Shtojca për Kulturë

Të jesh hebre në Beograd

“Ndoshta mu për këtë po mbetem në një mjedis që për shkak të qëndrimeve të mia të qarta e morale, por edhe për shkak të qëndrimeve politike, po bëhet gjithnjë më refuzues”

“Ndoshta mu për këtë po mbetem në një mjedis që për shkak të qëndrimeve të mia të qarta e morale, por edhe për shkak të qëndrimeve politike, po bëhet gjithnjë më refuzues. Për aq sa e keqja rritet, edhe inati im është më i madh, sikurse edhe rezistenca” (Foto: Gordan Srdanov)

Më 14 prill në Beograd vdiq shkrimtari i njohur Filip David (1940 – 2025). David la pas vetes një numër të madh të veprave, midis tyre të përkthyera edhe në gjuhën shqipe. Për dallim prej shkrimtarëve të tjerë, që në vitet e nëntëdhjeta e braktisën kryeqendrën e Serbisë, Beogradin, David nuk lëvizi prej këtij qyteti duke e ngritur publikisht zërin kundër nacionalizmit shtetëror dhe luftënxitës. Lidhur me qëndrimet e tij, por edhe gjendjen në Serbi të viteve të nëntëdhjeta, është interesant letërkëmbimi me shkrimtarin Mirko Kovaç (1938 – 2013). “Libri i letërkëmbimit 1992 – 1995” është botuar në vitin 2003. Teksti në vazhdim është letra e 1 janarit të vitit 1993, në të cilën David i shkruan Kovaçit për gjendjen që mbretëron në Beogradin e antisemitizmit. Titulli dhe nëntitujt e nxjerrë nga përmbajtja e letrës janë të përkthyesit Skënder Latifi

I dashuri Mirko,

Hymë në Vitin e Ri me shumë frikë dhe pak shpresa. Në natën e Vitit të Ri, disponimin e kishim të errët dhe si mund të ishte ndryshe? Kur në mesnatë sipas zakonit nisën të shtënat masive, Vera dhe unë u fshehëm në qoshen e dhomës, sa më larg dritares që të mos pësonim prej ndonjë plumbi qorr.

A po e sheh në çfarë niveli ka arritur “përvoja jonë luftarake”? Më pas shkuam te “Parku i Pionierëve” ku bashkë me dhjetëra njerëz të tjerë ndezëm qirinj për viktimat e kësaj lufte. Aty qëndruam në heshtje për gjysmë ore, ndërsa në afërsinë tonë kalonin pijanecët dhe ndonjë çift i lumtur, ndërsa ndonjëri prej kalimtarëve të disponuar heshtjen tonë në nder të të vdekurve e përcillte me ndonjë të sharë. 

Konformizmi mizor i shumicës është duke i përcjellë ngjarjet e tmerrshme në Bosnjë. Thjesht, shumë njerëz nuk dëshirojnë që të dinë çfarëdo qoftë për gjithçka që ndodh atje dhe ky injorim është i gërditshëm dhe i bezdisshëm sikurse edhe vetë përkrahja e hapur e krimeve. Në anën tjetër, është fyese gjendja në të cilën ndodhet pakica që është e gatshme t’u ndihmojë miqve në nevojë.

