Shtojca për Kulturë

Teatri i Sarajevës nën presion për shfaqjen e Kosovës që s’e do Turqia: S’njohim censurë

Te Gjashtet

Teatri Kombëtar i Sarajevës të hënën pret të jetë nikoqir i “Të gjashtët kundër Turqisë”

“Artistë, mysafirë e vendorë mund të shqyrtojnë në mënyrë kritike rrethanat shoqërore dhe kohët në të cilat jetojmë. Arti në shoqëritë e lira dhe demokratike, vlera që ne i mbrojmë, nuk njeh kufizime tematike për lirinë e mendimit dhe të shprehjes. Kemi luftuar për vlera të tilla në çdo kohë e rrethana dhe kjo nuk mund të shembet me asnjë presion politik”, shkruhet në deklaratën e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Sarajevës, Dino Mustafiq, i cili i është kundërpërgjigjur kërkesës së autoriteteve turke për anulimin e shfaqjes nga Kosova, “Të gjashtët kundër Turqisë”. Por në adresë të institucionit që ai drejton, pos Turqisë presioni vjen edhe nga brenda. Të shtunën është deklaruar edhe ministri i Mbrojtjes i Bosnjë- Hercegovinës, Zukan Helez

Teatri Kombëtar i Sarajevës, i cili pritet të jetë nikoqir i shfaqjes nga Kosova, “Të gjashtët kundër Turqisë” ka dhënë përgjigje të prerë ndaj kërkesës së autoriteteve turke për ta anuluar atë. I është përgjigjur notës së protestës të cilën Ambasada e Turqisë ia ka adresuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të BH-së. Të shtunën, një ditë pasi u bë publike nota, drejtori i Teatrit, regjisori Dino Mustafiq, në një deklaratë zyrtare ka shkruar se institucioni që ai udhëheq “nuk njeh asnjë formë të censurës ideologjike”. “Të gjashtët...” është paraparë të jepet të hënën dhe një pjesë e ekipit nga Kosova tashmë ka udhëtuar drejt Sarajevës. 

“Artistët, mysafirë e vendorë, mund të shqyrtojnë në mënyrë kritike rrethanat shoqërore dhe kohët në të cilat jetojmë. Arti në shoqëritë e lira dhe demokratike, vlera që ne i mbrojmë, nuk njeh kufizime tematike për lirinë e mendimit dhe të shprehjes. Kemi luftuar për vlera të tilla në çdo kohë dhe rrethana dhe kjo nuk mund të shembet me asnjë presion politik”, shkruhet në deklaratën e Mustafiqit. 
Por, në adresë të këtij institucioni pos Turqisë presioni vjen edhe nga brenda. 

Të shtunën është deklaruar edhe ministri i Mbrojtjes i Bosnjë- Hercegovinës, Zukan Helez. Deklarata e tij është përcjellë nga agjencia e lajmeve Anadolu. Ai ka porositur se “në kontekstin e informacionit që në Sarajevë do të jepet shfaqja drejtuar kundër Turqisë dhe me elemente të përkrahjes së organizatës terroriste FETO, të gjithë ata të cilët veprojnë në hapësirën publike duhet të kenë kujdes që të mos cenojnë raportet me këtë vend mik”. 

 “Teatri Kombëtar i Sarajevës nuk njeh asnjë formë të censurës ideologjike”, ka thënë drejtori i Teatrit Kombëtar të Sarajevës, Dino Mustafiq. Foto klix.ba

“Në një kohë kur politikat secesioniste brenda BH-së po sulmojnë rendin e saj kushtetues, mbështetja e fortë dhe e hapur e Republikës së Turqisë është një shtyllë kyç e sigurisë. U bëj thirrje të gjithë atyre që veprojnë në hapësirën publike të marrin parasysh kontekstin më të gjerë dhe reputacionin ndërkombëtar të BH-së dhe të mos rrezikojnë marrëdhëniet me vendet mike si Turqia”, citohet të ketë thënë Helez nga Antalia ku po merr pjesë në Forumin e 4-t Diplomatik dhe ka zhvilluar një takim dypalësh me ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Yasar Guler. 

Në fakt shfaqjen “Të gjashtët kundër Turqisë” janë autoritetet turke që e cilësojnë si propagandë kundër këtij shteti dhe presidentit të saj. E kanë cilësuar kësisoj tërthorazi qysh në premierë në tetorin e vitit të kaluar në Prishtinë, e tash zyrtarisht edhe me notën diplomatike drejtuar BH-së. Ambasada e Turqisë nëpërmjet notës shpreh “kundërshtimin e ashpër” për këtë shfaqje duke konstatuar se ajo është “propagandë në favor të FETO-s, organizatës terroriste kundër Turqisë dhe presidentit të saj”. Aty shkruhet se fotografitë në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar të Sarajevës ku prezantohet shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt, shfaqen portretet e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe udhëheqësit të FETO-s, Fetullah Gülen. Këtë Ambasada e sheh si shenjë të qartë të lidhjes së shfaqjes me këtë organizatë. 

