Nga materialet dhe dokumentacioni, të shfletuara, mund të thuhet Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në fillimet e tij, nga Tirana ishte pritur me rezerva. Ata ishin të bindur se kjo ndërmarrje ishte e nxitur nga jashtë, me qëllim që vëmendja e qendrës albanologjike të shpërqendrohet nga Tirana dhe të drejtohej në Prishtinë. Se kjo nismë ishte e ngutshme, në Tiranë nuk i kishte bindur as fjala e profesor Idriz Ajetit, i cili e kishte mbajtur me rastin e fillimit të punimeve të këtij Seminari, dhe ishte treguar mjaft i kujdesshëm, kur e kishte arsyetuar këtë nismë.
Hyrje
Në vitin 1974 në Prishtinë, në kuadër të Fakultetit të atëhershëm Filozofik, nisi punën Qendra e Gjuhës Shqipe për të Huaj. Pas një viti, ky institucion emërtohet si Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, sikundër njihet edhe sot e kësaj dite.
Në periudhën kur po flasim, marrëdhëniet diplomatike në mes dy vendeve ishin të mira, e kjo nënkupton se edhe në aspektin kulturor, marrëdhëniet në mes Prishtinës e Tiranës ishin relativisht të mira. Kishin filluar shkëmbimet kulturore, të kuadrit, literaturës, shoqërive kulturo-artistike etj.
Në vlugun e këtyre shkëmbimeve në Prishtinë, themelohet Qendra e Gjuhës Shqipe për të Huaj, që më vonë do të quhet Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ne në vazhdim do t’i referohemi si Seminari. Gazeta e atëhershme “Rilindja” i bëri jehonë hapjes së kësaj qendre, duke e quajtur “Ndihmesë për reciprocitet në njohën e kulturave”. Në ditët në vazhdim shkruante se “Shqipja e domosdoshme për studime të përgjithshme gjuhësore”. “Do të them diçka për shqipen”. “Ndihmë praktike e zgjerim i njohurive”. “Mbrëmje e suksesshme letrare”. (“Rilindja”, 13, 17, 24, 30, 31, gusht 1974).
Në fillimet e punimeve të kësaj qendre kishin marrë pjesë dhe kishin mbajtur fjalë Idriz Ajeti në cilësinë e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Pajazit Nushi në cilësinë e nënkryetarit të Këshillit Ekzekutiv të Kosovës dhe Ali Hadri në cilësinë e dekanit të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Në fjalën e tij, me rastin e fillimit të kësaj nisme, Idriz Ajeti në mes tjerash do të deklaronte se “në etapat e paraluftërave botërore qendra e studimeve albanologjike ka qenë jashtë Shqipërisë, jashtë Ballkanit..., pas luftës së fundit (Lufës së Dytë Botërore N. A), shënohen ndryshime shumë të mëdha për nga mundësitë jashtëzakonisht të volitshme për zhvillimin e shkencave albanologjike, e sidomos në Republikën Popullore të Shqipërisë ku krijohen mundësitë që ajo vetë të bëhet qendra kryesore e studimeve albanologjike”, (“Fjala përshëndetëse e Prof. dr. Idriz Ajetit, drejtor i Seminarit të kulturës shqiptare për të huaj”, Seminari i kulturës shqiptare për të huaj 1, UP-FF, Prishtinë 1975, f. 5).
Ndërsa, me rastin e përfundimit të punimeve të këtij Seminari, Idriz Ajeti, në fjalën e tij, kishte deklaruar se vitin e ardhshëm, përgatitjet do të fillojnë më herët dhe pjesëmarrësit do të njoftohen në kohën e duhur. Për Idriz Ajetin “pjesëmarrja sa më e gjerë në seminar është e mirëseardhur jo vetëm sa i përket popullarizimit të kulturës shqiptare në botë, po edhe vetë kombësisë shqiptare që jeton në kuadër të bashkësisë socialiste jugosllave”.
“Një ndërmarrje e pamenduar mirë nga ana e kosovarëve”
Edhe pse profesor Idriz Ajeti, në cilësinë e rektorit të Universitetit të Prishtinës, në fjalën e mbajtur me rastin e fillimit të punimeve të Seminarit, për mendimin tim ishte treguar mjaft i kujdesshëm, ku thoshte “në etapat e paraluftërave botërore qendra e studimeve albanologjike ka qenë jashtë Shqipërisë, jashtë Ballkanit..., pas luftës së fundit, shënohen ndryshime shumë të mëdha për nga mundësitë jashtëzakonisht të volitshme për zhvillimin e shkencave albanologjike, e sidomos në Republikën Popullore të Shqipërisë”. Pra, profesor Ajeti, fillimisht si qendër albanologjike në Ballkan përmend Tiranën dhe pastaj Prishtinën, megjithatë, Tirana këtë nismë të Prishtinës e pret me skepticizëm “edhe sikur të jenë qëndrime të shprehura me sinqeritet nga ana e Idriz Ajetit, të tilla zotime nuk do të mund t'i rezistojnë praktikës”, shkruante në mes tjerash në një informacion në lidhje me këtë.
