Kur i shikoj të gjithë këta maniakë, të përhapur tanimë në të gjithë botën, të mbushur me veten e tyre dhe narcizmin e tyre të çmendur, nuk mund as ta imagjinoj se si ndonjë njeri normal dhe i edukuar, i mirë, do të mund t'i përballonte ata normalisht. Këto janë dy botë jo vetëm të kundërta mes tyre por edhe janë të panegociueshme me njëra-tjetrën. Si mund të merresh me një gënjeshtar dhe manipulues të tillë, që të sorollat për të ngadhënjyer mbi të vërtetën?
Në fund të çdo viti, hartohen disa lista të më të mirëve dhe më të këqijve. Nuk krahasohet tamam gjithçka, as të themi të gjithë për sa i përket qenies njerëzore, por dalin disa të dhëna thjesht për më të pasurit, më të suksesshmit, më fatkeqët... Gazetarët i pagëzojnë shkurt në humbësit dhe fituesit. Humbësit pothuajse dihen, janë të përjashtuarit apo ata që etiketohen me fjalën angleze “looser”. Ky leksik është bërë aq i fuqishëm dhe i përhapur sa nuk e kuptoj më pse ekziston fjala e shkëlqyer serbe “gubitnik” (humbësi).
E kam të vështirë të shikoj te këta fitues dhe humbës qenie normale njerëzore (q.n.nj.), pasi bëhet fjalë kryesisht për politikanë ose klasifikime nga lista e “Forbes” për më të pasurit. Ai që mund të humbasë disa miliardë dollarë brenda një dite, vështirë se mund të konsiderohet si q.n.nj. As ai që bën të kundërtën, që e fiton të njëjtën sasi në të njëjtën kohë. Në fakt, të tillët as nuk më interesojnë aspak.
Çfarë do të thotë në të vërtetë kur një politikan është fitues ose humbës? Nëse bëhet fjalë vetëm për fitoren ose humbjen e zgjedhjeve është shumë e qartë. Por, këtu, nuk është fjala për këtë. Fituesit në botën e politikës përfaqësojnë figurat më të zakonshme të mbështjella me aureolën e popullaritetit, frikës, egoizmit, marrëzisë, pompozitetit... Mund të rendisnim pafund listën e tipareve të karakterit të tyre. Në fund, mund t’u përgjigjeshim britmave të tollovisë: Neroni! Hitleri! Por jo, nuk është çështja thjesht tek ata. Është shumë më e ndërlikuar.
Përfundova edhe unë në një përzgjedhje gjatë historisë dhe veçanërisht atë të njëqind vjetëve më parë, e arrita në përfundimin se pushtetarët më të suksesshëm, fituesit e kohëve të tyre, ishin të gjithë kryesisht psikopatë. Nga Stalini te Çaushesku, Erdogan, Putin dhe Trump, të gjithë vuanin nga mania e madhështisë dhe ajo e persekutimit. Në dallim nga Vili Brant dhe Olaf Palme, kur kalon koha e tyre, të gjithë flasin për ta si për maniakë dhe njerëz të këqij që megjithatë kanë ndërtuar (ngritur) tokën. Kurse për Brant dhe Palme flitet vetëm si për njerëz të mirë dhe të drejtë por...që nuk patën fat.
E keqja dhe e mira në kuptimin njerëzor dhe politik nuk kanë të njëjtin kuptim.
Sikur Hitleri të mos zhvendosej për në Lindje dhe të humbiste luftën me një maniak tjetër, me të cilin ai më parë kishte formuar një aleancë, restaurimi dhe forcimi i Gjermanisë me siguri do të kishte dalë si plan imperativ. Kush e di se si do të na paketohej ndryshe Holokausti. Ndoshta do të shkonte fati ashtu si dhe gjenocidit të armenëve në Turqi, që filloi sot e 102 vjet më parë. Maniakët dhe psikopatët duhet t’i tregojnë njerëzve se çfarë janë të aftë të bëjnë mbi të gjitha kur bëhet fjalë për durimin e popujve të tyre. (Si fizikisht ashtu edhe moralisht.) Askush nuk provon ose eksperimenton me njerëzit siç bëhet gjatë kohës që drejtojnë ata. Njerëzit normalë dhe të sjellshëm, njerëzit e mirë, nuk mund ta bëjnë kurrë atë që bëjnë njerëzit e çmendur. Edhe kur ata duhet të marrin masa radikale: shtrëngime radikale, mobilizim, hyrje në luftë, braktisje të politikës së mëparshme ... njerëzit e mirë dhe të sjellshëm mendojnë gjatë, këshillohen, dyshojnë, hezitojnë... derisa të marrin një vendim përfundimtar. Ata presin që armiku t’i sulmojë ata, duke mos sulmuar kurrë të parët.
