Edhe teatri edhe politika janë njëfarë pasqyre. Pasqyra fotografinë tonë e kthen nga e majta në të djathtë e politikanët tanë jo rrallë kur e shohin veten në pasqyrë nga të majtë dalin në të djathtë dhe këtë përmbysje e marrin si “argument” të qenësisë politike, derisa teatri pasqyrën e përdor si përmbysje
Edhe pse fatin e teatrit që nga themelimi i tij si institucion dhe art e ka përcaktuar politika dhe thuajse që nga atëherë jeton apo bashkëjeton në kontekste të ndryshme politike, megjithatë edhe sot e asaj dite teatri mbetet si një shprehje diskursive ndaj politikës.
Në fakt, duke u munduar jo ta paraqesë apo të afishojë parulla të ndryshme siç bën politika, por duke krijuar raport me vëllimet shoqërore të vëmendësojë nevojën për ndryshime, siç bënte Bertolt Brechti, dramaturgu disident gjerman.
Teatri në vazhdimësi u nënshtrohet interferimeve reciproke në “beteja” thuaja të vazhdueshme për një, apo shumë të vërteta që duan të fitojnë legjitimitet e mbështetje në raport me audiencën së cilës i referohen edhe politika edhe teatri. A mund të themi se një shfaqje teatrore është politike vetëm kur në mënyrë eksplicite merret me trajtimin e një personaliteti politik apo strukture të caktuar si temë puro politike? Apo për një shfaqje mund të themi se është politike kur mbushet me përmbajtje politike bazuar në referenca?
A mund të themi se një shfaqje teatrore është politike vetëm kur në mënyrë eksplicite merret me trajtimin e një personaliteti politik apo strukture të caktuar si temë puro politike? Apo për një shfaqje mund të themi se është politike kur mbushet me përmbajtje politike bazuar në referenca?
Politika merret me teatrin duke mos u marrë me të
Në rastin e Kosovës, mbase edhe të Shqipërisë, politika aktualisht nuk e ka prioritet teatrin. Këtu e atje mund të konstatojmë se politika merret me teatrin duke mos u marrë me të, një trajtim me shumë indiferencë deri në momentin kur teatri bëhet i rëndësishëm për pronën tokësore të cilën e posedon (rasti i rrënimit të Teatrit Kombëtar), apo edhe vetëm sa për të marrë fokusin e dritave dhe dozën e nevojshme të intelektualizmit (lexo: snobizmit).
Gjykimi pezhorativ: “Lëri ata, mirë janë, kënaqen e asgjë nuk bëjnë, qejfe të pafundme”, shpesh e lëndon natyrën e artistit duke treguar mosgatishmëri për problemet kurciale të funksionimit dhe zhvillimit të teatrit.
Kjo mosmarrje me teatrin jo rrallë e politizon atë provincialisht, duke i “pushtuar” (lexo: vartësuar) një numër “artistësh” të cilët gjithçka e kanë kthyer në rëndomtësi dhe afishim të mesazheve mbështetëse apo idhnake për këtë apo atë politikë, apo thjesht në anim të personaliteteve bartëse të asaj politike, e jo rrallë edhe si rrugë servile për të arritur deri te ndonjë projekt të cilin e valëvit politika si mundësi për mbijetesë në skenën teatrore.
Në rastin e Kosovës, mbase edhe të Shqipërisë, politika aktualisht nuk e ka prioritet teatrin. Këtu e atje mund të konstatojmë se politika merret me teatrin duke mos u marrë me të, një trajtim me shumë indiferencë deri në momentin kur teatri bëhet i rëndësishëm për pronën tokësore të cilën e posedon
Nuk është e thënë që politika dhe arti të shkojnë dashurisht bashkë, për faktin se njëra – politika – cilësohet si art i së mundshmes, derisa teatrin e shquan sikuri, pra të përbashkët e kanë mundësinë e cila rri pezull te spektatori dhe votuesi.
Pra, të dyja kanë pretendime “pushtuese” kundrejt atyre që për teatrin janë spektatorë, ndërsa për politikën votues. Teatri t’i vëmendësojë shpirtërisht, ndërsa politika t’i drejtojë fizikisht.
Ndikimi reciprok: teatri duhet të dalë nga tutela e politikës
Se teatri është një art me ndikim në politikë në funksion të ndryshimeve në shoqëri na e dëshmon Brechti, si një autor me vepra të cilësuara si politikisht të angazhuara (“Artur Ui”, “Nëna Kuraj”, e të tjera). Ky autor praktikën teatrore ideologjikisht (komuniste) si mesazh e ka shtyrë kundër diktaturës në rritje në kohën e ekspansionit të Hitlerit, derisa me artin teatror e ka provokuar të menduarit, aktivizmin. Krahasuar me këtë angazhim politik të Brechtit, shtrohet pyetja cili është synimi “politikëbërës” i autorëve bashkëkohorë shqiptarë? Cila është arena e betejës dhe për çka? Cili është konteksti i çlirimit nga ndrydhja ankthioze që i bëhet ambientit shoqëror ku jetojmë dhe si duhet provokuar katarsisin e Aristotelit, për t’u çliruar nga e vërteta gënjeshtare? Përveç pasqyrimit të rëndomtësive të skenës politike, nuk ka ndonjë kalim prapa malit, apo prapa perdes së ngjarjeve ku niset e zhvillohet drama.