Jehona që kishte marrë ky Seminar në shtypin shqiptar të kohës dhe shtypin e gjuhëve të kombësive të tjera në Prishtinë ishte përcjellë me kujdes nga Tirana dhe në lidhje me këtë, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Drejtoria V, më 6 shtator 1974 e dërgon në institucionet përkatëse në Tiranë një “Informacion” në lidhje me fillimin e punës në Prishtinë të “Qendrës së Kulturës Shqiptare për të Huaj”, ku edhe shfaqin disa dyshime për këtë nismë. Informacioni ka katër faqe të rrahura me makinë shkrimi dhe është i shkruar në gjuhën shqipe. Gjuha është e rrjedhshme dhe i shkruar me mjaft pedanteri. Në fund, si përpilues i këtij informacioni figuron emri i Zeqi Agollit, në cilësinë e drejtorit dhe është i ruajtur në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar me siglën (AQSh, Fondi 14 APSTR, Viti 1974, Dosja 426, fl. 1-5).
Gjithmonë sipas këtij informacioni, hapja e këtij Seminari në Prishtinë, për Tiranën lë shumë pikëpyetje, sepse sipas tyre, “hapja e këtij institucioni i kapërcen kufijtë e jetës kulturale dhe, dashur padashur merr edhe karakter politik”. Fillimi i punimeve të Seminarit në Prishtinë, shihet si nevojë ndërkombëtare për t’u lëvruar gjuha dhe kultura shqiptare, por përpiluesit e informacionit, sikur janë të mërzitur, pse një nismë të tillë nuk e kanë ndërmarrë institucionet e Tiranës të parat, por këtë gjë ua kanë lënë në dorë që ta shfrytëzojnë “revizionistët jugosllavë” – siç i quajnë ata, sepse sipas tyre “djepi i vërtetë i albanologjisë është Tirana dhe shkenca e RP të Shqipërisë, vazhduese e denjë edhe e traditës ndërkombëtare të studimeve albanologjike”. Përpiluesit shkojnë edhe më tutje me konstatime dhe këtë nismë e cilësojnë si jo të drejtë, të pamenduar mirë, fenomen të nxitur, përpjekje për të rivalizuar me Qendrën Albanologjike të Tiranës, një shprehje e re e politikës armiqësore e vendeve kapitaliste ndaj Shqipërisë, ndërmarrje për ta izoluar Shqipërinë etj.
Ajo çfarë i ka goditur edhe më shumë përpiluesit e relacionit është pjesëmarrja në Seminar e Valeri Mihaillov, sekretar i dytë i ambasadës Sovjetike në Beograd. Sipas Tiranës, prezenca e tij në Seminar është bërë “jashtë çdo kriteri, me ndërhyrjen këmbëngulëse të Ambasadës sovjetike në Sekretariatin e Punëve të Jashtme…. ky, sipas pohimeve të të sipërpërmendurit, nuk është interesuar aspak për probleme të albanologjisë, por gjatë pesë ditëve që ka qëndruar në seminar është munduar të njohë gjendjen në marrëdhëniet midis USHT dhe UP”, shkruan në mes tjerash në këtë informacion.
Në relacion jepen shënime, edhe për numrin e pjesëmarrësve, posaçërisht atyre të huaj, duke e cekur edhe vendet nga kanë ardhur. Potencohet numri i ligjëratave të mbajtura dhe disa ligjërues e titujt e kumtesave të tyre. Pavarësisht skepticizmit të shprehur në këtë informacion, aty hasim edhe vlerësime tilla si “pjesa më e madhe e pjesëmarrësve është interesuar me të vërtetë për albanologji dhe se e flisnin mirë shqipen”.