Kur i shikoj të gjitha këta maniakë, të përhapur tanimë në të gjithë botën, të mbushur me veten e tyre dhe narcizmin e tyre të çmendur, nuk mund as ta imagjinoj se si ndonjë njeri normal dhe i edukuar, i mirë, do të mund t'i përballonte ata normalisht. Këto janë dy botë jo vetëm të kundërta mes tyre por edhe janë të panegociueshme me njëra-tjetrën. Si mund të merresh me një gënjeshtar dhe manipulues të tillë, që të sorollat për të ngadhënjyer mbi të vërtetën? Por e vërteta juaj normale dhe e sjellshme, e drejta nuk mund të arrijë te njerëzit që të rrëshqasin. Këta njerëz kanë nevojë për Mesian, për udhëheqës që u premtojnë gjithçka ndjekësve të tyre, dhe shumë shpejt, për udhëheqës që janë në gjendje t’i kërcënojnë e t’i fshijnë fare nga faqja e dheut armiqtë e tyre. Të gjithë këta lunatikë ngulmojnë se nuk ka ndërmjetësues midis tyre dhe njerëzve, se gjithçka mund të jetë më e thjeshtë, më e lehtë dhe më e shpejtë nën drejtimin e tyre. Duke vepruar kështu, ata i referohen një tradite që e transmetojnë thellësisht. Kjo është kaq e thjeshtë për t’u transmetuar.
Pra, kur flasim për fituesit dhe humbësit, le të mendojmë një moment se ku do t’i strehojmë, derisa të mos kalojë e gjitha kjo. Kjo gjendje mund të zgjasë. Fituesit e sotëm mund të arrijnë lehtësisht të mbytin dhe mundin gjithçka të drejtë. (Ata do të sulmojnë të parët pa hezituar aspak.) Sigurisht, me ndihmën e popujve të tyre entuziastë.
Unë ende shoh mirësi, vendosmëri dhe ndershmëri, si vlera që duhet të përfaqësohen. Madje, edhe kur gjithçka rreth nesh duket e pështirë, e pasjellshme dhe e rreme. Zgjedhja jonë nuk është vetëm çështje ndërgjegjeje, por edhe çështje e vërtetë mbijetese. Dhe mirësia ka instinktin e saj të vetëpërmbajtjes. Jam krejt i bindur për këtë.
Sa mund të na hyjë në punë vallë që, në fund të fundit, fituesit të bëhen humbës? Le të themi, nëse do të mbijetojmë: Kjo ishte ajo çfarë ju thashë pra! Ka fare pak rëndësi.
Përktheu nga origjinali: Ben Andoni. Botohet me leje të autorit.
Velimir Ćurgus (1948, Novi-Sad – 11 nëntor 2018, Beograd). Gazetar dhe personalitet i njohur i publicistikës serbe. Drejtor i “Ebart Consulting” që nga viti 2002. Ishte redaktor i kolonës kulturore në gazetën “Politika” nga viti 1988 deri në 1996. Para kësaj, punoi si redaktor dhe botues për tetë vjet në Qendrën Kërkimore dhe Botuese të Rinisë serbe në Beograd. Ai është një nga themeluesit e Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë dhe autori i rreth dhjetë librave me prozë dhe ese me temën e kulturës dhe politikës kulturore. Esetë dhe librat e tij janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, polonisht, japonisht dhe disa gjuhë të tjera më të vogla. Ai është autor i disa librave mbi marrëdhëniet me median, politikën dhe kulturën dhe po ashtu hartues i disa projekteve në fushën e kërkimit të mediave dhe kulturës. Velimir Ćurgus ka marrë Çmimin Ndërkombëtar për Ese në “Lettre International”, në Weimar, në vitin 2000. Ishte anëtar i Qendrës serbe – PEN prej vitit 1987. Por, Ćurgus ishte gjithashtu piktor, veçanërisht në llojin e teknikës së kombinuar në letër. Me emrin e tij janë të lidhura pesë ekspozita. Ai ishte edhe autori i dy skenarëve të filmave të shkurtër.