Shkuarja në Perëndim si rrugëdalje për të siguruar ekzistencën, nuk mundi ta shuante mallin për atdheun. U bë motiv për një luftë pa armë e pa plumba – për një luftë që shqiptarët nuk e kishin njohur deri në themelimin e Lobit shqiptar në Amerikë. Atëherë e kuptuam edhe ne, se pa njerëz që mund të shtynin para agjendat politike te qendra botërore e vendimmarrjes, zor se do të shkonim ndonjë hap para. E ne ishim me fat që në mesin e themeluesve të këtij lobi ishin edhe vëllezërit Osmani
Kur para 23 vjetësh do ta takoja Osman Osmanin në Shkup, isha syrgjyn. Nuk kisha ide jo fort të qartë se çfarë po ndodhte me nënën dhe vëllain tim të mbetur në Prishtinë gjatë bombardimeve. Atëherë, zor se kisha mundur të paramendoja se jeta do të na bashkonte sot, këtu, në përurimin e një libri.
Osmanin që e njohim, përherë optimist, i gjallë dhe njeri i gatshëm për të të dhënë kurajë kur punët i kishe më së ngushti – nuk ishte ai Osman që kisha takuar në Maqedoni.
Ky i dyti ishte një njeri tejet i brengosur, aq sa kishte marrë rrugën që të vinte nga Amerika për të parë në mos mundte të ndihmonte disi – në çfarëdo forme, lumin e njerëzve që derdhej nga Kosova. E në këtë lum, shpresonte se do t’i gjente miqtë me të cilët kishte kaluar një copë rruge plot gjemba në kërkim të afirmimit të kauzës shqiptare.
Nuk e di nëse kishte gjetur ndonjërin, se edhe po të më ketë treguar për ndonjë emër, mendja ime e turbulluar zor se do ta regjistronte. Por atë që kjo mendje e imja po aq e turbulluar nuk e harron dot përjetë, është takimi me të dhe fakti se erdhi, më kërkoi dhe më gjeti.
Kujdesi i tij dhe brenga që i rridhte nga shpirti, nuk janë gjëra që harrohen. Atëherë mbase nuk kam ditur t’ia shpreh se sa domethënës ka qenë gjesti i tij. Mbase nuk kam ditur t’ia shpreh mirënjohjen time.
Dhe ja, mbi dy dekada më vonë dhe në kushte krejtësisht të tjera, në shtetin tonë, për pavarësinë e të cilit kanë shumë merita Osmani së bashku me Hasanin e Esatin dhe familjet e tyre, po më jepet rasti për t’i thënë faleminderit në formën e këtij libri që po e përurojmë sot.
* * *
Nuk e kisha ditur që para dy vjetësh Instituti Albanologjik kishte botuar librin për vëllezërit Osmani.
Më erdhi shumë mirë që ky institucion që prejse është themeluar ka botuar shumë libra përmbajtjesorë, e kishte përgatitur një libër historie bashkëkohore. U gëzova që një familje aq e spikatur e diasporës, e cila luftoi për Kosovën në Amerikë, u bë me librin që, ngjeshur, përmbledh mbi 55 vjet jete, pune e suksesi.
Kur më erdhi në duar versioni anglisht i librit, me një përkthim të shkëlqyer të zonjës Alexandra Channer, nuk e pata as një çast hamendjeje nëse duhej botuar ose jo.
Emin Kabashi, autori i monografisë, i kishte gjetur themelet punimit të tij në fatkeqësinë e shqiptarëve të ndarë, atëherë në dy, e tash në pesë shtete. Fatkeqësi atëbotë e ushqyer me represion, ideologji, urrejtje, diktaturë, mungesë perspektive dhe kufizim lirie.
Shkuarja në Perëndim si rrugëdalje për të siguruar ekzistencën, nuk mundi ta shuante mallin për atdheun. U bë motiv për një luftë pa armë e pa plumba – për një luftë që shqiptarët nuk e kishin njohur deri në themelimin e Lobit shqiptar në Amerikë. Atëherë e kuptuam edhe ne, se pa njerëz që mund të shtynin para agjendat politike te qendra botërore e vendimmarrjes, zor se do të shkonim ndonjë hap para. E ne ishim me fat që në mesin e themeluesve të këtij lobi ishin edhe vëllezërit Osmani.
* * *
Që nga java që vjen, libri do të jetë në Amerikë. Do t’u dhurohet miqve dhe bibliotekave ashtu që edhe një pjesëz e historisë sonë, nëpërmjet të familjes Osmani, t’u bëhet e njohur miqve më të mëdhenj që ka Kosova.
Botimi i këtij libri assesi nuk mund të jetë kthim i një borxhi moral ndaj Osmanëve.
Porse gjithsesi është vetëm një shenjë e vogël falënderimi për patriotizmin e dëshmuar me vepra.
Fjalë e lexuar me rastin e përurimit të librit “The Osmani Brothers” të Emin Kabashit, përkthyer nga Alexandra Channer, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, më 21 shtator 2022