Në fund të relacionit, përgatitësit japin sugjerime që në lidhje me këtë hap të Prishtinës të bisedojnë me profesor Idriz Ajetin, i cili pas disa javëve, nga kur është përpiluar ky informacion pritej ta vizitonte Tiranën për nënshkrim të Protokollit midis mes USHT dhe UP. Ata shprehen se gjatë takimit me profesor Idriz Ajetin, njerëzit e Tiranës duhet ta gjejnë “mënyrën e me taktin e nevojshëm, t’i vëmë në dukje qëllimet armiqësore të armiqve të vendit tonë, veçanërisht të sovjetikëve për t'i pasur parasysh në veprimtarinë e Qendrës së Kulturës Shqiptare për të Huaj të Prishtinës”, shkruante në mes tjerash në këtë relacion.
Përpiluesve të informacionit, i ishte kthyer një përgjigje me shkrim të dorës nga z. Kahreman Ylli, më 17 tetor të vitit 1974, ku i vë në dijeni se ka biseduar edhe me shokun Ramiz (Ramiz Ali, shën. N. A.), dhe në lidhje me këtë shkruan: “Bisedova me Sh. Ramiz. Kosova mund të ngrerë shumë qendra kulturale si Universitet, Akademi e Institute – Ne i përkrahim këto dhe kosovarët t’i vënë të tëra këto qendra në shërbim të kulturës shqiptare dhe të Kosovës. Ata në tërë këto punë të ruhen nga armiqtë…. K.Ylli 17. X. 74”.
Për të qenë me korrektë me lexuesit, ne po e prezantojmë relacion në fjalë në tërësinë e tij pa shtuar dhe larguar asgjë.
“Tiranë më 6 shtator 1974. Informacion mbi hapjen në Prishtinë të "Qendrës së Kulturës Shqiptare për të Huaj". Siç e kanë njoftuar edhe "Tanjug-u" e "Rilindja", në Kosovë, kohët e fundit, është ngritur një institucion i ri, pranë Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, i cili është emërtuar: "Qendra e Kulturës Shqiptare për të Huaj". Hapjes së këtij institucioni i është bërë jehonë nga organet e informacionit jugosllav e kosovar, duke shkruar për rëndësinë e tij, duke botuar ndonjë intervistë ose pjesë nga fjalimet e mbajtura në ceremoninë e inaugurimit, të personaliteteve të ndryshme. Del se një institucion i tillë është vlerësuar shumë dhe po i kushtohet mjaft vëmendje. Pajazit Nushi, nënkryetar i KEK e ka cilësuar atë si një element të rëndësishëm në rrugën e zhvillimit dhe afirmimit të kulturës shqiptare në Jugosllavi, pas çlirimit. Edhe Ali Hadri ka shprehur bindjen se kjo qendër do të ndihmojë në zhvillimin e kulturës shqiptare dhe do të bëjë të mundur njohjen reciproke të kulturave të popujve të ndryshëm. Në programin e përgjithshëm të punës së institucionit është paraparë, që, çdo vit, të organizohen seminare të karakterit ndërkombëtar, brendia e të cilëve do të mbushet nga njëra anë me kurse të gjuhës shqipe e nga ana tjetër me ligjërata të ndryshme mbi probleme të gjuhësisë, historisë, letërsisë dhe të kulturës në përgjithësi. Për të organizuar punën e këtij institucioni është krijuar një komitet, në krye të të cilit është caktuar Idriz Ajeti dhe për të mbajtur leksionet janë ngarkuar figurat më të njohura të kulturës kosovare, pedagogët e Universitetit të Prishtinës, etj. Mendojmë se hapja e këtij institucioni i kapërcen kufijtë e jetës kulturale dhe, dashur padashur, merr edhe karakter politik. Kuptohet se shkaku kryesor, i cili ka bërë të nevojshëm krijimin e një Qendre të tillë, duhet kërkuar në nevojën ndërkombëtare për t'u marrë me gjuhën dhe kulturën shqiptare, e cila zë një vend të rëndësishëm në kulturën botërore dhe shpesh është kyç për zgjidhjen e problemeve të ndryshme të linguistikës krahasimtare, të etnologjisë, historisë, etj. Pikërisht këtë nevojë ndërkombëtare kanë shfrytëzuar revizionistët jugosllavë për të hapur një institucion të tillë në Kosovë në një kohë, kur djepi i vërtetë i albanologjisë është Tirana dhe shkenca e RP të Shqipërisë, vazhduese e denjë edhe e traditës ndërkombëtare të studimeve albanologjike. Hapjen e një Qendre të tillë në Kosovë na duket se është e drejtë ta shikojmë si një ndërmarje të pamenduar mirë nga ana e kosovarëve dhe si një fenomen të nxitur dhe të favorizuar me qëllime jo të mira nga ana e qarqeve zyrëtare të Jugosllavisë. Ajo paraqitet si një përpjekje për të rivalizuar me Qendrën Albanologjike të Tiranës, për të zënë