Teatri duhet të dalë nga tutela politike dhe të modelohet në favor të një përcaktimi që ec në drejtim të hapësirave të reja të njohjes, me në qendër njeriun dhe mundësitë e reja të shprehjes jetësore të tij
Në fakt, nëse vetëm përmbajtja politike e përcakton teatrin, e jo produksioni teatror, si politikë teatrore, atëherë në rastin e parë nuk mund të flasim për marrëdhënien e teatrit me politikën në formën e manifestimit teatror, por konstatojmë thjesht një politizim në favor të dikujt apo diçkaje. Kjo s’ka të bëjë me esencën përcaktuese se çka është teatër e çka politikë, porse me mbijetesën e politikës dhe teatrit, koha kur spektatori dhe votuesi bëhen bashkë në një ambient të kontaminuar, ku artistët bëjnë politikë ndërsa politikanët bëjnë teatër. Pse?
Sepse teatri duhet të dalë nga tutela politike dhe të modelohet në favor të një përcaktimi që ec në drejtim të hapësirave të reja të njohjes, me në qendër njeriun dhe mundësitë e reja të shprehjes jetësore të tij. Të eksplorojë për të gjetur pikën e harmonisë si një lloj laboratori emocional që pretendon mundësi ndryshimesh në jetën shoqërore, e ku emocioni stimulon vullnetin për të ecur jo nga e sigurta por tutje saj, andej nga shtohet frika.
Nisur nga kjo, nuk do të duhej që politika apo eksponentët e saj të praktikonin rregullën teatrore të raportit midis veprimit foljor dhe veprimit fizik në teatër, e cila thotë: “Atë që e thua s’ke nevojë ta bësh dhe atë që e bën s’ke nevojë ta thuash”.
Teatri do duhej t’ia bënte me dije politikës, qoftë edhe në polifoni zërash, se arti nuk është punë, është diçka më shumë se puna, nuk përkufizohet dot me orarin administrativ të punës dhe se artisti nuk administron, por krijon për ta sugjeruar të ardhmen të cilën politika do të duhej ta bënte realitet.
Teatri do duhej t’ia bënte me dije politikës, qoftë edhe në polifoni zërash, se arti nuk është punë, është diçka më shumë se puna, nuk përkufizohet dot me orarin administrativ të punës dhe se artisti nuk administron, por krijon për ta sugjeruar të ardhmen, të cilën politika do të duhej ta bënte realitet
Peshkimi i spektatorëve dhe hapësirat jokonvencionale: Festivali “Teatri ndryshe”
Duke ndjekur të ardhmen, të nesërmen, spektatorin potencial, duke punuar për njerëzit e së ardhmes, teatri nuk ka pse t’i riciklojë format teatrore të cilat, siç thuhet, janë “brend” apo “trend”, e as – pa ndonjë kriter të konsoliduar e me vardisje të theksuar – t’i qaset publikut për t’i ofruar një relaksim (lexo: repertor) mashtrues, duke e injektuar normalitetin në gjendjen për të cilën po themi se nuk është ajo që do duhej të ishte. Andaj, teatri e ka syrin përtej kësaj, te një qëllim i cili e arsyeton ekzistencën e teatrit e që në interpretim të lirë del si qëllim i jetës, ndryshim. Duke u angazhuar për të tjerët, natyrisht që ky mekanizëm e shqyrton edhe artistin brenda vetes, duke e ballafaquar me përvoja të reja, të cilat i prek teatri.
Në Podujevë, nisur në vitin 2008, organizohet festivali ambiental “Teatri ndryshe”, me idenë paraqitjes në ambient apo ambiente të ndryshme, ku preken trashëgimia historike dhe kulturore, turizmi kulturor dhe përmes kësaj krijohet një lidhje e re me spektatorin, jo rrallë edhe të rastësishëm, i cili provokohet në aspektin socio-kulturor të ngjarjes, e që pastaj duke ardhur në teatër të ngjitet edhe tek aspektet e tjera të përmbajtjes së teatrit si art. Kjo mënyrë e komunikimit ndryshe, që ka pasur edhe premisa të kontaktit dhe njohjes edhe të “peshkimit” të spektatorit i cili po ikte nga teatri, është treguar e suksesshme ngase Podujeva tashmë falë klimës dhe përvojave nga festivali ka edhe teatrin profesional si një nga objektivat e arritura të festivalit. Njëkohësisht, duke ecur nëpër trashëgimi historike e kulturore përmes festivalit, u krijuan përvoja të reja në komunikim me spektatorin, duke i dhënë teatrit mundësinë e ndikimit.
