëlindje si motiv për ndryshim
Shfaqja në tërësi imponoi me emocione të fuqishme provokuese të dozuara me masë, me temporitmin e duhur, përfshirë këtu dhe konvertimin e dramës duke e riambientuar vendngjarjen në këtë kuadër edhe ndryshimin e emrave të disa personazheve dhe heqjen e disa të tjerëve.
Sado i kuptueshëm dhe i ndërtuar mirë mesazhi, përmes fotografisë emocionale të nënës e cila e përjeton ecjen e djalit në skenën e fundit të shfaqjes, megjithëse skena duket si e konstruktuar sa për ta nxjerrë titullin e shfaqjes, edhe pse kjo nuk e cenon nivelin artistik të saj.
Mos harroni t’ia uroni ditëlindjen e 25-të të Denisit, ndoshta pikërisht urimi juaj përmban motivin për ndryshim...shkoni shikojeni shfaqjen, do të keni tundim për të reflektuar mbi pyetjen çka është jeta në kontekstin e familjes dhe tutje shoqërisë e cila po ndryshon.