një vend më të avancuar se ajo, duke synuar ta çojë në Prishtinë qendrën kryesore të përhapjes ndërkombëtare të kulturës shqiptare. Është kjo një shprehje e re e politikës armiqësore e vendeve kapitaliste dhe revizioniste ndaj vendit tonë, për të na izoluar edhe në këtë drejtim. Për një gjë të tillë, kemi përshtypjen, se janë të vetëdijshëm edhe disa nga përfaqësuesit kosovarë të kulturës. Për këtë gjë flasin përpjekjet e Idriz Ajetit, i cili në fjalimet e veta është munduar të bëjë një farë justifikimi, duke thënë se Universiteti i Prishtinës e bën këtë hap, gjoja, nën shembullin e universiteteve tjera të Jugosllavisë dhe se Qendra e Kulturës Shqiptare për të Huaj e Kosovës, do të përpiqet të mbajë raporte të rregullta me të gjitha qendrat e studimeve albanologjike dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi. Edhe sikur të jenë qëndrime të shprehura me sinqeritet nga ana e Idriz Ajetit, të tilla zotime nuk do të mund t'i rezistojnë praktikës. Që tani, kur është vetëm fillimi i punës së kësaj Qendre, në shtyp është filluar të shikohet, vazhdimësia e punës shkencore për albanologji, në Kosovë. "Në Insbruk dominuan të moçmit e në Prishtinë erdhën njerëz të rinj. Kontinuiteti shkencor nuk ndërpritet", shkruan "Rilindja". Edhe seminari i parë, i organizuar gjatë gushtit, tregoi se ata nuk do t'u përmbahen dot zotimeve të sipërme. Sipas pohimeve të Sali Maqedoncit, referenti i Universitetit të Prishtinës për marrëdhënjet me jashtë, bërë shokëve të Përfaqësisë sonë në Beograd, shihen qartë përpjekjet e qarqeve të ndryshme për ta shfrytëzuar aktivitetin e Qendrës për qëllime politike. Në seminarin e parë, jashtë çdo kriteri, me ndërhyrjen këmbëngulëse të Ambasadës sovjetike në Sekretariatin e Punëve të Jashtme, ka marrë pjesë edhe sekretari i dytë i ambasadës Valeri Mihaillov, njohës i gjuhës shqipe dhe tip provokatori. Ky, sipas pohimeve të të sipërpërmendurit, nuk është interesuar aspak për probleme të albanologjisë, por gjatë pesë ditëve që ka qëndruar në seminar është munduar të njohë gjendjen në marrëdhënjet midis USHT dhe UP. Tani vlen të përmendim disa nga të dhënat më kryesore rreth seminarit të parë të kësaj Qendre. Në këtë seminar morën pjesë 30 albanologë nga vende të ndryshme (nga 40 të paralajmëruar), ndër të cilët janë përmendur: 8 veta nga RFGJ, 6 nga Franca, 3 nga Italia, 3 nga Finlanda, 3 nga BS, 3 nga Bullgaria, 2 nga RDGJ, 1 nga Hungaria, etj. Pohohet se në vitet e ardhëshëm seminaret do të jenë më masivë ashtu edhe programi i aktiviteteve do të jetë më i pasur. Thuhet se pjesa më e madhe e pjesëmarrësve është interesuar me të vërtetë për albanologji dhe se flisnin mirë shqipen. Gjatë periudhës 12-30 gusht, sa zgjati seminari, përveç ushtrimeve gjuhësore ata dëgjuan edhe 20 ligjerata, të mbajtura nga të tillë si Idriz Ajeti ("Marrëdhënjet gjuhësore shqiptaro-sllave", Esat Stavileci ("Mbi pozitën e Kosovës në RSFJ"), Gani Luboteni ("Mbi dramaturgjinë shqiptare") dhe Rexhep Qosja ("Mbi periodizimin e letërsisë së re shqiptare"), etj. Të huajt, pjesëmarrës në seminar, kanë pohuar se tradita e studimit të shqipes vazhdohet në vendet e tyre. Një gjerman ka pohuar se në Gjermani nuk është ndërprerë tradita e studimit të shqipes e se në të ardhmen pritet të ndërmerren forma më të plota. Një rumune ka thënë se shumë rumunë merren me studimin e gjuhës shqipe dhe se në Bukuresht shkojnë shumë të huaj për t'u interesuar pikërisht për shqipen. Një Hollandez ka kërkuar të pragaditen libra për mësimin e shqipes nga të huajt dhe është shprehur me mirënjohje për një manual të botuar në Kosovë për këtë qëllim. Mbështetur në sa thamë më lart, mendojmë që me rastin e ardhjes së Idriz Ajetit në vendin tonë, 15 ditëshin e dytë të shtatorit, për nënshkrimin e protokollit midis USHT dhe UP, të gjejmë mënyrën e me taktin e nevojëshëm, t'i vemë në dukje qëllimet armiqësore të armiqve të vendit tonë, veçanërisht të sovjetikëve për t'i pasur parasysh në veprimtarinë e Qendrës së Kulturës Shqiptare për të Huaj të Prishtinës. Drejtori. Zeqi Agolli”.