Nga mesi i nëntorit i kam përgatitur dy paketa me ushqime (për Gavril Grahovcin dhe Ivan Lovrenoviqin). Organizatorët e këtij aksioni humanitar u zotuan se ndihma me kamionë do të futet në Sarajevën e rrethuar. Para godinës së “Politikës”, vendin ku janë duke u mbledhur ndihmat, rreth pesëdhjetë familjarë të mërzitur i paketonin dhe i mbështillnin ndihmat e tyre, duke i shënuar adresat (me një procedurë të rreptë) dhe më pastaj ndihmat i vendosën në dy kamionë të mbuluar. Menjëherë u bëra i dyshimtë se sa dhe me çfarë është përfshirë në këtë aksion vetë gazeta “Politika” e cila ka luajtur rol të errët në propagandën e shpërndarjes së zjarrit të luftës dhe urrejtjes. Megjithatë sikur edhe dhuruesit, besova se humanizmi dhe solidariteti nuk kanë dhe as që guxojnë të kenë lidhje me barbarizmin politik dhe me manipulimin e turpshëm të medieve. Mirëpo, tani sapo morëm vesh se dërgesat nuk kishin shkuar më tej Pales (selisë së kriminelit Radovan Karaxhiq – vërej. përkth.) dhe as që do të ketë shans që ato dërgesa të mbërrijnë në adresat e shënuara në Sarajevë. Jam i sigurt se uzurpuesit e ndihmës, janë duke u tallur me naivitetin dhe besueshmërinë tonë, ashtu edhe siç duket ashiqare se ata kanë luajtur në mënyrë cinike me naivitetin tonë, duke u shtirur si organizues të mbledhjes së ndihmave “vullnetare”.

Pas tridhjetë vjetëve punë më është ndaluar hyrja në televizion

Pas tridhjetë vjetëve punë më është ndaluar hyrja në godinën e televizionit. Pasi na i morën lejekalimet me tradhti (me arsyetimin se do t’ua vazhdojnë afatet) rojtarët në përcjellje të policëve të armatosur, më urdhëruan që të largohesha. Të njëjtën gjë e përjetuan edhe tridhjetë gazetarë, redaktorë dhe inxhinierë të cilët si anëtarë të Sindikatave të Pavarura kërkuan respektimin e kodeksit profesional (në bazë të të cilit nuk është e lejuar propaganda e luftës, përhapja e urrejtjes racore, kombëtare dhe fetare apo censurimi i lajmeve të vërteta – të gjitha këto që televizioni ynë është duke i bërë). Jemi larguar nga televizioni me urdhrin personal të drejtorit gjeneral Millorad Vuçeliq, mikut tuaj të dikurshëm dhe të njohurit tim. Dhe ja tani ndodhemi në mes të rrugës! Por, megjithatë pushimi i detyrueshëm (siç po e quajnë ata) është më i mirë sesa puna e detyrueshme. Më së rëndi po më vjen se nuk po lejojnë që të shkoj në zyrën time të redaksisë për t’i marrë ata pak libra dhe gjësende që më kanë mbetur. Dje, jemi tubuar para televizionit dhe provuam që të hyjmë me dhunë brenda. Shërbimi i sigurimit dhe policët e rinj qëndronin para hyrjes. Kolegët tanë të deridjeshëm përpjekjen tonë e panë me qetësi, apo duke u turpëruar me kokët përdhe kalonin pa e thënë asnjë fjalë të vetme. Me veshët e mi e dëgjova njërin prej tyre duke e komentuar gjendjen e krijuar dhe me siguri duke aluduar në pjesëmarrjen time aty tha: se të gjitha këto janë “punë të hebrenjve”. Kur ai u ballafaqua me shikimin tim, u skuq si gaforre, u fsheh në turmë dhe u tret diku.

Ballina e veprës “Libri i letërkëmbimit 1992 – 1995”, botuar në vitin 2003

Antisemitizmi i vazhdueshëm

Më vonë mendova për këtë incident, më shumë sesa për përjashtimin nga puna? T’i vërsulesha dhe ta godisja? Secili reagim i tillë do të ishte më shembullor sesa hutimi im. Këtë antisemitizëm të vazhdueshëm që vrazhdë po del në sipërfaqe, me të drejtë apo jo jam duke e kuptuar vetëm si një prodhim dytësor të situatës së tanishme. E kam vështirë të jem në rolin e viktimës, sepse në jetën time kurrë nuk jam ndier ashtu. Padrejtësitë dhe fyerjet e kohëpaskohshme i kam përjetuar si diçka normale në botën në të cilën jemi duke jetuar. Thënë të vërtetën të tilla raste nuk ka pasur shumë, por pyes se a ekziston dikush që nuk i ka përjetuar ato herë pas here. Edhe emrin dhe mbiemrin tim që nuk janë “tipike serbe” i kam bartur pa kurrfarë turpi dhe kjo kurrë nuk më është dukur si diçka e çuditshme. Vetëm kohëve të fundit kur e shqiptoj emrin tim se mbrohem nga pak dhe a thua a nuk është kjo plasaritja e parë në gjendjen e ndjenjës absolute të sigurisë dhe e të qenit të privilegjuar?