“Ambasada dëshiron të theksojë se në dritën e marrëdhënieve të mira midis dy vendeve kjo propagandë është e papranueshme”, shkruhej në notën diplomatike, “tepër urgjente” të nënshkruar më 10 prill. 

Por, drejtori i Teatrit Kombëtar të Sarajevës, Dino Mustafiq, në deklaratën e tij, ia ka bërë një prezantim shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë”, autorëve të saj, sikurse edhe “Qendrës Multimedia” dhe organizatave të tjera bashkëprodhuese jo vetëm të këtij projekti teatror. Ka theksuar sukseset ndërkombëtare të produksioneve teatrore e veçmas të dyshes Neziraj. 

“Teksti është shkruar nga Jeton Neziraj, njëri prej dramaturgëve kosovarë më të njohur kosovarë ndërkombëtarisht. Ka qenë drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka shkruar mbi 20 drama dhe vepra e tij është inskenuar në festivale teatrore nëpër Evropë dhe në SHBA. Revista gjermane e teatrit ‘Theater der Zeit’ e ka cilësuar si ‘Kafka i Ballkanit’. Regjinë e shfaqjes e ka bërë Blerta Neziraj, shfaqjet e së cilës për ‘Qendrën Multimedia’ kanë bërë turne ndërkombëtare, duke përfshirë Lozanën, Milanon, Vjenën, Hamburgun, Lionin, Bernën dhe New Yorkun. Në fillim të këtij viti bëri regjinë e një versioni të ri të ‘Balkan Bordel’ në Uppsala, Suedi. Ajo është alumni e Laboratorit të Regjisorëve të Teatrit, Lincoln Center. Çmimet e saj përfshijnë atë për Regjinë më të mirë në teatrin e Kosovës më 2020. ‘Qendra Multimedia’ është një organizatë kulturore me seli në Prishtinë, Kosovë dhe e fokusuar në teatrin dhe letërsinë bashkëkohore”, ka shkruar ai. Mustafiq, i cili është emër i njohur edhe për publikun e Kosovës dhe ka qenë regjisor mysafir edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ka rikthyer në vëmendje se Teatri Kombëtar i Sarajevës tok me “Qendrën Multimedia”, Mittelfest - Teatro della Pergola -Theater Dortmund, kanë realizuar “The Handke Project” që ka pasur sukses të madh ndërkombëtar. 

“Për këtë dëshmi janë tekstet e shumta në mediat më prestigjioze të Evropës. ‘Dramat e tij të vrazhda, të pandershme dhe absurde ta kujtojnë Ibsenin, Molierin dhe Kafkën, tek tërbohen kundër korrupsionit dhe padrejtësisë’, ka shkruar ‘The Guardian’ për Jeton Nezirajn”, ka kujtuar Mustafiq. 

“U bëj thirrje të gjithë atyre që veprojnë në hapësirën publike të marrin parasysh kontekstin më të gjerë dhe reputacionin ndërkombëtar të BH-së dhe të mos rrezikojnë marrëdhëniet me vendet mike si Turqia”, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Bosnjë-Hercegovinës, Zukan Helez

Edhe “Të gjashtët kundër Turqisë” – të cilën presioni i autoriteteve turke ia doli ta anulonte dy herë në Prizren – është një “tërbim” kundër autokracisë jo vetëm në Turqi. 

“Ajo flet për Turqinë e Kosovën, por matricat e ngjashme të ringjalljes së autoritarizmit që sot fatkeqësisht i gjejmë edhe në shumë vende të tjera, në Amerikë, në Hungari, në Sllovaki, Serbi e gjithandej”, kishte thënë dramaturgu Jeton Neziraj të premten kur Ambasada e Turqisë në Bosnjë- Hercegovinë lansoi notën diplomatike me kërkesën për anulimin e shfaqjes. E një rast të tillë Neziraj e ka cilësuar si mendësi diktati. “Nëse deri më tani teatri e ka ‘imituar’ realitetin, tani, në kohët në të cilat po jetojmë, është bërë pothuajse e zakonshme që realiteti ta imitojë teatrin. Kjo mendësi ‘diktati’, që përpiqet të instalohet përmes ‘kancelarive diplomatike’ është pa dyshim e papranueshme”, kishte thënë Neziraj duke theksuar se liria artistike është e shenjtë, e panegociueshme. Nëse Sarajeva do ta negociojë lirinë, mbetet të shihet të hënën mbrëma. Drama për “Të gjashtët kundër Turqisë” tashmë është në skenën e realitetit që imiton teatrin.