Përfundim
Nga materialet dhe dokumentacioni, të shfletuara, mund të thuhet Seminari, në fillimet e tij, nga Tirana ishte pritur me rezerva. Ata ishin të bindur se kjo ndërmarrje ishte e nxitur nga jashtë me qëllim që vëmendja e qendrës albanologjike të shpërqendrohet nga Tirana dhe të drejtohej në Prishtinë. Se kjo nismë ishte e ngutshme, në Tiranë nuk i kishte bindur as fjala e profesor Idriz Ajetit, i cili e kishte mbajtur me rastin e fillimit të punimeve të këtij Seminari, dhe ishte treguar mjaft i kujdesshëm, kur e kishte arsyetuar këtë nismë. Por edhe fjalimet e tjera, siç prezantohen në shtypin e kohës, i Pajazit Nushit dhe Ali Hadrit ishin në të njëjtën linje me atë të Idriz Ajetit. Prishja e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik në vitet e ‘60-ta kishte ndikuar që politikën ruse ndaj Shqipërisë, Tirana ta shikonte me dyshime për çka edhe prezenca e Valeri Mihaillovit, sekretar i dytë i Ambasadës sovjetike në Beograd, edhe pse e dinte shqipen, ata prezencën e tij në këtë Seminar e vlerësuan me nota negative. Këto dyshime të Tiranës ndaj këtij organizimi, posaçërisht në fillimet e tij ndikuan që deri në vitit 1980 mos të kemi asnjë albanolog nga Tirana me kumtesa në këtë organizim. Megjithatë, përgjigjja nga instancat politike ishte se në Kosovë mund të ngrihen qendra si: Universitete, Akademi e Institute, por, sipas tyre, duke pasur kujdes nga armiqtë. Pavarësisht, se dyshimet ekzistonin nga institucionet e Tiranës ndaj kësaj nisme, qëllimet e këtij organizimi, sipas hulumtimeve tona të gjertanishme, ishin disa, por në po i veçojmë vetëm dy prej tyre;
E para, atë që e deklaron, vetë profesor Idriz Ajeti në fjalën përshëndetëse, kur thotë: “Seminari i Kulturës Shqiptare do të vendosë lidhje të ngushta e të përhershme me punonjësit dhe studiuesit albanologë të botës së jashtme. Ata do të gjejnë te Seminari përkrahje dhe do të gëzojnë ndihmë të vazhdueshme” dhe
E dyta, i ndjeri, Profesori i nderuar, Prof. dr. Fazli Syla, i cili në këtë kohë ka drejtuar Sekretarin Krahinor të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, institucion që ishte mbështetësi kryesor i themelimit të Seminarit, këtë fakt e potencon edhe Profesor Ajeti në fjalën përshëndetëse. Profesor Syla, sqaron se në atë kohë, sipas Kushtetutës së vitit 1974, Kosova ishte element konstitutiv me të drejta të barabarta në nivel federativ edhe në fushën e arsimit shkencës e kulturës, dhe duke i shfrytëzuar këto të drejta, u themelua edhe Seminari më 1974. Sipas Profesor Sylës, nga instancat udhëheqëse të Kosovës së atëhershme kishte marrë porosinë “se duhet patjetër të kemi çdo gjë që kanë njësitë e tjera të federatës, bile edhe më konkretisht, ato që kanë Sllovenia, Kroacia dhe Serbia”, (Fazli Syla, “Në rrjedhat e kohës dëshmi dhe perjetime”, ShB, Libri shkollor, Prishtinë, 2015, f. 61). Kjo për të cilën deklaron Profesor Syla, duket e qëndrueshme sepse institucione të tilla si Seminari vepronin në disa republika të ish-Jugosllavisë, e posaçërisht, kur Seminari në Prishtinë filloi punën, në Maqedoni po i zhvillonte punimet “Seminari i shtatë për gjuhë, literaturë dhe kulturë maqedonase”.