Të rinjtë e angazhuar në organizim të festivalit ushqenin kureshtjen për teatrin përmes kontaktit me artistë mysafirë, pjesëmarrës në festival, gjë që pastaj rezulton me një emancipim teatror, i cili i jep mundësi teatrit të zhvillohet.
Artistët e teatrit jo rrallë i rrëmben numri i spektatorëve, thuaja se ai – pra numri – përcakton kualitetin e shfaqjes. Natyrisht se numri është motiv, por pa harruar se nganjëherë numri i vogël i spektatorëve na mundëson një komunikim më intim, që do të thotë një përshpirtërim me temën e trajtuar, siç po ndodh me shfaqje minimaliste, monodrama apo diadrama, të cilat shpesh thërrasin spektatorin të ngjitet në hapësirën e skenës për të ndarë frymën me aktorin, gjë që politika nuk e bën dot me votuesit e vet.
Grotovski, i cili na mëson jo se si bëhet por pse duhet teatri, ka realizuar shfaqje me 6 aktorë e po aq spektatorë dhe kjo ka vjelë rezultate të mëvonshme, që kanë krijuar pista të reja të udhëtimit me spektatorin e teatrit.
Teatri, politika dhe pasqyra
Nëse konstatuar kemi se liria, robërimi, skamja dhe pasuria (xhepat bosh, supermarketet plot) kërcejnë së bashku vallen e jetës, ku kriter mjerisht është mospasja e kriterit, rëndësia e teatrit vjen e shtohet, rrjedhimisht edhe përgjegjësia e artistëve ndaj spektatorëve të cilët politika i konsideron elektorat dhe i do kryesisht si numër, ndërsa teatri do të duhej të mos dilte nga natyra e tij, por të shënjestërojë nyjat e problemeve, edhe kur ato duken të pazgjidhshme.
Vitet e fundit, spektatorit të teatrit kryesisht i japim rezultate tematike duke provokuar të qeshurën apo vajin si nevojë fiziologjike e jo artistike dhe këtu kemi filluar t’i ngjajmë politikës, e cila mjeshtërinë e këtij manipulimi e ka të përsosur, ndërsa ne do të duhej t’ua bëjmë të qartë spektatorëve potencialë jo rezultatet, por procesin se si janë arritur ato rezultate. Pra, operimin në dhe prapa ngjarjeve, gjë që është misioni i teatrit, përveç të tjerash. Sepse teatri është edhe pasqyrë e jetës, reprodukon por edhe shemb, duke provokuar për ndryshim aktivizon të menduarit, dyshimin, dilemën. Ndërsa politika pretendon të betonojë besimin e sigurinë, duke afishuar premtime.
Edhe teatri edhe politika janë njëfarë pasqyre. Pasqyra fotografinë tonë e kthen nga e majta në të djathtë, e politikanët tanë jo rrallë kur e shohin veten në pasqyrë nga të majtë dalin në të djathtë dhe këtë përmbysje e marrin si “argument” të qenësisë politike, derisa teatri pasqyrën e përdor si përmbysje.
Në raportin e përbotshëm art/teatër–politikë, shtrohet pyetja dilematike se a duhet teatri të qartësojë duke shtrembëruar siç reflekton pasqyra, apo të bëjë me dije shtrembërimin duke moralizuar dhe didaskaluar (disiplinuar) jetën, siç bën kryesisht politika, apo të insistojë vazhdimisht në të ndryshueshmen si fat dhe të vërtetën e pagjetur si esencë.
Teatri nuk e duron administrimin të cilin e ka atu politika
Pra, teatri është një shëmbëllim i jetës, duke e jetësuar diskursin e politikës, apo jetën diskursive ndaj asaj të cilën e ushqen politika si mundësi a premtim, duke i provokuar gjërat që ato të ndodhin e jo thjesht ato t’i paraqesë pa ndonjë mbështetje ndikuese të asaj apo kësaj politike, pjesë e së cilës është edhe vetë tash e mijëra vjet. Por, duke qenë se teatri është organizëm i gjallë, assesi nuk e duron administrimin e politikës dhe ky synim hera-herës këmbëngulës i politikës e ngufat jetën e teatrit, ashtu siç po e bën tashti pandemia.
Teatri është një shëmbëllim i jetës, duke e jetësuar diskursin e politikës, apo jetën diskursive ndaj asaj të cilën e ushqen politika si mundësi a premtim