Është e mundur që unë me biografinë time të përgjithshme, vetëm i kam vërtetuar pohimet e Finkelkrotit (Alain Finkielkraut - vërej. përkth.) për ekzistencën e “hebreut imagjinar” për “trashëgiminë e vuajtjeve që nuk i kam përjetuar”, “të ndjekurit që nuk ka qenë i shtypur”. Me origjinën time, nën hijen e tragjedisë nën të cilën jam rritur e kam fituar – siç thotë filozofi francez – individualitetin dhe veçantinë time të pamerituar. Nuk kam pasur arsye që të turpërohem, përkundrazi, hebraizimi im m’i dha disa përparësi në raport me të tjerët. Në shkollë më pikasën më shpejt sesa disa shokë të mi, në letërsi qysh me librin e parë hyra si “shkrimtar me tematikë hebreje”. Pra, “hebraizmi” im tutje nuk ishte ngarkesë por përkundrazi. Dhe tani si ta pranoj situatën që u krijua përnjëherë, të bëhem viktimë, të mbushem me frikë, të ndihem i ndjekur, ta ripërtërij rolin historik të të huajit në një botë të panjohur, kur aq mirë kam qenë i vendosur në një kulturë të tillë, bile edhe nëse ajo nuk më do më. Nuk kam asnjë mjet tjetër pos gjuhës që e flas dhe kjo gjuhë përgjithmonë më vendosi mu këtu ku jam. Në çdo vend tjetër do të isha pa identitet dhe do të shpërbëhesha duke përfunduar në asgjë.

Për aq sa e keqja rritet, edhe inati im është më i madh

Ndoshta mu për këtë po mbetem në një mjedis që për shkak të qëndrimeve të mia të qarta e morale, por edhe për shkak të qëndrimeve politike, po bëhet gjithnjë më refuzues. Për aq sa e keqja rritet, edhe inati im është më i madh, sikurse edhe rezistenca. Deri në çastin që do të mund të flas pa frikë, pa kalkulime, pa ndenjën e përkatësisë së dyfishtë dhe të vlerës më të ulët, do ta ruaj tërësinë e personalitetit tim. Në atë çast kur do të ndaloja së vepruari kështu, kur frika do të më hante, do të shndërrohesha në mjeranin e fundit dhe që është e sigurt, do t’i braktisja të gjitha, nëse ndoshta edhe do të dëbohesha si një i huaj i tërë. Mirëpo, diku thellë në veten time e ndiej: se nëse e humb këtë, tjetrën nuk do të mund ta arrij. Nuk di se a mund të kuptosh deri në fund specifikën e një situate të tillë, sepse me vetveten dhe në vete, pavarësisht se çfarë ka ndodhur dhe ku je, ti e bart origjinën tënde, që me mendjemprehtësi dhe në mënyrën e veçantë për ty e ke shënuar duke i kërkuar rrënjët e tua.

Unë nuk mund të flas shumë për trungun tim gjenealogjik, pra vetëm diçka që është e pakët, jo më larg se për dy breza më tej, gjithçka tjetër është e mjegulluar, ndoshta me qëllim e fshehur në errësirë, me siguri pasi e kaluara është e hidhur, dhe dekurajuese, kështu që pasardhësit do t’i çonte vetëm në dëshpërim. Pra, nuk kemi zgjidhje tjetër. Ndoshta kjo për dikë është deprimuese, por mua më jep guxim që të qëndroj dhe të kundërvihem deri sa të kem fuqi…

Përktheu: Skënder Latifi 

© KOHA Ditore